‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Transparenca e financimit të subjekteve elektorale, element kyç për një proces zgjedhor ligjor, transparent dhe të barabartë!
23/05/2013

D E K L A R A T Ë


Rregullimi i financimeve të partive politike dhe fushatave zgjedhore janë një faktor shumë i rëndësishëm për të siguruar një proçes të rregullt zgjedhor[1].

Këto financime para së gjithash duhet të jenë transparente dhe duhet të dokumentohen, merren dhe shpenzohen në zbatim të plotë të dispozitave ligjore të parashikuara.

Kuadri ligjor për partitë politike ka patur përmirësime përsa i përket financave. Me ndryshimet e bëra në “Ligjin për Partitë Politike” nëpërmjet Ligjit Nr. 10374, datë 10.02.2011, dhe me Vendimin Nr.188, datë 15.04.2013, të marrë nga Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve, sigurohet në mënyrë të plotë auditim i veçantë i financimit të partive politike, edhe përgjatë vitit kalendarik, edhe përgjatë fushatës zgjedhore.

Financimet e partive politike për të zhvilluar fushatat zgjedhore vijnë nga buxheti i shtetit, kontributet nga anëtarësia, donatorët privatë dhe kreditë nga bankat.

Konkretisht në Kodin Zgjedhor parashikohet se:

Kodi Zgjedhor i kanalizon të ardhurat për fushatat zgjedhore në katër katetori:

a) fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore.

b)  të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit.

c) dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime të dhëna.

ç) kreditë e marra nga partitë politike sipas ligjit.

Për sa i përket donatorëve privatë qofshin persona fizikë apo juridikë, për dhurimet për fushatën zgjedhore, vendosen disa kushte.

Kodi Zgjedhor në neni 89 ndalon dhënien e fondeve:

a) nga çdo person fizik ose juridik në shuma më të mëdha se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime.

b) nga çdo person fizik ose juridik që ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë.

c) çdo person fizik ose juridik që ushtron veprimtari në fushën e medias.

d) çdo person fizik ose juridik që ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme.

e) çdo person fizik ose juridik që ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik.

Ndërsa përsa i përket subjekteve zgjedhore, Kodi Zgjedhor vendos disa kushte të tjera në lidhje më çështjet e tyre financiare nga të ardhura jo publike.

Sipas nenit 90 të Kodit Zgjedhor subjetkeve zgjedhore i vendosen këto detyrime:

a) të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit.

b) dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor.

c) shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike.

Kontrolli ndaj financave që lëvizen përgjatë fushatës zgjedhore ushtrohet nëpërmjet një mekanizmi ligjor i cili mbikqyret nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. “Jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo parti politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar”[2].

Në pikën 3 të nenit 91, Kodi Zgjedhor i jep një hapësirë të madhe veprimi auditëve[3] që verifikojnë pasqyrat financiare të subjekteve elektorale. Sipas tij, ata janë të plotfuqishëm t’i kërkojnë subjekteve zgjedhore çdo informacion që i nevojitet në punën e tyre.

Por, Koalicioni vëren se as legjislatori dhe as KQZ në udhëzimet e miratuara nuk i jep audituesit të gjitha mjetet e nevojshme për ta përdorur këtë hapësirë dhe liri në punën e tyre.

Nga monitorimi në vazhdimësi i proceseve zgjedhore të 2009 dhe 2011, dhe të auditimeve financiare të kryera ndaj subjekteve pjesëmarrëse në to, konstatohen një sërë rastesh me shkelje,  të evidentuara në raportin e auditëve sikundër janë:

- pamundësia e komunikimit dhe e kontaktit direkt me subjektin elektoral[4];
- ushtrimi i aktivitetit elektoral nga parti pa numër NIPT-i[5], çka është një detyrim ligjor për çdo subjekt juridik;
- deklarimi i pasqyrave financiare të pashoqëruara me fatura tatimore sikundër parashikohet nga ligji[6] apo pa fatura fare[7];
- apo deklarimi i shpenzimeve zero gjatë aktivitetit elektoral të partisë, etj.

Madje ka raste kur auditimet e subjekteve elektorale publikohen të paplota[8] në faqen zyrtare të KQZ sikundër është detyrimi ligjor, apo nuk publikohen fare[9].

Pavarësisht shkeljeve të vërejtura, vërehet se deri më sot, KQZ nuk ka marrë asnjë masë ligjore në këtë drejtim, madje është treguar e pakujdesshme në ushtrimin e autoritetit dhe të funksionit të vet në përmbushje të ligjit, ndërkohë që sipas ligjit[10] është KQZ e cila “monitoron, mbikëqyr dhe auditon financimin e partive politike, nëpërmjet kontrollit të dokumentacionit financiar e të llogarive kontabël të partive politike, të subjekteve të lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë politike apo që ndodhen nën kontrollin e tyre” dhe është sërish KQZ e cila ngarkohet nga ligji për të vendosur sanksione[11] kur konstaton shkelje të dispozitave të ligjit të sipërpërmendur.

Situata aktuale në këtë drejtim bëhet akoma më pak e kontrolluar duke pasur parasysh edhe një mangësi të vetë Kodit Zgjedhor. Sipas tij, dhuruesit e shumave mbi 100 mijë lekë duhet ta kryejnë kalimin e parave “vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor”.

Në funksion të kësaj kërkese të ligjit, subjekti zgjedhor “jo më vonë se tre ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim”.

Nga këto dy dispozita lind një problematikë jo e vogël, që sidomos në këtë proçes zgjedhor shfaqet qartazi.

Një subjekt zgjedhor, qoftë i vogël apo i madh, lëvizjet e veta financiare sidomos ato të rëndësishmet i bën para fillimit të fushatës[12]. Nëse vëzhgimi i tyre fillon tre ditë pasi vetë fushata ka filluar, atëherë nuk ka mbetur shumë për t’u mbikëqyrur në lëvizjet financiare të partive.

Aq më tepër në rastin e këtij proçesi zgjedhor, ku fushata zgjedhore ka nisur rreth gjashtë muaj para datës kur do të mbahen zgjedhjet.

Në këtë situatë problematike dhe me këtë kuadër ligjor i cili lejon “rrjedhje” në pasqyrimin e financave të subjekteve zgjedhor gjatë fushatës, është Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, i cili në përmbushje të misionit dhe kompetencave të dhëna si dhe në frymën e ligjit, duhet të luajë rolin e tij madhor, jo vetëm për të monitoruar dhe mbikqyrur nga afër financimet e partive politike, por edhe të ndërmarrë hapat e duhur në hartimin e udhëzimeve plotësuese që të mund të vënë në lëvizje verifikimin dhe funksionimin e plotë të mekanizmit kontrollues të parashikuar nga ligji.


Koalicioni nxit dhe mbështet KQZ që sa më parë të plotësojë udhëzimin për mënyrën e funksionimit të auditëve dhe përmbushjen e detyrës së tyre.

Ky udhëzim duhet të parashikojë mekanizma të qarta që të detyrojnë auditin që në rast të mos ofrimit të gatishmërisë apo informacionit të kërkuar nga subjektet elektorale të njoftojnë zyrtarisht KQZ-në, e cila duhet të marrë masa të mënjëhershme sipas legjislacionit në fuqi.

Po ashtu, KQZ duhet të përcaktojë qartë mekanzima për të mbështetur fort auditët në punën dhe ekspertizën e tyre, por njëkohësihst duhet të parashikojë edhe sanksione për raportim jo profesional apo jo korrekt nga ana e tyre.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në përmbushje të Nenit nr. 90 të Kodit Zgjedhor, duhet të miratojë urgjentisht me vendim modelin e regjistrit të posaçëm për regjistrimin e fondeve të përfituara nga subjektet zgjedhore prej donatorëve private[13], pasi modeli i cili përdoret aktualisht i miratuar me vendimin nr. 266 datë 01/06/2009, ka qenë i specifikuar për tu përdorur për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Koalicioni i kërkon KQZ që të publikojë sa më parë raportet e auditëve mbi Raportet Financiare Vjetore për vitin 2012 për të gjitha Partitë Politike, pasi afati i parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe në ligjin për Partitë Politike, ka kaluar, ndërkohë që në faqen Zyrtare të KQZ-së janë të publikuara vetëm Raportet Vjetore të pesë partive.

Në përfundim, Koalicioni nxit Partitë Politike që të zbatojnë katërcipërisht dispozitat ligjore në përdorimin e financave të tyre, veçanërisht përgjatë fushatës zgjedhore, si dhe të japin kontributin e tyre në rritjen e transparencës në përdorimin e këtyre fondëve për një proces zgjedhor ligjor, transparent dhe të barabartë.


___________________________
[1] Pika 107 e 108 e Kodit të praktikës së mirë në çështjet zgjedhore [CDL-AD (2002) 23 rev], Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias).
Pika 109. “... Në rastin e devijimeve nga norma ose në rast se tejkalohen kufijtë e detyrueshëm të financimit, zgjedhjet duhet të anullohen. ...”

[2] Neni 91, pika 1 e Kodit Zgjedhor

[3] Neni 91, pika 3 e Kodit Zgjedhor: “Subjektet zgjedhore që auditohen duhet të vënë në dispozicion çdo informacion që disponojnë nga bankat, institucione  apo persona të tretë që kanë lidhje me auditimin ose të autorizojnë auditorin për tërheqjen e tyre nga të tretët. KQZ-ja vë në dispozicion të auditorit në çdo fazë të auditimit informacionet që i paraqiten nga të tretët mbi objektin e auditimit.”

[4] Sipas informacionit të depozituar në KQZ nga auditi i autorizuar ka qenë shumë i vështirë kontakti me Partinë Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian. Kontakti u bë i mundur pas shumë përpjekjesh nëprmjet telefonit me kryetari e partisë, i cili po nëpërmjet telefonit i deklaroi auditit se partia e tij nuk ka përdorur fonde në Fushatën Zgjedhore 2009, madje nuk kishte as financier partie në atë kohë.  Për më shumë tek: http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-per-kuvend/2009/fin_subjekteve/rap_auditimi%20ne%20pdf/amie.pdf

[5] Sipas raportit të auditit të bërë ndaj Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, rezulton se përveçse deklarohet se nuk ka pasur asnjë të ardhur dhe nuk ka kryer asnjë shpenzim gjatë fushatës elektorale të Zgjedhjeve Lokale të 8 Majit 2011, kjo parti nuk është as e rregjistruar në organet e tatim-taksave dhe nuk është e pajisur me Numrin e Identifikimit të Personit të Tatueshëm (NIPT). Për më shumë tek raporti i auditit: http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-vendore/2011/raportet_auditimi/partite_politike/15_PMDE.pdf

[6] - Sipas raportit të auditit të bërë ndaj Partisë Aleanca për Demokraci e Solidaritet, për Fushatën  Zgjedhore 2009, evidentohet se “... subjekti duhet të tregojë kujdes në lidhje me vërtetimin dhe pasqyrimin e shpenzimeve të kryera me dokumente justifikues sipas kërkesave të ligjeve fiskale ( tatimore), ...”. Për më shumë tek raporti i auditit: http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-per-kuvend/2009/fin_subjekteve/rap_auditimi%20ne%20pdf/ads.pdf .
 - Raporti i auditit ndaj Partisë Agrare Ambientaliste, për Fushatën  Zgjedhore 2009: “...  tërheq vëmendjen se subjekti duhet të tregojë kujdes në lidhje me vërtetimin dhe pasqyrimin e shpenzimeve të kryera me dokumente justifikues sipas kërkesave të ligjeve fiskale ( tatimore), ...”. Për më shumë tek raporti i auditit: http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-per-kuvend/2009/fin_subjekteve/rap_auditimi%20ne%20pdf/paa.pdf . Etj.

[7] Raporti i auditit ndaj Partisë Aleanca Demokratike për Fushatën  Zgjedhore 2009: “...nuk kam ndonje vrejtje me perjashtim te mungeses se faturave per shpenzimet e dhena Qarqeve qe akoma nuk ishin terheqe faturat e shpenzimeve te cilat duhet te ishin ne sektorin e finances”. Për më shumë tek raporti i auditit: http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-per-kuvend/2009/fin_subjekteve/rap_auditimi%20ne%20pdf/ad.pdf

[8] Raporti i auditit të Partisë Forca Albania për Fushatën  Zgjedhore 2009, Për më shumë tek: http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-per-kuvend/2009/fin_subjekteve/rap_auditimi%20ne%20pdf/pfa.pdf

[9] Partia Rruga e Lirisë me numër rendor 18, Lidhja Demokristiane Shqiptare me numër rendor 28, Partia e Çështjeve Shqiptare me numër rendor 50, për Fushatën Zgjedhore 2011. Për më shumë tek: http://www.cec.org.al/index.php?option=com_content&view=article&id=304%3Araportet-audit&catid=126%3Asubjektet-zgjedhore&Itemid=315&lang=sq .

[10] Neni 15/2 pika 2 gërma “ç” e Ligjit nr.10374, datë 10.2.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar”.

[11] Neni 23/4 i Ligjit nr.10374, datë 10.2.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar”, pika: “2. Shkelja e detyrimit për bashkëpunim me ekspertin kontabël të licencuar, të caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga ana e partisë politike, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.
3. Refuzimi për të bërë transparent burimet e financimit të partisë politike apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e ekspertit kontabël të licencuar a të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dënohet me gjobë nga 2 000 000 deri në 5 000 000 lekë ose/dhe me pezullimin deri në 5 vjet të financimit publik për partinë politike.
4. Shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara, të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë”.

[12] Në këtë pikë përmendim dy shembej nga dy raporte të auditëve për zgjedhjet e vitit 2009.
 - Pjesë e raportit të audituesit Mihal Ziu, datë 01.11.2009 ndaj Partisë Socialiste: “Fushata për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë ka filluar më 28 Maj 2009 dhe ka mbaruara më 28 Qershor 2009. Aktiviteti financiar në shërbim të kësaj fushate shtihet në një periudhë më të gjatë se ky kufi zyrtar. Për Partinë Socialiste periudha financiare e fushatës zgjedhore shtrihet në muajt Maj-Qershor-Korrik dhe, më tej këtij kufiri, pritën ngjarje të mëvonëshme lidhur me arkëtimin e këstit të dytë të financimit buxhetor dhe për pagesën e disa shpenzimeve të kryera e të faturuara nga disa furnitorë gjatë fushatës zgjedhore.”
 - Pjesë e raportit të audituesit Lavdimi Fusha, datë 02.11.2009 ndaj Partisë Demokratike: “Kalimi i një pjese të dhurimeve mbi 100 mijë lekë me arkë dhe jo me bankë si kërkesë e Kodit Zgjedhor, ka ardhur si rezultat i financimeve para fillimit të fushatës zgjedhore dhe para vendimit nr.2666, ora 18:00 të Komisionit Qendror Zgjedhor për miratimin e formatit të deklaratës.”

[13] Neni 90 i Kodit Zgjedhor “Regjistrimi i fondeve jopublike”, pika 1: “Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 89 të këtij Kodi dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi.”


Tiranë, më 23 Maj 2013!


NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore