‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti i Parë i Ndërmjetëm i Monitorimit - Zgjedhjet Lokale 2015 !
30/03/2015

ZGJEDHJET PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE

21 QERSHOR 2015

   

RAPORT I NDËRMJETËM MONITORIMI  I 

10 Janar 2015 - 26 Mars 2015


Shkarko Raportin e Plotë në .pdf

 

I. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

 

Zgjedhjet Vendore të 21 Qershorit 2015 politikisht do të zhvillohen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, duke qenë i pari raund zgjedhor që mbahet pas marrjes së Statusit Kandidat për BE të vendit.

Në këtë këndvështrim, ky proces zgjedhor do të duhet të plotësojë pritshmëritë e qytetarëve, duke synuar rritjen e besimit të tyre në institucionin thelbësor të një vendi demokratik, atë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë për realizimin e një procesi i cili të plotësojë standardet e një vendi me këtë status.   

 

Pavarësisht vullnetit të shprehur nga forcat politike nëpërmjet Rezolutës së 24 dhjetorit 2014 dhe angazhimit përpara qytetarëve e partnerëve ndërkombëtarë për bashkëpunim, “de facto” ky vullnet politik, komunikimi mes forcave politike dhe, si rrjedhojë, konsensusi i nevojshëm për ndërmarrjen e ndryshimeve të duhura dhe të rëndësishme ligjore ka munguar dhe vazhdon të mungojë.

 

Plotësimi i anëtarësisë së KQZ-së më 30 Janar 2015, ishte një hap shumë i vonuar por njëkohësisht mjaft pozitiv, i cili i dha fund aludimeve lidhur me mundësinë e rindërtimit apo rikonfigurimit të trupës së KQZ-së, duke dhënë një mesazh konstruktiv në ndihmë të zhvillimit të procesit të ardhshëm zgjedhor, por që për fat të keq ngeli aty, pasi mosadresimi i ndryshimeve të domosdoshme ligjore, solli bllokimin e procesit në nivelin e dytë të administrimit, për shkak të pamundësisë së miratimit të Zonave të Administrimit Zgjedhor.

 

Kuadri ligjor nuk u prek për tu përmirësuar me propozimet e dala nga proceset e kaluara zgjedhore e sidomos me propozimet e bëra nga OSBE/ODIHR dhe nga vëzhguesit vendas, madje ai ngeli i paplotë pas mosadresimit të ndryshimeve të domosdoshme që vijnë si pasojë e ligjit të ri administrativo-territorial.

 

Në mënyrën e funksionimit, punës dhe konsideratave të KQZ-së ndaj detyrimeve të ligjit dhe zbatueshmërisë së tij prej vetë asaj apo prej institucione të tjera të ngarkuara, vërehet se ka disa përmirësime, por nga ana tjetër vazhdojnë të jenë evidente një sërë mënyrash sjelljeje dhe pune të cilat janë jo konform frymës dhe ligjit, të cilat janë konstatuar edhe në zgjedhjet e shkuara parlamentare.

 

KQZ si organi më i lartë i administrimit të zgjedhjeve nuk ushtron në mënyrë të plotë autoritetin dhe kompetencat e dhëna për të detyruar të gjithë hallkat në varësi apo institucionet e tjera të ngarkuara nga ligji për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, që të zbatojnë me korrektësi afatet dhe procedurat ligjore të parashikuara.

 

Konflikti politik mes partive politike reflektohet thellësisht në Kuvend, duke sjellë mungesë të frymës së konsensusit, bashkëpunimit e deri bllokim të punimeve të tij, çka nuk është ajo që duhet të reflektojë institucioni i të zgjedhurve të popullit.

 

Kandidimi i kandidatëve të pavarur në këto zgjedhje është në pozita të diskriminuara përkundrejt kandidatëve që mbështeten nga forcat politike, përsa i përket numrit të nënshkrimeve mbështetëse që duhen, pasi dispozitat i referohen njësive aktuale që janë disa herë më të vogla se bashkitë e reja për të cilat ata do të kandidojnë.

 

Kandidimi për Bashkinë e Tiranës përbën një sfidë absurde, pasi numri i nënshkrimeve që duhen mbledhur është më i madh se numri i nënshkrimeve që i duhet një partie për të pasur kandidatë në të 12 qarqet e vendit në zgjedhjet parlamentare.

 

Pasqyrimi i aktiviteteve politike nga media shqiptare nëpërmjet përdorimit të materialeve mediatike të parafabrikuara nga shtabet e partive politike vazhdon të përbëjë një kërcënim serioz lidhur me objektivitetin, vërtetësinë dhe pavarësinë editoriale të medias.

 

Kodi Zgjedhor nuk parashikon kuota gjinore për zgjedhjet lokale. Komisioni i ligjeve ftoi një sërë aktorësh për konsultim lidhur me draftin e propozuar për përcaktimin e kuotave gjinore edhe për këto zgjedhje, por në fund dështoi me propozimin e miratuar që do t’i paraqitet Kuvendit në seancë plenare.

Arsyetimi i Kolegjit Zgjedhor lidhur me rrëzimin e vendimeve të KQZ-së për referendumet lokale shihet si i sforcuar falë edhe mangësive të vetë ligjit zgjedhor, çka sjell edhe njëherë në vëmendje domosdoshmërinë e plotësimit të kuadrit ligjor përsa i përket të drejtës së qytetarëve për t’u shprehur drejtëpërsëdrejti nëpërmjet referendumit.


==========================


III. REKOMANDIME

 

Për partitë politike

 

Koalicioni nxit forcat politike dhe, veçanërisht, deputetët e tyre në Parlament që të angazhohen bashkarisht pozitë-opozitë për shqyrtimin sa më parë në seancë plenare dhe miratimin e përbashkët të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke ruajtur traditën institucionale të bashkëpunimit në këtë proces, si një shenjë besimi reciprok në përcaktimin e kuadrit rregullator të garës elektorale.

 

Partitë politike të angazhohen që, pas miratimit të projektligjit në parlament, të propozojnë menjëherë pranë KQZ-së kandidatët për anëtarë te KZAZ-ve, duke respektuar kriterin gjinor të parashikuar në ligj.

 

KVV i bën thirrje PS-së, PD-së, LSI-së dhe PR-së që si anëtarë të KZAZ-ve të përzgjedhin individë me integritetin dhe kualifikimin e duhur për realizimin e detyrave që iu ngarkon ligji, si dhe të angazhohen për mos ndërrimin e tyre deri në fund të procesit zgjedhor.

 

Nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të kaluara, KVV sjell në vëmendje të partive politike dhe të KQZ-së, që anëtarët e KZAZ-ve të mos lejohen të ushtrojnë njëkohësisht edhe funksione në administratën publike edhe detyrën e anëtarit të KZAZ-së, veçanërisht në muajin e fundit kur ngarkesa e procesi është më e madhe.

 

Partitë politike, pavarësisht mungesës së detyrimit ligjor, të angazhohen dhe të rrisin transparencën ndaj zgjedhësve duke publikuar apo prezantuar gjatë fushatës së vet elektorale listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë në çdo bashki.

 

Partitë politike t’i japin fund praktikës së ndalimit të mediave televizive në aktivitetet e tyre elektorale.

 

Partitë politike të angazhohen për të rritur realisht përfaqësimin e grave jo vetëm në anëtarësi, por edhe në forumet e tyre drejtuese konform statuteve të tyre dhe detyrimeve ligjore.

 

Partitë politike të angazhohen për të patur përfaqësim të barabartë gjinor, në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor, pra në KZAZ, Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Grupet e Numërimit të Votave, që e përkthyer sipas Ligjit të Barazisë Gjinore, do të thotë që jo më pak se 30% e anëtarësisë së këtyre Komisioneve të propozuara prej PS-së, PD-së, LSI-së dhe PR-së të jenë gra.

 

 

Për Kuvendin e Shqipërisë

 

Koalicioni risjell në vëmendjen e deputetëve zbatimin e kriterit ligjor për numrin e përafërt të zgjedhësve për çdo Zonë të Administrimit Zgjedhor, çka do të thotë rishpërndarje e njësive administrative brenda ZAZ-ve ose shtim të numrit të ZAZ-ve.

 

Kuvendi i Shqipërisë të angazhohet për të miratuar sa më parë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor si dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.

 

Kuvendi të angazhohet për t’i ofruar dhe garantuar KQZ-së mbështetjen e nevojshme, jo vetëm në plotësimin kuadrit ligjor, por edhe në përmbushjen e plotë të autoritetit të KQZ-së sikundër kërkohet nga ligji zgjedhor, duke siguruar një funksionim të pavarur dhe profesional të saj.

 

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të angazhohen për të përmbushur rolin e tyre si përfaqësues të qytetarëve përpara linjës politike të partisë së cilës i përkasin.

 

Drejtoria e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, dhe në përgjithësi, strukturat e Kuvendit të marrin një rol pro-aktiv në monitorimin e institucioneve të pavarura dhe parandalimin e ngërçeve që mund të krijojnë probleme apo bllokojnë funksionimin e tyre, e veçanërisht përsa i përket problematikave lidhur me zhvillimin e procesit zgjedhor.

 

Kuvendi i Shqipërisë të plotësojë kuadrin ligjor lidhur me vendosjen e nivelit tavan për firmëtarët mbështetës për kandidatët e mbështetur nga zgjedhësit (kandidatët e pavarur).

 

Kuvendi i Shqipërisë të marrë në konsideratë ndryshimin e kriterit prej 1% të zgjedhësve të një zone zgjedhore për kandidatët e pavarur, në kushtet e njësive administrative më të mëdha e me një numër shumë më të lartë zgjedhësish, me qëllim favorizimin e kandidatëve të mbështetur nga qytetarët. .

 

Të saktësohet e plotësohet pika 4 e Nenit 70 të Kodit Zgjedhor, duke bërë të qartë nëse kryetarët apo këshilltarët aktualë të njësive të qeverisjes vendore do të kenë të drejtë të kandidojnë si të pavarur pa patur nevojë të mbledhin firma mbështetëse.

 

Deputetët e të gjithë spektrit politik në Kuvendin e Shqipërisë të angazhohen për të miratuar një kuadër ligjor zgjedhor që të garantojë barazinë gjinore edhe në nivelin e qeverisjes vendore. Konkretisht, të miratohet vendosja e kuotës gjinore jo më pak se 30 % në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë, duke e plotësuar këtë sanksion me kriteret shtesë: (1) zbatimin e kriterit një në tre në të gjithë listën e paraqitur; (2) vendosjen e kriterit 30 % të listës fituese për gjininë më pak të përfaqësuar; (3) zbatimin e procedurës së zëvendësimit në rast të dorëheqjes së një këshilltari nga gjinia më pak e përfaqësuar dhe (4) përcaktimin e qartë në ligj të refuzimit të listës prej KZAZ-ve apo KQZ-së në rastet e mospërmbushjes së kriterit 30% deri në përjashtimin e subjektit nga gara elektorale.

 

 

Për Ministrinë e Punëve të Brendshme

 

Ministria e Punëve të Brendshme të vazhdojë të publikojë zyrtarisht dhe në mënyrë periodike:

 - të dhëna të përditësuara në lidhje me ecurinë e procesit të saktësimit dhe publikimit të listave;

 - të dhëna të përditësuara në lidhje me rekordet e dubluara dhe ato të dyshuara si të dubluara;

 - të dhëna të përditësuara mbi numrin e rekordeve të personave me pjesë të adresës zgjedhore të paidentifikuar.

 

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të gjejnë mënyra alternative për të njoftuar publikisht qytetarët për të verifikuar të dhënat e tyre në listat e shpallura apo në faqen e internetit, si dhe mbi mënyrat për të adresuar pasaktësitë e vërejtura, veçanërisht pas datës 11 maj kur miratohet lista përfundimtare e zgjedhësve.

 

Ministria e Punëve të Brendshme të udhëzojë punonjësit e çdo Zyre të Gjendjes Civile që të jenë të gatshëm për të ndihmuar dhe informuar qytetarët për procedurën që duhet ndjekur për saktësimin e të dhënave apo përfshirjen e tyre në listat e zgjedhësve, veçanërisht pas hartimit të listës finale më 11 maj 2015.

 

Ministria e Brendshme të udhëzojë punonjësit e Zyrave të Gjendjes Civile që të njoftojnë qytetarët të cilët pajisen me një dokument të ri identifikimi me ndryshime në gjeneralitete pas datës 11 maj 2015, të drejtohen në gjykatë pasi në të kundërt do të privohen nga mundësia për të votuar.

 

 

Për Njësitë e Qeverisjes Vendore

 

Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore të zbatojnë rigorozisht kriteret e duhura ligjore për caktimin dhe vendosjen e Qendrave të Votimit në ambjente private, duke u përpjekuar të ulin në minimum numri e tyre.

 

Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore të bëjnë transparencë të plotë lidhur me procesin e njoftimit me shkrim të zgjedhësve që ata kryejnë, tashmë kur ka mbaruar afati ligjor për këtë proces si dhe fuqia e dispozitave udhëzuese.

 

 

Për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve

 

KQZ-ja duhet të bëjë më tepër përpjekje për të kuptuar dhe përmbushur rolin dhe autoritetin që i ka dhënë ligji, tanimë kur anëtarësia e saj është e plotë.

 

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të ushtrojë kontroll të vazhdueshëm nëpërmjet inspektorëve të tij dhe Zyrave Rajonale Zgjedhore për përmbushjen dhe korrektësinë e kritereve të servirura për QV-të në ambjente private.

 

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të kuptojë siç duhet rolin e tij dhe të ushtrojë autoritetin e dhënë nga ligji si vëzhgues dhe mbikqyrës i procesit të përgatitjes së listave dhe të institucioneve që janë të ngarkuara për realizimin e këtij procesi.

 

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të rimarrë në shqyrtim aktet e veta për të udhëzuar dhe orientuar metodologjikisht auditët teknicienë në mënyrë që të gjykojë lehtësisht dhe me qasje krahasuese të dhënat dhe raportet që ata do të paraqesin përpara tij.

 

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të përfshijë në fushatën e tij edukuese informacionin se si qytetarët duhet të adresojnë pasaktësitë e të dhënave të tyre në listat e zgjedhësve pas miratimit të listës finale.

 

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në funksion të rritjes së transparencës për qytetarët, bazuar në Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, të bëjë publikimin e listave për këshilltarë bashkiakë në faqen e vet zyrtare të internetit dhe përfshirjen e këtij detyrimi informues ndaj qytetarëve në fushatën e edukimit të zgjedhësve.

 

Anëtarët e KQZ të angazhohen për të arsyetuar publikisht vendimin e tyre për përzgjedhjen e anëtarëve të BMM-së apo, që procedura të jetë akoma më transparente, anëtarët të përzgjidhen me short pasi kriteret bazë për kualifikimin e tyre si anëtarë të BMM-së të jenë kontrolluar dhe një përzgjedhje paraprake të jetë kryer.  

 

KQZ të garantojë monitorimin e mediave lokale gjatë fushatës elektorale duke qenë se disbalanca në paraqitje në kushtet e zgjedhjeve lokale ka më shumë gjasa të ndodhë në nivel lokal.

 

KQZ të përfshijë në fushatën e edukimit të zgjedhësve procedurën që duhet të ndjekin qytetarët për të votuar, nëse pas datës 11 maj kur publikohet lista finale e zgjedhësve, ata bëjnë ndryshime të gjeneraliteteve të tyre dhe i pasqyrojnë ato në kartën e identitetit.

 

KQZ duhet të respektojë katërcipërisht parimet e tranparencës, llogaridhënies dhe të drejtën e organizatave qytetare për të vëzhguar të gjitha aspektet e procesit zgjedhor përfshirë edhe veprimtarinë e plotë të institucionit të KQZ-së.    

 

============================================================

IV. AKSIONI I KOALICIONIT TË VËZHGUESVE VENDORË

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) është një bashkim vullnetar i 33 organizatave jo qeveritare dhe jo politike thelbi i aktivitetit të të cilave është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe zhvillimi i demokracisë në vend, e veçanërisht vëzhgimi i proceseve zgjedhor – aktivitet të cilin që prej vitit 2005 e kanë kryer nën siglën KVV. 

 

Strategjia e veprimit të KVV bazohet në tre shtylla: pavarësi, paanësi dhe objektivitet. 

 

Pas përfundimit të Zgjedhjeve Parlamentare të 23 Qershorit 2013, KVV ka ndjekur nga afër dhe në vazhdimësi situatën politike në vend, në mënyrë të veçantë përgatitjet për Zgjedhjet e ardhshme Lokale të 21 Qershorit 2015 dhe, nëpërmjet prononcimeve publike, shkresave zyrtare apo takimeve të ndryshme, ka shprehur në vazhdimësi shqetësimet e veta lidhur me zhvillimet të cilat potencialisht mund të ndikojnë standardet e këtij procesi.

 

Pas publikimit të Raportit të Vlerësimit të Situatës Parazgjedhore në 14 Janar 2015, ky është Raporti i Parë i Ndërmjetëm i Monitorimit.

Periudha e mbuluar në këtë raport është prej 10 Janarit deri në 26 Mars 2015.

 

============================================================

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë falënderon:

 

Programin e Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për mbështetjen financiare të ofruar,

 

si dhe të gjithë aktivistët e të 33 organizatave të Koalicionit për kontributin e tyre vullnetar në realizimin e objektivave të monitorimit përgjatë periudhës që përfshihet në këtë Raport.

 

-----------------------------------------------------

Mendimet e shprehura në këtë raport janë të KVV-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht edhe ato të donatorit!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore