‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti i Vlerësimit të Situatës Parazgjedhore - Zgjedhjet Lokale 2015 !
14/01/2015

ZGJEDHJET PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE

21 QERSHOR 2015

 

 

 RAPORT VLERËSIMI I SITUATËS PARAZGJEDHORE

Nëntor 2013 – 9 Janar 2015



I. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

Diferenca e thellë në rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve Parlamentare të 23 qershorit 2013, solli një legjitimitet të pranuar të zhvillimit të atij procesi zgjedhor, i cili u përshëndet edhe nga faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë. Gërshetuar kjo edhe me reformat e nisura dhe vullnetin e shprehur për vazhdimësinë e ndërmarrjes së tyre, bënë të mundur marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian në Qershor 2014.

 

U evidentua gatishmëri dhe sjellje më konstruktive e mazhorancës ndaj opozitës, pavarësisht numrave të saj, por gjithësesi situata rezultoi me një hendek të thellë në komunikimin politik dhe në pamundësinë e gjetjes së gjuhës apo të bashkëpunimit me njëri-tjetrin.

 

Kjo klimë kulmoi me largimin e opozitës nga parlamenti në korrik 2014 dhe kthimin e saj në seancën e fundit të muajit dhjetor 2014, pak para skadimit të afatit 6 mujor, periudhë kjo që do të bënte nul mandatet e deputetëve të opozitës.

 

Ky rikthim dhe vendosja e urave të bashkëpunimit mazhorancë –opozitë u bë e mundur pas negociatave intensive nga të dërguarit e Parlamentit Europian dhe u kushtëzua me miratimin e një Rezolute e cila në thelb përmban detyrimin moral, politik dhe ligjor me të cilin duhet të udhëhiqet dhe të operojë normalisht klasa politike e në veçanti ajo parlamentare.

 

Presidenti i Republikës, nuk ndërmorri ndonjë hap për të rritur presionin apo sensibilizuar aktorët politikë e institucionalë lidhur me situatën problematike të zgjedhjeve të ardhshme, por brenda tagrit të vet ligjor dhe në kufirin limit të afatit të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, më datën 15 dhjetor 2014 dekretoi ditën e 21 qershorit 2015 si datën e zhvillimit të Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore.

 

Kuadri ligjor për zhvillimin e zgjedhjeve aktualisht është i paplotë dhe pritet që me fillimin e ri të sesionit parlamentar të bëhen plotësimet e duhura (sipas prononcimeve publike të mazhorancës) ndërkohë që pritet që këto ndryshime të shënojnë vazhdimin e mëtejshëm të konsensusit politik të arritur midis mazhorancës edhe opozitës, referuar edhe rezolutës së miratuar prej tyre më datën 24 dhjetor 2014.

 

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve megjithëse është organi i vetëm që ngarkohet nga ligji për të drejtuar, mbikqyrur, kontrolluar dhe administruar të gjitha elementët përgatitorë të procesit zgjedhor dhe realizimin e zgjedhjeve, vetëm 5 muaj përpara ditës së zgjedhjeve vazhdon të jetë ende i paplotë në anëtarësinë e tij, duke e bërë inefiçent funksionimin normal të tij dhe veçanërisht vendimmarrjen për akte normative të nevojshme apo të tjera për të cilat ligji zgjedhor parashikon votim të cilësuar.

 

Sjellja dhe funksionimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, megjithëse në fillimet e procesit paraelektoral, ka tendencën të mos jetë në përmbushje të detyrimit ligjor për të mbikqyrur dhe kontrolluar proceset përgatitore të institucioneve të tjera lidhur me zgjedhjet.

 

Procesi i njoftimit me shkrim të zgjedhësve për rendin në listën e zgjedhësve si dhe vendin e qendrës së votimit ku zgjedhësi duhet të votojë, asnjëherë nuk është zbatuar i plotë sikundër parashikohet në Kodin Zgjedhor, madje edhe këtë rradhë duket se ky proces do të jetë sërish i paplotë dhe në kundërshtim nga sa parashikohet në Kodin Zgjedhor. Këto shkelje dhe mospërmbushje i faturohen Ministrisë së Brendshme dhe Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, megjithëse procesi është në vazhdim dhe sapo ka filluar.

 

Mediat vazhdojnë të pasqyrojnë gjerësisht jetën politike dhe aspekte të ndryshme të zhvillimeve demokratike në vend, por një pjesë jo e vogël e tyre manifeston anësi të dukshme politike.

 

Politikbërja me deklarata shtypi midis dy partive kryesore dhe thjesht pasqyrimi i tyre nga media, po vë pikëpyetje mbi misionin dhe rolin informues të saj dhe po tenton ta kthejë atë thjesht në një pasqyrues të informacionit të fabrikuar politikisht.

 

Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave vazhdon ende të mbetet një sfidë për politikën dhe për nivelet drejtuese të institucioneve shqiptare, megjithë përmirësimet e shënuara veçanërisht nëpërmjet zëvendësimit të deputetëve të larguar me deputetet gra.

Mbetet sërish një sfidë për forcat politike dhe shoqërinë shqiptare, që tashmë edhe në 61 këshillat e rinj bashkiakë që do të konstituohen pas zgjedhjeve, 30 % e tyre të jenë gra.

 

Disa prej njësive të reja vendore fuqizojnë dhe japin mundësinë e qeverisjes së tyre prej komuniteteve minoritare. Zmadhimi i territorit dhe i popullsisë në bashkitë e tjera zvogëlon ndjeshëm mundësinë e përfaqësimit të këtyre minoriteteve në këshillat përkatëse, çka sjell domosdoshëmrinë e garimit të partive të grupeve minoritare në zgjedhje si pjesë e koalicioneve me partitë e mëdha.

 

Mbetet, gjithashtu, sërish një sfidë për forcat politike dhe shoqërinë shqiptare që t‘u garantojnë personave me aftësi të kufizuara jo vetëm të drejtën për të votuar, por edhe komoditetin më të mirë në funksion të gjendjes së tyre fizike, për realizimin e këtij procesi.

 

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për njohjen dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në procesin e zhvillimeve demokratike të vendit është një mbështeje e mëtejshme politike dhe institucionale për rritjen e rolit vëzhgues dhe pjesëmarrës të qytetarit në procesin zgjedhor edhe më tej.

 

KQZ në gjykimin e saj e vlerëson mjaft të kufizuar rolin e vëzhguesve vetëm në monitorimin e mbledhjeve të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta, si dhe në ndjekjen e mbledhjeve publike të KQZ-së, ndryshe nga sa parashikon Kodi Zgjedhor dhe dokumentat ndërkombëtarë lidhur me rolin e vëzhguesve në funksion të transparencës dhe llogaridhënies të institucioneve të administrimit zgjedhor.



XI. REKOMANDIME

 

Për partitë politike

Koalicioni nxit Partitë Politike parlamentare e veçanërisht dy partitë e mëdha të vazhdojnë në rrugën e komunikimit dhe konsensusit të gjetur politik dhe ta çojnë më tej atë në çuarjen para të reformave të domosdoshme për vendin duke filluar sa më parë me reformën zgjedhore.

 

Lidhur me kuadrin ligjor

Koalicioni iu kërkon forcave politike parlamentare ngritjen urgjente të një Komisioni Parlamentar Ad-Hoc për të adresuar gjithë ndryshimet e nevojshme për një përmbushje sa më të mirë të standarteve për kohën e mbetur në dispozicion si dhe për një administrim sa më të mirë të procesit.

 

Lidhur me listat e zgjedhësve

KQZ duhet të ushtrojë detyrat e saj funksionale për të mbikqyrur nga afër procesin e hartimit të listave dhe për të gjetur zgjidhje brenda kompetencave dhe hapësirave që i ofron ligji, si dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme penalizuese ndaj shkeljeve dhe shkelësve të Kodit Zgjedhor.

 

Në kushtet kur sfera e përgjegjësisë së pushtetit vendor mbetet e pa mbuluar, të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor që t’ia atribuojnë KQZ-së detyrimin për bërjen e një akti normativ për të gjitha Njësitë e Qeverisjes Vendore si dhe për menaxhimin e fondit të nevojshëm për këtë proces, duke mbikqyrur përmbushjen e këtij detyrimi nga kryetarët e NJQV-ve.

 

Lidhur me regjistrimin e kandidatëve

Aplikimi i listave të hapura për kandidatët e këshillave bashkiake do të rriste ndjeshëm përfaqësimin qytetar dhe efikasitetin e funksionimit demokratik të qeverisjes së re vendore.

Madje kandidadët duhet të bëjnë fushatë me programe dhe premtime specifike ndaj qytetarëve. Kjo do të rriste profilin dhe integritetin e tyre politik edhe brenda partive politike, duke kontribuar edhe në rritjen e demokracisë së brendshme të tyre.

 

Partitë politike, KQZ-ja dhe KZAZ-të duhet të bëjnë publike listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë që depozitohen prej partive politike në KZAZ, në mënyrë që zgjedhësit të njohin përfaqësuesit e tyre në këto këshilla.

 

Të bëhen plotësimet e nevoshme në Kodin Zgjedhor duke parashikuar në nenin 70 pika 3 për regjistrimin e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë, edhe me rastin kur kandidati është një kandidat i pavarur i propozuar nga zgjedhësit. Apo edhe me rastin e regjistrimit të komitetit nismëtar për mbështetjen e një kandidati të pavarur në KQZ,  në rastin kur bashkia mbulohet nga më shumë se një ZAZ.

 

Lidhur me median

Media duhet të përpiqet sa më shumë t’i qëndrojë besnike rolit dhe misionit që ajo mbart në informimin e publikut me vërtetësi, objektivitet e paanësi si dhe në zhvillimin e një politike editoriale të pavarur e të paanshme.

 

KQZ duhet të ushtrojë të gjitha kapacitete e veta për përmbushjen e detyrimit që parashikon ligji në bërjen e transparencës së plotë në marrjen e propozimeve të kandidatëve për anëtarë të BMM-së si dhe kriteret objektive që duhet të ndiqen për përzgjedhjen e tyre.

 

KQZ duhet të marrë masa për trajnimin dhe ofrimin e të gjithë komoditetit të duhur për përmbushjen e funksionit të BMM-së, si dhe të shqyrtojë me objektivitet dhe rigorizitet raportet periodike të tyre, duke adresuar përgjegjësitë përkatëse.

 

KQZ duhet të rishqyrtojë vendimin nr. 503 datë 03.06.2013 për të shmangur pasqyrimin nga media të materialeve të përpunuara nga stafet politike të partive apo të kandidatëve.

 

Lidhur me pjesëmarrjen e grave

KVV i nxit partitë politike të rrisin pjesëmarrjen e grave në forumet e tyre, veçanërisht në ato drejtuese.

 

Gjithjashtu KVV nxit partitë politike të rrisin numrin e kandidateve gra për anëtare të Këshillave Bashkiake dhe kryetare Bashkie.

 

Në kushtet e një numri më të vogël NJQV-sh, është tashmë e mundur për partitë politike që në listat për 61 këshillat e reja bashkiake të plotësojnë kuotat gjinore të parashikuara në rastin e zgjedhjeve parlamentare në nenin 67 pika 6 të Kodit Zgjedhor, pra kuotën prej 30 % të listës si dhe kushtin që një në tre emrat e parë t’i përkasë secilës gjini, nëse ligjvënësi në procesin e reformës zgjedhore nuk do të ndryshojë aplikimin e tanishëm me lista të mbyllura.

 

Është e domosdoshme që KQZ të rishqyrtojë aktin e saj në frymën e Kodit dhe të parashikojë refuzimin e listës së kandidatëve për anëtarë të këshillit bashkiak të partive politike deri në plotësimin tërësor të kritereve gjinore prej tyre në vend të penalitetit më gjobë të aplikuar në Zgjedhjet e fundit Parlamentare.

 

Të adresohen ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që ditën e votimit raportimi i numrit të votuesve mbi bazën e gjinisë të bëhet pjesë e proces-verbalit të mbylljes së Qendrave të Votimit.

 

Lidhur me minoritetet

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duhet të marrë masa që anëtarët e grupeve minoritare të kenë mundësinë të informohen mbi procesin zgjedhor, kandidatët në garë e të tjerë elementë në gjuhën e tyre amtare, në përputhje me Strategjinë për Edukimin e Zgjedhësve të miratuar.

 

Partitë përfaqësuese të minoriteteve të përpiqen të bëhen pjesë e koalicioneve zgjedhore në bazë të kushteve të qarta të bashkëpunimit me partitë drejtuese të koalicioneve ku do të marrin pjesë, kushte të cilat të synojnë drejt politikave me synim përmirësimin e jetesës së grupeve që përfaqësojnë.

 

Partitë përfaqësuese të minoriteteve të përpiqen të ndërtojnë platforma gjithëpërfshirëse në mënyrë që ato të thithin edhe vota të shtresave të tjera të shoqërisë e jo vetëm të komunitetit të tyre minoritar.

 

 Lidhur me votuesit me aftësi të kufizuar

KQZ duhet të detyrojë njësitë vendore të nxjerrin lista të sakta për personat me aftësi të kufizuar, dhe të zbatojë masa konkrete përsa i përket mosrespektimit të dispozitave ligjore të kodit Zgjedhor në lidhje me të drejtën për të votuar të personave me aftësi të kufizuar.

 

KQZ duhet të marrë masa që qendrat e votimit ku janë të regjistruar persona të verbër të pajisen me fletët e votimit të veçanta me alfabetin Braille si dhe vendosjen e qendrave të votimit në katet përdhese të godinave përkatëse.

 

KQZ duhet të zbatojë në mënyrë të plotë Strategjinë së Edukimit të Zgjedhësve përsa i përket të gjitha kategorive të personave me aftësi të kufizuar.

 

Amendimi i Kodit Zgjedhor të parashikojë kushte të posaçme për votuesit me aftësi të kufizuar duke iu dhënë atyre të drejtën të votojnë në regjistrin e posaçëm të QV-ve ku personi më aftësi të kufizuar e ka me lehtë ta aksesojë dhe të votojë.

 

Lidhur me vëzhguesit

KQZ duhet të respektojë katërcipërisht parimet e tranparencës, llogaridhënies dhe të drejtën e organizatave qytetare për të vëzhguar të gjitha aspektet e procesit zgjedhor përfshirë edhe veprimtarinë e plotë të institucionit të KQZ-së.


NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore