‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Kodi Zgjedhor i mjaftueshëm për të ndaluar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore gjatë fushatës elektorale!
07/06/2013

D E K L A R A T Ë

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në raportin e dytë të ndërmjetëm, të publikuar me datë 27 maj i rekomandonte Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që “të ishte i vëmendshëm në mbikëqyrjen e fushatës zgjedhore si në nivel qëndror ashtu edhe në atë lokal, në veçanti për të ndjekur çdo shqetësim në lidhje me përdorimin e “burimeve” të administratës shtetërore[1].

 

Mediat dhe subjekte zgjedhore të ndryshme kanë ngritur këto ditë shqetësimin për raste të shpeshta shkeljesh të Kodit Zgjedhor në ecurinë e fushatës zgjedhore, të cilat i faturohen kryesisht përdorimit të burimeve të administratës shtetërore, shqetësime këto  të evidentuara edhe nga vëzhguesit e Koalicionit.

 

Në lidhje me këtë problematikë, përveç Prokurorisë dhe Gjykatës, Kodi Zgjedhor ngarkon edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si “gardian” të mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore.

 

Koalicioni vëren se ekziston një kuadër i plotë ligjor që i jep mundësinë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mbikqyrë nga afër dhe të marrë masat e parashikuara ndaj të gjithë shkelësve të ligjit e në veçanti ndaj përdorimit të burimeve të administratës shtetërore përgjatë fushatës elektorale.

 

Kodi Zgjedhor në pjesën e trembëdhjetë të tij “Përgjegjësitë dhe Sanksionet”, në nenin 172 pika 1 përcakton se KQZ merr masë administrative[2] me gjobë për shkelje të ndonjërit prej parimeve të përgjithshme të përcaktuara në nenet 3, 4 ose 5 të këtij Kodi, në rastet kur shkelja nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve[3]. 

 

Ndërkohë në nenin 3 në pikën 7, Kodi Zgjedhor sanksionon se “me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli”.

 

Pra, të tëra shkeljet që i bëhen kërkesave të neneve 3, 4 dhe 5 ku përcaktohen parime të përgjithme, vlerësohen si kundërvajtje administrative dhe Kodi Zgjedhor vlerëson se është detyrë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të marrë masë administrative me gjobë.

Konkretisht, legjislatori me këtë kuadër ligjor i jep tagër KQZ-së të gjobisë ato subjekte zgjedhore që përdorin burime të administratës shtetërore në funksion të fushatës zgjedhore.

 

Kodi Zgjedhor në këtë pikë i jep dy funksione Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si trupë gjyqësore dhe si trupë ekzekutive.

 

Në funksionin e saj si trupë gjyqësore, KQZ-ja parashikohet nga Kodi Zgjedhor të investohet dhe vlerësohet si trupë gjyqësore.

Në nenin 21, ku përshkruhen kompetencat e KQZ-së, në pikën 17 Kodi Zgjedhor përcakton se: “(KQZ-ja) shqyrton dhe zgjidh ankesat e subjekteve zgjedhore për zhvillimin e proçesit zgjedhor, në përputhje me rregullat e këtij Kodi”.

Ndërsa në pikën 20 të po këtij neni, legjislatori e vazhdon më tej këtë funksion duke përcaktuar se “(KQZ-ja) vendos sanksione administrative kundër personave, që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet, si dhe bën kallëzim penal për vepra penale në lidhje me zgjedhjet”.

 

Në lidhje me sa më sipër Koalicioni konstaton se legjislatori ka përcaktuar një kuadër të plotë ligjor duke e vendosur KQZ-në si një trupë që mund të investohet në ankimimet që mund të dorëzojnë subjektet zgjedhore mbi ecurinë e proçesit zgjedhor.

 

Ndërkohë në funksionin e saj si trupë ekzekutive, KQZ-ja parashikohet si një trupë e cila vepron automatikisht kur vëren shkelje, duke ndërhyrë dhe gjobitur shkelësit.

Në këtë pikë ngrihet shqetësimi sesi KQZ-ja do ta sigurojë dhe do ta administrojë provën, për të cilën Kodi nuk i sqaron instrumentat proçedurialë, duke mbetur vetëm në afirmimin e tagrit të KQZ-së. Në këtë pikë është me vend që KQZ-ja të rregullojë me akt të posaçëm veprimtarinë e saj në këtë mekanizëm.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë mbështet dhe nxit Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që sa më parë të marrë hapat e nevojshëm për rregullimin e rolit të vet si dhe të veprojë në mënyrë të menjëhershme dhe pa ekuivok në sanksionimin e subjekteve zgjedhore që shkelin Kodin Zgjedhor në zhvillimin e fushatës zgjedhore.

 

Gjithashtu, Koalicioni mbështet dhe nxit të gjithë subjektet elektoralë pjesëmarrës në këtë proces zgjedhor që të investojnë KQZ-së duke ankimuar në mënyrë të faktuar (foto, video, dokumentacion, etj) çdo parregullsi të vërejtur gjatë fushatës zgjedhore të deritanishme.

 

___________________________
[1] Pika 1 e Rekomanimeve të Raportit të Dytë të Ndërmjetëm të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë  datë 27.05.2013.Për më shume tek:  http://www.zgjedhje.al/uploads/File/KVV%20-%20Raport%20II%20-%2027Maj2013.pdf

[2] Neni 172 pika 3 e Kodit Zgjedhor: “Gjobat, sipas pikës 1 të këtij neni, vihen nga KQZ-ja.”

[3] Neni 172 pika 1 e Kodit Zgjedhor:  “Shkelja e ndonjërit nga parimet e përgjithshme të përcaktuara në nenet 3, 4 ose 5 të këtij Kodi, në rastet kur kjo shkelje nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 500 000 lekë.”

Tiranë, më 7 Qershor 2013!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore