‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti i Katërt i Ndërmjetëm i Monitorimit - Zgjedhjet Lokale 2015 !
29/06/2015

ZGJEDHJET PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE

21 QERSHOR 2015

  

 RAPORT I NDËRMJETËM MONITORIMI   - NR. IV 

19 - 26  Qershor 2015 


 

Me poshte gjeni: "KONKLUZION PARAPRAK" Raportit.

 

 

Shkarko Raportin e Plotë në formatin .pdf

 

 

I. KONKLUZION PARAPRAK

 

 

Zhvillimi i zgjedhjeve periodike dhe në përputhje me parimet e një demokracie kushtetuese është një përpjekje që shoqëria shqiptare është angazhuar prej 25 vitesh. Përpjekje që në vazhdimësi ka vuajtur në arritjen e standarteve minimaliste ligjore.

 

Çdo proces zgjedhor deri më sot është përballur me rrezikun e kontestimit prej palës humbëse, dhe në këtë traditë, pala humbëse është vetvendosur si “çertifikuesi” i vullnetit popullor.

 

 

 

Në fund të të gjitha garave elektorale, miratimi i garuesit humbës është shndërruar në standartin e vetëm që duhet sigurojë procesi. Kur në fakt, ai që informalisht quhet çertifikim i procesit zgjedhor, është e domosdoshme të bëhet vetëm mbi bazën e kuadrit ligjor zgjedhor dhe prej trupës institucionale të ngarkuar në organizimin e zgjedhjeve.

 

 

 

Në këtë logjikë shtetformuese, Kodi Zgjedhor duhet të jetë rregulluesi i tërë organizimit dhe i përgatitjes së zgjedhjeve.

 

Ky kuadër parashikon veçmas rregullave, edhe institucionet ligjzbatuese (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, Komisionet e Qendrave Votimit, Kolegji Zgjedhor).

 

 

 

Aspirata dhe detyrimi i marrë përsipër prej shoqërisë shqiptare, për zhvillimin e një procesi zgjedhor ligjor dhe legjitim, do të thotë zbatim besnik i tërë dispozitave të Kodit Zgjedhor.

 

 

 

Në këtë periudhë të cilës i referohet ky raport i katërt, si edhe në tërë periudhën pararendëse të këtij raporti, e cila i përkiste përgatitjes së zgjedhjeve, fenomenet e 1) moszbatimit të ligjit, 2) diskrecionalitetit në vendimmarrje dhe në gjykim, 3) keqadministrimit dhe 4) deformimit institucional, janë shfaqur vazhdimisht prej tërë operatorëve zgjedhorë.

 

 

 

Këto fenomene të shfaqura në këtë proces zgjedhor që po mbyllet, janë arsyet përse janë cënuar ligjshmëria dhe procedurialiteti i procesit. Kjo për arsyet që vijojnë:

 

 

 

1) Çdo normë, rregull, dispozitë, ligj apo proces ligjor, ka pjesë të veten pashmangshmërisht afate dhe shtrirje kohore.

 

Në ngritjen e qendrave të votimit, në caktimin e vendndodhjeve të qendrave të votimit dhe vendeve të numërimit të votave, përgatitjen dhe hartimin e listave të zgjedhësve, tërë afatet ligjore u tejkaluan aq sa praktikisht zhbënë parashikimet ligjore.

 

 

 

2) Kodi Zgjedhor, secilit institucion dhe çdo funksionari në këto institucione i parashikon të drejtat dhe detyrat që i ngarkohen.

 

Në rastin e personave që vuanin heqjen e lirisë në institucione penitanciare, të cilët për faj të administratës shtetërore nuk u bënë pjesë e listave të zgjedhësve brenda afatit ligjor, u përdor një artific ligjor i gabuar për t’ia mundësuar atyre të drejtën e votimit.

 

Përpos vullnetit pozitiv, të prezumuar, pasi nuk zbatohet dhe anashkalohet çdo procedurë dhe regullim që kuadri ligjor parashikon, nuk mundet që vetëm në fazën finale të procesit t’i kushtohet vëmendje garantimit të një të drejte duke shkelur sërish ligjin.

 

 

 

3) Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe Komisionet e Qendrave të Votimit, janë trupat kolegjiale që përpos të tjerave, iu besohet gati tërësisht mbarëvajtja e ditës së zgjedhjeve.

 

Këto komisione të ngritura ad-hoc, me një formulë mbi bazën e balancimit politik, janë tepër të atakueshëm prej presionit politik.

 

Garancia më e fortë që këto komisione të funksionojnë ashtu si e kërkon kuadri ligjor është trajnimi që duhet kryer prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në rastin më të keq, ata komisionerë duhet të jenë të vetëdijshëm kur veprojnë në përputhje apo në kundërshtim me ligjin.

 

Lirim-emërimet e ekzagjeruara në numër dhe në kohë të komisionerëve të KZAZ-ve dhe vonesat në ngritjen e GNV-ve dhe KQV-ve, u bënë shkak për nivelin e ulët të vërejtur në përgatitjen dhe formimin e atyre komisionerëve për detyrat e tyre.

 

 

 

4) Përpos problematikave që krijuan, tre vërejtjet e sipërpërmendura, në një shoqëri në tranzicion që rreket të ndërtojë një shtet ligjor dhe të së drejtës, sjellin një dëm akoma më të rëndë në planin afatgjatë, që është deformimi i institucioneve.

 

Në historikun zgjedhor nëse kalohet nga një precedent negativ në tjetrin, arritja e standarteve në vijueshmëri do bëhet akoma më e vështirë.

 

Përballë sfidave në organizim që sjell normalisht çdo proces, problemi më madh do jetë në vazhdim zhbërja e traditës së keqfunksionimit dhe të shkeljes së ligjit prej të gjithë institucioneve dhe funksionarëve.

 

 

 

Cënimi i procesit ligjor, ndër të tjera përbën cënim të vullnetit të legjislatorit si autori i hartimit të kuadrit ligjor.

 

Një proces zgjedhor ka për qëllim të vetin një aspiratë më të lartë, që është shfaqja e vullnetit dhe zbatimi i verdiktit të sovranit.

 

Ecuria e qetë e ditës së zgjedhjeve, shtrirja kohore jo e ekzagjeruar e procesit të numërimit dhe atmosfera politike deri më tani gjithëpranuese, deri në këtë moment duket se po i japin këtij procesi zgjedhor cilësinë e mos cënimit të vullnetit të votuesve.

 

 

 

Duke i sjellë në vëmendje tërë problematikat e përmendura prej Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë në raportet e mëparshme dhe këtë në fjalë, respektimi i vullnetit popullor deri në fund të procesit, do i japë legjitimitet këtyre zgjedhje, ndonëse ligjërisht të cënuara.

 

 

 

Të gjendur në etapën finalizuese të procesit, që janë ankimimet dhe apelimet, vlen t’i tërhiqet vëmendja operatorëve, pjesë e drejtësisë zgjedhore, që të jenë maksimalisht të angazhuar në zbatimin më të saktë të kuadrit ligjor.

 

 

 

 

Këta operatorë, duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe të shmangin problematikat e shfaqura deri më tani si inkoherenca, diskrecionaliteti në vendimmarrje, dhe mos zbatimi i ligjit.

 

 

 

Transparenca është një element formal, por që përcakton jashtëzakonisht përmbajtjen e jetës institucionale. Një vlerë që në procesin zgjedhor përthyhet në dy detyrime ligjore për institucionet; e drejta e informimit dhe e drejta e vëzhgimit.

 

Ndonëse përgjatë punës së Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë këto dy të drejta janë mohuar disa herë, si në dhënien e informacioneve të kërkuara si dhe në mohimin e prezencës gjatë procesit zgjedhor, ato duhen mbajtur parasysh rigorozisht për aq sa këto zgjedhje duan të finalizohen, por sidomos në proceset që do vijojnë.

 

 

 

 

Institucioni për të cilin procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar dhe nuk duhet të vlerësohet si i mbyllur deri në finalizimin e hetimeve, është Prokuroria e Përgjithshme (dhe Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore).

 

Janë ngritur shumë akuza prej disa subjekteve zgjedhore dhe janë sjellë indicie të shumta edhe prej mediave për krime elektorale të konsumuara në këtë proces zgjedhor.

 

Më e rënda ndër ato ka qenë krimi i blerjes së votës.

 

Akuzat dhe indiciet e përfolura, duhet të jetë në objektivat më prioritarë të institucionit të hetimit.

 

 

 

Klasa politike në vazhdën e maturisë së treguar duhet të angazhohet fort për të krijuar një klimë mbështetëse ndaj organeve përkatëse për të adresuar, hetuar dhe çuar deri në fund, nën një transparence të plotë, çdo çështje lidhur me procesin zgjedhor pa e lënë atë në hije, pavarësisht çertifikimit të rezultateve, apo të sjelljes në vëmendje të prioriteteve të tjera më madhore apo ngjarje të ditës, duke siguruar adresimin e duhur ligjor dhe testimin deri në fund të institucioneve dhe të sistemit të drejtësisë zgjedhore.


============================================================


Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë falënderon:


      - Programin e Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë,

      - Delegacionin e Bashkimit Europian (BE) në Tiranë, dhe

      - Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA) për mbështetjen financiare të ofruar,

         si edhe

     - të gjithë aktivistët e të 33 organizatave të Koalicionit për kontributin e tyre vullnetar në realizimin e objektivave të monitorimit përgjatë periudhës që përfshihet në të Katër Raportet e Ndërmjetme të Monitorimit të publikuara deri tani.


-----------------------------------------------------

Përmbajtja dhe opinionet e shprehura në këtë raport janë përgjegjësi e vetme e KVV-së dhe nuk pasqyrojnë në asnjë rast edhe ato të donatorëve!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore