‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Gjetjet Kryesore nga Vezhgimi me baze statistikore - 06 Korrik 2013
06/07/2013

Ankimimet dhe shpallja e rezultateve të proçesit zgjedhor të 23 Qershorit 2013

 

Shkarko Raportin e Plotë në .pdf


Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, në qendrimet e tij publike, ka mbrojtur dhe konsideruar të drejtën e ankimimit në proçesin zgjedhor si një e drejtë thelbësore dhe një garanci për vetë proçesin.

 

Kodi Zgjedhor ia ngarkon realizmin e së drejtës për ankimim prej subjekteve garues në proçesin zgjedhor dy hallkave institucionale: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor[1].

 

Prej datës 23 Qershor, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, deri më tani, në prag të momentit të shpalljes të rezultatit përfundimtar prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë evidentuar pak raste ku subjektet elektorale garuese kanë pretenduar për parregullsi.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka ndjekur nga afër ecurinë e proçesit ankimor dhe vëren se KQZ-ja së bashku me Kolegjin Zgjedhor[2] u investuan në fare pak raste për ankimime, të cilat në tërësi nuk prekin thelbin e proçesit.

 

Me vendimmarrjen e deritanishme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare në nëntë qarqe të Shqipërisë, ndërkohë që kanë mbetur ende edhe tre qarqe: qarku i Tiranës, i Gjirokastrës dhe i Lezhës[3], rezultatet e të cilave pritet të çertifikohen në ditët e para të javës së ardhshme.

 

Në këtë pikë të fundme të proçesit zgjedhor Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë sjell në vëmendje të opinionit publik dhe aktorëve politikë dy elementë që konsiderohen prej KVV-së si shumë të rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë.

 

Së pari, përsa i përket shpërndarjes së mandateve të dala nga zgjedhjet e 23 Qershorit, KVV u kujton aktorëve politikë, sikundër ka bërë vazhdimisht në muajt e fundit, se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të mos të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për të patur një vendimmarrje të cilësuar, e domosdoshme kjo për finalizimin e proçesit zgjedhor.

 

Kodi Zgjedhor në nenin 24, pika 1, gërma “a” parashikon se “Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore”.

 

Ligji Zgjedhor ia ngarkon specifikisht vetëm KQZ-së detyrimin e shpërndarjes së mandateve dhe nuk parashikon asnjë institucion tjetër që në rast eventual të marrë përsipër këtë vendimmarrje.

 

Nga aktorë dhe operatorë të ndryshëm është diskutuar shumë herë në opinionin publik se përballë kushteve aktuale në të cilën ndodhet KQZ-ja mund t’i lihet shteg Kolegjit Zgjedhor për vendimmarrje për shpërndarjen e mandateve.

 

Kodi Zgjedhor e përcakton Kolegjin Zgjedhor si një trupë gjyqësore të përkohshme (ad hoc), të ngritur nga përzgjedhja me short prej gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit.

Kjo trupë gjykuese shërben si një shkallë e dytë gjykimi, pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat, të dyja së bashku, mund të konsiderohen si  sistemi i drejtësisë zgjedhore[4].

 

Nisur nga ky argumentim dhe bazuar në Kodin Zgjedhor, në konsideratën e Koalicionit, Kolegji Zgjedhor nuk mund të investohet për të kryer shpërndarjen e mandateve.

Çdo zgjidhje alternative për tejkalim e këtij ngërçi, është në mos përputhje me Kodin Zgjedhor. Finalizimi me një akt të tillë, do mund të cënojë legjitimitetin e arritur të gjithë proçesit.

 

 

Zgjedhjet e 23 Qershorit, me rezultatin e pranuar prej të gjitha palëve në konkurrim, i siguruan vetes legjitimitet si proçes zgjedhor. Por, ky legjitimitet i fituar nuk duhet të gjenerojë preçedentin negativ, ku legjitimiteti të përdoret si mjet për cënimin e ligjshmërisë së proçesit.

 

Kodi Zgjedhor është rregullatori i proçesit zgjedhor dhe respektimi i tij shkon përtej dakortësive apo kundërshtive të partive politike, pjesëmarrëse në garë.

 

Elementi i dytë që i duhet kushtuar vëmendje është vlerësimi në të ardhmen i Kodit Zgjedhor mbi bazën e përvojës së këtyre zgjedhjeve, veçanërisht përsa i përket zgjidhjeve ekstra ligjore të aplikuara përgjatë proçesit apo çështjeve të adresuara në mënyrë joligjore.

 

Koalicioni tërheq vëmendjen dhe thekson me forcë se legjitimiteti i siguruar prej dakortësisë së ambjentit politik nuk duhet të bëhet arsye për të mos treguar kujdes për parregullsitë e vërejtura në këto zgjedhje dhe në Kodin Zgjedhor.

 

Çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve është një moment që duhet të shërbejë si një mesazh për të ardhmen e funksionimit të institucioneve demokratike bazuar mbi zbatimin e plotë dhe paekuivok të ligjit.

 

 

Tiranë, më 6 Korrik 2013!



[1] Neni 124 pika 1 e Kodit Zgjedhor “E drejta e ankimimit”:Çdo parti politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni, dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshëm, brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit.

Neni 124 pika 5 e Kodit Zgjedhor “E drejta e ankimimit”:Të drejtën e ankimit, sipas pikës 1 të këtij neni, e kanë edhe individët ose partitë politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor, si dhe subjektet e përmendura në nenin 6 të këtij Kodi, kundër refuzimit të kërkesave për akreditim të vëzhguesve, në rastet kur akreditimi i vëzhguesve u delegohet KZAZ-ve. Vendimet e KQZ-së për regjistrimin apo refuzimin për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, të marra në zbatim të pjesës IV të këtij Kodi, ankimohen sipas kreut I të pjesës XI të këtij Kodi në Kolegjin Zgjedhor.

[2] Vendimi i fundit i dhënë prej Kolegjit Zgjedhor ishte ai i datës 22.06.2013 me objekt “Konstatimi i pavlefshmërisë së Vendimit të KQZ Nr. 621 datë 21.06.2013 “Për materialet të cilat lejohen të përdorën gjatë ditës së votimit nga personat e pranishëm në qendrën e votimit.

[3] Vendimi 676, “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Durrës për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013

Vendimi 675 “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Shkodër për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013

Vendimi 674 “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Elbasan për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013

Vendimi 673 “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Fier për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013

Vendimi 670 “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Vlorë për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013

Vendimi 669 “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Berat për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013

Vendimi 668 “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Korçë për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013

Vendimi 667 “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Dibër për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013

Vendimi 666 “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Kukës për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013

[4] Neni 145 pika 1 e Kodit Zgjedhor shprehet se “subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi”.

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore