‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tejkalim të dispozitave ligjore në shpërndarjen e mandateve !
09/07/2015

D E K L A R A T Ë

 

Shkarko Deklaratën e Plotë në .pdf

 

Pas publikimit të Raportit të IV të Ndërmjetëm të Monitorimit si edhe të Konkluzionit Paraprak mbi procesin zgjedhor, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) vazhdon të monitorojë operatorët zgjedhorë dhe fazat e mbetura të procesit.

Gjetjet e monitorimit të kësaj periudhe do të detajohen dhe do të jenë pjesë e Raportit Përfundimtar të Monitorimit pas finalizimit të procesit zgjedhor.

 

Nisur nga ecuria institucionale e vërejtur gjatë këtyre ditëve si dhe mbështetur në misionin e KVV-së për të kontribuar për realizimin e një procesi zgjedhor sa më të arrirë, shihet me vend tërheqja e vëmendjes në dy problematika të vërejtura.

 

 

Procesi ankimor është drejt përmbylljes së tij dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sapo ka nisur shpërndarjen e mandateve për Bashkitë e reja.

Deri tani asnjë nga këto ankimime, të kryera kryesisht prej subjekteve politike jo-parlamentare, nuk është pranuar në shqyrtimet e kryera nga KQZ-ja.

 

KVV konsideron si një element aspak pozitiv frymën e vërejtur në qendrimet e Komisionerëve dhe të përfaqësuesve të forcave politike, për të konsideruar procesin ankimor si një proces që përpiqet ta cënojë procesin zgjedhor. Madje, në diskutimet e shprehura prej tyre pranimi i ankimimeve do të thotë “bërje pis e zgjedhjeve”.

 

Kjo është një qasje tërësisht e gabuar jo vetëm ndaj frymës që paraqet Kodi Zgjedhor, por edhe ndaj standardeve të së drejtës.

Sistemi i drejtësisë, qoftë edhe ai i drejtësisë zgjedhore, është një garanci e së drejtës dhe jo “një instrument” për të cënuar legjitimitetin e cilitdo procesi.

 

 

Shpërndarja e mandateve prej KQZ-së është përmbyllja e tërë procesit zgjedhor dhe në logjikën e administrimit zgjedhor, është një proces tejet formal, pra praktikisht një proces thjesht përllogaritës.

Mbi bazën e rezultateve të votimit kryhet përllogaritja e mandateve për njësi vendore.

 

Sipas Kodit Zgjedhor, në Bashkitë që përfshihen në një Zonë të Administrimit Zgjedhor (ZAZ), vendimin për shpalljen e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve të Zgjedhjeve e merr vetë Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor (KZAZ).

Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit ankimor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr vendim për shpërndarjen e mandateve për atë njësi vendore.

 

Në seancat e datave 8 dhe 9 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati në rendin e ditës, ndër të tjera, projekt-vendimet për shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiakë në Bashkitë Bulqizë, Devoll, Berat dhe Kuçovë.

 

Të katërta këto Bashki mbulohen respektivisht prej një ZAZ-je. Sipas pohimeve të drejtuesve të administratës u pranua se në projekt-vendimet në diskutim ishin bërë korrigjime në numrin e votave të dala nga vendimi i KZAZ-ve përgjegjëse.

Ky ndryshim ishte bërë mbi bazën e rezultateve të Grupeve të Numërimit të Votave (GNV) në ato KZAZ.

 

Argumentimi për këtë ndryshim në rezultat që u dha nga administrata, e pyetur prej një prej përfaqësuesve politikë[1] në KQZ, ishte mbështetja në precedentin e krijuar në Zgjedhjet Vendore pararendëse të vitit 2011.

 

Edhe Kryetarja e KQZ-së e mbështeti këtë argumentim të administratës duke e pranuar si një tejkalim ligjor të vullnetshëm dhe të gjithëpranuar prej të gjithë Komisionerëve[2].

 

Kodi Zgjedhor nuk i jep asnjë të drejtë KQZ-së në korrigjimin, qoftë edhe të gabimeve materiale, e vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve të Zgjedhjeve nga KZAZ-ja.

 

Vetëpranimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për një tejkalim të vullnetshëm të kuadrit ligjor, pas një vazhdimësie mosrespektimi në këto zgjedhje, duket se po e shndërron Kodin Zgjedhor në një Manual ose Memorandum Zgjedhor pa asnjë efekt normativ.

 

Kur ky qëndrim shfaqet prej Institucionit më të lartë të ngarkuar për organizimin zgjedhor, Kodi Zgjedhor nuk ka sesi të konsiderohet më si “Rregullator” prej gjithë pjesëmarrësve të tjerë në proces apo akoma më keq prej shkelësve të tij.

 

 

Në gjithë këtë situatë, në kushtet edhe të mungesës së transparencës nga institucioni i KQZ-së, duke evidentuar këtu, ndër të tjera, mospublikimin ende të të gjitha vendimeve për kërkesat ankimore, si ato të shumë diskutuarat për Bashkitë e Kurbinit dhe Vorës, vendimmarrja e këtyre dy ditëve është akoma më shqetësuese në pasojat që mund të sjellë në shpërndarjen e mandateve në dëm të subjekteve jo parlamentare.

 

Për më tepër, KVV sjell në vëmendje se gjatë procesit të votimit dhe të numërimit, këto subjekte nuk kishin instrumenta ligjorë për të qenë pranë tyre dhe për t’i ndjekur ato.

Madje një pjesë jo e vogël e tyre janë të pa informuar për funksionimin e procesit ankimor dhe në vazhdim.

 

Përballë këtyre zhvillimeve, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh shqetësimin e tij se edhe mungesa më e vogël e rigorozitetit dhe skrupulozitet në zbatimin e ligjit në vendimet në vazhdim për shpërndarjen e mandateve, mund të cënojë legjitimitetin e fituar të deritanishëm të këtij procesi zgjedhor.



[1] Seanca e mbledhjes së KQZ-së, datë 09.07.2015. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, z. Njazi Kosovrasti: “Unë përsëris edhe njëherë shqetësimin që thashë dje lidhur me ndërhyrjen që po bëhet në tabelat e rezultateve në rastin e KZAZ-ve të vetme, të cilat e kanë miratuar Tabelën e Rezultateteve atje në KZAZ, kanë shpallur një rezultat dhe unë mendoj që s’është e ligjshme të ndërhyhet nga KQZ, as kryesisht as me ankim në këtë fazë, për të korrigjuar Tabelën e Rezultateve”.

[2] Seanca e mbledhjes së KQZ-së, datë 09.07.2015. Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi: “Sikurse dhe ju e thatë, sigurisht që është një parashikim ligjor i cili nuk është, pra i parashikuar kjo që bëjme ne, por ne kemi rënë në parim dakort duke e tejkaluar këtë. (...) Po pra! Kemi rënë në parim dakort për t’a tejkaluar. Sigurisht është e drejtë ajo që thatë ju, sepsë ligji nuk e parashikon “mot a mot”. Por ne e kemi marrë të mirëqenë faktin që ta bëjmë këtë ndryshim këtu në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke pasur parasysh edhe nenin 123, 122. I kemi bërë ne interpretimin. Ju keni të drejtë! (...) Po pra, keni të drejtë, kështu që vazhdojmë”.


Tiranë, më 9 Korrik 2015!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore