‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti i Dytë i Ndërmjetëm i monitorimit - 15 Mars - 23 Maj 2013!
27/05/2013

Shkarko Raportin e Plotë në .pdf


I. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

  • Fushata elektorale zyrtare po nis në një klimë të lartë polarizimi midis dy koalicioneve të mëdha të opozitës dhe mazhorancës, në një situatë të thelluar mosbesimi midis dy partive kryesore dhe me një KQZ të cunguar dhe funksionim jo-normal të saj.
  • Ecuria e procesit zgjedhor sërish ka vënë në dukje mangësi në kuadrin ligjor, si pasojë e të cilit është afektuar edhe funksionimi i organit më të lartë të administrimit të procesit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
  • Megjithëse me një kuadër ligjor të përmirësuar për pasqyrimin e fushatës zgjedhore nga media, ligji zgjedhor lë hapësirë për kthimin e disa dispozitave nga kontrolluese në mjete presioni ndaj medias private.
  • Megjithë përpjekjen e KQZ-së për të funksionuar normalisht megjithëse vetëm me 4 anëtarë, konstatohet se në tërësi veprimtaria e deritanishme e KQZ-së në kuadër të përgatitjes për zgjedhjet e Kuvendit të datës 23 qershor, është e paplotë dhe vendimmarrja e saj nuk e mbulon në mënyrën e duhur sferën e detyrimeve ligjore, të caktuara ndaj saj prej Kodit Zgjedhor.
  • Në lidhje me zbatimin e teknologjive të reja rezultojnë të pamarra sot e kësaj dite akte shumë të rëndësishme, madje vërehet konfuzion në këtë pikë duke rrezikuar seriozisht zbatimin e tyre në këto zgjedhje.
  • KZAZ-të kanë nisur punën dhe kanë përfunduar gjithashtu edhe procesin e trajnimit, ndërkohë që përsa i përket funksionimit të Komisioneve të Qendrave të Votimit si dhe të Grupeve të Numërmit të Votave, KQZ ende nuk i ka miratuar aktet përkatëse.
  • Procesi i saktësimit të të dhënave të listës së zgjedhësve u shoqërua me mosrespektim afatesh dhe mospërmbushje të detyrimeve ligjore nga ana e institucioneve përgjegjëse.
  • Listat e kandidatëve të miratuara nga partitë kryesore politike nuk i respektuan kuotat gjinore.
  • Fushata zgjedhore ka nisur në mënyrë të gjerë, në shkelje të ligjit zgjedhor.
  • Gjatë kësaj fushate janë evidentuar një sërë shkeljesh si raste të përdorimit të burimeve të administratës shtetërore, përdorimi i fëmijëve, shfrytëzimi i aktiviteteve institucionale për fushatë elektorale si dhe janë shënuar edhe incidentete.
  • Media ka pasqyruar gjerësisht fushatën elektorale duke e pasqyruar në tërësi me objektivitet megjithë ngarkesat negative që ajo ka shfaqur në jo pak raste.
  • Përdorimi i mediave sociale prej partive dhe kandidatëve po shënon një dimension të ri komunikimi me qytetarwt dhe simpatizantët e tyre.
  • Pavarësisht se rritja e pjesëmarrjes dhe e përfaqësimit të grave ka qenë kryefjala e liderëve të partive politike dhe e konventave të organizuara posaçërisht për to, rezultoi se klasa politike kreu hapa prapa në këtë drejtim.
  • Kolegji zgjedhor ka shqyrtuar vetëm çështje që kanë pasur të bëjnë me regjistrimin e partive politike, të refuzuara nga KQZ-ja për shkak të mungesës në dokumentacion apo në shkeljen e afateve.

 

IV. REKOMANDIME


- KOMISIONIT QËNDROR TË ZGJEDHJEVE


- Të jetë i vëmendshëm në mbikëqyrjen e fushatës zgjedhore si në nivel qëndror ashtu edhe në atë lokal, në veçanti për të ndjekur çdo shqetësim në lidhje me përdorimin e “burimeve” të administratës shtetërore.

- Të bëj kujdes me vlerësimin si ende në fuqi të akteve të mëparshme të nxjerra prej KQZ-së në funksion të organizimit të proceseve të mëparshme zgjedhore.

- Për të gjithë subjektet zgjedhore që shkelën Kodin Zgjedhor duke e filluar fushatën zgjedhore para kohe, të marrë masa mbi bazë të vetë parashikimeve që bën ligji zgjedhor.  Ky veprim përveçse është një detyrim ligjor, është një mesazh i fortë për zbatimin e ligjit në funksion të vazhdimësisë së këtyre zgjedhjeve si dhe të së ardhmës së zbatimit të ligjit në proceset e ardhshme zgjedhore.

- Të marrë vendim për ecurinë e mëtejshme të teknologjive SEN dhe SEV.

KQZ duhet të përcaktojë sesa do jetë e mundshme zbatimi i tyre dhe të përgatisë infrastukturën për atë pjesë të gjeografisë ku do të mund të zbatohen teknologjitë e reja.

- Të miratojë sa më parë manualin për trajnimin e Komisionerëve të Qendrave të Votimit dhe të zhvillojë trajnimet e këtyre komisionerëve, duke u kujdesur maksimalisht për një përfitim sa më të mirë prej pjesëmarrësve.

- Të nxisë subjektet zgjedhore të përcaktuara nga ligji, që të ngrenë sa më shpejt Komisionet e Qendrave të Votimit.

- Të miratojë sa më parë Vendet e Numërimit të Votave.

- Të jetë më transparent dhe më i kujdesshëm në publikimin e akteve që miraton dhe dhënien e informacionit për ecurinë e të gjitha aspekteve të procesit zgjedhor.

- Të jetë i kujdesshëm me zëvendësimet e mundshme të komisionerëve të KZAZ-ve prej partive përkatëse politike, duke ruajtur kuotën gjinore prej 30% të kërkuar nga Kodi Zgjedhor për dy partitë e mëdha.

- Të jetë i kujdesshëm në marrjen parasysh të propozimeve që mund të vijnë prej KZAZ-ve për gjobitjen e operatoreve mediatike, veçanërisht të atyre lokalë, në lidhje me mosrespektimin e balancës në minutazhin politik të edicioneve informative.

Propozimet të merren në shqyrtim me kujdesin e duhur, pa i nënvlerësuar apo mbivlerësuar ato.

- Të miratojë sa më parë dy udhëzimet e kërkuara nga Kodi Zgjedhor në lidhje me fushatën zgjedhore:

a) udhëzimin mbi mënyrën e përdorimit të materialeve të përgatitura nga vetë subjektet zgjedhore;

b) udhëzimin në lidhje me kohën televizive që iu vihet falas në dispozicion subjekteve politike dhe përllogaritjen që i bëhet asaj si shpenzim i zbritshëm për efekte tatimore.

KQZ duhet të nxisë në këtë pikë edhe KKRT-në dhe Ministrinë e Financave të nxjerrin udhëzimet përkatëse sikundër e kërkon Kodi Zgjedhor.

 

 

- KOMISIONEVE ZONALE TË ADMINISTRIMIT ZGJEDHOR


- Të jenë të përgjegjshëm në kryerjen e detyrës dhe t’i përgjigjen vetëm Kodit Zgjedhor në punën e tyre, pa marrë në konsideratë përkatësinë politike.

- Anëtarët e KZAZ-vë të jenë sa më të informuar mbi procesin e adresimit të pasaktësive në listat e zgjedhësve, në mënyrë që të informojnë qytetarët në mënyrën e duhur.

 

 

- PARTIVE POLITIKE


- Të zgjidhin sa më parë ngërçin e krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, në mënyrë që ai të funksionojë i plotë.

- Të angazhohen për të pranuar dhe nënshkruar “Kodin e Etikës dhe të Sjelljes së mirë për Partitë Politike gjatë Fushatës Zgjedhore”.

Në çdo rast Partitë Politike duhet të angazhohen publikisht për të respektuar dhe zbatuar parimet e afirmuara në këtë kod.

- Gjatë fushatës së tyre zgjedhore, të mbështeten në ide dhe në argumente që janë konkrete dhe rrisin cilësinë e jetesës së votuesve, duke qëndruar larg një fushate negativiste dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes.

- Të kontrollojnë atmosferën e fushatës brenda normave të qytetëruara, si dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre për të mos lejuar aktivistët apo ndjekësit e tyre në kryerjen e akteve jo-ligjore apo akteve që prishin atmosferën e një garimi të ndershëm e të barabartë.

- Të ndalohet kategorikisht përdorimi i burimeve të administratës shtetërore, qoftë kjo në nivel qëndror apo lokal.

- Të ndalohet kategorikisht përdorimi i fëmijëve nën 18 vjeç si dekor në mitingjet e konventa apo si pjesë e stafeve mbështetëse apo organizatore në aktivitetet elektorale.

- Partitë politike duhet të përdorin një gjuhë sa më korrekte në komunikimet e tyre publike.

- Të ruajnë dhe të zhvillojnë një marrëdhënie me median në përputhje me ligjin, duke e lejuar atë në kryerjen e detyrës në mbulimin e fushatave zgjedhore.

- KVV inkurajon të gjitha partitë  politike, të nxisin pjesëmarrjen e mëtejshme të grave në të gjithë elementët organizative të partive të tyre, përgjatë fushatës elektorale apo në takimet me qytetarë që ata zhvillojnë.

- KVV nxit partitë politike të sigurojnë një përfaqësim sa më të lartë në numër të grave në Komisionet e Qëndrave të Votimit, që pritet të formohen, duke influencuar përveç të tjerash për një klimë të qetë e sa më funksionale brenda këtyre komisioneve.

- KVV inkurajon anëtaret gra të partive politike që të marrin pjesë në mënyrë sa më aktive në fushatën zgjedhore apo në aspekte të tjera të procesit zgjedhor, duke dhënë kontributin e tyre për një fushatë sa më të qetë dhe konstruktive. 

- Të përpiqen që të minimizojnë apo të shmangin zëvendësimet e komisionerëve të tyre pranë KZAZ-ve dhe KQV-ve që priten të ngrihen, sikundër ka ndodhur në proceset e mëparshme zgjedhore.

- KVV fton të gjithë subjektet elektorale që në përgatitjen e materialeve elektorale e propagandistike apo edhe institucionet shtetërore, të ndjekin qëllime miqësore ndaj mjedisit, duke përdorur psh. letër të ricikluar për prodhimin e posterave, etj.

 

 

- MEDIAS


- Të jetë e vëmendshme në mbulimin e fushatës zgjedhore duke patur parasysh gjatë punës së saj kriteret që vendos Kodi Zgjedhor, duke u udhëhequr përherë nga parimi i vërtetësisë, objektivitetit dhe paanshmërisë.

- Pavarësisht se Ligji zgjedhor lejon marrjen parasysh të materialeve zgjedhore të përgatitura nga vetë subjektet zgjedhore, mediat janë të lira të marrin pjesë vetë dhe të përgatisin e pasqyrojnë me objektivitet fushatën zgjedhore të subjekteve politike.

KVV i nxit mediat të mos tradhtojnë besimin e publikut por t’iua paraqesin atyre me vërtetësi e objektivitet fushatën zgjedhore mbi bazën e materialeve të përgatituara nga stafet e veta të gazetarëve.

Mediat duhet ti qëndrojnë besnik politikës së tyre editoriale në misionin madhor  të informimit të publikut dhe mos të lejojë ndërhyrjen në këtë mision të fabrikimeve që vijnë nga stafet elektorale të partive politike.

Publiku ju ndjek ju për linjën editoriale dhe objektivitetin që ju manifestoni.

- Të evidentojë dhe publikojë të gjitha rastet e shkeljeve ligjore përgjatë fushatës elektorale duke informuar publikun dhe servirur sa më shumë fakte dhe prova.


- Operatorët zgjedhorë si Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, subjektet zgjedhore, Këshilli i Ministrave, Ministria e Brendshme, Njësitë Vendore, etj., por edhe të gjithë aktorët e tjerë institucionalë duhet të përpiqen të jenë sa më transparentë në veprimtarinë e tyre si dhe të reagojnë publikisht nëpërmjet qëndrimeve zyrtare mbi problematikat, akuzat apo çështjet që ngrihen në media dhe nga opinioni publik në lidhje me aspekte jo-ligjore të fushatës zgjedhore.


Tiranë, më 27 Maj 2013!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore