‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Anëtarët e KQZ-së të miratojnë sa më parë rregulloren e brendshme dhe auditët teknicienë të listave të zgjedhësve !
12/02/2015

D E K L A R A T Ë


Shkarko Deklaratën e Plotë ne .pdf


Kuvendi i Shqipërisë më datën 29.01.2015 miratoi plotësimin e KQZ-së me tre kandidaturat[1] e propozuara përkatësisht nga Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, kandidatura këto që plotësuan vendet vakante pas dorëheqjes së tre anëtarëve të mëparshëm në prill 2013.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë e konsideron si mjaft pozitiv plotësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht vonesës dhe procesit të ndjekur, i cili finalizon diskutimet e mëparshme lidhur me statusin e këtij institucioni, duke e pranuar atë tashmë si një organ kolegjial, të balancuar politikisht, anëtarët e të cilit e ushtrojnë funksionin në mënyrë të pavarur dhe votojnë në përputhje me ligjin.

 

Koalicioni mbështet fuqishëm misionin dhe funksionimin e pavarur të KQZ-së në mbështetje të përmbushjes së autoritetit që i ka dhënë ligji tanimë kur anëtarësia e saj është e plotë.

 

Koalicioni sjell publikisht në vëmendje të KQZ-së se duhet të mblidhet dhe të miratojë sa më parë dy auditët teknicienë të cilët janë personat kyç që i sigurojnë KQZ-së informacionin  e duhur përsa i përket ndërhyrjeve që mund të bëhen në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtarë të Gjendjes Civile përgjatë gjithë procesit të hartimit të listës së zgjedhësve.

Ligji zgjedhor iu jep vetëm këtyre dy auditëve teknicienë akses të posaçëm për verifikimin e procedurave të ndjekura, që është jo më i vogël sesa aksesi[2] që ka vetë Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Gjendjes Civile.

 

Raportimet dhe misioni që kanë auditët teknicienë kanë të bëjnë jo vetëm me rritjen e besimit të dy krahëve më të mëdhenj politikë mbi rregullsinë e procesit të përgatitjes së listave, por në rradhë të parë janë syri vëzhgues i KQZ-së nëse aktorët, që detyron ligji në këtë proces korrektimi, pastrimi dhe hartimi të listave, sillen dhe veprojnë konform kërkesave dhe detyrimeve që parashikon ligji e veçanërisht Kodi Zgjedhor.

 

Koalicioni sjell në vëmendje të Kryetares së KQZ-së dhe Nënkryetarit të saj se Kodi Zgjedhor u jep atyre personalisht të drejtën e propozimit të këtyre auditëve[3], pas konsultimit me përfaqësuesit e partisë më të madhe të mazhorancës dhe asaj më të madhe të opozitës, por nuk i parashikon ata si përcjellës të emërimeve që bëjnë respektivisht partitë politike.

 

Kodi Zgjedhor parashikon si afat fundor të emërimit të këtyre auditëve prej KQZ-së datën 14 Janar 2015, vendim që nuk u morr pasi procesi as nuk kishte nisur për shkak të mungesës së nënkryetarit të KQZ-së.

Por, prej datës 30 janar, kur është bërë edhe emërimi i nënkryetarit të KQZ-së, KQZ-ja ka zhvilluar dy mbledhje, megjithëse Kodi detyron mbledhjen përditë të saj, por nuk ka patur në rendin e ditës çështjen e emërimit të auditëve teknicienë, madje ende nuk ka asnjë njoftim as se kur do të jetë mbledhja e rradhës.

Ndaj, Koalicioni i bën thirrje të dy krerëve të saj, se tashmë që KQZ-ja është e plotësuar, të përmbushin sa më parë detyrimin ligjor për emërimin e dy auditëve teknicienë.

 


Gjithashtu, Koalicioni sjell në vëmendje të gjithë anëtarëve të KQZ-së se Kodi Zgjedhor ka përcaktuar shprehimisht një afat për miratimin e “Rregullores së Organizimit dhe Funksionimit të KQZ-së”, me qëllim vendosjen e kufirit kohë për të detyruar ata që të gjejnë vullnetin dhe unanimitetin[4]e duhur.

Ky afat ishte data 26 dhjetor 2012, por KQZ-ja ka dështuar më parë në përpjekjet e saj për të miratuar disa variante të kësaj regullore megjithëse ajo është thelbësore për mënyrën e punës dhe funksionimit të saj.

 

Koalicioni i kërkon anëtarëve të KQZ-së që, në ushtrim të detyrave dhe funksionit të tyre, si të pavarurur dhe që orientohen vetëm nga ligji, të shprehin vullnetin e duhur bashkëpunues me njëri-tjetrin për të shqyrtuar varianetet e mëparshme apo të draftojnë një rregullore të re dhe ta miratojnë sa më parë atë.

 

Miratimi i kësaj rregulloreje, e cila kërkon shumicë të cilësuar prej të paktën 5 votash pro, është një akt thelbësor jo vetëm për mbështetjen e punës së KQZ-së mbi një akt të vlefshëm ligjor[5], por është njëkohësisht edhe shumë domethënës lidhur me sjelljen e anëtarëve të KQZ-së, përsa i përket miratimit të akteve të nevojshme me unanimitet të plotë, apo për sjelljen e duhur të tyre si pavarur dhe të orientuar vetëm nga ligji përgjatë këtij procesi zgjedhor.




[1] Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr. 13/2015, 14/2015 dhe 15/2015, datë 29 Janar 2015, miratoi zëvendësimin anëtarëve të KQZ-së që kishin dhënë dorëheqjen, përkatësisht zëvendësimin e z. Denar Biba me z. Denar Biba, zëvendësimin e znj. Albana Shtylla me znj. Edlira Jorgaqi, të propozuar nga Partia Socialiste si dhe zëvendësimin e z. Jani Jani me z. Gëzim Veleshnja, të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

[2] Neni 61 “Mbikëqyrja e hartimit të listave të zgjedhësve nga KQZ-ja” pika 5, e Kodit Zgjedhor

[3] Neni 61 “Mbikëqyrja e hartimit të listave të zgjedhësve nga KQZ-ja” pika 2, e Kodit Zgjedhor.

[4] Neni 184, pika 2 e Kodit Zgjedhor “Jo më vonë se 60 ditë nga mbledhja e parë, KQZ-ja e zgjedhur pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, miraton Rregulloren e KQZ-së, e cila përfshin edhe marrëdhëniet e anëtarëve të saj me administratën e KQZ-së.”

[5] Akti "Për Organizimin dhe funksionimin e KQZ-së" i miratuar me Vendimin nr. 26, datë 3 Mars 2005, të cilës administrata dhe disa komisionerë i referohen si rregullore në fuqi, ka efekt nul, pasi ky akt ka si bazë të vetën Kodin Zgjedhor të 2003, tashmë të shfuqizuar.


Tiranë, më 12 Shkurt 2015!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore