‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





DEKLARATË PËR SHTYP 5
Roli i nstitucioneve të administrimit të procesit zgjedhor

26/04/2011

Shkarko .pdf Shkarko .pdf
 
Kur na ndajnë vetëm 12 ditë nga Zgjedhjet Vendore të 8 Majit, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë tërheq vëmendjen për mosrealizimin në kohë dhe sipas kërkesave ligjore të disa elementëve thelbësorë në garantimin e procesit zgjedhor, që kanë të bëjnë me administrimin e drejtëpërdrejtë të procesit dhe votës së qytetarëve.

- Komisionet e Qendrave të Votimit


Koalicioni konstaton me mjaft shqetësim mos ngritjen ende të Komisioneve të Qendrave të Votimit, afati i fundit për ngritjen e të cilave, në çdo rast, ishte data 18 Prill 2011, sikundër parashikohet në nenin 36 pika 2 të Kodit Zgjedhor.

Asnjë nga partitë politike nuk e ka respektuar në mënyrë të plotë afatin e 23 Marsit për depozitimin e emrave të kandidatëve për Komisionet e Qendrave të Votimit.

Për më tepër, pavarësisht se propozimet janë paraqitur me vonesë, ende në një pjesë të mirë të Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ) nuk i kanë ngritur këto Komisione.

Në një pjesë të tyre kjo vonesë vjen prej pasaktësisë në dokumentacionin shoqërues të kandidaturave, jo konform kërkesave të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Në disa ZAZ nuk jepen arsye për mosngritjen e tyre, ndërkohë që në mënyrë flagrante evidentohet që në disa KZAZ si Bulqizë, Bushat, etj, opozita ende nuk i ka paraqitur propozimet e saj për ngritjen e KQV-ve.

Kjo situatë është tejet e rëndë, jo vetëm për shkeljet ligjore që paraqiten, por edhe për pasojat aspak pozitive që mund sjellë në administrimin e procesit në komisionet e niveleve të treta. Mungesa e kohës së mjaftueshme, jo vetëm për ngritjen e tyre, por sidomos për trajnimin e mirëfilltë të Komisionerëve të Qendrave të Votimit, mund të shkaktojë pasoja jo të vogla në procesin e votimit.

Koalicioni i kërkon partive politike të plotësojnë urgjentisht dokumentacionin ligjor për ngritjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit, si dhe të ndikojnë pranë përfaqësuesve të tyre në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) për përshpejtimin e këtij procesi.

Koalicioni i sugjeron Partive Politike, që, në këtë proces, të shfytëzojnë potencialet e tyre për të bërë të mundur emërimin si sekretar të KQV-ve të personave me arsim juridik, çka do të ishte një mundësi më shumë për një administrim më të plotë ligjor të procesit të votimit.

Nisur nga eksperiencat e proceseve të mëparshme elektorale, Koalicioni i bën thirrje Partive Politike që ta shfrytëzojnë në minimum mundësinë ligjore, që iu njeh Kodi Zgjedhor, për ndërrimin e Komisionerëve të tyre në momentet e fundit, ose, të paktën, të sigurojnë që zëvendësuesit t’i nënshtrohen paraprakisht trajnimit respektiv.

Sikundër ka theksuar në raportet e tij për zgjedhjet e kaluara, Koalicioni ka konsideruar se trajnimi pak ose aspak i komisionerëve ka qenë një ndër shkaqet kryesore të zvarritjes së procesit apo i mjaft problemeve të tjera të konstatuara.

Në vazhdimësi,  Koalicioni i bën thirrje Partive Politike: PD, PS dhe LSI që të marrin masat e nevojshme për t’i paraqitur në kohë propozimet e tyre për ngritjen e Grupeve të Numërimit të Votave, duke u kushtuar rëndësinë e duhur dhe lënë kohën e mjaftueshme për trajnimin e tyre.

- Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor

Koalicioni ka konstatuar se, në disa raste, Komisionerët e ZAZ-ve nuk kanë ushtruar mjaftueshëm dhe profesionalisht detyrat e tyre, jo vetëm në ngritjen e KQV-ve, por edhe në elementë të tjerë si në: sigurimin e afishimit të listave të zgjedhësve pranë të gjitha Qendrave të Votimit; orientimin e qytetarëve që nuk rezultojnë ta kenë emrin në listë; kontrollimin e përmbushjes së kushteve të nevojshme në vendet ku do të ngrihen qendrat e votimit; sigurimin e zbrazjes së këtyre qendrave nga materialet propagandistike[1], etj.

Koalicioni i kërkon anëtarëve të Komisioneve të Zonave Zgjedhore që në detyrën e tyre të udhëhiqen nga ligji dhe përgjegjësia qytetare për realizimin e një procesi me standarde.

Ata duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin, larg ndasive dhe urdhrave politikë, duke ofruar vendimmarrje konsesuale dhe ligjore për një proces zgjedhor në interes të qytetarit dhe vendit.

Komisionerët e ZAZ-ve duhet të marrin pjesë dhe të jenë pjesë aktive e trajnimeve që zhvillohen për rritjen profesionale të tyre për një administrim sa më të mirë të procesit sipas afateve dhe standardeve të përcaktuara në Kod.

Koalicioni i sugjeron Komisionerëve të ZAZ-ve që të jenë të pranishëm në trajnimin e Komisionerëve të Qendrave të Votimit për t’i mbështetur dhe ofruar atyre të gjithë asistencën e nevojshme mbi pikëpyetjet apo paqartësitë që mund të ngrihen.

- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve


Koalicioni i tërheq vëmendjen dhe i kërkon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që të ushtrojë në mënyrë konsensuale dhe të plotë autoritetin e tij ndaj komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta në përmbushje të detyrimeve ligjore që parashikohen në Kodin Zgjedhor.

KQZ duhet të mbajë qëndrim ndaj kryetarëve të njësive vendore të cilët kanë lejuar qendra votimi me më shumë se 1000 zgjedhës, në kundërshtim me nenin 62 pika 2 të Kodit Zgjedhor, apo kundrejt atyre të cilët, në mënyrë të panevojshme, i kanë caktuar këto qendra në ambiente  private.

Koalicioni shpreh shqetësimin e tij për mosmiratimin ende të manualeve të qendrave të votimit dhe atyre të numërimit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Duke marrë shkas nga problematika e vërejtur në procesin e numërimit në zgjedhjet e shkuara, Koalicioni i kërkon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që në modelimin final të Vendeve të Numërimit të Votave të marrë në konsideratë sigurimin e pamjes vizuale direkte të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore apo vëzhguesve të tjerë, ndaj fletëve të votimit.

Mungesa e përfaqësusve të partive politike jo-të mëdha pranë Grupeve të Numërimit të Votave[2] rrit mundësinë e mosleximit të drejtë të votave të marra nga këto subjekte.

Plani i mëparshëm i vendosjes së vëzhguesve në Vendet e Numërimit të Votave nuk siguron asnjë garanci në mënyrën e përllogaritjes së votave, pas leximit dhe shfaqjes së tyre në kamera.

Ndërtimi i korridoreve midis tavolinave ku numërohen fletët e votimit do të siguronte një kontakt direkt vizual ndaj fletëve të votimit dhe, njëkohësisht, ndaj administrimit dhe llogaritjes së tyre prej numëruesve.

Koalicioni i kërkon gjithashtu Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që t’i bëjë sa më shumë publicitet testimit të teknogjisë që do të përdoret prej tij në Vendet e Numërimit të Votave, madje i sugjeron kryerjen e këtij testi sa më parë, në mënyrë që të rritet besimi i publikut në mbarëvajtjen e procesit të numërimit apo edhe për shmangur paraprakisht paragjykimet e mundshme mbi këtë çështje nga subjektet në garë.

Tiranë, më 26 Prill 2011

 



[1] Nga vëzhgimet e bëra rezultojnë komsionerë të painformuar mbi orientimin e qytetarëve që nuk rezultojnë në listat përfundimtare. Po ashtu ka disa qendra votimi në qytete të ndryshme, ku ende nuk janë afishuar listat e votuesve. Janë vërejtur raste të qendrave të votimit me një hapësirë të pamjaftushme prej 9 m2 në total, si në ZAZ nr. 56.

[2]Në bazë të Kodit Zgjedhor dhe vendimit të KQZ-së, grupet e numërmit do të përbëhen nga katër vetë, respektivisht një përfaqësues nga PD, një nga LSI dhe dy nga PS.

Po sipas Kodit Zgjedhor një koalicion partish mund të ketë vetëm një vëzhgues dhe ky si rregull është përfaqësues i forcës kryesore politike të atij Koalicioni.

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore