‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





DEKLARATË PËR SHTYP 3
Fushata zgjedhore dhe fryma e dhunës

21/04/2011

Shkarko .pdf Shkarko .pdf
 
Incidentet e ndodhur së fundmi kanë krijuar një klimë të lartë tensioni dhe frike në lidhje me pritshmërinë dhe ecurinë e mëtejshme të fushatës.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë po monitoron me vëmendje fushatën elektorale dhe në veçanti incidentet e ndodhura në të gjithë vendin, si edhe mënyrën se si ato trajtohen dhe gjejnë jehohë në opinionin publik.

Koalicioni dënon ashpër të gjithë incidentet e ndodhur si dhe individët apo subjektet e përfshira në to, duke i kërkuar të gjithë qytetarëve dhe aktorëve të shoqërisë që të dënojnë me forcë dhe të mbajnë qëndrim ndaj atyre kandidatëve apo subjekteve elektorale që mbështesin apo nxisin këto akte të dhunshme, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën qytetare dhe me një proces normal elektoral.

Koalicioni vëren me shqetësim se këto incidente, politizimi me ose pa shkak i tyre, në në një terren ku evidentohen edhe një sërë anomalish të tjera që pengojnë zhvillimin normal të procesit, po krijojnë një klimë frike e pasigurie duke rritur akoma më shumë mos-besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor, forcave politike apo edhe drejt zhvillimeve apo të ardhmes së demokracisë në Shqipëri.

Koalicioni në vazhdimësi të monitorimit të tij konstaton se ka një sërë elementësh të vërejtura gjatë këtyre ditëve të fushatës, të cilat ndikojnë direkt apo indirekt në rritjen artificiale të klimës konfliktuale si:

 - Retorika politike e partive apo kandidatëve në garë

Koalicioni përshëndet prononcimin publik të Kryetarit të Partisë Demokratike, njëkohësisht Kryeministrit të Shqipërisë z. Berisha, i cili ka dënuar incidentet dhe dhunën e ndodhur si dhe i ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve dhe militantëve të partisë së tij të distancohen dhe shmangin rastet e dhunës.
Ndërkohë, i kërkon Kryetarit të Partisë Socialiste z. Rama, njëkohësisht kandidat për Kreun e Bashkisë së Tiranës, të moderojë termat dhe retorikën politike si dhe të dënojë publikisht të gjithë rastet dhe autorët e dhunës dhe të konflikteve të ndodhura.

Koalicioni i tërheq vëmendjen, në veçanti, kandidateve apo degëve lokale të tre partive kryesore, PD, PS e LSI, të heqin dorë nga trajtimi i kësaj gare elektorale administrative si një betejë për luftë a vdekje dhe të japin mesazhe prosperiteti dhe bashkëpunimi.
Në mënyrë të veçantë, kandidatët duhet të kenë kontroll dhe autoritet mbi bashkëpunëtorët dhe stafet e tyre elektorale dhe të mos lejojnë pjesëmarrjen në to të individëve të njohur si problematikë apo me preçedentë penalë. Ata duhet të kuptojnë se janë kandidatë në garë për t’u shërbyer sa më mirë interesave të të gjithë qytetarëve të njësive të tyre vendore dhe jo gladiatorë politikë.
Gjithashtu, prononcimet publike mbi ngritjen e struktuarave paralele ndaj institucioneve administruese të procesit zgjedhor, rrisin pasigurinë për votën dhe sigurinë në përgjithësi të qytetarit.

 - Ushtrimi i presionit dhe akteve korruptive
 
Koalicioni përshëndet urdhrin  e Kryeministrit të marrë në hapjen e fushatës elektorale për mospërdorimin e burimeve njerëzore apo financiare të administratës. Por ka raste të ushtrimit të presionit apo kërcënimeve ndaj punonjësve të administratës qëndrore dhe lokale, jo vetëm për të votuar ndaj subjektit të forcës politike të titullarit, por edhe për t’i angazhuar në fushatë për të siguruar votat e rrethit familjar apo si pjesëmarrës në mitingjet partiake.
Madje, vërehen raste kur adminisrata lokale në disa bashki të vogla dhe komuna detyrohet të angazhohet e gjitha në funksion të fushatës të Kryetarit aktual, i cili është sërish kandidat, në disa raste duke pezulluar edhe funksionimin e bashkisë apo komunës.

Titullarët e institucioneve duhet të zbatojnë me korrektësi ligjin dhe, së fundmi, urdhrin e Kryeministrit dhe të mos abuzojnë me pushtetin e tyre, pavarësisht angazhimeve partiake dhe politike, të cilat janë dhe duhet të mbeten një aktivitet personal i tyre.
Shtabet elektorale duhet të jenë ato që bëjnë fushatë me njerëz vullnetarë të forcës përkatëse politike dhe jo me njerëz të detyruar të administratës.
Koalicioni konsideron shkelje pajisjen e shtabeve elektorale të PD me listat me të dhëna personale të punonjësve të administratës, votues në zonat pranë këtyre shtabeve.
Përdorimi i administratës duhet shmangur qoftë edhe në shfytëzimin e saj përsa i përket publikimit dhe shpërndarjes së informacioneve mbi takimet elektorale të titullarit të saj, siç është rasti i përdorimit dhe publikimit të njoftimeve prej zyrës së shtypit të Kryeministrisë, Kryesisë së Kuvendit, Bashkisë Durrës, Vlorë, etj për njoftimet e takimeve elektorale
Organet përkatëse shtetërore duhet të hetojnë dhe marrin masat përkatëse në lidhje me ofrimin e vendeve të punës në administratë në këmbim të votës, apo ushtrimit të formave të ndryshme të akteve korruptive nga kandidatë të caktuar ndaj qytetarëve apo ofrimit të favoreve të ndryshme në këmbim të votës.

 - Shtabet elektorale të partive

Shtabet elektorale të partive politike duhet të promovojnë tone të qeta dhe fushatë qytetare. Ato duhet të evitojnë abuzimet e mundshme në shkelje të ligjit nga ana e militantëve apo simpatizantëve të tyre me faktin e qenies vullnetar apo pjesëtar i stafeve elektorale, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre apo edhe më pas.
Nga vëzhgimet e bëra janë vërë re automjete të shtabeve elektorale të pajisura me simbole partiake që kanë të mbuluara targat e tyre, duke qarkulluar lirshëm në rrugët e kryeqytetit, madje shpeshherë duke shkelur në mënyrë demonstrative rregullat e qarkullimit rrugor apo duke vënë, në ndonjë rast, në rrezik edhe jetën e kalimtarëve.
Koalicioni i kërkon Policisë Rrugore të marrë masat e duhura në detyrim të ligjit ndaj të gjithë shkelësve të Kodit Rrugor. Madje e inkurajon atë të kryejë kontrolle të vazhdueshme sidomos ndaj automjeteve me simbole elektorale, pasi duke qenë se pikërisht përgjatë fushatave elektorale këto automjete nuk para kontrollohen nga policia, ato bëhen mjetet e preferuara për tu përdoruar nga individë problematikë apo edhe nga ata me preçedentë penalë.

 - Mospërcaktimi me ligj i vendeve të afishimit të materialeve propagandistike

Koalicioni ka tërhequr edhe më përpara vemëndjen për detyrimin ligjor të Kryetarëve të Njësive Vendore për caktimin e vendeve të afishimit të materialeve propagandistike për subjektet garuese, të cilat vazhdojnë të bëhen shkak i grindjeve apo incidenteve midis simpatizantëve dhe militantëve të forcave politike.

Ende pjesa me e madhe e njësive vendore nuk e kanë marrë këtë vendim, ndaj Koalicioni i bën sërish thirrje Kryetarëve të Njësive Vendore që, në zbatim të nenit 79 pika 1 e Kodit Zgjedhor si dhe udhëzimit Nr. 14 datë 24.04.2009  të KQZ, të marrin sa më parë vendimet për të caktuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike.
  Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duhet që në zbatim të ligjit të marrë masa administrative të parashikuara në Kodin Zgjedhor në lidhje me mosmarrjen e këtyre vendimeve.

 - Fryma e konsesusit dhe bashkëpunimit në organet e administrimit zgjedhor
 
Koalicioni konstaton se mungon fryma dhe vullneti për një bashkëpunim real për një funksionim normal të organit më të lartë të administrimit të procesit zgjedhor siç është Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
Pavarësisht problematikës së mëparshme, që pezulloi jo pak funksionimin normal dhe marrjen e një sërë akteve në kohë për procesin, sërish edhe pse me anëtarësi të plotë, KQZ sillet si një komision me anësi të theksuar politike duke nxjerrë shpesh funksionimin autoritarist të mazhorancës në këtë komision, ndërkohë që anëtarët e saj, pavarësisht se janë propozuar nga forca të ndryshme politike, duhet të sillen dhe të veprojnë si të pavarur dhe në zbatim vetëm të ligjit.

 - Funksionimi i institucioneve të tjera shtetërore

Koalicioni vëren se fushata elektorale ka afektuar në mjaft raste funksionimin profesional, korrekt dhe ligjor të një pjese të mirë të institucioneve.
Madje, konstaton me shqetësim sjelljen tërësisht politike dhe emocionale të tyre duke sjellë përplasje fizike midis punonjësve të institucioneve qëndrore me ato lokale, siç është rasti konfliktit për ngritjes e tendës elektorale  të PS pranë bulevardit kryesor në Tiranë, çka në mënyrë artficiale prodhoi konflikt dhe tension për më shume se 7 orë duke u transmetuar “live” edhe në mediat televizive.

 - Gjuha dhe terminologjia e përdorur në media

Koalicioni ka ngritur disa herë shqetësimin në lidhje me rolin dhe etikën gazetareske. Media duhet të jetë shumë e kujdesshme në mënyrën si i transmeton incidentet e ndodhura dhe, në veçanti, me titujt redaksionalë që u vendosen këtyre artikujve, të cilat mund të përbëjnë skup në tituj, por amplifikojnë në mënyrë të panevojshme klimën konfliktuale.
Po ashtu media duhet të jetë e kujdesshme në investigimin dhe pasqyrimin me vertetësi të fakteve pa rënë pre e politizimit të menjëhershëm që iu bëhet këtyre incidenteve nga forcat politike të të gjithë krahëve.
Gjithashtu, media duhet të nxisë hetimin me shpejtësi dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit si dhe të ndjekjë trajtimin e tyre në institucionet e tjera të drejtësisë si Prokuroria dhe Gjykata.

Bordi i Monitorimit të Medias duhet të ushtrojë me profesionalizëm detyrën e vet dhe duhet të emërojë në mënyrë urgjente Monitoruesit Vendorë pranë KZAZ-ve, pasi deri tani nuk është emëruar asnjë Monitorues Vendor, siç parashikon Kodi Zgjedhor, për të ndjekur fushatën elektorale në mediat lokale.

Koalicioni i tërheq vëmendjen të gjitha subjekteve dhe kandidatëve në garë që të jenë të kujdesshëm në faqet e tyre të internetit apo në faqet e hapura në rrjetet sociale (si facebook, etj), ku shpesh evidentohen komente me natyrë fyese apo agresive ndaj kandidatëve apo partive kundërshtare.
Administratorët e këtyre faqeve duhet të kene kujdes të ruajnë etikën dhe nivelin qytetar si dhe të eleminojnë përdoruesit nën moshën 18 vjeç në këto faqe.

Në përfundim, Koalicioni i kërkon sërish Policisë së Shtetit që në përmbushje të detyrës së saj të udhëhiqet nga pavarësia dhe paanshmëria e plotë si dhe nga profesionalizimi.
Ajo duhet të trajtojë dhe hetojë të gjitha incidentet e ndodhura dhe t’i çoj ato deri në fund për të bërë të mundur që autorët e tyre të dalin përpara drejtësisë.
Policia e Shtetit duhet të mos bjerë pre e provokimeve dhe paragjykimeve të politikës në trajtimin dhe hetimin e këtyre ngjarjeve, por të jetë në shërbim të ligjit dhe interesave të qytetarit duke mbrojtur me përpikmëri liritë dhe të drejtat e tyre.

Gjithashtu, Koalicioni u kërkon të gjitha grave të përfshira në politikë, të japin mesazhe kundër dhunës dhe të mos bëhen pjesë e gjuhës agresive e të personalizuar politike.

Tiranë, më 21 Prill 2011
NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore