‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Mosmiratimi ende i Zonave të Administrimit Zgjedhor, bllokim serioz i procesit përgatitor të zgjedhjeve të ardhshme vendore !
08/03/2015

D E K L A R A T Ë

 

Shkarko Deklaratën e Plotë në .pdf


Sot më datën 8 mars 2015 është afati i fundit[1] i parashikuar nga Kodi Zgjedhor për propozimin e anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) prej Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane.

 

Ky afat pasohet nga një tjetër afat në datën 23 Mars 2015, i cili është afati për miratimin dhe ngritjen e këtyre Komisioneve prej KQZ-së.

 

KZAZ-të janë përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor brenda Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe në rastin e Zgjedhjeve Lokale kanë përgjegjësi të shtuara dhe të posaçme, pasi pranë tyre bëhet regjistrimi i kandidatëve për kryetar bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë[2], si dhe janë ato të cilat shpallin kandidatët fitues për Kryetar Bashkie.

 

Koalicioni ka ngritur në vazhdimësi shqetësimin e tij lidhur me mosrespektimin e standarteve, paplotësinë e kuadrit ligjor zgjedhor dhe me mungesën e vullnetit politik për t’i adresuar ato.

 

Ngritja e KZAZ-ve e cila shënon në vetvetë intensifikimin e proceseve që duhen përgatitur për realizimin e procesit zgjedhor të datës 21 qershor 2015, tashmë është e pamundur dhe ka ngecur për shkak të paplotësisë ligjore e konkretisht për shkak të mosndryshimit të Kodit Zgjedhor, të paktën përsa dikton ligji i ri ndarjes administrativo-territoriale.

 

Ndarja aktuale e territorit në 89 ZAZ të miratuara në Zgjedhjet e kaluara Parlamentare[3], për Zgjedhjet Lokale të 21 Qershorit rezulton e pambështetur në ligj pasi ajo është miratuar duke u bazuar mbi rrethin administrativ si juridiksion territorial, i cili nuk ekziston më si koncept në ligjin e ri administrativo-territorial të miratuar. Po ashtu kjo ndarje nuk është as funksionale pasi në një pjesë të konsiderueshme të ZAZ-ve nuk sigurohet kriteri i pandashmërisë[4], në ndarjen e re me 61 bashki.

 

Në kushtet e paplotësisë së Kodit Zgjedhor, KQZ nuk mund të miratojë Zonat e reja të Administrimit Zgjedhor dhe as partitë politike përgjegjëse nuk mund të bëjnë propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, pasi një nga kriteret është vendbanimi brenda ZAZ-së përkatëse.

 

KQZ, paçka se jashtë kompetencave që i njeh ligji, i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë në fillim të muajit shkurt duke propozuar edhe ndryshimet përkatëse.

 

Këto propozime janë marrë parasysh dhe janë mbështetur nga një grup deputetësh[5], të cilët në ushtrim të së drejtës së tyre ligjvënëse, më datën 23.02.2015 i kanë propozuar Kuvendit marrjen në shqyrtim dhe miratimin e një drafti[6] për ndryshime në Kodin Zgjedhor, draft i cili ende nuk është marrë në shqyrtim.

 

Lidhur me këtë draft Koalicioni sjell në vëmendje të Deputetëve Nismëtarë të rishohin edhe një herë të dhënat mbi numrin e shtetasve me të drejtë vote mbi të cilën janë bazuar në përcaktimin e numrit të ZAZ-ve, në mënyrë që edhe ky proces të jetë i bazuar në ligj[7].

Gjithashtu, në përcaktimin e numrit të ZAZ-ve, të marrin parasysh edhe kriterin[8] e numrit të përafërt të zgjedhësve në bashkitë[9] me më shumë se 80.000 zgjedhës.

 

 

Koalicioni vazhdon të mbetet mjaft i shqetësuar për tensionin e lartë politik në vend dhe veçanërisht për mungesën e komunikimit dhe vullnetit për të bashkëpunuar midis mazhorancës dhe opozitës në ndërmarrjen e reformës zgjedhore dhe reformave të tjera të domosdoshme.

 

Koalicioni nxit forcat politike dhe veçanërisht deputetët e tyre në Parlament që, në kushtet e pamundësisë për një Komision të Posaçëm Parlamentar, të angazhohen të gjithë për shqyrtimin sa më parë dhe miratimin e përbashkët të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke ruajtur traditën institucionale të bashkëpunimit në këtë proces, si një shenjë besimi reciprok në përcaktimin e kuadrit rregullator të garës elektorale.



[1] Duke qenë ditë e dielë, pra ditë pushimi, ky afat shtyhet për ditën e nesërme datë 9 Mars 2015.

[2] Kandidatët për organet e Bashkive, territori i të cilave nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme, regjistrohen në KQZ.

[3] Miratuar me Vendimin Nr. 1 të Kolegjit Zgjedhor datë 03.01.2013, sipas propozimit të KQZ-së.

[4] Kriteri i pandashmërisë përcakton se një KZAZ shpall rezultatin ose vetëm të një Bashkie ose vetëm të një pjese të saj (në rastin e bashkive mbi 80.000 zgjedhës), por në çdo rast vetëm të një pjesë dhe vetëm të një bashkie, dhe jo të disa pjesëve që iu përkasin bashkive të ndryshme.

Përcaktimi i Bashkive të reja dhe ndarja territoriale në fuqi me 89 ZAZ e bën të pamundur nxjerrjen e rezultatit, pasi këto ZAZ në territorin e tyre përfshijnë territore të cilat iu përkasin pjesërisht Bashkive të ndryshme.

Psh. në qarkun e Beratit, territori i ZAZ 64 përmban njësitë administrative “Ura-Vajgurore”, “Cukalat”, “Kutalli”, “Poshnjë”, të cilat në ndarjen e re administrive janë njësitë përbërëse të Bashkisë Ura-Vajgurore. Ndërkohë kjo ZAZ përfshin në territorin e vet edhe njësinë administrative “Sinjë”, e cila është njësi përbërëse e Bashkisë Berat, sipas ndarjes së re administrative.

[5] Deputetët nismëtarë: Blendi Klosi, Ulsi Manja, Vexhi Muçmata dhe Petrit Vasili.

[7] ZAZ-të miratohen nga KQZ mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote që Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i dërgon KQZ-së 10 muaj përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit. Numri i zgjedhësve në njësitë përbërëse që figurojnë në projektin-draft të ZAZ-ve, nuk korrespondon me numrin e zgjedhësve në këto njësi as në ZAZ-të e miratuara me vendim të Kolegjit Zgjedhor në 03.01.2013 dhe as me numrin e tyre në listën finale të zgjedhësve të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

[8] Neni 27 Zonat e Administrimit Zgjedhor pika 2, gërma “ç” e Kodit Zgjedhor

[9] Në draftin e propozuar nga deputetët nismëtarë ka disa bashki ku ZAZ-të përbërëse kanë diferenca të mëdha me njëra-tjetrën në numrin e zgjedhësve. Kështu: në bashkinë Shkodër 3 ZAZ kanë afërsisht 30 000 zgjedhës, ndërsa e katërta ka rreth 68 000 të tillë; në bashkinë Durrës 3 ZAZ kanë afërsisht 54 000 - 56 000 zgjedhës, ndërsa e katërta ka rreth 67 000 të tillë; në bashkinë Kamëz njëra ZAZ ka rreth 29 000 zgjedhës, ndërsa tjetra ka rreth 61 000 të tillë; në bashkinë Elbasan 3 ZAZ kanë afërsisht 32 000 - 35 000 zgjedhës, ndërsa e katërta ka rreth 60 000 të tillë; në bashkinë Lushnjë njëra ZAZ ka rreth 44 000 zgjedhës, ndërsa tjetra ka rreth 57 000 të tillë dhe në bashkinë Korçë njëra ZAZ ka 34 000 zgjedhës, ndërsa tjetra ka rreth 73 000 të tillë.


Tiranë, më 8 Mars 2015!


NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore