‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Realizimi i standarteve për ecurinë e procesit zgjedhor në periudhën e mbetur deri ditën e zgjedhjeve, kërkon kontributin e të gjithë aktorëve institucionalë si edhe të vetë subjekteve elektoralë !
06/05/2015

 D E K L A R A T Ë

 

Shkarko Deklaratën e Plotë në .pdf

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në vijimësi të misionit të tij për monitorimin e procesit elektoral të 21 Qershorit,

si një grupim organizatash aktive në fushën e ndërtimit të demokracisë, ndërtimit të shtetit ligjor dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut,

duke synuar në rradhë të parë dhënien e kontributit për mbështetjen e ecurisë së procesit zgjedhor dhe për arritjen e standarteve më të mira të mundshme për periudhën dhe proceset e mbetura deri në ditën e zgjedhjeve,

 

shpreh disa konsiderata të tij lidhur me disa aspekte që duhen patur në vëmendje prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si edhe prej aktorëve politikë që konkurojnë apo prej aktorëve të tjerë të përfshirë në realizimin e procesit zgjedhor.

 

 

1.      Fushata elektorale

 

Data 4 maj 2015 ishte afati i fundit[1] për regjistrimin e kandidatëve që do të konkurojnë për organet e reja qeverisëse të 61 bashkive.

 

Depozitimi i kërkesave për regjistrim i kandidatëve të mbështetur prej formacioneve politike apo grupe zgjedhësish, i konsideron tashmë këta kandidatë si “kandidatë zyrtarë” përsa i përket angazhimit të tyre politik, ndërkohë që finalizimi i zyrtarizimit të tyre do të bëhet pas vendimit të marë prej Komisioneve Zgjedhore (KQZ-ja apo KZAZ-të), nëse ato plotësojnë kushtet e parashikuara nga ligji zgjedhor për të qenë kandidatë për organet e qeverisjes vendore.

 

KVV në disa prononcime të tij ka dënuar fillimin e hershëm të fushatës nga disa kandidatë të dy koalicioneve, atij të mazhorancës "Aleanca për Shqipërinë Europiane" dhe atij të opozitës "Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet".

 

Pavarësisht se kandidatët nuk ishin ende të zyrtarizuar, fushata e bërë prej tyre ishte e paligjshme jo vetëm për faktin e zhvillimit të parakohshëm të saj, por edhe të elementëve të tjerë (si mbështetja prej zyrtarëve të lartë të qeverisë, të bashkive apo edhe të deputetëve të kuvendit; transmetimi i tyre në disa media në mënyrë të plotë dhe “live” nëpërmjet përdorimit të regjive televizive si dhe logjistika dhe burimet e përdorura, të cilat ndër të tjera duhen patur parasysh prej auditëve dhe KQZ-së në raportete vjetore financiare që do të paraqesin partitë respektive; etj), elementë këto që në total shkelin hapur dhe rëndë barazinë e garës elektorale.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë përgëzon dhe mbështet fort Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me deklarimin e bërë publik dje se KQZ angazhohet të ushtrojë në mënyrë të plotë kompetencat që i jep ligji, duke marrë masa ndaj subjekteve elektorale, nëse ato do të kryejnë fushatë elektorale përpara datës së fillimit zyrtar të saj, si edhe ndaj mediave nëse ato do të transmetojnë këto fushata përpara datës 22 maj, kur edhe fillon zyrtarisht periudha e fushatës elektorale.

 

Koalicioni i bën thirrje partive politike të respektojnë rigorozisht afatin e përcaktuar në Kodin Zgjedhor për kryerjen e fushatës elektorale prej datës 22 Maj deri më datën 19 Qershor 2015.

 

Gjithashtu, iu kërkon që t’iu bëjnë thirrje strukturave dhe mbështetësve të tyre për të respektuar rigorozisht dispozitat e parashikuara në nenin 88 të Kodit Zgjedhor mbi “Ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore”[2], si dhe të kenë parasysh jo vetëm moskryerjen apo mosmbështetjen e elementëve të veprave penale të parashikuara në Kreun X të Kodit Penal “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”[3], por edhe të denoncojnë pranë KQZ-së apo Prokurorisë çdo formë të shfaqjes së këtyre veprave.

 

Partitë politike, nisur nga detyrimi që përcakton Kodi Zgjedhor[4] , Ligji “Për Nëpunësin Civil” si dhe morali politik i një gare të barabartë, duhet të sigurojnë që të gjithë kandidatët të cilët mbajnë poste apo janë nëpunës civil dhe kandidojnë për kryetar bashkie apo anëtarë të këshillave bashkiakë, të japin dorëheqjen nga postet e tyre ose së paku të kërkojnë pezullimin nga detyra që mbajnë[5].

 

Duke vlerësuar vendimin e marrë nga tre Televizionet informative (Ora News, News 24 dhe ABC News), Koalicioni i kërkon opinionit publik dhe veçanërisht mediave të tjera në vend që jo vetëm të respektojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe legjislacionit në tërësi lidhur me pasqyrimin dhe informimin mbi fushatat elektorale por, edhe të mbështesin fort publikisht në punën e tij Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në këtë angazhim jo të lehtë, të marrë për herë të parë gjatë katër proceseve zgjedhore të zhvilluara që prej miratimit në vitin 2008 të Kodit Zgjedhor në fuqi.

 

Koalicioni vlerëson gjithashtu urdhrin e Kryeministrit nr. 67 datë 4 Maj 2015 “Për marrjen e masave për zbatimin e ndalimit të vënies në përdorim të subjekteve zgjedhore të mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, pronë publike, për Zgjedhjet e Organeve të Pushtetit Vendor të datës 21 Qershor 2015”, por nga ana  tjetër sjell në vëmendje të ministrave të qeverisë se çdo shfaqje publike në krah të kandidatëve në garë e veçanërisht në takime lidhur me çështje, sektorët e të cilave varen prej ministrive të tyre, përbën gjithashtu shkelje të barazisë në garë dhe të lirisë së pjesëmarrjes në veprimtari politike të vartësve të vet.

 

KVV i tërheq vëmendjen Prokurorit të Përgjithshëm, që të nxisë dhe udhëzojë prokurorët, që të vlerësojnë me seriozitetin maksimal çdo shfaqje të veprave penale lidhur me zgjedhjet, si dhe të vihen në lëvizje ndaj çdo denoncimi publik që mund të transmetohet në media veçanërisht gjatë fushatës elektorale (por jo vetëm atëherë),  pasi legjislacioni shqiptar është i mjaftueshëm për të dënuar çdo shfaqje që imponon apo rrezikon vullnetin e zgjedhësve.

 

 

2.      Incidenti ndaj kandidates së opozitës në Durrës

 

Ditën e premte, datë 1 maj 2015 rreth orës 18.30, në kohën kur kandidatja e koalicionit opozitar "Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet" znj. Grida Duma ka qenë duke kryer takime me qytetarët në zonën e Shkozetit, dy të rinj që lëviznin me një makinë me një flamur të PS, janë konfliktuar me një nga shoqëruesit e kandidates, aktivist i Partisë Demokratike[6].

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë mori kontaktet e nevojshme për investigimin e këtij rasti, duke kontaktuar ndër të tjera edhe me autoritetet e Komisariatit të Policisë si dhe të Prokurorisë së Durrësit.

Aktualisht çështja është në hetim prej prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje” të parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal, ndërkohë që të dy palët i kanë bërë kallzim penal njëri-tjetrit.

 

KVV dënon me forcë këtë incident dhe nxit organet e drejtësisë që ta hetojnë në mënyrë të plotë dhe ta çojnë deri në fund këtë rast, jo vetëm si një detyrim ligjor, por edhe si një garanci më shumë se organet ligjzbatuese të shtetit nuk do të rrinë duarkryq ndaj incidenteve të tilla që prekin dhe dhunojnë të drejtat më elementare që duhet të ushtrojnë zgjedhësit gjatë një procesi zgjedhor.

 

Koalicioni nxit prokurorinë që pavarësisht artificave që gjejnë palët për të fajësuar njëri-tjetrin apo anashkaluar drejtësinë, të ushtrojë dhe të përdorë të gjitha mekanizmat e duhur për të zbuluar të vërtetën, për ta hetuar në mënyrë të plotë dhe profesionale këtë incident dhe për të çuar sa më parë fajtorët përpara drejtësisë.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë tërheq vëmendjen e opinionit publik dhe veçanërisht të partive politike, se incidente të tilla apo raste të tjera të përdorimit të presionit apo dhunës nga çdo individ, grupim apo subjekt elektoral duhet të dënohen prerazi dhe në mënyrë të menjëhershme dhe duhet të denoncohen nga vetë ato përpara organeve të policisë dhe prokurorisë.

 

Partitë politike dhe kandidatët në garë duhet të marrin seriozisht në konsideratë shmangien apo përjashtimin nga grupi i mbështetësve të tyre të të gjithë individëve, të cilët shfaqin sjellje apo opinione për ushtrimin e çfarëdolloj forme presioni apo dhune ndaj kundërshtarëve politikë, apo për të imponuar qytetarët në orientimin e votës së tyre, çka janë sjellje totalisht të kundraligjshme që afektojnë drejtëpërsëdrejti standardet e zhvillimit të zgjedhjeve për të gjithë qytetarët shqiptarë.

 

Koalicioni vlerëson reagimin e kandidatit të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane" z. Vangjush Dako në profilin e tij në Facebook, ku e dënon këtë incident, por nga ana tjetër mendon se nuk është e shëndetshme që në të njëtin reagim distancimi, të bëhen edhe aludime për fajësimin e kundërshtarëve politikë[7].

 

Çdo lloj forme dhune e shfaqur duhet thjesht të dënohet me forcë dhe t’u kërkohet autoriteteve kompetente që ta zbardhin dhe që përgjegjësit të marrin dënimin e duhur nga drejtësia, duke shmangur çdo notë politizimi apo akuzë politike, të cilat në asnjë rast nuk ndihmojnë as institucionet dhe as mospërsëritjen e këtyre ngjarjeve.

 

Lidhur me këtë incident, KVV nxit Partinë Socialiste që të dalë publikisht dhe në mënyrë zyrtare për t’u distancuar nga ky incident duke e dënuar atë, si dhe duke i kërkuar institucioneve përgjegjëse të angazhohen pa asnjë ekuivok në zbardhjen e incidentit dhe çuarjen e përgjegjësve përpara drejtësisë.

 

Ky mesazh duhet të përqafohet dhe të transmetohet po njëlloj nga çdo parti politike në rast të shfaqje të çdo incidenti tjetër, në mënyrë që t’iu bëjnë me dije çdo militanti dhe simpatizanti të vet se incidente të tilla apo çdo veprim i kundraligjshëm nuk mund të mbulohet apo anashkalohet prej organeve të drejtësisë për faktin se përdoren si koperturë simbolet e partive.

 

3.      Procesi i hartimit të Listave të Zgjedhësve

 

Koalicioni ka ndjekur nga afër procesin e shpalljes dhe publikimit të Ekstraktëve të Përbërësve Zgjedhorë në të gjithë vendin përgjatë gjithë periudhës Janar-Prill 2015, dhe ka shprehur në vazhdimësi konsideratat e tij lidhur me këtë proces.

Koalicioni vlerëson se publikimi i të dhënave zyrtare mbi ecurinë e përgatitjes dhe hartimit të listave, veçanërisht lidhur me numrin e pastrimeve në total apo të lëvizjeve të vendbanimeve, ka qenë i pamjaftueshëm pavarësisht përmirësimit të dukshëm të transparencës dhe bashkëpunimit të ofruar lidhur me këtë proces nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC) dhe Ministria e Brendshme (MB).

 

Relacioni i njërit prej auditëve, përkatësisht i z. Armand Teliti, i shqyrtuar në mbledhjen e KQZ-së datë 04.05.2015, ku evidentoheshin lëvizje të konsiderueshme të banorëve nga njësi të tjera vendore në njësitë përbërëse të Bashkisë së re të Durrësit, si dhe mangësitë dhe dyshimet e krijuara lidhur me rregullsinë e dokumentacionit shoqërues dhe procedurave të ndjekura lidhur me këto lëvizje, përbëjnë një rast flagrant tentative manipulimi i cili duhet të hetohet tashmë në mënyrë të plotë dhe profesionale prej prokurorisë.

 

Koalicioni thekson se ky fenomen nuk ndodh për herë të parë, madje duhet thënë se veçanërisht për zgjedhjet vendore janë përdorur skema të tilla manipulimi edhe më parë, por ky rast është i vetmi që provohet zyrtarisht, shqyrtohet dhe merret seriozisht në konsideratë prej KQZ-së dhe përcillet për hetime të mëtejshme tek organi i Prokurorisë.

 

KVV konsideron si shumë të rëndësishme mbështetjen e institucioneve në këtë rast për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj forme manipulimi duke nxjerrë përpara drejtësisë në përballje të plotë me ligjin jo vetëm të gjithë zyrtarët përgjegjës, por edhe organizatorët e këtyre skemave manipulative pavarësisht postit apo pozicionit politik që ata mund të kenë.

 

KVV përgëzon profesionalizimin dhe ekspertizën e Auditit z. Teliti, si dhe përfaqësuesit e forcave politike në KQZ, e veçanërisht përfaqësuesin e Partisë Socialiste, i cili edhe si ish-funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme, mbështeti pa asnjë rezervë hetimin e plotë tekniko-ligjor të gjetjeve të raportit të auditit dhe marrjen e masave ndaj personave përgjegjës.

 

KVV po ashtu përgëzon vullnetin e shprehur të KQZ-së, në përmbushje të detyrimit që i njeh ligji, për t’a shqyrtuar këtë raport dhe për t’ia përcjellë organeve të prokurorisë.

 

Për kohën e mbetur në dispozicion deri në datën e hartimit të listës finale me datën 11 maj, KVV iu kërkon të dy auditëve të shqyrtojnë me profesionalizëm dhe objektivitet çdo rast të ngjashëm apo të tjera veprime të kundraligjshme që mund të jenë bërë gjatë procesit të hartimit të listave, pavarësisht numrit apo peshës reale që ato mund të kenë, për vendosjen e një standardi të ri për goditjen e çdo forme të mundshme tentative manipulimi në përgatitjen e listave të zgjedhësve.

 

Gjithashtu, KVV shpreh domosdoshmërinë që partitë politike kryesore të shprehen zyrtarisht dhe të mbështesin punën hetimore të Prokurorisë për të çuar deri në fund hetimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës lidhur me këtë çështje, duke ndëshkuar këdo individ pavarësisht peshës politike, sipas legjislacionit në fuqi.

 

 

4.      Krijimi i Bordit të Monitorimit të Medias

 

Kodi Zgjedhor parashikon që më datën 12 Prill ngrihet Bordi i Monitorimit të Medias (BMM), sipas një procedure që nxit përfshirjen e eskpertëve të medias, të propozuar nga organizata të shoqërisë civile, në një proces shumë të rëndësishëm siç është ai i monitorimit të pasqyrimit të fushatës mediatike prej mediave audio-vizive private dhe shtetërore.

 

KQZ, ndryshe nga zgjedhjet e shkuara parlamentare, nëpërmjet një procesi transparent kërkoi publikisht depozitimin e kandidaturave për anëtarë të BMM-së nga organizata të shoqërisë civile që operojnë në fushën e medias deri më datën 25 Mars 2015, sipas afatit të parashikuar në ligj.

Aktualisht pranë KQZ-së ka depozituar brenda afatit kandidaturat[8] e saj vetëm një organizatë ndërkohë që tre të tjera i kanë depozituar ato jashtë këtij afati (nga të cilat njëra nga organizatat nuk legjitimohet pasi nuk është njoftuar zyrtarisht prej KQZ-së duke qenë se nuk operon në fushën e medias).

 

Në këto kushte, në mënyrë të paprecedent po shkohet në fillimin zyrtar të fushatës elektorale të 22 Majit pa një Bord Monitorimi të Medias.

 

Koalicioni e konsideron të pamjaftueshëm, rolin dhe veprimtarinë e KQZ-së në këtë  drejtim, ndërkohë që kupton hezitimin e propozimeve nga disa OJF të fushës, për shkak të mospasjes së besimit në një proces transparent, të drejtë dhe jo-politik, sikundër në fakt është provuar se ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme.

 

Në këtë këndvështrim, KVV ka dalë me propozime konkrete ndaj KQZ-së për këtë çështje në Raportin e Parë të Ndërmjetëm të Monitorimit të publikuar më datën 30 Mars 2015, ku  i ka rekomanduar KQZ-së se pavarësisht se Kodi Zgjedhor e parashikon si të drejtë eskluzive të çdo anëtari të KQZ-së për të përzgjedhur prej kandidaturave të propozuara, pikërisht për të rritur besimin dhe garantuar një funksionim sa më asnjëanës dhe objektiv të BMM-së, anëtarët e KQZ-së duhet: “të angazhohen  për të arsyetuar publikisht vendimin e tyre për përzgjedhjen e anëtarëve të BMM-së apo, që procedura të jetë akoma më transparente, anëtarët të përzgjidhen me short pasi kriteret bazë për kualifikimin e tyre si anëtarë të BMM-së të jenë kontrolluar dhe një përzgjedhje paraprake të jetë kryer”.

 

Koalicioni nxit KQZ-në të gjejë formën e duhur për të rritur numrin e propozimeve dhe garantuar ngritjen e kësaj strukture sa më parë, përpara fillimit të fushatës zgjedhore.

 



[1] Kodi Zgjedhor parashikon si datë të fundit për regjistrimin e kandidatëve datën 2 Maj 2015, por meqë data 2 dhe 3 përkojnë ditë pushimi, bazuar në Kodin Zgjedhor dhe në Kodin e Procedurave Administrative, kjo datë shtyhet për datën 4 Maj 2015.

[2] Neni 88 i Kodit Zgjedhor mbi përdorimin e aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme të institucioneve shtetërore. (përdorimi i administratës së institucioneve; i nxënësve të shkollave; i marrjes në punë, i pushimit, lirimit, i lëvizjes dhe transferimit në detyrë në institucionet apo entet publike; etj).

[3] Nenet 325 – 332 të Kodit Penal mbi: Pengimin e subjekteve zgjedhore apo të kandidatëve; Dhënien e shpërblimeve apo premtimeve në këmbim të votës apo të (mos)marrjes pjesë në votime; Detyrimin për të marrë pjesë në takimet apo veprimtaritë politike të kandidatëve apo partive poltike; Kanosjen apo dhunimin ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje; Pengimin e zgjedhësit; Shkeljen e së drejtës së zgjedhjes lidhur me përfshirjen ose jo në listat e zgjedhësve; etj.

[4] Ligji Nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 63 “Subjektet zgjedhore dhe kandidatët”.

[5] Ligji 152/2016, datë 30.05.2013 “Për Nëpunësin Civil”, Neni 37 “Të drejtat politike”, pika: “3. Nëpunësi civil ka të drejtën të kandidojë dhe të zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë apo për organet e qeverisjes vendore. Në këtë rast, nëpunësi detyrohet të kërkojë pezullimin nga detyra”.

[6]Ditën e premte, datë 1 maj 2015 rreth orës 18.30, kandidatja e koalicionit opozitar "Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet" znj. Grida Duma ka qenë duke kryer takime me qytetarët në zonën e Shkozetit. Dy të rinj, përkatësisht Xh.K. dhe J.B. që lëviznin në mënyrë të përsëritur rreth vendtakimit me një makinë “Alfa Romeo” ngjyrë gri më targë AA960IR dhe me një flamur të PS, janë konfliktuar me një nga shoqëruesit e kandidates, aktivistin e Partisë Demokratike, përkatësisht me të riun E.S. të birin e kryetarit të Partisë Demokratike të Durrësit z. O.S.   Konflikti degjeneroi në goditje me grushta dhe me sende të forta, prej të cilave E.S. është detyruar të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore pranë Spitalit të Durrësit.  Një ditë më pas policia ka shoqëruar dy autorët Xh.K dhe J.B, të cilët pas kryerjes së veprimeve të para hetimore prej policisë janë liruar dhe po hetohen në gjendje të lirë.

[7] Në këtë reagim dënohet dhe bëhet distancim nga incidenti: “Në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe shtabit elektoral të kandidatit të kësaj aleance në qytetin e Durrësit z. Vangjush Dako, shprehim indinjatën tonë të plotë me incidentin e ndodhur midis disa të rinjve. Ne distancohemi plotësisht nga çdo akt dhune apo çdo gjest që devijon nga filozofia jonë pozitive e fushatës dhe e komunikimit dhe sjelljes elektorale. …”.

Po në të njëjtin reagim bëhen edhe akuza për kundërshtarin politik: “…Nëse parti politike përdorin flamujt e fushatave si kamuflazh për veprime të dhunshme e për të akuzuar më pas kundërshtarin, ky nuk është problemi ynë.  Ne i dënojmë akte të tilla dhe i bëjmë thirrje PD të mos nxisë dhunën dhe konfrontimet fizike. …”. Për më shumë shih reagimin e datës 2 Maj 2015 tek: https://www.facebook.com/vangjushdako.dr?ref=ts&fref=ts .

[8] Nga komunikimi zyrtar me KQZ-në kanë depozituar kandidaturat e tyre këto organizata: 1) “BIRN Albania” (3 kandidatë), propozim i protokolluar në KQZ në datën 26 Shkurt 2015; "Rrjeti i Gazetarëve Shqiptar të Politikës" (1 kandidat), propozim i protokolluar në KQZ në datën 1 Prill 2015; "Forumi i Mendimit të Lirë" (1 kandidat), propozim i protokolluar në KQZ në datën 7 Prill 2015, si dhe “Qëndra Vullnetare e Emergjencave Civile” (1 kandidat), propozim i protokolluar në KQZ në 15 Prill 2015. Numri i kandidatëve nuk është totalisht i saktë pasi në dokumentacionin e vënë në dispozicion nga KQZ-ja janë fshirë emrat e kandidatëve të propozuar, duke e justifikuar si mbrojtje e të dhënave personale, çka është një justifikim i pa bazë dhe jo ligjor.


Tiranë,  më 6 Maj 2015

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore