‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Institucionet mungesë informacioni zyrtar lidhur me procesin e mbikqyrjes dhe të përgatitjes së listave të votuesve !
25/02/2015

D E K L A R A T Ë


Shkarko Deklaratën e Plotë në .pdf


Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në vazhdimësi të monitorimit të përgatitjes së infrastrukturës parazgjedhore, po vazhdon të ndjekë nga afër procesin e përgatitjes së Listave të Votuesve për Zgjedhjet Vendore të 21 Qershorit 2015.

 

Koalicioni ka bërë prezent shqetësimet e tij lidhur me këtë proces në takime zyrtare me aktorët kompetentë, madje është shprehur edhe publikisht nëpërmjet dy deklaratave, përkatësisht në datat 17 Janar dhe 12 Shkurt 2015.

 

Koalicioni sjell në vëmendje të publikut dhe veçanërisht në vëmendje të Ministrisë së Brendshme (MB), Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore (NJQV) dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se Kodi Zgjedhor lidhur me procesin e përgatitjes së Listave Zgjedhore parashikon ndaj tyre dy detyrime kryesore:

Detyrimi i parëështë publikimi në mënyrë periodike i listave paraprake[1] të përditësuara në datat 14 Janar, 13 Shkurt, 15 Mars dhe 14 Prill 2015 deri në shpalljen e listës përfundimare prej Gjendjes Civile në datën 11 Maj[2] 2015. Shpallja bëhet në faqen e internetit të KQZ-së dhe të Ministrisë së Brendshme si dhe në ambientet publike pranë çdo Zyre të Gjendjes Civile.

Detyrimi i dytë është njoftimi me shkrim i çdo zgjedhësi që banon në territorin e njësisë vendore, në periudhën nga data 14 Janar deri më datën 15 Mars 2015.

 

Në procesin e saktësimit dhe përgatitjes së listave rol vendimtar kanë vetë zgjedhësit, të cilëve ligji iu siguron vënien në dijeni nëse figurojnë në lista si dhe mundësinë e ankimimit për të saktësuar apo korrigjuar të dhënat e tyre në këto lista.

 

Ligji iu njeh qytetarëve datën 21 Prill si afatin e fundit që ata kanë për të dorëzuar kërkesat për ndryshime në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë (listat paraprake) në Zyrat e Gjendjes Civile[3].

Në rast refuzimi të kësaj kërkese, qytetarët kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës brenda pesë ditëve nga vënia në dijeni për refuzimin e kërkesës nga Zyra e Gjendjes Civile[4] apo nga kalimi i afatit 5 ditor për të marrë përgjigje.

 

Pas datës 11 Maj 2015, nëse zgjedhësit vërejnë se kanë pasaktësi në të dhënat e tyre apo nuk figurojnë fare në lista, atëherë ata duhet t’i drejtohet gjykatës[5] deri më datën 19 qershor 2015, në të kundërt ata e humbasin të drejtën e tyre për të votuar.

 

Koalicioni shpreh shqetësimin e tij se ky proces nuk po zhvillohet sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor dhe, për më tepër, pritshmëritë në këtë drejtim nuk janë aspak premtuese.

 

Data 13 Shkurt 2015 ishte afati i shpalljes së ekstraktit të dytë të përbërësve zgjedhorë.

Procesin e publikimit të këtyre listave Koalicioni po e monitoron[6] në vazhdimësi në terren si dhe duke kontaktuar me drejtues të ndryshëm të Njësive të Qeverisjes Vendore si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile (DPGJC).

 

Ekstrakti i dytë i gjeneruar nga RKGJC më datë 06.02.2015, në një pjesë të mirë të NJQV-ve të monitoruara u publikua në kohë[7] dhe konform detyrimit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

 

Ndërkohë, një pjesë e Njësive të Qeverisjes Vendore nuk i shpalli këto lista[8] në afatin e kërkuar nga ligji, madje disa prej tyre vazhdojnë ende mos t’i kenë shpallur[9].

 

Koalicioni shpreh shqetësimin se në asnjë Njësi të Qeverisjes Vendore nuk ka nisur njoftimi me shkrim i zgjedhësve, pavarësisht pasaktësive që mbart udhëzimi i miratuar prej MB.

Për më tepër shqetësues është fakti se në një pjesë të konsiderueshme të NJQV-ve është deklaruar se ky proces do të nisë në muajin Mars, pikërisht atëherë kur ky proces duhet të mbarojë dhe kur nuk ka asnjë akt ligjor në fuqi që ta legjitimojë dhe ta udhëzojë.

 

Koalicioni ngre shqetësimin gjithashtu për mungesën e të dhënave zyrtare lidhur me ecurinë e këtij procesi.

Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Ministria e Brendshme lidhur me numrin e rekordeve të dubluar apo të dyshur si të dubluar, apo lidhur me numrin e rekordeve të personave me pjesë të adresës zgjedhore të paidentifikuar (kodi i banesës i panjohur brenda një qendre votimi të caktuar).

Nga kontaktet e marra me RKGJC, deklarohet se ky numër është shumë më i ulët se në zgjedhjet e mëparshme, por nuk ka një shifër të saktë zyrtare.

 

Emërimi i vonuar i dy auditëve teknicienë më datën 18 Shkurt 2015 prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëri që kjo fazë e procesit të ngelë jashtë monitorimit të tyre, e veçanërisht lëvizjet dhe ndryshimet e bëra në bazën e të dhënave të RKGJC.

Akoma më shqetësues është fakti i qëndrimit indiferent të KQZ-së ndaj ecurisë së këtij procesi.

 

Në këtë situatë dhe për kohën e mbetur në dispozicion, për të përmbushur sa të jetë e mundur kërkesat dhe detyrimet e parashikuara në Kodin Zgjedhor lidhur me sigurimin e patjetërsueshëm të së drejtës së qytetarëve për të votuar,

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i kërkon në mënyrë urgjente dhe publikisht:

 

-          Ministrisë së Brendshme,

o   të publikojë zyrtarisht dhe në mënyrë periodike:

- të dhëna të përditësuara në lidhje me ecurinë e procesit të saktësimit dhe publikimit të listave;

- të dhëna të përditësuara në lidhje me rekordet e dubluara dhe ato të dyshuara si të dubluara;

- të dhëna të përditësuara mbi numrin e rekordeve të personave me pjesë të adresës zgjedhore të paidentifikuar.

 

o   duke qenë se nuk i kaluar fond të posaçëm NJQV-ve për njoftimin me shkrim të zgjedhësve,

- të gjejë mënyra alternative për të njoftuar publikisht qytetarët për të verifikuar të dhënat e tyre në listat e shpalluara apo në faqen e internetit, si dhe mbi mënyrat për të adresuar pasaktësitë e vërejtura (spote mediatike, etj);

- të ngarkojë në çdo Zyrë të Gjendjes Civile një punonjës i cili të ketë akses në listën e zgjedhësve si dhe të ketë për detyrë informimin e qytetarëve të interesuar për përfshirjen apo jo të tyre në listat e votuesve.

 

-          Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

o   Të kuptojë siç duhet dhe të ushtrojë autoritetin e dhënë nga ligji si vëzhgues dhe mbikqyrës i procesit të përgatitjes së listave dhe të institucioneve që janë të ngarkuara për realizimin e këtij procesi.

o   Të rimarrë në shqyrtim aktet e veta për të udhëzuar dhe orientuar metodologjikisht auditët teknicienë në mënyrë që të gjykojë lehtësisht dhe me qasje krahasuese të dhënat dhe raportet që ata do të paraqesin përpara saj.

o   Të vihet në lëvizje dhe të kontaktojë zyrtarisht me Ministrinë e Brendshme për të bërë të mundur përmbushjen e detyrimit ligjor për njoftimin dhe nxitjen e qytetarëve për të kontrolluar saktësinë e të dhënave të tyre në listat e votimit.

 



[1] Neni 51 pika 7 e Kodit Zgjedhor “Publikimi, sipas pikës 4 të këtij neni, përsëritet në mënyrë periodike çdo 30 ditë deri në shpalljen e listës së zgjedhësve. Çdo publikim duhet të pasqyrojë çdo ndryshim të përbërësve zgjedhorë të RKGJC-së që është bërë nga publikimi paraardhës deri në momentin e publikimit të ri.

[2] Neni 56 pika 1 e Kodit Zgjedhor: “Zyra e gjendjes civile harton listën e zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve, duke nxjerrë nga të dhënat elektronike të RKGJC-së të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe që kanë vendbanimin në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e saj. Lista miratohet nga kryetari i njësisë përkatëse të qeverisjes vendore.

[3] Neni 54 pika 1 e Kodit Zgjedhor: “Me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 2 shkronja “c” të nenit 53, kërkesat për ndryshime në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë nuk mund të paraqiten më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve.”

[4] Neni 55 pika 1 e Kodit Zgjedhor: “Kundër mospranimit të kërkesës për ndryshim të përbërësit zgjedhor, për shkaqet e parashikuara në nenin 53 dhe sipas procedurave të nenit 54 të këtij Kodi, mund të bëhet ankim nga kërkuesi në gjykatën e rrethit gjyqësor, në juridiksionin e së cilës ndodhet njësia e qeverisjes vendore. Ankimi bëhet jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për vendimin ose nga kalimi i afatit për marrjen e vendimit mbi kërkesën nga zyra e gjendjes civile. Kërkesëpaditë, sipas këtij neni, përjashtohen nga pagesa e taksës së shërbimit gjyqësor.”

[5] Neni 57 pika 1 e Kodit Zgjedhor: “Kur zgjedhësi vëren se përbërësi  i tij zgjedhor përmban pasaktësi, nuk është i regjistruar në listën e zgjedhësve të zonës së qendrës së votimit të vendbanimit të tij ose nuk është regjistruar fare në ndonjë nga listat e njësisë së qeverisjes vendore ku ai ka vendbanimin, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës deri 24 orë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa, sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore.”

[6] KVV po e kryen këtë monitorim mbi bazën e ndarjes së 61 bashkive të reja, sipas ndarjes së re administrativo-territoriale. Emrat e bashkive që përmenden i referohen NJQV-së së sotme që me ndarjen e re është përcaktuar si qendra e bashkisë së re. Ndërkohë emrat e komunave i referohen komunave ekzistuese. Tabelën e ndarjes së re administrativ-territoriale mund ta gjeni tek: http://www.reformaterritoriale.al/images/presentations/Tabelat.pdf 

[7] Nga monitorimi rezultoi se listat janë shpallur në bashkitë: Berat, Cërik, Devoll, Divjakë, Durrës, Elbasan, Fier, Fushë-Arrëz, Gramsh, Këlcyrë, Klos, Kolonjë, Kurbin, Libohovë, Malësi e Madhe, Mat, Memaliaj, Patos, Përmet, Prrenjas, Pogradec, Pukë, Selenicë, Shijak, Tepelenë, Tropojë, Njësitë Bashkiake Nr. 1, 2, 3, 5, 7, 8, 9, 4 (pjesërisht) Tiranë, Rrëshen.

Në bashkitë Dropull, Korçë, Sarandë e Vlorë, listat janë shpallur pranë Qendrave të Votimit, në kundërshtim me sa parashikohet në Kodin Zgjedhor.

[8] Si në Bulqizë, Dibër, Has, Konispol, Kuçovë, Kukës, Lezhë, Livadhja, Shkodër, Njësia Bashkiake Nr. 6, Nr. 4 (pjesërisht) Tiranë, Librazhd, Mallakastër, Belsh, Lushnjë,  etj.

[9] Si në Delvinë, Himarë, Peqin, Vau i Dejës, Lukovë, Kavajë e Rrogozhinë. Në bashkinë Gjirokastër deklarohet se listat janë vendosur nëpër QV, por në disa QV të monitoruara nuk janë gjetur lista.


Tiranë, më 25 Shkurt 2015!


NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore