‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Propozime të KVV lidhur me ndryshimet teknike të Kodit Zgjedhor !
11/03/2015

L E T Ë R   E   H A P U R

Shkarko Letrën e Hapur të Plotë në .pdf


Drejtuar:

Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë

Z. Ilir META

 

Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Z. Gramoz RUÇI

Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Z. Edi PALOKA

Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim

Z. Petrit VASILI

Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Republikane

Z. Fatmir MEDIU

Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet

Z. Shpëtim IDRIZI

 

Anëtarëve të Komisionit për  Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut 

 

Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë

 

Për Dijeni:

Kryetarit të Partisë Socialiste

Z. Edi RAMA

Kryetarit të Partisë Demokratike

Z. Lulzim BASHA

Kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Z. Vangjel DULE

Kryetarit të Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

Z. Dashamir SHEHI

Kryetarit të Partisë Kristiandemokrate

Z. Mark FRROKU

 

Lënda:   Lidhur me ftesën për të kontribuar në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.

 

I nderuar z. Kryetar i Parlamentit!

Të nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë!

Të nderuar Anëtarë të Komisionit për  Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut!

Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, si një grupim i 33 organizatave që monitorojnë proceset zgjedhore në vend, shpreh falënderimin e tij lidhur me ftesën e bërë nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për të marrë pjesë dhe shprehur opinionin dhe propozimet e tij mbi projekligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, i ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, dt. 19.07.2012 si dhe mbi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.

 

Koalicioni vlerëson reagimin e shpejtë të Kuvendit të Shqipërisë për të shqyrtuar dhe miratuar ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor që vijnë si pasojë e miratimit të ligjit nr. 115/2014 të ndarjes së re administrativo-territoriale, të cilat do të zbllokojnë procesin e ngritjes së Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor si dhe bëjnë adresimin e çështjes së kuotave gjinore edhe për zgjedhjet vendore, por thekson dhe sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj që, në kushtet e pamundësisë për një Komision të Posaçëm Parlamentar dhe duke qenë se këto ndryshime janë të nivelit teknik, ato të shqyrtohen dhe mbështeten nga të gjithë deputetët e mazhorancës dhe opozitës duke ruajtur traditën institucionale të bashkëpunimit në këtë proces, si një shenjë besimi reciprok në përcaktimin e kuadrit rregullator të garës elektorale.

 

 

Ndërkohë lidhur me ftesën e bërë për dy projektligjet Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh opinionin dhe sugjerimet e tij si më poshtë:

 

1. Lidhur me projekligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, i ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, të iniciuar nga katër deputetët e Kuvendit të Shqipërisë z. Blendi Klosi, z. Ulsi Manja, z. Vexhi Muçmata dhe z. Petrit Vasili, Koalicioni vëren se:

 

1/a. Kodi Zgjedhor parashikon një procedurë të posaçme lidhur me marrjen e të dhënave për numrin e zgjedhësve me të drejtë vote për çdo Njësit të Qeverisjes Vendore (njësi administrative) e parashikuar në nenin 27, pika 5 dhe 6 e Kodit Zgjedhor.

Nga shqyrtimi i projektit rezulton se numri i zgjedhësve në njësitë përbërëse që figurojnë në projektin-draft të ZAZ-ve, nuk korrespondon me numrin e zgjedhësve në këto njësi as në ZAZ-të e miratuara me vendim të Kolegjit Zgjedhor në 03.01.2013 dhe as me numrin e tyre në listën finale të zgjedhësve të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

Në relacionin e përgatitur nga deputetët nismëtarë thuhet se: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka adresuar keto propozime per ndryshime ne Kodin Zgjedhor me shkresen zyrtare drejtuar Kuvendit me nr.91411 prot dt.05.02.2015”.

Nga komunikimi zyrtar me KQZ-në,  KVV është informuar prej saj vetëm për një kërkesë për të shpejtuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, dhe jo për propozimet e bëra prej saj dhe as për procedurën e ndjekur.

 

Në këtë pikë Koalicioni sugjeron të rishihet procedura e ndjekur në këtë rast në mënyrë që ajo të jetë konform kërkesave të ligjit.

 

1/b. Projekti i ZAZ-ve parashikon ndarjen e territorit në 90 ZAZ. Projektligji nuk parashikon ndryshimin e kriterit ligjor të parashikuar në nenin 27 pika 2 gërma “ç” mbi numrin e përafërt të zgjedhësve.

Në draftin e propozuar nga deputetët nismëtarë ka disa bashki ku ZAZ-të përbërëse kanë diferenca të mëdha me njëra-tjetrën në numrin e zgjedhësve.

Kështu: në bashkinë Shkodër 3 ZAZ kanë afërsisht 30 000 zgjedhës, ndërsa e katërta ka rreth 68 000 të tillë; në bashkinë Durrës 3 ZAZ kanë afërsisht 54 000 - 56 000 zgjedhës, ndërsa e katërta ka rreth 67 000 të tillë; në bashkinë Kamëz njëra ZAZ ka rreth 29 000 zgjedhës, ndërsa tjetra ka rreth 61 000 të tillë; në bashkinë Elbasan 3 ZAZ kanë afërsisht 32 000 - 35 000 zgjedhës, ndërsa e katërta ka rreth 60 000 të tillë; në bashkinë Lushnjë njëra ZAZ ka rreth 44 000 zgjedhës, ndërsa tjetra ka rreth 57 000 të tillë dhe në bashkinë Korçë njëra ZAZ ka 34 000 zgjedhës, ndërsa tjetra ka rreth 73 000 të tillë.

 

Ky numër i lartë zgjedhësish në këto ZAZ dhe pamundësia e shtimit të numrit të tavolinave numëruese në Vendet respektive të Numërimit të Votave, do të bëjnë që në këto ZAZ procesi i numërimit të zgjatet më shumë se në ZAZ-të e tjera duke krijuar premisa për një tensionim artificial të situatës, pasi rezultati final i zgjedhjeve për atë bashki do të varet nga rezultati i shpallur nga kjo ZAZ.

 

Në këtë pikë Koalicioni sugjeron zbatimin e kriterit ligjor për numrin e përafërt të zgjedhësve për çdo ZAZ (pra duhet bërë rillogaritje në ndarjen e njësive administrative ose shtim të numrit të ZAZ-ve).

 

2. Lidhur me projekligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të iniciuara nga tre deputete të Kuvendit të Shqipërisë znj. Mesila Doda, znj. Mimoza Hafizi dhe znj. Silva Caka,  Koalicioni vëren se:

 

Koalicioni ka mbështetur në vazhdimësi dhe me forcë rritjen e përfaqësimit të grave dhe zbatimin e ligjit mbi kuotat gjinore të parashikuara.

Koalicioni gjithashtu vlerëson edhe objektivin politik të shprehur nga partitë kryesore për të zbatuar koutën prej 50% në listat e këshillave vendore për këto zgjedhje.

Por, duke patur parasysh nivelin e zbatimit të ligjit, kushtet konkrete të zbatimit të tij, nivelin e brendshëm të përfaqësimit të grave në të gjitha partitë politike, krijimin e kushteve plotësisht të mundshme për t’u arritur nga të gjithë subjektete elektorale që do të garojnë në zgjedhjet vendore dhe mbi të gjitha sfidën e vendit për zbatimin tërësor e paekuivok të ligjit, Koalicioni sugjeron:

 

2/a. Vendosjen e kuotës gjinore 30 % në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë.

2/b. Zbatimin e kriterit një në tre në të gjithë listën e paraqitur

2/c. Vendosjen e kriterit 30 % të listës fituese për gjininë më pak të përfaqësuar.

2/d. Zbatimin e procedurës së zëvendësimit në rast të dorëheqjes së një këshilltari nga gjinia më pak e përfaqësuar

2/e. Përcaktimin e qartë në ligj të refuzimit të listës prej KZAZ-ve apo KQZ-së në rastet e mospërmbushjes së kriterit 30% deri në përjashtimin e subjektit nga gara elektorale.

 

Për këtë është i nevojshëm rishikimi i nenit 67 dhe 175.

 

2/f. Plotësimin e listës së zgjedhësve ku nënshkruajnë votuesit edhe më një kolonë për shënimin e gjinisë së votuesit.

Po ashtu ndryshime duhen bërë në përmbajtjen e procesverbaleve përmbyllëse të qendrave të votimit, ku duhet të shtohet e dhëna mbi sa votuese femra dhe sa meshkuj kanë marrë pjesë në votim.

 

Për këtë është e nevojshme prekja e neneve 49, 105 dhe 113.

 

3. Përpos propozimeve lidhur me dy projektligjet e mësipërme, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë sjell në vëmendje Tuaj edhe dy çështje të tjera me rëndësi që vijnë si pasojë e adresimeve të nevojshme pas miratimit të ligjit të ri administrativo-territorial, dhe në fuksion të rritjes së transparencës dhe të informimit të publikut lidhur më zgjedhjet e organeve qeverisëse të njësive të reja, si dhe lidhur me sqarimin e dispozitave për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur. Konkretisht:

 

3/a. Koalicioni sugjeron që listat e këshilltarëve të bashkive të paraqitura nga partitë politike pranë KZAZ-ve dhe KQZ-së të bëhen publike për qytetarët sipas formave të parashikuara në Kodin Zgjedhor për kandidatët për deputetë, si dhe në faqen e internetit të KQZ-së.

 

Për këtë është i nevojshëm amendimi dhe plotësimi i nenit 73 të Kodit Zgjedhor.

 

3/b. Koalicioni vlerëson si të domosdoshme plotësimin e kuadrit ligjor lidhur me kandidimin e kandidatëve të mbështetur nga zgjedhësit (kandidatët e pavarur).

Në Kodin Zgjedhor për këta kandidatë nuk parashikohet nivel tavan i mbledhjes së nënshkrimeve (neni 70/3), sikundër parashikohet për kandidatët e mbështetur nga partitë politike.

 

Njëkohësisht është e paqartë se si do të interpretohet dhe zbatohet neni 70 pika 4 lidhur me përfaqësuesit aktualë të organeve Njësive të Qeverisjes Vendore, nëse ata do të duan të kandidojnë si kandidatë të pavarur për organet e reja të qeverisjes së Njësive tashmë më të mëdha. A do t’iu njihet apo jo e drejta e kandidimit pa mbledhur firma mbështetëse nga qytetarët?

 

Për këtë është i nevojshëm amendimi i nenit 70 e konkretisht i pikave 3 dhe 4.

 

Me konsideratë,

Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë

Përfaqësuesit e organizatave Drejtuese

 

             Gerta META                                 Premto GOGO                           Rajmonda PRIFTI

        Drejtore Ekzekutive                                 Kryetar                                  Drejtore Ekzekutive

Shoqata për Kulturë Demokratike            Shoqata KRIIK Albania           Shoqata për Gratë dhe Fëmijët

 


Tiranë, më 11 Mars 2015!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore