‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Nisma për faljen e gjobave përgjatë periudhës elektorale e paplotë, pa vënien përpara përgjegjësisë të shkelësve të ligjit!
18/02/2014

D E K L A R A T Ë

 

Koalicioni u njoh nëpërmjet medias me nismën e Qeverisë Shqiptare[1] për faljen e gjobave tatimore ndaj biznesit, si një premtim elektoral i bërë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

 

Koalicioni mori kontakt me Ministrinë përkatëse për të siguruar një kopje të plotë të projektligjit “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna nga kontrollet dhe verifikimet tatimore të kryera për periudhën 1 Mars 2013 deri më datë 31 Gusht 2013”, por arriti të siguronte vetëm informacionin që është publikuar në media si dhe informacionin për miratimin e këtij projektligji në mbledhjen e qeverisë gjatë kësaj jave[2].

 

Projekligji që i është bërë i ditur medias përmban vetëm 7 nene ku përcaktohet se “të gjithë personat juridikë e fizikë, të regjistruar si tatimpagues në administratën tatimore, përfitojnë faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave të vendosura nga inspektorët tatimorë nëpërmjet kontrolleve apo verifikimeve tatimore të çfarëdo lloji, të kryera për periudhën nga data 1 Mars deri në datën 31 Gusht 2013”.

 

Gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore në Zgjedhjet Parlamentare të 23 qershorit 2013, Koalicioni në Raportet e tij të Ndërmjetme të Monitorimit evidentoi si shkelje këtë premtim të bërë nga opozita e atëhershme, si një premtim, i cili, në formën se si u formulua dhe u pasqyrua në media, ishte një premtim jo korrekt që binte ndesh me parimin e barazisë përpara ligjit[3] si dhe anashkalonte kuadrin ligjor e institucional duke vënë pikëpyetje mbi vazhdimësinë institucionale e zbatimin e ligjit[4].

 

Kuadri ligjor shqiptar e veçanërisht Kushtetuta, Kodi Penal dhe Kodi Zgjedhor parashikojnë ndalimin e të gjitha formave të presionit, abuzimit apo diskriminimit për arsye elektorale, bindje politike apo përkatësie partiake.

 

Në lidhje me përmbajtjen e këtij projektligji, për aq sa u bë e mundur që të sigurojë informacion nga mediat, Koalicioni i tërheq vëmendjen Qeverisë Shqiptare për ta plotësuar më tej atë apo të ndërmarrë edhe hapa të tjerë, në funksion të nismës dhe argumentimit politik mbi të cilën po ndërmerret miratimi i këtij projektligji.

Çështë më e rëndësishme, kjo nismë duhet të jetë konform kuadrit ligjor ekzistues dhe të përçojë frymën e respektimit të plotë dhe të zbatimit pa ekuivok të ligjit ndaj të gjithë abuzuesve apo formave të presionit të shfaqura dhe të ndërmarra ndaj qytetarëve gjatë proceseve zgjedhore, në kundërshtim me të drejtën e tyre të pamohueshnme për të zgjedhur, aderuar apo simpatizuar platformat apo partitë politike, kushdo qofshin ato.

 

Projektligji i hartuar ngre pikëpyetje jo të vogla në përmbajtjen dhe zbatimin e tij, madje krijon premisa aspak pozitive të marrëdhënieve të biznesit me ligjin, me institucionet shtetërore dhe me partitë politike sidomos gjatë periudhave elektorale.

 

Konkretisht, Koalicioni sjell në vëmendje të Qeverisë Shqiptare:

 

Së pari, nëse Qeveria Shqiptare apo mazhoranca ka fakte konkrete mbi punonjës tatimorë që kanë vendosur gjoba në mënyrë abuzive ndaj bizneseve, duhet t'i bëjë ato publike pikërisht në pjesën e argumentimit se pse po miratohet ky projektligj.

Në vijim, ajo duhet të ndërmarrë hapat e duhur për t'i çuar këta punonjës së administratës shtetërore përpara organeve të drejtësisë.

Në mungesë të fakteve ligjore, Qeveria i ka të gjitha tagrat për të faktuar këtë abuzivizëm të punonjësve tatimorë, dhe duhet sa më parë ta shoqërojë miratimin e këtij projektligji me vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo punonjësi apo drejtuesi që shkel ligjin, abuzon apo përdor autoritetin shtetëror për të bërë presion elektoral.

 

Së dyti, nëse kuadri ligjor është i tillë që krijon premisa apo lë shteg që punonjësit tatimorë të mund të vendosin gjoba në mënyrë abuzive, atëherë mazhoranca duhet së pari të marrë masa për përmirësimin e legjislacionit respektiv, dhe në funksion të kësaj mangësie të ligjit të mund të ndërmarrë edhe faljen e gjobave ndaj biznesit, i cili në një rast të tillë duhet patur parasysh se ka qenë i ekspozuar ndaj këtij “ligji të padrejtë” që prej miratimit të tij dhe jo vetëm gjatë periudhës që mbulon ky projektligj.

 

Edhe në rastin kur nga apelimi i këtyre gjobave pranë hallkave përkatëse nga vetë subjektet e gjobitura, ështe evidentuar se ka mangësi në procedurat ligjore që sigurojnë të drejtën për një apelim të këtyre gjobave në mënyrë të drejtë dhe të efektshme, Qeveria duhet të adresojë pikërisht plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor respektiv, ose në të kundërt, vënien përpara përgjegjësisë të titullarëvë që kanë bërë joefikas sistemin e apelimit të parashikuara në procedurat tatimore.

 

Së fundmi, Koalicioni ngre shqetësimin se ndërmarrja e kësaj nisme në mënyrë të paplotë, do të legjitimojë pandëshkueshmërinë dhe abuzivizmin për arsye elektorale ndaj biznesit edhe në të ardhmen.

Në vetvete kjo nismë është e ngjashme me falje të mëparshme të cilat nuk zgjidhin në mënyrë të qëndrueshme sjelljen abuzive ndaj biznesit, por një qasje e tillë e Qeverisë kur bëhet fjalë për abuzim me motive politike dhe elektorale, për më tepër përgjatë periudhës zgjedhore, krijon një një precedent mjaft negativ në marrëdhënien që duhet të ketë biznesi me institucionet shtetërore dhe ligjin.

Kjo marrëdhënie nuk ka pse të kalojë nëpërmjet shërbimit apo lidhjeve me partitë politike, kushdo qofshin ato, në dëm të funksionimit normal dhe korrekt të institucioneve shtetërore dhe në dëm të funksionimit të ligjit.

 

Madje, në kushtet e një kuadri të paplotë ligjor mbi transparencën dhe financimin e partive politike, ndërmarrja e nismave të këtilla përbën potencialisht një problem serioz për sigurinë dhe të ardhmen e biznesit, në dëm të ndërtimit të një shteti ligjor dhe të së drejtës që garanton katërcipërisht zhvillimin normal dhe të arrirë të proceseve zgjedhore.



 
[1] “… Shumë shpejt ne do të çojmë në parlament, projektligjin për heqjen e të gjitha gjobave, nga 1 Marsi i vitit të kaluar, ku, pasi kemi bërë një analizë, na rezulton se pjesa dërrmuese e këtyre gjobave janë gjoba arbitrare, janë gjoba të korrupsionit, janë gjoba të ngutjes për ‘të marrim, ç’të marrim’ nga këta, - mbasi jo pak ju kishin marrë - se po ikim. Janë edhe gjoba për intimidimin politik të biznesit, në prag dhe gjatë  fushatës elektorale. …”. Bashkëbisedim i Kryeministrit z. Edi Rama me biznesin datë 17 Janar 2014 “Qeveria me biznesin në informim, komunikim dhe ndërveprim”. Për më shumë tek: http://www.km.gov.al/al/newsroom/fjalime/qeveria-me-biznesin-ne-informim-komunikim-dhe-nderveprim1390646404 .

[2]  “… Burime zyrtare të ministrisë thanë sot për ATSH-në se: “me këtë projekt-vendim, pritet të vihet në vend ligjshmëria e cënuar nga veprimet abuzive të administratës fiskale ndaj biznesit si presion në kohën e fushatës zgjedhore të 2013-tës. Projekt-vendimi është iniciuar dhe firmosur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj dhe pritet të miratohet javën që vjen në Qeveri... .” Agjensia Telegrafike Shqiptare, datë 13 Shkurt 2014 “Gati falja e “gjobave elektorale” të 2013-tës”. Për më shumë tek: http://www.ata.gov.al/ekon-gati-falja-e-gjobave-elektorale-te-2013-tes-51029.html .

[3] Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë,  Raporti i Dytë i Ndërmjetëm i Monitorimit, datë 27 Maj 2013, faqe nr. 35: “Fushata Zgjedhore, pika d: Premtimet elektorale”.  Për më shumë tek:  http://www.zgjedhje.al/uploads/File/KVV%20-%20Raport%20II%20-%2027Maj2013.pdf .

[4] Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë,  Raporti i Tretë i Ndërmjetëm i Monitorimit, datë 19 Qershor 2013, faqe nr. 36 “Fushata Zgjedhore / Premtimet”. Për më shumë tek: http://www.zgjedhje.al/uploads/File/KVV%20-%20Raport%20III%20-%2019Qershor2013.pdf .

 

Tiranë, më 18 Shkurt 2014!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore