‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti i Tretë i Ndërmjetëm i monitorimit - 24 Maj - 16 Qershor 2013!
19/06/2013

Shkarko Raportin e Plotë në .pdf


I. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

  • Fushata elektorale shënoi fillimin zyrtar të saj në kushtet kur pothuajse të gjitha subjektet elektorale kryesore ishin në shkelje ligjore për shkak të fushatës të filluar përpara afatit të përcaktuar.
  • Ngërci i krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk gjeti zgjidhje megjithë ndërhyrjen dhe paralajmërimet e partnerëve dhe faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, si dhe të aktorëve vendorë.
  • Fushata është zhvilluar kryesisht nga liderët e partive dhe është sjellë përgjithësisht rreth tyre, veçanërisht për dy partitë kryesore.
  • Tonet në distancë midis dy liderëve kryesorë shpesh janë ngritur duke u përvijuar në sulme personale dhe aspak dobiprurëse për publikun dhe qytetarin e thjeshtë.
  • Në këtë komunikim të acaruar, nuk kanë munguar deri tani incidente, deri në kërcënime dhe sulme fizike ndaj kandidatëve.
  • Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, situata aktuale e administrimit të zgjedhjeve rëndohet edhe më shumë.

Gjykata Kushtetuese me këtë preçendent të vendosur e ka shmangur veten nga gjykimi i proçeseve zgjedhore, duke vënë pikëpyetje mbi të drejtën e ankimimit.

  • KQZ-ja me 4 anëtarë është përpjekur të funksionojë normalisht duke shmangur vendimmarrjen me shumicë të cilësuar pavarësisht kërkesave të parashikuara në Kodin Zgjedhor.
  • KQZ është treguar e paqëllimtë për ndjekjen nga afër të fushatës elektorale dhe rregullimin e saj në momentet e shkeljeve duke lënë mënjanë detyrimin ligjor.
  • Njëkohësisht aktorët politikë megjithë deklaratat e tyre për parregullsi në fushatë, nuk i janë drejtuar me prova të faktuara KQZ-së në lidhje me shkeljet e pretenduara.
  • Manuali i KQV-ve i miratuar nga KQZ-ja është ndërtuar mbi dy udhëzimet të vitit 2009, të cilat kanë një bazë ligjore e cila në 10 dispozita është prekur shumë ose pak me reformën e Kodit Zgjedhor të vitit 2012.
  • Duke vërejtur këtë fakt, Manuali i KQV-ve i miratuar nga KQZ-ja nuk mund t’i përdorte ato dy udhëzime sepse ishte e nevojshme të rishikoheshin nga KQZ-ja.
  • Partitë politike vazhdojnë ta shfrytëzojnë maksimalisht të drejtën që u jep Kodi Zgjedhor për të ndërruar komisionerët e tyre në nivelin e KZAZ-ve.

Deri në këtë moment janë jo më pak se 60 komisionerë të zëvendësuar.

  • Udhëzimi i miratuar nga KQZ për materialet e informimit të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, përbëjnë një shqetësim serioz për profesionalizimin dhe pavarësinë e medias, veçanërisht atyre me logjistikë dhe kapacitete të pamjaftueshme.
  • Në zhvillimin e fushatës zgjedhore, përdorimi i burimeve të administratës shtetërore prej forcave politike ka qenë shqetësimi kryesor, ndërkohë që reagimi i institucioneve të drejtësisë ka qenë thuajse inekzistent, megjithë përfoljen e gjerë mediatike të rasteve.

 

III. REKOMANDIME

 

- KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE

-  I kujtohet trupës dhe administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të qëndrojë sa më pranë proçesit zgjedhor në dhënien e mbështjejes ligjore dhe materiale ndaj tij. Të jetë e gatshme në çdo moment të ofrojë mbështjetjen e saj për infrastrukturën zgjedhore dhe të ndërhyjë menjëherë në rastet që mund të rrezikojnë rrjedhën normale të procesit dhe të një garimi të ndershëm.

-  Të jetë i vëmendshëm ndaj çdo eventualiteti gjatë ditës së votimit dhe proçesit të numërimit, duke treguar tolerancë zero ndaj çdo shkelje të Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të këtij vendi.

-  Të marrë masa ndaj çdo individ apo subjekti që do të tentojë apo do të ndërmarri veprime në kundërshtim dhe në shkelje të ligjeve në fuqi, dhe t’ia adresojë çështjet e tyre institucioneve përkatëse.

 

- PARTIVE POLITIKE

-  Nxiten me forcë të superojnë sa më parë ngërçin e krijuar në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke e plotësuar atë me 7 anëtarë, të domosdoshëm për një proçes të rregullt zgjedhor. Iu bëhet me dije në këtë pikë që organizimi i drejtë i zgjedhjeve, si thelbi formal i një demokracie, qëndron përtej dhe jashtë lojës politike të ditës.

-  Të trajnojnë komisionerët e tyre në KZAZ dhe KQV në përputhje me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, duke i nxitur ata të kenë sjellje jopartizane dhe korrekte ndaj ligjit.

Komisionerët janë trupë ekzekutive në organizimin e zgjedhjeve dhe nuk mund të jenë pjesë e asnjë përdorimi politik.

-  Të paraqisin sa më shpejt komisionerët e tyre të KZAZ-ve dhe KQV-ve në trajnimet e organizuara prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Trajnimi i komisionerëve përbën një garanci më shumë në pasjen e një proçesi të qetë dhe në përputhje me Kodin Zgjedhor.

 

- Të zvogëlojnë dhe të mundohen të shmangin sa më shumë ndërrimet e komisionerëve të tyre në KZAZ dhe KQV. Ndërrimet e vazhdueshme deri në momentin e fundit përbëjnë mundësi për mos patjen e një trupe të konsoliduar dhe të përgatitur në organizimin e zgjedhjeve. 

- T’i bëjnë thirrje dhe t’i nxisin mbështetësit dhe përkrahësit e tyre për një ditë votimi sa më të qetë dhe garimi të ndershëm. Gjuha e përdorur prej tyre duhet të jetë e bazuar në programe konkrete që të rezultojnë në fund në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe mos të jenë qytetarët ata që përplasen në funksion të kundërshtive politike.

 

- POLICISË SË SHTETIT

 

- Të jetë garante për një proçes votimi të qetë dhe të sigurt. Të përpiqet të ruajë dhe të çojë më tej standartet e arritura dhe të treguara gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të mëparshme.

 

- KOMISIONEVE ZONALE DHE TË QENDRAVE TË VOTIMIT

 

- I kujtohet komisionerëve që detyrimi i tyre i vetëm është përballë ligjit dhe jo ndaj subjekteve zgjedhore që i kanë zgjedhur. Ata duhet t’i binden vetëm Kodit Zgjedhor si drejtues i çdo veprimi të tyrin dhe ndaj të cilit do mbajnë përgjegjësitë e veprimeve të kryera. 

- Të tregohen objektivë dhe të nxisin tolerancë në komunikimin ndërmjet njëri-tjetrit. Tonet politike nuk i përkasin atyre, por duhet të jenë administratorë objektivë të një proçesi shumë të rëndësishëm siç janë zgjedhjet, nga të cilat varet më shumë se fitorja apo humbja e njërës apo tjetrës palë.

 

- MEDIAS

 

- Nxiten të mbulojnë dhe të përcjellin tërë proçesin zgjedhor në çdo fazë të tijin dhe të tregojnë profesionalizëm dhe objektivitet gjatë punës së tyre.

Iu bëhet me dije që të ruajnë maturinë dhë saktësinë në dhënien e lajmit duke ruajtur balancën ndërmjet informimit dhe interesit publik.

 

- VËZHGUESVE DHE SHOQËRISË CIVILE

 

-  Nxiten të jenë sa më aktivë dhe të vëmendshëm në vëzhgimin e tërë etapeve të ditës së votimit dhe proçesit të numërimit deri në ditën e shpalljes së rezultave përfundimtare.

- Iu kërkohet të jenë një garant më shumë për një proçes të rregullt dhe të jenë të ftohtë, objektivë dhe të vërtetë në vlerësimin e situatave.

- Nxit të gjithë vëzhguesit, qofshin këta përfaqësues të partive politike apo vëzhgues të pavarur, të kryejnë sa më mirë misionin e tyre duke raportuar me vërtetësi, objektivitet, paanësi dhe transparencë të plotë. 

- Inkurajon të gjithë vëzhguesit e pavarur të raportojnë çdo incident apo moskorrektësi të vërejtur sa më parë, duke kontribuar në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe standardeve të kërkuara.

 

- QYTETARËVE

 

- Nxiten me forcë për një pjesëmarrje sa më lartë në votime si një nga mjetet më kryesore për një zhvillim të shoqërisë dhe shprehjes së vullnetit të tyre për të ardhmen. 

- Votimi është një e drejtë dhe detyrim qytetar, i cili duhet kryer me maturi dhe me respekt ndaj vetes dhe vlerave që beson.

 

 

Tiranë, më 19 Qershor 2013!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore