‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Qeverisja vendore e re, funksionale dhe përfaqësuese, kërkon kompromisin dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve!
29/07/2014

D E K L A R A T Ë

 

Shkarko Deklaratën e Plotë në .pdf 


Deri në zgjedhjet e ardhshme lokale në qershor 2015 ka mbetur më pak se një vit, ndërkohë që përpara forcave politike e veçanërisht mazhorancës paraqiten për t’u ndërmarrë disa reforma shumë të rëndësishme, të cilat para së gjithash duhet të sigurojnë qëndrueshmëri, efikasitet dhe zbatimin më të mirë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) duke ndjekur me vëmendje gjithë situatën politike, fton dhe nxit fuqishëm partitë kryesore politike që të gjejnë forcën e duhur për t’u ulur së bashku për të sjellë një klimë besimi dhe bashkëpunimi të ndërsjelltë, të domosdoshme për ndërmarrjen e reformave aq shumë të nevojshme dhe të gjithëpranuara.

 

Koalicioni shpreh bindjen se megjithëse me pak kohë në dispozicion, partitë kryesore politike kanë të gjitha mundësitë për të treguar maturinë dhe pjekurinë e tyre për një miratim me konsensus të reformës administrativo-territoriale dhe më pas edhe të reformave të tjerave të nevojshme për bërjen sa më efikase të saj, siç janë ajo zgjedhore dhe ajo e decentralizimit, të cilat duhet të fillojnë menjëherë në shtator me nisjen e sesionit të tretë të kësaj legjislature.


Koalicioni në vazhdimësi edhe të qëndrimeve të mëparshme, risjell në vëmendje domosdoshmërinë e ndërmarrjes sa më parë të Reformës Zgjedhore, jo vetëm për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR, të vëzhguesve vendas apo edhe të aktorëve të tjerë, por edhe si një domosdoshmëri për rregullimin e një përfaqësimi sa më të mirë të shtetasve në organet e qeverisjes së njësive të reja vendore, si dhe rritjes së efektshmërisë së tyre në dobi të qytetarëve.

 

Ndarja e re administrativo-territoriale që pritet të miratohet, parashikon zvogëlimin rreth gjashtë herë të numrit të njësive vendore. Çka do të thotë njësi gjeografike më të mëdha për t’u administruar, popullsi më të mëdha për t’u qeverisur, por, nga ana tjetër, edhe rritje e distancës së përfaqësimit të drejtëpërdrejtë të këshilltarëve të NJQV-ve nga shtetasit votues.

 

Në frymën e respektimit të standardeve demokratike dhe të funksionalitetit sa më të mirë të këtyre njësive, Koalicioni sjell në vëmendje nevojshmërinë e rishikimit të mekanizmit aktual të Kodit Zgjedhor për mënyrën e zgjedhjes së organeve të pushtetit lokal, konkretisht të zgjedhjes së tyre në mënyrë nominale (me lista të hapura), të drejtëpërdrejtë dhe nga të gjithë shtetasit e regjistruar si banorë të këtyre njësive.

 

Në këtë linjë, Koalicioni nxit mazhorancën dhe Qeverinë që, në përputhje edhe me premtimet elektorale të para një viti[1], të përkushtohet për të siguruar votimin e emigrantëve në vendet ku ata jetojnë, jo vetëm për zgjedhjet parlamentare, por edhe për ato lokale të vitit të ardhshëm.

 

Gjithashtu, Koalicioni sjell në vëmendje të Qeverisë e në veçanti të Ministrisë së Brendshme, që nisur edhe nga koha e pakët në dispozicion, të përkushtojnë energjitë e tyre maksimale, që në transparencë të plotë me publikun dhe aktorët e interesuar, të punojnë fort dhe të ndërmarrin sa më parë hapa efikasë për të bërë të mundur pastrimin e Listës së Zgjedhësve prej rekordeve të dyshura si të dubluara, si dhe të saktësojnë adresat e rreth 350.000 zgjedhësve që rezultojnë pa adresë të saktë, në bazë të raporteve të auditëve teknicienë përgjatë procesit zgjedhor të kaluar[2].

 

Marrja në konsideratë e këtyre çështjeve dhe e të tjerave të domosdoshme për të siguruar një qeverisje vendore të re, efikase, funksionale, përfaqësuese dhe në shërbim sa më të mirë të shtetasve, kërkon para së gjithash kompromisin dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë, institucionalë si dhe të grupeve të tjera të interesit.

 

[1]  “Qeverisja e pas 23 qershorit do t’iu mundësojë ushtrimin e të drejtës së votës në vendet ku jetoni, pa krijuar kaosin e lëvizjeve duke iu shkëputur” – deklaratë e z. Erion Veliaj, Sekretar për Emigracionin në Partinë Socialiste, me emigrantë shqiptarë ne Greqi, botuar më datë 10 qershor 2013. Për më shumë tek: http://gazetadita.al/veliaj-me-emigrantet-pa-pengesa-ne-pikat-kufitare-per-zgjedhjet-premtimi-yne-i-mbajtur/

[2]  Sipas raporteve finale të auditëve teknicienë, përkatësisht të z. Genti Malko (i emëruar me aprovim të Partisë Demokratike) dhe të Z. Dashamir Çali (i emëruar me aprovim të Partisë Socialiste), mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për muajin maj 2013, të shqyrtuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e datës 28.05.2013 rezultoi në mënyrë të përmbledhue se:
Sipas auditimit të z. Dashamir Çali në listën zgjedhore prej 3,270,947 zgjedhësish rezulton se:
1. Persona të dyshuar si të dubluar 27,143.
2. Persona pa adresë 348,284 zgjedhës.
3. Familje të dubluara 135 dhe të dyshuara si të falsifikuara rreth 100.
4. Përdorimi i shenjave te pikësimit të palejuara 4,048 raste
Ndërsa, sipas auditimit të z. Genti Malko lista zgjedhore ka një numër total prej është 3, 270, 936 zgjedhësish për të cilët rezulton se:
1. Numri total i personave të dyshuar si të dubluar të paverifikuar është 1,139.
2. Dublime të pastruara nga ZGJC janë 35.
3. Personat e ndryshëm sipas shkresave të Zyrave të Gjendjes Civile janë 272.
5. Lista e zgjedhësve me numër banimi 000 888 999 rezultoi 348, 346 zgjedhës.
Për më shumë shihni Raportin e Tretë të Ndërmjetëm të Monitorimit të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, datë 19 Qershor 2013, faqe nr. 33 “D. Listat dhe Identifikimi i zgjedhësve”, tek: http://www.zgjedhje.al/uploads/File/KVV%20-%20Raport%20III%20-%2019Qershor2013.pdf

Tiranë, më 29 Korrik 2014!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore