‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti i Dytë i Ndërmjetëm i Monitorimit - Zgjedhjet Lokale 2015 !
04/06/2015

ZGJEDHJET PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE

21 QERSHOR 2015

  

 

RAPORT I NDËRMJETËM MONITORIMI   - NR. II 

26 Mars  -  21 Maj 2015 


 

Me poshte gjeni: "Përmbledhjen Ekzekutive" si dhe "Rekomandimet" e raportit.

 


Shkarko Raportin e Plotë në formatin .pdf



 

I. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE  

 

·         Pavarësisht vullnetit të shprehur nëpërmjet Rezolutës së Dhjetorit 2014, ngritjes së Komisionit Parlamentar Ad-Hoc dhe angazhimit përpara qytetarëve e partnerëve ndërkombëtarë për bashkëpunim, de facto vullneti politik, komunikimi mes forcave politike dhe, si rrjedhojë, konsensusi i nevojshëm për ndërmarrjen e ndryshimeve të duhura dhe të rëndësishme ligjore ka munguar dhe vazhdon të mungojë.

 

·         Në thelb, angazhimi i partive politike për dekriminalizimin e politikës deri në këtë moment është karakterizuar nga retorikë politike dhe iniciativa të cunguara, ndërmarrë nga opozita apo maxhoranca më vete. Fryma e dialogut dhe konsensusit për këtë çështje vazhdon të mungojë, ashtu siç kanë munguar iniciativa konkrete dhe serioze që të mundësojnë këtë proces kaq të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, ndërkohë që maxhoranca dhe opozita vazhdojnë të akuzohen respektivisht për mungesë vullneti dhe bllokim të procesit.

 

·         Mosadresimi nga Parlamenti i Shqipërisë i të gjitha çështjeve që preken si pasojë e reformës administrativo-territoriale, siç ishte e drejta e kandidimit të të zgjedhurve aktuale, dhe lënia e kësaj çështjeje për tu zgjidhur nga KQZ-ja, e cila nga ana tjetër nuk arriti të kishte deri në fund një qëndrim ligjor, por u shtrëngua të zbardhte në mënyrë të paligjshme vendimin e vet, e futi procesin e kandidimit në një impass, i cili afektoi ndjeshëm të drejtën e të zgjedhurve aktualë për të kandiduar.

 

·         Moszbardhja e vendimeve në kohë prej Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve është një element  kyç për efektet që passjell dhe mosrespektimi i këtij detyrimi në mënyrë të vazhdueshme dhe të pajustifikuar ka krijuar artificialisht çoroditje të procesit.

 

·         Pabarazia para ligjit në gjykimet e ndryshme të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për dy çështje të ngjashme prek parimin e barazisë së normës përpara subjekteve apo çështjeve të ndryshme.

 

·         Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor si struktura që nuk “ruajnë gjurmë” në punën e tyre, me problematika nga më të ndryshmet, deri tek mosfunksionimi në orar zyrtar, penalizon operatorët elektoralë sepse nuk arrijnë të shfrytëzojnë të drejtat që iu jep Kodi Zgjedhor dhe as nuk mund të bëjnë ankimim më tutje.

 

·         Megjithëse institucion i ngarkuar nga ligji, për menaxhimin e procesit zgjedhor, KQZ ka patur një rol jo aktiv në procesin e monitorimit të hartimit të listave. Megjithatë KVV përgëzon vullnetin e shprehur prej këtij institucioni, në përmbushje të detyrimit që i njeh ligji, për t‘ia kaluar çështjen e lëvizjeve të dyshimta në listat e zgjedhësve organit të prokurorisë, pas raportimit të njërit prej auditëve teknicienë.

 

·         Publikimi i listës finale të zgjedhësve u shoqërua edhe me problematika që kanë të bëjnë me mospërfshirjen në to të të gjithë të personave që vuajnë dënimin në institucionet e ekzekutimit të veprave penale.

 

·         Fushata zgjedhore ka filluar prej të gjitha partive kryesore, në shkelje të plotë të afatit ligjor të parashikuar për fillimin e saj.

 

·         Është vënë re ndjeshëm gjatë kësaj fushate të parakohshme përdorimi i burimeve publike, dhe i aktiviteteve të maxhorancës, si inaugurime etj., në favor të kandidatëve të saj.

 

·         Megjithë publikimet në media të indicieve për forma të blerjes se votave nuk ka asnjë investim nga prokuroria, dhe asnjë organ tjetër, për të verifikuar dhe zbardhur deri në fund këto raste, të cilat rrisin në mënyrë artificiale tensionin si dhe ulin besimin e qytetarëve në proces.

 

·         Pjesa më e madhe e mediave vazhdojnë të pasqyrojnë në mënyrë të pakuptimtë materialet e fabrikuara dhe të përgatitura nga partitë politike, dhe konkretisht jo vetëm filmime, por edhe zërin shoqërues, përgjatë shfaqjes së kasetave.

 

·         Partitë politike po bëjnë një fushatë të kushtueshme, duke përdorur gjerësisht median dhe transmetimin televiziv me regji qëndrore private, duke prekur një sërë principesh mbi objektivitetin dhe vërtetësinë e pasqyrimit të informacioneve për publikun e gjerë.

 

·         Është për tu përshëndetur respektimi i kriterit gjinor në lista për anëtarët e këshillave të bashkive, megjithatë vihet re vetëm një numër i kufizuar kandidatesh për kryetare bashkie.

 

·         Institucionet e administrimit zgjedhor, megjithë përmirësimet në performancën e tyre, kanë ende për të bërë për të ofruar një  profesionalizëm sa më ta lartë të administratës dhe transparencë të plotë të procesit zgjedhor.

 

·         Kolegji Zgjedhor, në vendimmarrjen përgjatë kësaj periudhe, rezulton se aplikon arsyetim jo të saktë dhe standard të dyfishtë në trajtimin e çështjeve të paraqitura.


=============================================


III. REKOMANDIME

 

Për Partitë Politike

Të angazhohen për të respektuar totalisht kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe të legjislacionit në fuqi për të kryer një fushatë elektorale dhe një proces zgjedhor sa më të arrirë në zbatim të standardeve më të mira ndërkombëtare.

 

Të angazhohen për të respektuar autoritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe për të ofruar një fushatë sa më të denjë, në funksion dhe në interes të qytetarëve, duke u fokusuar në platforma konkrete zhvillimi të cilat të përfshijnë në radhë të parë angazhimin dhe kontributin e përbashkët të forcave politike shqiptare në shërbim të interesit më të mirë të qytetarëve.

 

Të zhvillojnë një fushatë zgjedhore të moderuar, jo të kushtueshme dhe me programe konkurruese.

 

Të sigurojnë që të gjithë kandidatët të cilët mbajnë poste apo janë nëpunës civil dhe kandidojnë për kryetar bashkie apo anëtarë të këshillave bashkiakë të japin dorëheqjen nga postet e tyre ose, së paku, të kërkojnë pezullimin nga detyra që mbajnë.

 

Qoftë partitë politike, qoftë kandidatët në garë të kufizohen në premtime zgjedhore realiste dhe me rëndësi për komunitetin respektiv duke evituar retorikën e përgjithshme politike, sulmet personale dhe veçanërisht gjuhën e urrejtjes. 

 

Të nxisin kandidatët e tyre për anëtarë të këshillave bashkiakë që të jenë më prezentë në media dhe me qytetarët.

 

T’iu bëjnë thirrje strukturave dhe mbështetësve të tyre për të respektuar rigorozisht dispozitat e parashikuara në nenin 88 të Kodit Zgjedhor mbi “Ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore”.

 

Të kenë parasysh jo vetëm  moskryerjen apo mosmbështetjen e elementëve të veprave penale të parashikuara në Kreun X të Kodit Penal “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”, por të denoncojnë pranë KQZ-së apo Prokurorisë çdo formë të shfaqjes së këtyre veprave.

 

Qoftë partitë politike, qoftë kandidatët në garë të marrin seriozisht në konsideratë shmangien apo përjashtimin nga grupi i mbështetësve të tyre të të gjithë individëve, të cilët shfaqin sjellje apo opinione për ushtrimin e çfarëdolloj forme presioni apo dhune ndaj kundërshtarëve politikë, apo për të imponuar qytetarët në orientimin e votës së tyre.

 

Të respektojnë afatet ligjore në propozimet dhe emërimin e emrave për anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit dhe grupeve të numërimit të votave

 

Të mos i ndërrojnë anëtarët e KZAZ-ve dhe në rast të ndërrimit të marrin përsipër trajnimin e anëtarëve të zëvendësuar si dhe të zëvendësojnë anëtarët e liruar me anëtarë të të njëjtës gjini në mënyrë që të ruhet balanca gjinore në KZAZ deri në përfundim të procesit.

 

Të marrin masa që të rritin pjesëmarrjen e grave në aktivitetet elektorale të zhvilluara si dhe të trajtojnë me prioritet gjatë fushatës çështje që kanë lidhje me barazinë gjinore, aftësinë e kufizuar, minoritetet si dhe të grupet e tjera vulnerabël.

 

Të kujdesen që të respektojnë balancën gjinore edhe në komisionet e qendrave të votimit dhe grupet e numërimit të votave, në frymën e rritjes së pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, pavarësisht se ligji zgjedhor nuk e sanksionon një gjë të tillë.

 

Pavarësisht përcaktimeve që bëhen në Kodin Zgjedhor lidhur me deklarimin dhe auditimin e financimit të fushatave zgjedhore, partitë të angazhohen për të bërë në mënyrë vullnetare publikimin e donacioneve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore përpara ditës së votimit.

 

 

Për Prokurorinë

Prokurori i Përgjithshëm të nxisë dhe udhëzojë prokurorët, që të vlerësojnë me seriozitetin maksimal çdo shfaqje të veprave penale lidhur me zgjedhjet, si dhe të vihen në lëvizje ndaj çdo denoncimi publik që mund të transmetohet në media veçanërisht gjatë fushatës elektorale.


 

Për Median

Pavarësisht se Kodi Zgjedhor nuk e detyron, mediat të angazhohen që në rast të transmetimit të materialeve të gatshme të ofruara nga shtabet elektorale të kandidatëve apo subjekteve zgjedhore të vendosin një njoftim me titra të dukshme në të cilin publiku të njoftohet se materiali i cili po u ofrohet është një material propagandistik i përgatitur nga stafet elektorale të partive dhe jo nga gazetarët respektivë të medias.

 

Të respektojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor për pasqyrimin e aktiviteteve elektorale në mënyrë sa më të balancuar si dhe duke i kushtuar vëmendje të veçantë edhe kandidatëve që janë jashtë dy koalicioneve të mëdha.

 

T’i kushtojnë rëndësi njohjes dhe bërjes publike të kandidatëve për anëtarë të Këshillave Bashkiakë si dhe ideve e platformave të tyre.

 

T’i kushtojnë rëndësi të veçantë pasqyrimit të fushatës së kandidatëve nga gjinia më pak e përfaqësuar, pra të grave kandidate, qoftë për kryetar bashkie qoftë për anëtare të këshillave bashkiakë.


 

Për KZAZ-të

Anëtarët e KZAZ-ve të respektojnë orarin zyrtar dhe në rast se janë të punësuar në pozicione publike të kërkojnë pezullimin e përkohshëm nga detyra, në përputhje me ligjin, deri në përfundim të shërbimit të tyre si anëtarë të KZAZ-ve.

 

Të respektohet ceremonialiteti i mbledhjeve të KZAZ-ve.

 

Të udhëhiqen gjatë përmbushjes së detyrave të tyre vetëm nga ligji dhe interesi i qytetarëve shqiptarë duke tejkaluar interesat e ngushta partiake.


 

Për Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të marrë masa që të gjithë personat që vuajnë dënimin në Institucione e Ekzekutimit të Veprave Penale (IEVP) të cilët janë të papërfshirë në lista t’u krijohet mundësia të ushtrojnë të drejtën e votës. KQZ-ja të detyrojë autoritetet përgjegjëse që ta përmbushin detyrimin ligjor për ushtrimin e së drejtës së votës ndaj shtetasve që vuajnë dënimin në IEVP dhe ta mbikqyrë nga afër këtë proces.


 

Për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve

Të vazhdojë të ushtrojë autoritetin e tij të plotë në zbatim të detyrimit të ligjit për administrimin dhe mbikqyrjen në mënyrë të plotë të të gjithë aspekteve të procesit zgjedhor.

 

Të investohet për të monitoruar nga afër zhvillimin e fushatës zgjedhore duke vlerësuar çdo indicie të servirur nga media apo subjekt elektoral pranë KQZ-së lidhur me shkelje përgjatë fushatës zgjedhore.

 

Të vlerësojë dhe të ndjekë nga afër punën e Bordit të Monitorimit të Medias si dhe të rezultateve të punës monitoruese të tyre duke zbatuar dispozitat që parashikon ligji në rast të shkeljes së parimit të barazisë për subjektet zgjedhore.

 

Të përpiqet të arsyetojë dhe ketë një vendimmarrje jo partizane, konform ligjit dhe ne interes të procesit dhe qytetarëve shqiptarë.

 

Të sigurojë një proces sa më të arrirë të ankimimeve duke shmangur përdorimin e standardeve të dyfishta.

 

Të mbikqyrë dhe ndjekë nga afër procesin e dhënies së të drejtës së votës për të dënuarit në IEVP apo institucione të tjera të posaçme.

 

Të mbikqyrë dhe marrë masa që gjatë procesit të lirimit dhe anëtarëve të KZAZ-ve të propozuar nga partitë politike të ruhet deri në përfundim të procesit balanca gjinore në këto komisione.  

 

Të udhëzojë Komisionet në varësi si dhe të angazhohet edhe vetë për të ofruar të gjitha lehtësitë e nevojshme për vëzhguesit vendas për një transparencë sa më të plotë të procesit.

 

 

Për policinë e shtetit

Të jetë sa më profesionale, të evidentojë dhe hetojë çdo rast shkeljeje të ligjit apo që i adresohet si dhe të ruajë pavarësinë dhe një rol totalisht të tërhequr përgjatë gjithë procesit zgjedhor, sikur parashikohet në ligj.


============================================================


Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë falënderon:


      - Programin e Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe

      - Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA) për mbështetjen financiare të ofruar,

        si edhe

     - të gjithë aktivistët e të 33 organizatave të Koalicionit për kontributin e tyre vullnetar në realizimin e objektivave të monitorimit përgjatë periudhës që përfshihet në këtë Raport.


-----------------------------------------------------

Mendimet e shprehura në këtë raport janë të KVV-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht edhe ato të donatorit!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore