‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Mungesa e konsensusit politik rrezik serioz për futjen e vendit në një ngërç institucional e kushtetues përpara Zgjedhjeve Lokale të Qershorit 2015 !
03/12/2014

 D E K L A R A T Ë


Shkarko Deklratën e plotë në .pdf


Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) vazhdon të ndjekë me shumë shqetësim situatën politike në vend e vëçanërisht hendekun e madh të krijuar në komunikimin politik midis mazhorancës dhe opozitës, si dhe në funksionimin aspak normal të Parlamentit Shqiptar.

 

Koalicioni është shprehur disa herë përgjatë gjithë vitit në vazhdim për domosdoshmërinë e kompromisit politik në ndërmarrjen e reformave të rëndësishme, si ajo për zgjedhjet, ndarjen administrativo-territoriale dhe atë të decentralizimit, për të cilat edhe vetë forcat kryesore politike të mazhorancës dhe opozitës kanë shprehur që një vit më parë gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe ndërmarrë hapa konkretë.

 

Aktualisht, vetëm pak më shumë se 6 muaj nga Zgjedhjet Lokale të Qershorit 2015, kuadri ligjor është i paplotë dhe alarmues.

 

Pavarësisht domosdoshmërisë së shprehur nga të gjithë aktorët për përmirësim të Kodit Zgjedhor dhe reflektim në të të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por edhe të ndryshimeve që i detyrohen ndryshimeve territorialo-administrative dhe decentralizimit, ende nuk ka asnjë hap institucional apo ligjor të ndërmarrë.

Madje, edhe për vetë reformën e decentralizimit, pavarësisht prononcimeve publike të qeverisë[1], ende nuk ka asnjë hap ligjor apo institucional[2], megjithëse ligji parashikon ndarjen e gjithë vendit në 61 njësi të reja territoriale dhe funksionimin e tyre menjëherë pas zgjedhjeve të Qershorit 2015.

 

Kanë ngelur vetëm 12 ditë në dispozicion të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, dhe menjëherë më pas ligji zgjedhor parashikon nisjen e një sërë procesesh për përgatitjen e infrastrukturës parazgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve.

Ndërmarrja e ndryshimeve ligjore pas nisjes së këtyre proceseve, do t’i vërë jo pak në vështirësi ato, duke filluar që me procesin e përgatitjes dhe verifikimit të listave të zgjedhjeve[3], apo aspekte të tjera të procesit zgjedhor.

 

Një situatë e tillë për të ndërhyrë në minutën e fundit, e cila është bërë tashmë traditë për politikën shqiptare, është një situatë e papranueshme për një vend tashmë kandidat për në Bashkimin Europian, dhe është tërësisht në dëm të interesave të qytetarëve, të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të një shteti të së drejtës.

 

 

Koalicioni ngre fort shqetësimin për rrugën pa krye dhe ngërçin institucional e kushtetues ku mund të futet vendi, ngërç i cili është tashmë evident dhe i mundshëm pas depozitimit të dokumentacionit të 100 grupeve nismëtare për organizimin e referendumeve lokale në njësitë e tyre vendore[4].

 

Nëpërmjet këtyre referendumeve, popullsia lokale do të shprehet nëse janë dakort të shkrihet komuna apo bashkia e tyre[5], duke vënë në pikëpyetje dhe futur në ngërç institucional dhe kushtetues ndarjen e re territoriale, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale.

 

Këto grupe janë pajisur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me dokumentacionin përkatës për mbledhjen e firmave mbështetëse dhe i kanë dorëzuar ato përsëri në KQZ brenda datës 30 Nëntor 2014.

Sipas parashikimeve të bëra nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor[6], këto referendume lokale, nëse konsiderohen konform dhe në përmbushje të kërkesave ligjore e kushtetuese, duhet të zhvillohen përpara datës 15 Qershor 2015, pra, përpara zhvillimit të Zgjedhjeve të ardhshme Lokale.

Po sipas Kodit Zgjedhor, njëra nga alternativat e referendumit shpallet fituese nëse mbështetet nga jo më pak se një e treta e votuesve që paraqiten në listën e zgjedhësve të asaj njësie vendore.

 

Rezultimi “Fitues” i alternativës për të mos shkrirë Njësinë Vendore përkatëse, si një ushtrim i drejtëpërdrejtë i demokracisë dhe i të drejtave kushtetuese direkt nga populli, do të “hedhë në erë” zhvillimin e Zgjedhjeve Lokale për njësinë e re vendore ku është përfshirë edhe kjo njësi, si dhe do të fusë në një ngërç të paprecedent kushtetues e institucional vendin dhe sistemin tonë ligjor e kushtetues.

 

 

Në këtë situatë, Koalicioni i bën thirrje urgjente Klasës Politike, Deputetëve të Parlamentit Shqiptar dhe veçanërisht Kryetarëve të tre Partive më të Mëdha Politike, z. Edi RAMA, z. Lulzim BASHA dhe z. Ilir META, që të tejkalojnë të gjitha ndasitë dhe interesat e ngushta partiake e politike e të gjejnë forcën për tu ulur së bashku me vullnetin për të bashkëpunuar, si Politikanët që kanë marrë votëbesimin e drejtëpërdrejtë nga populli për t’u kujdesur për interesat e tyre dhe të vendit, dhe të gjejnë sa më parë gjuhën dhe zgjidhjen e përbashkët për të shmangur këtë ngërç të panevojshëm e artificial që mund të fusë në kolaps ligjor vendin.

 

Koalicioni i kërkon Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani që të mbledhë sa më parë krerët e partive parlamentare jo vetëm për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve që ai duhet të dekretojë sa më parë, por edhe për t’i nxitur ata drejt kompromisit dhe gjetjes së gjuhës e interesit të përbashkët në dobi të vendit dhe të qytetarëve.

 

Madje, Koalicioni nxit Presidentin e Republikës që të iniciojë një tryezë të përbashkët me të gjithë faktorët politikë, përfshirë dhe ata jo parlamentarë apo edhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile, për të nxitur një marrëveshje politike midis mazhorancës dhe opozitës për një angazhim të përbashkët në ndërmarrjen e reformave të domosdoshme, si ajo e decentralizimit, reforma zgjedhore, reforma kushtetuese, apo të tjera reforma të cilat i tejkalojnë interesat politike të një mazhorance apo të një apo më shumë legjislaturave dhe që kanë të bëjnë me interesat afatgjata të vendit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.

 


 



[1]Intervistë e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore z. Bledi Çuçi datë 14 Tetor 2014. Për më shumë shih: http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=245853&IDCategoria=1.

[2] Në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 27 Nëntor – 31 Dhjetor 2014, të miratuar në Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve datë 26 Nëntor 2014, nuk ka asnjë nismë ligjore pranë Kuvendit që lidhet me këto çështje. Për më shumë shih Kalendarin e punimeve të Kuvendit” tek: http://www.parlament.al/web/pub/kalendari_i_punimeve_28_nentor_dhjetor_2014_20070_1.pdf .

[3] Kodi Zgjedhor ngarkon 383 Njësitë aktuale të Qeverisjes Vendore për përpilimin dhe saktësimin e Listave të Zgjedhësve, proces i cili duhet të fillojë maksimalisht deri më datën 20 Dhjetor 2014.

Ndërkohë në intervistën e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore z. Bledi Çuçi të dhënë më datën 14 Tetor 2014, thuhet se: “

Lista e zgjedhësve nuk ndryshon asnjë gjë në mënyrën se si bëhet. Ato janë produkt i regjistrit kombëtar të zgjedhësve dhe do prodhohen sipas bashkive të reja që do dalin pas zgjedhjeve të ardhshme vendore”. Për më shumë shih: http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=245853&IDCategoria=1 .

[4]Komunat: Zavalinë, Zallbastar, Vreshtas, Vërtop, Vergo, Velipojë, Vaqarr, Ungrej, Tropojë Fshat, Tregan, Trebishte (Bulqizë), Topojan, Tomin, Terthore, Tërbuf, Synej, Surroi, Strumë, Shupenzë, Shtiqën, Shllak, Shkrel, Shishtavec, Sheze, Shënkoll, Shëngjergj, Ruzhdije, Rrasë, Qendër Leskovik, Proptisht, Prezë, Pojan, Pirg, Pezë, Petrelë, Përparim, Paskuqan, Ostren, Orosh, Nikël, Ndroq, Ersekë, Mollas, Mollas - Elbasan, Milot, Melan, Markat, Maqellarë, Macukull, Luz i Vogël, Lunxhëri, Lumas, Lis, Lekaj, Lazarat, Labinot Mal, Kthellë, Ksamil, Kryevidh, Kolonjë - Lushnjë, Kelmend, Kastriot - Dibër, Kajan, Hysgjokaj, Hudenisht, Hotolisht, Helmëz, Grekan, Gosë, Gorë, Gjocaj, Gjinar, Fushë cidhen, Funarë, Fratar, Fierzë - Tropojë, Fierzë - Elbasan, Fier Shegan, Farkë, Fan, Derjan, Dardhas, Dajt, Dajç, Çërravë, Cakran, Bytyç, Bujan, Bubullimë, Bubq, Brataj, Bradashesh, Bicaj, Bërzhitë, Bërxull, Baldushk dhe Arras, si dhe Bashkitë: Mamurras, Leskovik dhe Fushë Krujë.

[5]Alternativat e Referendumit vendor për çështjen e qeverisjes vendore të Komunës/Bashkisë “X”. “A jeni dakord që komuna “X” të shkrihet”? PO - JO

[6] Pjesa e Njëmbëdhjetë “Referendumi” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Pjesa e Nëntë “Referendumet”, të Kodit Zgjedhor të Miratuar me ligjin nr.9087, datë 19.6.2003 dhe ndryshuar me ligjin nr. 9297, date 21.10.2004, ligjin nr. 9341, datë 10.1.2005 dhe ligjin nr. 9371, datë 14.4.2005.



Tiranë, më 3 Dhjetor 2014!


NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore