‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Zgjidhja e ngërçit në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, domosdoshmëri pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese!
30/05/2013

D E K L A R A T Ë

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë përgëzon forcat politike për nismën për të votuar sot në parlament “tre ligjet” e shumëpërfolura.

 

Koalicioni fton dhe nxit forcat politike që ky moment bashkëpunimi të shtrihet edhe më tej për të zgjidhur ngërçin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, duke siguruar administrimin e mëtejshëm të procesit me një anëtarësi të plotë të KQZ-së.

 

Kryerja e një procesi ligjor nënkupton para së gjithash sigurimin e të gjitha shkallëve të zhvillimit të procesit dhe të të gjitha shkallëve të ankimimit për një proces të rregullt ligjor, si dhe funksionimin në mënyrë të plotë dhe ligjore të vetë hallkave ku shqyrtohet procesi.

 

Në kushtet kur KQZ funksionon e paplotë, kur Kolegji Zgjedhor është akuzuar nga forcat opozitare për qëndrim të njëanshëm dhe kur Gjykata Kushtetuese në një vendim të marrë pak ditë më parë i heq të drejtën vetes për të shqyrtuar ankimime lidhur me zgjedhjet, besimi i qytetarëve në forcën dhe zbatimin e ligjit si dhe në vetë procesin zgjedhor vihet seriozisht në pikëpyetje.

 

E drejta e një proçesi të rregullt është një nga fitoret më të herëshme të arritura në jurisprudencën moderne dhe që u afirmua si një e drejtë e lidhur ngushtë me dhënien e drejtësisë.

Kodi Zgjedhor e vendos ankimimin si një garanci për një proçes zgjedhor të drejtë dhe si një instrument për çdo aktor në proçesin zgjedhor për të kërkuar të drejtat e dhëna nga kuadri ligjor[1].

Ky kod ashtu siç e kërkojnë parimet e së drejtës, i jep mundësinë e ankimimit aktorëve zgjedhorë në dy shkallë. Shkalla e parë është administrative, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, dhe e dyta është gjyqësore, Kolegji Zgjedhor.

 

Shqipëria si vend me sistem demokratik kushtetues, ka në majën e piramidës së saj legjislative Kushtetutën dhe institucioni që “garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj” është Gjykata Kushtetuese[2].

 

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në një nga vendimet e saj të fundit u shpreh mbi një kërkesë me objekt zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin 2011[3]. Kërkesa e ngritur nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Rrok Rroku, kandidat në zgjedhjet lokale për Komunën Dajç, të Qarkut Lezhë, kërkonte shfuqizimin e vendimeve të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor në lidhje me votimet në Komunën Dajç.

 

Dy kërkuesit do argumentonin në kërkesën e tyre se dy vendimet e mësipërme ishin “rrjedhojë e një proçesi jo të rregullt ligjor, duke cënuar të drejtën themelore për t’u zgjedhur[4].

 

Trupa e Gjykatës Kushtetuese, njëzëri vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, me argumentimin se objekti i kërkesës nuk ishte pjesë e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese[5].

 

Mbi këtë vendim Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë do të ndalet gjerësisht në Raportin e Tretë të Ndërmjetëm. Gjithsesi për momentin duhet thënë se ky akt i Gjykatës Kushtetuese në situtën në të cilën ndodhemi, por edhe në të ardhmen, përcjell një shqetësim të madh.

 

Ankimimi bashkë me akuzën, janë dy nxitjet e vetme që mund ta venë në lëvizje sistemin e drejtësisë. Në këtë logjikë, pa garantuar të drejtën për ankimim as mund të flitet për proçes të rregullt ligjor.

Kodi Zgjedhor në nenin 24 pika 1 gërmat “b, c, çkërkon një vendimarrje të cilësuar me 5 vota pro, për pranimin e kërkesave të ankimimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve[6].

Në këtë situatë ku KQZ-ja është e përbërë nga vetëm 4 anëtarë, tërë kërkesat për ankimim mbeten pa adresë.

Vetë KQZ-ja, si “shkallë e parë”, nuk do mund të nisi gjykimin e asnjë kërkese. Në momentin që “shkalla e parë” për ankimim bëhet e pa mundur, edhe Kolegji Zgjedhor nuk vihet dot në lëvizje kur nuk kemi një vendimmarrje të KQZ-së.

Pra, po gjendemi përballë situatës ku mund të mohohet e drejta e ankimimit.

 

Me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, situata aktuale e administrimit të zgjedhjeve rëndohet edhe më shumë.

Gjykata Kushtetuese me këtë preçendent të vendosur e ka shmangur njëherë e mirë veten nga gjykimi i proçeseve zgjedhore[7].

 

Në konsideratën e KVV-së ky verdikt i Gjykatës Kushtetuese bie qartësisht në kundërshtim me Nenin 131 gërma “f” të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili shprehet se: “Gjykata Kushtetuese vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proçes të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave.

 

Në këto kushte, Koalicioni i bën thirrje forcave politike parlamentare e në veçanti dy forcave kryesore, që pavarësisht vendimit dhe mangësisë që krijon në sistemin ligjor, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të rrisin besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe institucionet përkatëse të administrimit të procesit duke zgjidhur dhe plotësuar anëtarësinë e KQZ-së si dhe duke u angazhuar për një vullnet të qartë për një mirëadministrim të procesit zgjedhor, zbatimin me korrektësi të ligjit dhe pranimin e rezultatit final.

 
___________________________
[1] Pjesa e dhjetë e Kodit Zgjedhor: “Ankimimi në rrugë administrative i vendimeve të Komisioneve Zgjedhore”, dhe Pjesa e njëmbëdhjetë e Kodit Zgjedhor: “Ankimimi në rrugë gjyqësorë i vendimeve të KQZ-së dhe pavlefshmëria e zgjedhjeve”.

[2] Neni 124 pika 1 e  Kushtetutës së Shqipërisë

[3] Vendimi Nr. 53, datë 07.05.2013, Objekti: “Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.727, datë 26.05.2011 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe i vendimit nr.52, datë 08.06.2011 të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë”.

[4] Vendimi Nr. 53, datë 07.05.2013 i Gjykatës Kushtetuese

[5] Vendimi Nr. 53, datë 07.05.2013 i Gjykatës Kushtetuese: “Si konkluzion, Mbledhja e Gjyqtarëve, bazuar në argumentet e dhëna më sipër, vlerëson njëzëri se pretendimet e kërkuesve Partia Socialiste dhe Rrok Rroku, lidhur me cënimin e të drejtës për një proçes të rregullt ligjor gjatë proçeseve të zhvilluara në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.”

[6] Neni 24 pika 1 e Kodit Zgjedhor: “Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me:
b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;
c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;
ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;”

 

Tiranë, më 30 Maj 2013

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore