‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti Përfundimtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve Parlamentare të 23 Qershorit 2013!
27/09/2013

ZGJEDHJET PARLAMENTARE

23 QERSHOR 2013


RAPORTI PËRFUNDIMTAR I VËZHGIMIT

Periudha e monitorimit: Shtator 2012 - Gusht 2013


Shkarko Raportin e Plotë në .pdf


II. VLERËSIMI

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ishte një ndër aktorët që ndoqi nga afër gjithë procesin zgjedhor duke e konsideruar si një proces nga më të rëndësishmit në zhvillimin politik dhe institucional të demokracisë në Shqipëri, si dhe duke e quajtur një sfidë të mirëfilltë për nxitjen e besimit të qytetarëve në zbatimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve të pavaruara.

Në vlerësimin e çdo procesi ligjor ka dy momente: vlerësimi ligjor dhe vlerësimi i legjitimitetit, të cilat janë në funksion dhe në domosdoshmëri të njëri-tjetrit.

Aspirata në një shtet të së drejtës është që të qenurit ligjor të nënkuptojë të qenurit legjitim dhe të anasjelltën.

Kodi Zgjedhor, përcakton si shtyllë të procesit zgjedhor KQZ-në që është “organi më i lartë shtetëror i përhershëm, i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve”.

Zbatimi dhe respektimi i ligjit në jetën institucionale të këtij organi është një ndër treguesit kryesorë të ligjshmërisë së të gjithë proçesit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një strukturë dhe funksion kompleks i cili mbart tre karakteristika: legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.

Përsa i përket natyrës së saj ekzekutive-legjislative, ajo mund të konsiderohet si një gati qeveri zgjedhore, e cila ka si agjentë në varësinë e saj për organizimin e proçesit zgjedhor autoritete qendrore dhe vendore.

Ndërsa përsa i përket karakterit të saj gjyqësor, KQZ-ja sillet edhe si një “gati gjykatë”, pjesë e atij që mund të quhet sistemi i drejtësisë zgjedhore. 

Ndonëse trupa e KQZ-së  kryen një gjykim administrativ mbi ankimimet që i dorëzohen, shërben edhe si një shkallë e parë, mbi të cilën qendron Kolegji Zgjedhor, trupë e konstituar me short prej gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.

 

Nëse merren në vlerësim karakteri legjislativ[1], ai ekzekutiv[2] dhe ai gjyqësor[3] i KQZ-së përgjatë këtij procesi vërehet se përkundrejt respektimit dhe zbatimit të sa shkruhet dhe parashikohet në Kodin Zgjedhor, KQZ-ja rezulton të ketë qenë inkompetente, jo funksionale dhe me anësi të theksuar politike, të cilat sikundër është bërë publike në vazhdimësi prej Koalicionit japin një rezultat të shkeljes në mënyrë të vazhdueshme të ligjit zgjedhor.

Vlerësimi i legjitimitet për nga natyra është një një vlerësim subjektiv dhe arbitrar. Në rastin e një proçesi zgjedhor ai objektivizohet në sajë të asaj se sa është pranuar nga aktorët politikë dhe opinioni publik.

 

Zgjedhjet e 23 qershorit u pranuan nga të gjitha forcat kryesore politike, madje ato shënuan edhe një rotacion të qetë pushteti, duke iu dhënë legjitimitet atyre.

 

Ajo çka është shqetësuese për Koalicionin është se pati edhe një “rotacion” mbi vlerësimin e proçesit zgjedhor prej kampeve politike.

Kampi që para 23 Qershorit e konsideronte procesin elektoral të rregullt dhe brenda kornizës ligjore, pas 23 Qershorit nisi ta kritikonte për shkelje të rënda.

Një fenomen i kundërt ndodhi me palën tjetër politike, e cila e shkëmbeu morinë e kritikave për procesin elektoral pas ditës së zgjedhjeve me heshtje, çka legjitimon edhe njëherë se subjektet politike e shohin legjitimitetin e një procesi ligjor të lidhur thjesht me interesa të ngushta partiake dhe jo më gjerë.

 

Koalicioni konstaton se procesi zgjedhor i 23 qershorit, në tërësi u karakterizua si një proces me një ligjshmëri të munguar por me një legjitimitet të pranuar nga të gjithë aktorët politikë dhe opinioni i gjerë publik, çka është një situatë tejet e pazakontë[4] dhe aspak shpresëdhënëse për vende si Shqipëria ku zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve të pavarura përbëjnë përherë një sfidë, dhe ku vullneti politik është ai që përherë prevalon.



V. KONKLUZIONE

5.1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (Komisionerët dhe Administrata)

a) Vendimmarrja e Komisionerëve për çështje thelbësore dhe me ndikim politik ka qenë në bllok sipas linjave politike (në varësi të dy kampeve politike nga të cilat komisionerët ishin propozuar) dhe bllokuese (duke mos arritur vendimmarrje të cilësuar me pesë vota).

b) Prej krijimit të tre vakancave në KQZ në muajin prill dhe me mos dorëzimin në vazhdim të kandidaturave në Kuvendin e Shqipërisë nga subjektet politike Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, trupa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vazhdoi të funksiononte e paplotë vetëm me katër anëtarë.

c) Gjatë jetës së saj institucionale administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka ceduar së shumti përsa i përket transparencës në bërjen publike të dokumentacionit të përgatitur prej saj si dhe në dhënien e sqarimeve publike mbi veprimtarinë e KQZ-së.

d) Është vërejtur në disa raste se administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është treguar e pasaktë dhe jo profesionale në qëndrimin e saj si dhe në hartimin e materialeve të paraqitur për vendimmarrje përpara trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

e) Gjatë jetës institucionale është vërejtur një mungesë solemniteti në sjelljen e trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesve të subjekteve politike dhe palëve të tjera pjesë e procesit zgjedhor.

f) Ndonëse në deklarimet publike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u pohua se mos realizimi i dy projekteve pilot SEV dhe SEN erdhi për shkak të arsyeve objektive duke e konsideruar se është ende herët për përdorimin e këtyre teknologjive në vendin tonë, në vlerësimin e KVV-së ky moment rezulton si një mungesë e qartë vullneti dhe profesionalizimi.

g) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konsideroi akte të miratuara më parë me shumicë të cilësuar si ende në fuqi, ndërkohë që Kodi Zgjedhor përcakton të kundërtën dhe kërkon që këto akte të votohen sërish.

h) Ndonëse Kodi Zgjedhor i mundëson Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të jetë rregullator i fushatës zgjedhore, ai qëndroi totalisht inaktiv gjatë zhvillimit të saj duke pohuar se nuk ishte në tagrat e tij.

 

5.2. Ministria e Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile)

a) Ministria e Brendshme nuk ka respektuar në vazhdimësi detyrat dhe afatet që Kodi Zgjedhor i ngarkon këtij institucioni në procesin e hartimit dhe saktësimit të listave të zgjedhësve (ekstraktit të përbërësve zgjedhorë).

b) Ministria e Brendshme në deklaratat e saj zyrtare në lidhje me përgatitjet e procesit zgjedhor në mjaft raste ka përdorur gjuhë politike dhe një pozicionim jo bashkëpunues për të sqaruar apo trajtuar akuzat apo pretendimet e ngritura prej forcave opozitare në lidhje me procesin zgjedhor.

 

5.3. Njësitë e Qeverisjes Vendore (Kryetarët dhe Administrata)

a) Nga vëzhgimi i kryer prej KVV-së u vërejt se Kryetarët dhe në tërësi Administrata e Njësive të Qeverisjes Vendore në mjaft raste ishin të pa informuar për detyrat e tyre në lidhje me detyrimet që i ngarkon ligji për procesin zgjedhor.

b) Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore kanë përgjegjësi direkte për ndarjen e Qendrave të Votimit, përditësimin e listave të zgjedhësve dhe më pas dërgimin e listës së QV-ve me numrin e zgjedhësve për çdo QV në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Pjesa më e madhe e tyre nuk e respektoi afatin e parashikuar në Kodin Zgjedhor, ndërkohë që për 139 prej tyre, të cilët po bëheshin pengesë serioze në ecurinë e mëtejshme të procesit, u morën masa administrative duke u gjobitur me gjobë.

c) Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore si përgjegjës për dërgimin në KQZ të listave të sugjerimeve për vendndodhjen e Qendrave të Votimit private të shoqëruara me dy vendndodhje alternative, në pjesën më të madhe të propozimeve të tyre nuk e zbatuan këtë detyrim ligjor.

 

5.4. Subjektet Zgjedhore

a) Pas krijimit të tre vakancave në trupën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim në kundërshtim me Kodin Zgjedhor nuk dërguan kandidaturat e tyre për plotësimin e vakancave në Kuvendin e Shqipërisë.

b) Komisioni Qendror të Zgjedhjeve është vënë në vazhdimësi përballë një presioni të fortë politik prej forcave politike, madje këto të fundit e kanë bërë shpesh atë pjesë të ligjërimit të tyre partiak.

c) Të gjitha forcat politike kanë mbajtur një qëndrim dy standardësh kundrejt legjislacionit në raste identike ose të ngjashme, por ku interesat partiake ishin me kahje të ndryshme, duke shfaqur vullnetin real të tyre mbi zbatimin e ligjit dhe zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor.

 

5.5. Presidenti i Republikës

a) Dekretimi i datës së zgjedhjeve prej Presidentit të Republikës u krye në skajin e afatit ligjor, duke mos iu mundësuar operatorëve zgjedhorë si Ministria e Brendshme një kohë më të shumtë për parapërgatitjen dhe plotësimin e detyrave që iu ngarkon Kodi Zgjedhor.

 

5.6. Prokuroria e Përgjithshme

a) Ndonëse në disa raste forcat politike iu drejtuan prokurorisë për denoncimin e pretendimeve të tyre për shkelje në fushatën zgjedhore dhe në shumë raste ishte media që ngriti shqetësime të shumta të faktuara për parregullsi në organizimin e procesit zgjedhor, në asnjë rast nuk pati aktivizim të prokurorisë.

 

5.7. Mediat

a) Media, në përgjithësi, luajti një rol të çmuar në pasqyrimin e detajuar dhe të gjithanshëm që i bëri fushatës zgjedhore.

Veçanërisht vlen të përgëzohet roli i saj investigues, dokumentues dhe denoncues për shkelje të ndryshme nga aktorët politikë apo institucionalë gjatë periudhës së fushatës elektorale

b) Në përgjithësi mediat ruajtën ekulibrin në pasqyrimin e fushatës, por pati edhe media të cilat u shfaqën hapur në mënyrë të njëanshme, veçanërisht disa prej televizioneve lokale ku dhe kontrolli inspektorëve të Bordit të Monitorimit të Medias është më i vogël.

 

5.8. Kolegji Zgjedhor

a) Në disa raste vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor i është mbivendosur qartazi kompetencave eksplicite që Kodi Zgjedhor ia ngarkon trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

b) Në vlerësimin e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, në disa raste arsyetimi ligjor i përdorur prej trupës së Kolegjit Zgjedhor ka qenë jo profesional dhe deri jo logjik.

c) Gjatë seancave të gjykimit të ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor të subjekteve politike për vendimet e trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tabelat e rezultateve të numërimit të votave, u cënua ceremonialiteti.

 

5.9. Kuvendi i Shqipërisë

a) Në vlerësimin e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, në rastin e caktimit të mandateve në bazë qarku, Kuvendi i Shqipërisë iu mbivendos kompetencës eksplicite të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

b) Në rastin e shkarkimit të Komisionerit të trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të propozuar prej Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe emërimit më pas të Komisionerit të propozuar nga Partia Republikane, Kuvendi i Shqipërisë pati vendimmarrje me logjikë totalisht politike, të njëanshme dhe aspak ligjore.


VI. REKOMANDIME

 

Zgjedhjet Parlamentare të 23 qershorit shënuan procesin zgjedhor më të ndjekur dhe më të vëzhguar në vend.

Problematika që shoqëroi përgatitjen dhe ecurinë e procesit deri në finalizimin e tij, shtron urgjentisht përballë të gjithë aktorëve në vend e veçanërisht përballë aktorëve politikë një sfidë madhore, çka është njëkohësisht dhe një ndër gurët themelorë të funksionimit të një shteti demokratik, zbatimin pa ekuivok të ligjit dhe rritjen e besimit të qytetarëve në të.

 

Nisur pikërisht nga mënyra se si u zhvillua, u zyrtarizua dhe u pranua rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit, KVV vlerëson se klasa politike duhet të fillojë sa më parë procesin e reformës elektorale.

Por në këtë pikë Koalicioni gjykon se është i domosdoshëm mosndryshimi i elementëve kryesorë të Kodit për së paku zgjedhjet pasuese. Por këto ndryshime të hyjnë në fuqi në zgjedhjet që pasojnë ato të rradhës.

Me bindjen se një proces korrekt, ligjor dhe i drejtë mund të realizohet vetëm kur zgjedhjet të administrohen teknikisht nga një trupë jopolitike administratorësh në të gjitha nivelet, KVV rekomandon që reforma elektorale të mund të zhvillohet me dy synime: afatgjatë dhe afatshkurtër, e konkretisht që synojnë përkatësisht zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe ato lokale të vitit 2015.

 

Përsa i përket synimit afatgjatë të adresohen një sërë çështjesh si:

-          administrimi totalisht jopolitik i procesit. Partitë politike të mos kenë dorë në administrimin e procesit por vetëm si vëzhgues në të;

-          përcaktimin në kushtetutë të elementëve kryesorë organizativë që përbëjnë procesin zgjedhor;

-          prekjen e sistemit elektoral në mënyrë që të bëhet më përfaqësues dhe njëkohësisht të mbështesë dhe të nxisë demokracinë e brendshme në partitë politike duke krijuar një lidhje direkte të kandidatit me votuesin, çka do të ulë influencën e padiskutueshme që kanë kryetarët e partive politike në përcaktimin e kandidatëve për deputet. Psh. adoptimi i sistemit kombëtar proporcional me lista të hapura, etj;

-          adoptimin e teknologjive të reja që të lehtësojnë realisht administrimin e procesit zgjedhor si dhe të rrisin transperencën dhe besimin e publikut në të;

-          diskutimin e gjerë dhe një përcaktim të qartë të mënyrës së konstituitimit dhe të funksionimit të nivelit më të lartë administrativ të procesit zgjedhor, të KQZ-së;

-          Miratimin dhe adoptimin e një Kodi Zgjedhor Procedurial. Në Kodin aktual ka mjaft dispozita proceduriale, për të cilat nuk nevojiten nën akte të hartuara prej KQZ-së pasi janë tejet të detajuara sikur të ishin udhëzime apo nën akte të tjera.

Kjo kontraditë që mbart në vetvete Kodi aktual u vu në dukje qartë në tre momente të rëndësishme gjatë ecurisë së organizimit të këtyre zgjedhjeve, si: kuotat gjinore, pozicioni i zv/Kryetarit në trupën e KQZ-së si dhe pakica e mendimit në trupën e KQZ-së.

-          hartimin e një mekanizmi për krijimin e një trupe afatgjatë administratorësh të niveleve të dyta dhe të treta të procesit zgjedhor, duke parashikuar një sistem të veçantë rekrutimi, përzgjedhjeje dhe vlerësimi;

 

Përsa i përket synimit afatshkurtër me synim përgatitjen e kuadrit ligjor të plotë për zgjedhjet e ardhshme lokale të 2015, KVV sugjeron që:

-          Të adresohen dhe plotësohen sa më parë mangësitë ligjore të vërejtura përgjatë këtij procesi:

      • Përcaktimin e qartë, detyrues të trupës së KQZ-së dhe me mjetet e duhura në dispozicion për të përmbushur rolin që i ngarkon ligji si rregullator i fushatës zgjedhore, si dhe si mbikqyrës i aspektevë të tjera të përgatitjes së procesit si listat e zgjedhësve, etj.;
      • Përcaktimin qartë në Kodin Zgjedhor të detyrimeve për sigurimin e së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar, personat e verbër, dhe kategorive vulnerabël si romët, etj.   Gjithashtu të përcaktohen detyrime për përgatitjen e informacioneve dhe fushatave sensibilizuese lehtësisht të kuptueshme për këto kategori, përfshirë edhe ato në gjuhën e pakicave që jetojnë në vend.
      • Heqjen e dispozitave që kanë ngelur gabimisht pas reformës zgjedhore të kryer më parë si ato që parashikojnë ende pozicionin e Zv/Kryetarit të Qendrës së Votimit;
      • Të rishikohet ose të plotësohet vendimi për transmetimin e materialeve zgjedhore të përgatitura nga subjektet zgjedhore për mediat, duke përcaktuar dorëzimin e këtyre materialeve në gjendje të papërpunuar si dhe kodin e kohës të vazhdueshëm, sikundër e kishte përgatitur në projekt-vendim edhe administrata e KQZ-së;
      • Plotësimin e dispozitave të qarta për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme nga Presidenti i Republikës;
      • Parashikimin e dispozitave që të rregullojnë kryerjen e fushatës nëpërmjet sms-ve, veçanërisht në periudhën e heshtjes zgjedhore.
      • Parashikimi i dispozitave për të ndaluar transmetimin e spoteve elektorale përpara fillimit të fushatës zgjedhore;
      • Parashikimin e eventualiteve të mundshme që mund të ndodhin si:
        • ndryshimi i koalicioneve politike me reflektimin që sjell në trupën që administron hallkat e procesit zgjedhor, veçanërisht në rastin e KQZ-së;
        • mosplotësimi i vakancave të anëtarëve të trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve prej subjekteve politike, pas kalimit të afateve të parashikuara;
        • përcaktimi sa më të qartë në lidhje me vendimmarrjet e përcaktuara si të cilësuara;
        • mosmiratimi i rregullores së trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
        • ndarja e zonave të administrimit zgjedhor;
        • përllogaritja e caktimit të mandateve në bazë të qarqeve zgjedhore;
        • shpërndarja e mandateve të deputëve;
      • caktimi i plotë i dispozitave në lidhje me vendet për ngritjen e Qendrave të Votimit, kushteve që duhet të plotësojnë si dhe statusin që duhet të kenë këto objekte pasi të jenë përcaktuar si të tilla;
      • reduktimin e së drejtës së partive politike për ndryshimin e anëtarëve të komisioneve të ZAZ-ve dhe KQV-ve, apo edhe të GNV-ve;
      • mos ndjekja e trajnimeve të KQZ-së prej anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit apo të grupeve të numërimit të votave;
      • punësimin në administratën publike të anëtarëve të KZAZ-ve;

 

-          të adresohen elementë që kanë të bëjnë me organizimin e procesit zgjedhor edhe jashtë periudhave zgjedhore si:

      • përgatitja dhe trajnimi i komisionerëve të nivelit të dytë dhe të tretë;
      • ndërmarrja prej administratës së KQZ-së të fushatave sensibilizuese për edukimine votuesve e në veçanti për kategoritë vulnerabël të shoqërisë.
      • Organizimi i konferencave, trajnimeve, seminareve, etj për çështje të veçanta të administrimit të procesit, etj, veçanërisht duke patur në fokus forcimin e kapaciteteve të administratës së KQZ-së;

 

-          Partitë politike të angazhohen për nisjen e reformës duke qenë të hapur në bërjen pjesë të saj të të gjithë aktorëve institucionalë të interesuar.

-          Nisur edhe nga rekomandimi i Komisionit të Venecias për mos ndryshim të ligjit zgjedhor një vit përpara datës së zgjedhjeve, si dhe për të mos përsëritur sërish një reformë të minutës së fundit, aktorët kryesorë politikë duhet të gjejnë gjuhën e përbashket dhe të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë për të nisur sa më parë këtë reformë.

 



[1] Karakteri Legjislativ:

- KQZ-ja ka vazhduar punë pas muajit prill me katër anëtarë, ndonëse në një situatë të tillë Kodi Zgjedhor nuk e njeh këtë institucion si të konstituar.

- Gjatë periudhës para muajit prill, vendimmarrja e komisionerëve për çështje thelbësore dhe me ndikim politik ka qenë në bllok (në varësi të dy kampeve politike të cilat i kishin përzgjedhur komisionerët) dhe bllokuese (duke mos arritur vendimmarrje të cilësuar me pesë vota).

- Në tre raste, kur Kodi Zgjedhor ka kërkuar vendimmarrje të cilësuar dhe në mënyrë eksplicide prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky është mbivendosur prej institucioneve të tjera; Kolegji Zgjedhor dhe Kuvendi.

- Ka punuar me një numër vendimesh të miratuara para reformës zgjedhore duke i vlerësuar si ende në fuqi, kur Kodi Zgjedhor i kërkonte t’i merrte sërish në shqyrtim.

- Nuk ka arritur të miratojë pjesën më të madhe të akteve të cilat Kodi Zgjedhor ia ngarkon t’i miratojë me shumicë të cilësuar; shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, caktimin e zonave të administrimit zgjedhor, caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, etj.

[2] Karakteri Ekzekutiv:

- Qendroi indiferente përgjatë procesit të hartimit dhe saktësimit të listave të zgjedhjësve.

- Nuk e ushtroi aspak detyrën e rregullatorit të zhvillimit të fushatës zgjedhore, kur në fakt pati një fushatë elektorale që u zhvillua për 6 muaj dhe në kundërshtim me ligjin.

- Nuk i mori aspak në konsideratë indiciet dhe pretendimet e aktorëve politikë dhe medias për përdorim të administratës, përdorim të fëmijëve, blerje vote, etj.

- Nuk arriti të realizonte dy projektet pilote SEV dhe SEN, pasi lejoi që tërë afatet dhe detyrimet që i takonin prej Kodit Zgjedhor të shkeleshin.

[3] Karakteri Gjyqësor:

- Ishte inkomptente të zhvillonte gjykimin administrativ, duke bllokuar kështu tërë proçesin ankimor të subjekteve zgjedhore.

- Ndonëse pranoi të merrte në shqyrtim ankimimet e subjekteve zgjedhore për vendimet e saj për tabelat e rezultateve, Kolegji Zgjedhor iu dha pavleshmëri absolute.

[4] Një proçes ligjor mund të ketë ligjshmëri pra të jetë në përputhje me një format ligjor, por nuk e është e thënë se siguron legjitimitetin, pasi respektimi i ligjit nuk do të thotë ngahera drejtësi. E kundërta vështirë se ndodh, duke qenë se ligji është mjeti për të arritur drejtësi, që është qëllimi i fundit.

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore