‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Të zgjidhet ngërçi i pakuptimtë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve!
14/05/2013

L E T Ë R     E    H A P U R


Drejtuar:         Kryetarit të Partisë Demokratike

 z.  Sali BERISHA 

    Kryetarit të Partisë Socialiste

z. Edi RAMA

Për dijeni:

    Partive Politike

    Misionit të OSBE / ODHIR

    Delegacionit të Bashkimit Europian

    Zyrës së Këshillit të Europës

    Ambasadës së Shteteve të Bashkuara

    Opinionit Publik

Të nderuar zotërinj!

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë po ndjek më shumë shqetësimin situatën e krijuar në organin më të lartë administrativ të procesit zgjedhor të 23 qershorit si dhe prononcimet tuaja publike në lidhje me vazhdimësinë e punës dhe funksionimit të KQZ-së apo procesit në tërësi.
Të shqetësuar në lidhje ecurinë e mëtejshme të procesit, premisave për përmbushjen e standarteve dhe të besimit të shtetasve në të, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë sjell në vëmendjen tuaj:

1. Përcaktimin ligjor mbi Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor
Kodi Zgjedhor pёrcakton organizimin e proçesit zgjedhor nёpërmjet tre niveleve: Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Komisioneve Zonale tё Administrimit Zgjedhor (në këto zgjedhje janë 89 KZAZ) si dhe nëpërmjet Qendrave tё Votimit (rreth 5500 QV).
KQZ-ja ёshtё “organi mё i lartё shtetёror i pёrhershёm, i ngarkuar pёr administrimin e zgjedhjeve, nё pёrputhje me rregullat e pёrcaktuara nё Kodin Zgjedhor”[1].
Pёrbёrja e KQZ-sё ёshtё prej 7 anёtarёsh, ku 6 anёtarё kanё mandat 6 vjeçar dhe Kryetari ka mandat 4 vjeçar;

- Dy anёtarё i pёrzgjedh partia mё e madhe e mazhorancёs.
- Dy anёtarё i pёrzgjedh partia mё e madhe e opozitёs.
- Njё anёtar e pёrzgjedh partia e dytё mё e madhe e mazhorancёs.
- Njё anёtar e pёrzgjedh partia e dytё mё e madhe e opozitёs.
- Kryetari, anёtari i shtatё, nuk vjen me pёrzgjedhje politike si 6 anёtarёt e tjerё, por pёrzgjidhet prej Kuvendit ndёrmjet kandidatёve tё ardhur pas njё thirrjeje publike tё vakancёs[2].

Ky lloj konfigurimi i KQZ-sё ёshtё bёrё nё vazhdёn e tёrё pёrpjekjes 20 vjeçare deri nё reformёn e fundit zgjedhore, pёr tё ngritur njё institucion tё pavarur dhe jo politik pёr organizimin e zgjedhjeve[3].
Ndonёse tё pёrzgjedhur politikisht, gjashtё anёtarёt ashtu si edhe Kryetari, marrin pёrsipёr njё sjellje dhe votim jashtё interesave tё subjekteve politike qё i kanё pёrzgjedhur[4].

Pra shihet qartë se KQZ megjithёse krijohet mbi njё miratim parlamentar (politik), qëndron dhe sillet si njё trupё jo politike, e pavarur, njё quasi (gati) qeveri[5], pёrgjegjёse pёr organizimin e proçesit zgjedhor[6].
Nё piramidёn e organizimit tё zgjedhjeve, poshtё KQZ-sё qëndrojnё komisionet e nivelit tё dytё (KZAZ-tё) dhe komisionet e nivelit tё tretё (KQV-tё).
Tё dy kёto komisione pёrbёhen nga 7 anёtarё. Gjashtё prej anёtarёve emёrohen me tё njёjtёn formulё si me 6 anёtarёt e KQZ-sё. Anёtari i shtatё i KZAZ-ve, qё ёshtё Kryetari, pёrzgjidhet me short tё organizuar prej KQZ-sё, ku nё gjysmёn e komisioneve (në KZAZ-të me numër çift) i takon partisё mё tё madhё tё mazhorancёs dhe nё gjysmёn tjetёr (në KZAZ-të me numër tek)  partisё mё tё madhe tё opozitёs.

Edhe komisionet e Qendrave të Votrimitndërtohen nga KZAZ-të përkatëse  sipas të njëjtit kriter të parashikuar në nenin 29 të Kodit Zgjedhor.

Nё pёrmbledhje tё tё tёrё skemёs organizative, rezulton se kemi njё KQZ tё pavarur, ndërkohë që KZAZ-tё bashkё me KQV-tё janё tё ndёrtuara nё frymёn e baraspeshimit politik, ashtu siç e kёrkon shprehimisht gёrma “a” e pikёs 1 tё nenit 29 tё Kodit Zgjedhor[7].

Madje, në funksion të konsolidimit të pavarësisë dhe heqjes së mundësive për të ndikuar apo lëvizur anëtarët e KQZ-së, legjislatori në nenin 18/2 të Kodit Zgjedhor parashikohen shprehimisht rastet e ndërprerjes së mandatit të një anëtari të KQZ-së si dhe mënyrat se si kjo procedurë duhet të nisi në KQZ, duke marrë jo më pak se 5 nga votat e anëtarëve (nenin 24) dhe më pas është sërish vetë KQZ e cila investon Kuvendin për zëvendësimin sipas vakancës së krijuar dhe njoftimit të bërë po nga vetë KQZ-ja.

2. Situatën pas publikimit të aleancës së Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim me Partinë Socialiste
Më datё 03.04.2013 u bё e ditur pёr publikun, qё partia e dytё mё e madhe e mazhorancёs, Lёvizja Socialiste pёr Integrim, do lidhte koalicion me Partinё Socialiste, duke kaluar kёshtu nё opozitё.

Ky kalim politik, sillte si rrjedhojë qё KQZ-ja nё pёrbёrjen e saj të kishte 4 anёtarё tё propozuar prej forcave opozitare dhe dy prej forcave mazhoritare. Ndёrsa nё KZAZ dhe KQV, partitё mazhoritare do pёrfaqёsoheshin vetёm prej Partisё Demokratike dhe nё tёra komisionet nё rang vendi do ishte nё pakicё.

- Nё 50% tё KZAZ-ve do qëndronte nё pakicё 2 nga 5 (anёtarё)
- Nё 50% tё KZAZ-ve do qendronte nё pakicё 3 nga 4 (anёtarё)
- Nё 50% tё KQV-ve do qendronte nё pakicё 2 nga 5 (anёtarё)
- Nё 50% tё KQV-ve do qendronte nё pakicё 3 nga 4 (anёtarё)

Kodi Zgjedhor, nuk e parashikon nё asnjё dispozitё rastin kur kemi lёvizjen e subjekteve politike, qё pёrzgjedhin anёtarë nё KQZ, prej mazhorancёs nё opozitё ose anasjelltas.
Formalisht legjislacioni nё kёtё rast, nuk kёrkon riformulime nё tё tre nivelet e komisioneve zgjedhore duke e lejuar proçesin tё ndjeki rrjedhёn e tij.

3. Shkarkimin e z. Ilirjan Muho si anëtar i KQZ dhe zëvendësimin e tij
Forcat politike tё sё djathtёs (mazhorancës), duke afirmuar se lёvizja politike e ndodhur kishte prishur tashmё balancёn e strukturёs zgjedhore duke e bёrё atё tё njёanshme, ndërmori disa hapa ligjorë.

Më datё 09.04.2013, Partia Republikane dorёzoi nё KQZ shkresёn, ku kёrkonte tё pёrzgjidhte anёtarin e saj nё KQZ si subjekti i dytё tanimё i rradhitur nё mazhorancё.

Ky veprim u ndoq më pas nga Partia Demokratike e cila më datё 10.04.2013 dorëzoi nё Kuvendin e Shqipёrisё një kёrkesё pёr lirimin nga detyra të komisionerit Ilirian Muho, tё emёruar si anёtar tё KQZ-sё prej LSI-sё.

Argumenti i pёrdorur prej PD-sё nё këtë kёrkesё ishte parimi i baraspeshimit politik dhe i frymёs sё Kodit[8], i mbёshtetur nё nenin 14 tё Kodit Zgjedhor[9].
Sipas PD-sё, Komisioneri Muho ishte emёruar prej LSI-sё si subjekti i dytё mё i madh i mazhorancёs. Nё momentin qё ai subjekt politik kalon nё opozitё, vota e komisionerit Muho sjell prishjen e balancёs sё vendim-marrjes nё KQZ-sё[10] dhe kjo pёrbёn arsye pёr lirimin e tij nga detyra dhe emёrimin e njё kandidati tё pёrzgjedhur nga Partia Republikane, si forca e dytё mё e madhe e mazhorancёs[11].

Projekt-vendimi i Partisё Demokratike “Pёr lirimin nga detyra tё njё anёtari tё Komisionit Qendror tё Zgjedhjeve”, datё 10.04.2013, u amendua dy herё para se tё votohej nё Kuvend.

Nё amendimin e parё[12] ndryshohet baza ligjore dhe argumentimi i lirimit. Nё preambulёn e projekt-vendimit “Neni 14” (Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së) ndryshohet me “gёrma “ё” e Nenit 12” (Përbërja e KQZ-së)[13].
Nё arsyet pёr lirimin e komisionerit Muho shtohet se “ёshtё emёruar nё shkelje tё nenit 12, gёrma “ё” tё Kodit Zgjedhor, si person i shkarkuar nga funksioni publik i prokurorit me dekret tё Presidenit tё Republikёs nr. 3727 datё 13.03.2003, duke i fshehur Kuvendit, gjatё proçedurёs sё emёrimit, deklarimin e fakteve qё pengonin emёrimin nё detyrёn e anёtarit tё KQZ”[14].
Pra nё argumentimin pёr lirimin e Komisionerit, veçmas parimit tё baraspeshёs politike sillet dhe fakti qё kandidatura e Ilirijan Muhos nuk ka qenё nё pёrputhje me Kodi Zgjedhor. Nё gёrmёn “ё” pika 2 tё nenit 12 kёrkohet qё kandidatura pёr tu emёruar anёtar nё KQZ duhet “të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës”.

Nё amendimin e fundit baza ligjore do mbesë vetëm “gёrma “ё” e pikёs 2 tё Nenit 12” dhe argumenti pёr lirimin e Ilirijan Muhos do jetё vetёm “si person i shkarkuar nga funksioni publik i prokurorit me dekret tё Presidenit tё Republikёs nr. 3727 datё 13.03.2003, duke i fshehur Kuvendit, gjatё proçedurёs sё emёrimit, deklarimin e fakteve qё pengonin emёrimin nё detyrёn e anёtarit tё KQZ”.

Projekt-vendimi i Partisё Demokratike “Pёr lirimin nga detyra tё njё anёtari tё Komisionit Qendror tё Zgjedhjeve”, u votua nё Kuvendin e Shqipёrisё me 15.04.2013 dhe u miratua me xxx vota.
Gjithashtu, Kuvendi i Shqipёrisё emёroi kandidaturёn e Partisё Republikane, për anëtar të KQZ-së, z. Klement Zguro.

Ndërrimi i anëtarit të KQZ-së nga ana e Kuvendit, u pasua nga dorëheqja në shenjë proteste dhe e njëpasnjëshme e tre anëtarëve tё KQZ-sё të përzgjedhur nga opozita[15].

Tre vakancat (vende të lira) për të cilat subjektet politike opozitare duhet tё sillnin nё Kuvend propozimet e tyre brenda 48 orёve nga dorёheqja e komisionerёve[16], janë ende të paplotësuara.

Subjektet politike pёrgjegjёse pёr zёvendёsimin e anёtarёve tё dorёhequr, refuzojnë të sjellin kandidatura në parlament me pretendimin për të patur një rindërtim të KQZ-së, sepse ajo aktualja është me efekt nul pra e pavlefshme ligjërisht[17].

Në gjithë ecurinë e procesit të emërimit dhe lirimit të anëtarit të përzgjedhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, vërehen një sërë boshllëqesh që mbart ligji, për të cilat nuk mund të ishte Kuvendi arbitri, por gjykata.

Kuvendi, ndonëse gëzon një supremaci si institucion, nuk mund ta lironte komisionerin Muho me efekt a posteriori (prapaveprues) të ligjit kur rregullat janë vënë më parë, qofshin ato të dobëta.

Konkretisht, Kodi Zgjedhor parashikon se dy nga kriteret që duhet të përmbushi një kandidaturë për tu bërë anëtar i KQZ-së janë: a) mosqënia anëtar partie në 5 vitet e fundit dhe b) mos të jetë i larguar nga detyra në administratën publike për shkelje detyre[18].
Së pari, z. Ilirjan Muho deri në Shkurt të vitit 2011 ka qenë Zv. Ministër i Punëve Publike dhe Transportit. I ngarkuar pra në një detyrë politike, ndonëse sipas vetё Ilirjan Muhos, ai nuk ka qenë pjesë e një force politike[19].
Me të drejtë ngrihet pyetja mbi qëllimin e dispozitës.
Kërkohet një kandidat që nuk mban librezë anëtarësie apo që nuk është përkrahës aktiv i një force politike?
Së dyti, në mars të vitit 2003 Z. Muho është shkarkuar me dekret të Presidentit Alfred Moisiu nga detyra e Prokurorit në Rrethin e Fierit[20].
Në dosjen e dorëzuar prej tij në Kuvend ky fakt nuk gjendet i përmendur dhe Kodi nuk shprehet për një rast të tillë se çfarë masash duhet të ndiqen.

Pavarësisht se dy faktet e sipërpërmendura u bënë publike prej shtypit të kohës[21], në mbledhjen e Komisionit Parlamentar kandidatura e tij kaloi pa asnjë diskutim dhe Z. Ilirian Muho u miratua si kandidaturë që plotësonte kushtet e vëna nga ligji ndaj kandidatura e tij u kalua për në seancë plenare, ku Kuvendi e emëroi si anëtar të KQZ-së.
Kodi Zgjedhor nuk shprehet se çfarë ndodh në rastin e mësipërm. Madje në Kod lista e arsyeve për të patur shkarkim ose lirim nga detyra të komisionerëve është shteruese.

Po ashtu procesi i zëvendësimit të z. Muho me z. Zguro nga Kuvendi është në kapërcim të plotë të ligjit, edhe nëse pjesa e krijimit të vakancës do të konsiderohej si në përputhje me të.

Akti i miratuar me 15.04.2013 nga Kuvendi “Pёr lirimin nga detyra tё njё anёtari tё Komisionit Qendror tё Zgjedhjeve” kishte nё argumentin e vet lirimin e komisionerit Ilirjan Muho si nё mospёrputhje me kёrkesat e Kodit, si i larguar nga administrata publike pёr shkelje të detyrës, duke e hequr argumentimin fillestar, atё tё njё baraspeshimi politik.

Bazuar mbi kёtё vendim, nё bazë të pikёs 2 tё Nenit 19 të Kodit Zgjedhor “të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin që i kishte mbaruar mandati”, çka duhet të ngarkonte sërish LSI-në dhe jo Partinë Republikane për të propozuar kandidaturën zёvendёsuese.
 

4. Rikonfigurimin e KZAZ-ve
Me katër anëtarë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shqyrtoi në vazhdim rikonfigurimin e komisioneve të nivelit të dytë (Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor).

Me Vendimin Nr. 265, tё datёs 23.04.2013, KQZ pranoi pjesёrisht kёrkesёn e Partisё Republikane “Pёr pёrcaktimin e Partisё Republikane si parti qё ka tё drejtё tё paraqes propozime pёr anёtarё tё KZAZ-ve, KQV-ve nё rang vendi dhe tё marrё pjesё nё shortin pёr propozimin e anёtarit tё GNV-sё”.
Me kёtё vendim KQZ-ja amendoi gërmën “c”, të pikës 1 të vendimit të KQZ-së Nr.1, datë 07.01.2013 “Për caktimin e partive politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë  të KZAZ-ve për Zgjedhjet për Kuvend të datës 23.06.2013”[22].

Amendimi pёrcaktoi Partinё Republikane si partia e dytё mё e madhe e mazhorancёs, duke i dhënë të drejtën pёr tё patur anёtarin e saj nё KZAZ.
Me njё tjetёr vendim, KQZ-ja pranoi kёrkesёn e Lёvizjes Socialiste pёr Integrim pёr tё patur anёtarin e saj nё KZAZ[23], tanimё si forca e dytё më e madhe e opozitёs.  Me kёtё vendim KQZ-ja amendoi gërmën “d”, të pikës 1 të vendimit të KQZ-së Nr.1, datë 07.01.2013 “Për caktimin e partive politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë  të KZAZ-ve për Zgjedhjet për Kuvend të datës 23.06.2013”.

Ndërkohë në lidhje me anёtarёt e KZAZ-ve tё propozuar nga Partia Bashkimi pёr tё Drejtat e Njeriut, KQZ-ja u shpreh me Vendimin Nr. 272, datё 25.04.2013.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendosi se PBDNJ sipas Vendimit Nr.1, datë 07.01.2013, tё amenduar me Vendimin Nr. 266 dhe Nr. 270, nuk ka mё tё drejtё tё pёrfaqёsohet me anёtarё nё KZAZ, sepse nuk është mё forca e dytё mё e madhe e opozitёs. Me kёtё arsye KQZ vendosi pёr lirimin e komisionerёve tё KZAZ-ve tё emёruar nga PBDNJ.

Pavarësisht legjitimitetit në frymën e Kodit, formalisht Kodi Zgjedhor i liston nё mёnyrё shteruese tё gjitha rastet pёr shkarkimin apo lirimin e komisionerёve tё KZAZ-ve, dhe nuk parashikon argumentimin e përdorur mё sipёr nga KQZ[24].

 
5. Mangësitë e evidentuara në Kodit Zgjedhor
Formulimi aktual i komisioneve të administrimit zgjedhor ka për bazë përzgjedhjen politike apo propozimin nga partitë politike, i cili është i ngjashëm me përvojën zgjedhore të viteve 1991-1997[25].
Një periudhë që duhej të ishte marrë parasysh përgjatë Reformës Elektorale në hartimin aktual të Kodit Zgjedhor, për hir të traditës ligjore dhe përvojës në organizimin e zgjedhjeve që ofron.

Ngërçi aktual nuk do të ekzistonte nëse do të sihte marrë parasysh prakika e dekretit presidencial të vitit 1996 për ndërtimin e KQZ-së.
Në këtë dekret presidencial, parashikohet qartë e në mënyrë të hollëishme se nëse partia politike që bën pjesë në grupin e koalicionit qeveritar ose të opozitës, largohet nga ky grup, atëherë edhe vendi ose vendet që i takojnë asaj në KQZ i rishpërndahen brenda grupimit përkatës[26].

Komisioni i Reformës Elektorale nisur nga kjo praktikë duhej ta kish parashikuar këtë rast.
Madje, vetë legjislatori nëse do ishte treguar më i matur dhe më i vëmendshëm në përvojën e patur deri më sot, i kishte të gjitha mundësitë për të mos e lejuar pikëpyetjen ligjore që krijoj ngërçe siç është  rasti se “çfarë ndodh me KQZ-në kur kemi lëvizje politike”. Apo çfarë ndodh me vakancat në KQZ kur ato nuk plotësohen nga subjektet që parashikon ligji, rast i cili është i parashikuar disi në krijimin e vakancave në KZAZ.

Pamaturia e legjislatorit vihet re edhe tek terminologjia e përdorur në dispozitën e cila përcakton sesi përzgjidhen anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve[27].
Kodi përdor togfjalëshat “parti të shumicës parlamentare” dhe “parti të opozitës parlamentare”, të cilat janë të pa verifikueshëm formalisht dhe ligjërisht është e pamundur të sillen si një fakt. Edhe në traditën tonë ligjore janë ta pakta refencat që mund të përdoren si argumente për të ngritur vijë ndarëse midis asaj se çfarë është njëra dhe çfarë është tjetra[28].

Duhet sjellë në kujtesë se ngërçi ligjor mbi lëvizjen e komisionerëve, në një vit përvojë të Kodit Zgjedhor dhe Komisionit Zgjedhor, nuk është i pari.

Në pak muaj janë shtruar në diskutime të ashpra ligjore dhe politike, edhe dy çështje madhore për zhvillimin e zgjedhjeve. Ajo që i përket përcaktimit të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe të ndarjes së mandateve.
Dy vendim-marrje të kritikueshme që kanë qenë një reflektim i handikapeve ligjore në Kod[29].

 
6. KQZ-në si një institucion jo politik
Qëndron një pikëpyetje sot nëse KQZ-ja është një institucion politik ose jo, sidomos pas prononcime publike të aktorëve politikë pas ngërçit të KQZ-së.
Kodi vetë nuk mbart një pohim të qartë ku e afirmon plotësisht natyrën e KQZ-së, duke lënë shteg për interpretime të shumta.

Në qëndrimin e KVV-së, por edhe të aktorëve të tjerë që kanë ndjekur nga afër proceset dhe reformat zgjedhore, jo vetëm sot, por gjithmonë ka patur një përpjekje për të patur një KQZ apolitike dhe kuadri ligjor është në funksion të këtij qëllimi[30]. Madje amendimi i bërë për përzgjedhjen e kryetarit të KQZ-së përgjatë reformës elektorale të fundit e përforcon këtë fakt.

Anëtarët e KQZ-së në nisje të detyrës së tyre, në momentin e betimit deklarojnë se “Betohem në nderin tim se do të angazhohem me të gjitha forcat e mia për realizimin e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike në Republikën e Shqipërisë, do të siguroj dhe do të mbroj integritetin dhe fshehtësinë e votës, do të ruaj paanësinë në kryerjen e detyrës si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të tregoj profesionalizëm në kryerjen e saj”[31].
Në rastin në fjalë, të qenurit të paanshëm pashmangshmërisht të bën edhe të pavarur.  Anëtarët duke gjykuar mbi subjektet të cilat i kanë propozuar dhe përzgjedhur, duke u treguar të paanshëm tregohen edhe të pavarur.

Gjithashtu, edhe proçedura e përzgjedhjes së Kryetarit është një tregues në këtë pikë. Nëse 6 anëtarët janë të ndarë në mënyrë të barabartë për nga propozimi politik, Kryetari vjen në këto zgjedhje jo më me miratim politik, porsi votë përcaktuese e shumicën vendimmarrëse, jashtë vullnetit të politikës[32].

Për më tepër nëse do t’i referohemi një rezolute të miratuar nga Kuvendi menjëherë pas miratimit të Amendamenteve të Kodit Zgjedhor, më datën 19 Korrik 2012, rezoluta "Për vlerësimin e veprimtarisë së KQZ-së për vitin 2011", e cila u miratua me shumicë nga mazhoranca me 70 vota pro dhe me 58 vota kundër të opozitës, citohet se: “... Kuvendi kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për vitin 2012, në mënyrë të veçantë fokusimin në këto drejtime:  - Të forcojë pavarësinë dhe drejtimin kompetent të institucionit në zbatimin e kornizës ligjore të zgjedhjeve”.[33]

 
7. Sjelljen e KQZ-së  dhe ngërçin aktual
Komisionerët e KQZ-së që prej konstituimit më 26.10.2012, në përqindje tejet të madhe kanë patur një vendim-marrje unanime përsa i përket administrimit të teknikaliteteve të proçesit zgjedhor.

Problematika në vendimmarrjen e tyre është vërejtur tek të gjitha aktet, për të cilat subjektet politike kanë patur qëndrime të ndryshme duke ndikuar në një votim në bllok të komisionerëve, ku në njërën anë janë komisionerët e propozuar nga mazhoranca dhe në anën tjetër ato të propozuar nga opozita.
Madje, kryetarja e KQZ-së znj. Lefteri Lleshi (Luzi) ka deklaruar publikisht për për kezistencën e presionit poltik  si dhe i ka kërkuar politikës të qëndrojë jashtë vendimmarrjes së KQZ-së si një institucion jopolitik[34].

Koalicioni në trajtimin që i bën shkaqeve të ngërçit të sotëm në KQZ dhe tërë historikut të ngërçeve të mëparshëm, vëren se të gjitha ato kanë një kryefjalë. Një vullnet politik që prevalon gjithmonë mbi shtetin ligjor[35], pa diskutuar këtu një shtet të së drejtës. (ndërkohë që gjithë reformat ligjorë kanë synuar të kundërtën, duke u përpjekur të largojnë KQZ-në prej vullnetit politik).

Kjo sjellje e klasës politike e konkretisht e dy partive të mëdha Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ka vendosur dy standarte tejet negative përsa i përket pritshmërive në lidhje me të ardhmen e procesit zgjedhor:

a) Përtëritja e ligjit për çdo zgjedhje sipas kërkesave të tyre të ngushta politike, nuk i jep kohë ligjit të shfaqet në tërë efektet dhe problemet që krijon.
b) Ligji ndërtohet për të zgjidhur një problem apo proces zgjedhor të rradhës dhe jo me largpamësi për të ngritur një infrastukturë zgjedhore të përhershme.

Madje, KVV konstaton se dy partitë kryesore përgjatë procesit të diskutimit të reformës elektorale udhëhiqen nga principi i krijimit të sa më shumë dispozitave “mbrojtëse” apo boshllëqeve që mund të kthehen nesër në avantazhe sulmi ndaj kundërshtarit. Ndërkohë që në këtë proces ato duhet domosdoshmërisht të udhëhiqen në ndërtimin e një kuadri ligjor me rregulla të barabarta e të drejta për këdo, duke pasur si qëllim të vetëm interesat e vendit dhe respektimin katërcipërisht të vullnetit të shtetasve shqiptarë.

Sikundër konstatohet lehtë situata aktuale në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, është një ngërc i cili nuk ka asnjë argument qoftë ligjor qoftë politik për të ekzistuar.

Madje, ky ngërç po tërheq vëmendjen nga shumë elementë të rëndësishëm të procesit zgjedhor siç janë listat e zgjedhësve, teknologjia e re informative, fushata, etj.

 
Koalicioni e konsideron të pakuptimtë mungesën e deritanishëm të vullnetit për ta zgjidhur këtë ngërç, madje është i pamoralshëm përdorimi i tij për përfitime elektorale apo kredite politike qoftë tek faktorët ndërkombëtarë, qoftë tek militantët apo aktivistët tuaj, apo, qoftë edhe përdorimi i tij i mundshëm si shkak për të justifikuar fitoren apo humbjen pas 23 qershorit.

Koalicioni konstaton me keqardhje se Kodi Zgjedhor i ndërtuar dhe i miratuar nga dy partitë që Ju drejtoni është një Kod i cili varet kryekeput në çdo hallkë të tij nga vullneti politik, duke vënë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e ligjit dhe ndërtimin e shtetit ligjor aq shumë të përmendur në programet tuaja politike.

I nderuar zoti Berisha dhe z. Rama!

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit kurajon dhe vizionin tuaj për të kapërcyer interesat e ngushta partiake dhe ngërçet e panevojshme, duke u orientuar drejt interesit afatgjatë në të mirë të të gjithë shqiptarëve për ndërtimin e shtetit ligjor, të institucioneve të konsoliduara e të pavarura, në funksion të interesave dhe të të drejtave të qytetareve.

Koalicioni ju fton të gjeni kurajën dhe vullnetin e duhur duke sjellë frymën e bashkëpunimit dhe të vlerësimit reciprok, duke e futur ecurinë e mëtejshme të procesit zgjedhor në shtratin e duhur ligjor si dhe duke nxitur më tej një fushatë të qetë, të qytetëruar si dhe të orientuar drejt përballjes së platformave programore dhe çështjeve konkrete në interes të qytetarëve.
_________________________
[1]Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me Ligjin nr. 74/2012) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 2 pika 7 “Përkufizime”.

[2]Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me Ligjin nr. 74/2012) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 15 “Zgjedhja e Kryetarit të KQZ-së”.

[3]“Anëtarët e KQZ-së nuk duhet të jenë politikë, ata janë administruesit e ligjit. Dhe nëse ata fillojnë ta perceptojnë veten si politikanë dhe të fillojnë të mbajnë fjalime në KQZ, atëherë rezultati behët shumë i qartë për mua që këtu se me çfarë KQZ-je kemi të bëjmë”.

Pjesë e fjalimit të Konsulentit të Komisionit të Venecias, Nikolai Vulchanov, të mbajtur në takimin “Trashëgimia zgjedhore europiane. Kodi i praktikave të sjelljes së mirë, lidhur me çështjet elektorale”, datë 02.06.2012. http://www.panorama.com.al/2012/07/03/%E2%80%9Canetaret-e-kqz-te-jene-gjyqtare%E2%80%9D/

[4]Ligji Nr. 10 019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me Ligjin nr. 74/2012) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 13: “Mandati dhe koha e punës e anëtarëve të KQZ-së”:  “Përpara fillimit të detyrës, anëtari i zgjedhur i KQZ-së kryen betimin para Kuvendit, në një ceremoni publike. Teksti i betimit është: “Betohem në nderin tim se do të angazhohem me të gjitha forcat e mia për realizimin e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike në Republikën e Shqipërisë, do të siguroj dhe do të mbroj integritetin dhe fshehtësinë e votës, do të ruaj paanësinë në kryerjen e detyrës si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të tregoj profesionalizëm në kryerjen e saj”.”

[5]“Procesi zgjedhor nuk është ekskluzivitet dhe përgjegjësi vetëm e institucioneve zgjedhore, por edhe rezultat i kontributit të përbashkët pozitiv dhe ligjor të të gjithë aktorëve dhe partive politike”

Rezoluta "Për vlerësimin e veprimtarisë së KQZ-së për vitin 2011", miratuar më 19 Korrik 2012 me 70 vota pro të mazhorancës dhe 58 kundër të opozitës. Për më shumë tek: http://www.parlament.al/web/19_Korrik_2012_Rezolute_Per_vleresimin_e_veprimtarise_se_KQZ_se_per_vitin_2011_14584_1.php

[6]Operatorё tё tjerё zgjedhorё, qё janё nё funksion tё KQZ-sё nё organizimin e zgjedhjeve, janё Ministria e Brendshme, Njёsitё Vendore, Prefektёt, etj. Kёto organe, pjesё e Qeverisjes Qëndrore dhe Qeverisjes Vendore, janё pjesë e mekanizmit zgjedhor, por KQZ-ja mbetet qendra operative nё organizim.

[7]“... Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, sipas kësaj shkronje, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë.”

[8] “Kodi Zgjedhor pёrcakton parimet dhe rregullat pёr ndёrtimin e administartёs zgjedhore tё tё gjitha niveleve, nga KQZ-ja deri te niveli mё i ulёt i saj. Nё tё gjitha pёrcaktimet ligjore, Kodi bazohet nё njё parim themelor, atё tё baraspeshimit politik maxhorancё parlamentare- opozitё parlamentare. Baraspeshimi ёshtё themeli i kompozimit tё KQZ-sё, i secilёs KZAZ-je, KQV-je apo grupi numёrimi. Baraspeshimi ёshtё parimi themelor, qё rregullon ndarjen e barabartё tё kontrollit tё maxhorancёs vendimmarrёse tё komisioneve zgjedhore, ku gjysma e komisioneve tё secilit kontrollohet nga maxhoranca qeverisёse dhe gjysma kontrollohet nga opozita parlamentare.” Fjala e mbajtur nga z. Gent Strazimiri, parashtruesi i Kёrkesёs sё Partisё Demokratike Demokratike “Pёr lirimin nga detyra tё njё anёtari tё Komisionit Qendror tё Zgjedhjeve”nё “Komisionin pёr Çёshtjet Ligjore, Administratёn Publike dhe tё Drejtat e Njeriut”, Proçes-verbali i mbledhjes së datёs 10.04.2013 të këtij Komisioni.

[9] Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me Ligjin nr. 74/2012) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 14, Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së

[10] “Ndryshimi i baraspeshimit politik, sipas Partisё Demokratike shuan shpresat pёr njё proçes tё ndershёm tё shqyrtimit tё ankesave zgjedhore nga administrata zgjedhore. Prishja e baraspeshёs, nё formёn si ёshtё realizuar, me zhvillimet e fundit politike, ёshtё paralajmёrim i manipulimit dhe provё e platformёs pёrsёri pёr manipulim.” Relacioni i Kёrkesёs sё Partisё Demokratike “Pёr lirimin nga detyra tё njё anёtari tё KQZ-sё”, datё 10.04.2013.

[11] “... Bazuar nga sa mё sipёr, nё emёr tё Grupit Parlamentar tё Partisё Demokratike, i kёrkojmё Kuvendit tё lirojё nga detyra anёtarin e KQZ-sё, zotin Ilirian Muho, tё emёruar si anёtar i KQZ-sё nё anёn e mazhorancёs qeverisёse, me propozim tё LSI-sё, si dhe ta nisё pa vonesё proçedurёn pёr zёvendёsimin e vakancёs sё krijuar, nё pёrputhje me parimin e baraspeshimit politik dhe rregullat e tjera tё pёrcaktuara nё Kodin Zgjedhor.” Fjala e mbajtur nga z. Gent Strazimiri, parashtruesi i Kёrkesёs sё Partisё Demokratike nё “Komisionin pёr Çёshtjet Ligjore, Administratёn Publike dhe tё Drejtat e Njeriut”, Proçesverbali i mbledhjes së datёs 10.04.2013.

[12] Shkresa me Nr. 768, datё 15.04.2013.

[13]Gërma ë: “Anëtar i KQZ -së mund të emërohet çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili përmbush këto kritere:

c) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.”

[14] Nё vitin 2003, Ilirja Muho ёshtё shkarkuar si Prokuror i Rrethit tё Fierit me dekretin nr. 3727, datё 13.03.2003, tё Presidentit të Republikës z. Alfred Moisiu mbi bazёn e Nenit 32/b  dhe Nenit 33/1/ç tё “Ligjit pёr Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisё”, Nr.8737, datë 12.02.2001.

Nenit 32/b: “Quhen shkelje të disiplinës në punë:  b) zvarritjet e rënda ose sistematike të procedimeve ose të detyrave të tjera të ngarkuara ose mospërmbushja e detyrave”; Neni 33/1/ç - 1. “Për shkelje të disiplinës ndaj prokurorëve merren këto masa: ç) shkarkim nga detyra”.

[15]Deklaratë për ndërprerjen e vullnetshme të funksionit: “Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve.” Shkresa e komisionerit Denar Biba dërguar Kryetares dhe anëtarëve të KQZ-së datë 16.04.2013.

[16]Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me Ligjin nr. 74/2012) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 19.3 “Në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës.”

[17]Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me Ligjin nr. 74/2012) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni  19.2 “Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin që i kishte mbaruar mandati, nëse subjekti i plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të këtij Kodi.”

[18]Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me Ligjin nr. 74/2012) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 12/d, Neni 12/ë: “Përbërja e KQZ-së”.

[19]Risjellim në kujtesë në këtë dispozitë të Kodit Zgjedhor rastin e Haki Mustafës, një prej katër kandidaturave finaliste për Kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një kandidat që mbante funksionin e Kryetarit të Njësisë Nr.11 në Tiranë, pra një i votuar dhe i deklaruar politik në zgjedhjet Lokale të 2011, por që kaloi në Kuvend për votim.

[20]Dekreti Nr. 3727, 13.03.2003 “Për Shkarkim Prokurori”

[21]http://gazetadita.al/procesverbali-deputetet-e-pd-se-nuk-i-bene-asnje-pyetje-ilirjan-muhos/

http://www.gazetatema.net/web/2012/10/02/beteja-per-kqz-lsi-nje-kandidat-te-shkarkuar-si-prokuror/

[22]“Nisur nga fakti se Partia Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi largimin e saj nga grupi i partive që i përkasin shumicës parlamentare, rezulton se vendimi i KQZ-së nr. 1, datë 7.01.2013 pjesërisht nuk i përgjigjet më rrethanave apo kushteve konkrete, duke u bërë njëkohësisht edhe pengesë për rregullimin e mëtejshëm të marrëdhënieve juridike, pasi me kushtet e reja të krijuara, prish pikërisht baraspeshimin politik shumicë-opozitë në përbërjen e KZAZ-ve. Në këto kushte KQZ si organi administrativ i cili ka nxjerr vendimin nr. 1, datë 7.01.2013 “ Për caktimin e partive politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë  të KZAZ-ve për Zgjedhjet për Kuvend të datës 23.06.2013” në bazë të nenit 121 të Kodit të Procedurave Administrative ka të drejtë të bëjë ndryshimin e tij, në mënyrë që të respektojë dispozitat e Kodit Zgejdhor për sa i përket përbërjes së KZAZ-ve.” Vendimi Nr. 265 i KQZ-së , datё 23.04.2013

[23]“Për caktimin e anëtarit të Partisë Lëvizja Socialiste pёr Integrim në përbërje të KZAZ-ve” Vendimi Nr. 270 i KQZ-së, datё 24.04.2013.

[24]Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me Ligjin nr. 74/2012) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 32 “Shkarkimi dhe lirimi i anëtarëve dhe i sekretarit të KZAZ-së”.

[25]Në ecurinë kohore të ndërtimit të KQZ-së evidentohen dy trajektore kryesore.

Ecuria e parë, është ajo e një KQZ-je që reflekton në anëtarësinë e saj terrenin politik. Pra, konfigurimi politik i Kuvendit sjell reflektimin në atë moment të partive politike në KQZ.   Ndërsa ecuria tjetër është ndërtimi i një institucioni me përzgjedhje ndërinstitucionale. Institucione si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Presidenti dhe Kuvendi përzgjidhnin anëtarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

[26]Dekreti Nr. 1579, datë 13.08.1996 “Për ndërtimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Republikës së Shqipërisë”,  Neni 4 ... Në rast se partia politike që bën pjesë në grupin e koalicionit qeveritar ose të opozitës, largohet nga ky grup, atëherë edhe vendi ose vendet që i takojnë asaj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rishpërndahen brenda grupimit përkatës në përputhje me kriterin e vendosur në paragrafin 2 të nenit 3.

[27]Kodi Zgjedhor, Neni 14 “Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së”

[28]Vetë Gjykata Kushtetuese në traditën e vet të marrjes së vendimeve, termat shumicë dhe pakicë parlamentare i përdor si grupime që diferencojnë nga numra mandatesh dhe nuk janë grupime politike. Në marrjen e vendimeve të saj vendos një shenjë mosbarazimi mes termit “ekzekutiv” apo “qeveri” dhe “shumicë parlamentare”. Një shembull për këtë është edhe vendimi me objekt “Interpretimi përfundimtar i nenit 77 pika 2 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë”. “... Kjo e drejtë shërben njëkohësisht edhe si një mjet në duart e pakicës parlamentare për të ushtruar kontroll kryesisht kundrejt ekzekutivit dhe për të kërkuar vënien përpara përgjegjësisë të mbajtësve të pushtetit. Në një sistem parlamentar, duke qenë se qeveria formohet nga shumica parlamentare, e cila ka në dorë shumë mjete të tjera ligjore, e drejta e kontrollit hetimor i është njohur sidomos pakicës, që duke i patur të kufizuara mjetet e saj, ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues.” Vendimi Nr.18, datë 14.05.2003, i Gjykatës Kushtetuese.

[29] Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, Raporti i Parë i Ndërmjetëm i monitorimit 12 Shtator 2012 - 14 Mars 2013. Për më shumë tek: http://www.zgjedhje.al/index.php?idart=40&gj=sh

[30]“Anëtarët e KQZ-së nuk duhet të jenë politikë, ata janë administruesit e ligjit. Dhe nëse ata fillojnë ta perceptojnë veten si politikanë dhe të fillojnë të mbajnë fjalime më KQZ, atëherë rezultati behët shumë i qartë për mua që këtu se me çfarë KQZ-je kemi të bëjmë”. Pjesë e fjalimit të Konsulentit të Komisionit të Venecias, Nikolai Vulchanov, të mbajtur në takimin “Trashëgimia zgjedhore europiane. Kodi i praktikave të sjelljes së mirë, lidhur me çështjet elektorale”, datë 02.06.2012. http://www.panorama.com.al/2012/07/03/%E2%80%9Canetaret-e-kqz-te-jene-gjyqtare%E2%80%9D/

[31]Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me Ligjin nr. 74/2012) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 13 “Mandati dhe koha e punës e anëtarëve të KQZ-së”.

[32]Ligji Nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 15, “Zgjedhja e Kryetarit të KQZ-së”

[33]http://www.parlament.al/web/19_Korrik_2012_Rezolute_Per_vleresimin_e_veprimtarise_se_KQZ_se_per_vitin_2011_14584_1.php

[34] Fjala e Kryetares së KQZ-së, Lefterije Luzi (Lleshi), në konferencën "Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zgjedhjet Parlamentare 2013 në Shqipëri”, e organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë. “Në asnjë moment, në këto pak muaj pune si Kryetare e KQZ-së, nuk kam vënë re që subjektet politike të gjejnë kurajë për të mos ushtruar presion politik në tavolinën vendimmarrëse të KQZ-së, dhe aq më pak të vlerësojnë votën individuale dhe ndonjëherë edhe vendimmarrjen kolegjiale të saj!”, datë 28.03.2013. http://www.cec.org.al/index.php?option=com_content&view=article&id=410:njoftim-per-shtyp-27032013&catid=51:deklarata-2010&Itemid=158&lang=sq

[35]Lirimi i Komisionerit Muho nuk është rasti i parë që sjell diskutime në lidhje me largimin e Komisionerëve të KQZ-së me shkak vullnetin politik. Bëhet fjalë për rastin e Komisionerit Maksim Shimani, i emëruar prej Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mandati kushtetues i të cilit në Nëntor të vitit 2004 u ndërpre, dhe ai u zëvendësua me Komisionerin Çlirim Gjata. Shkak për këtë ndërrim u bë dakortësia e dy forcave të mëdha politike për rivendosur balancat në KQZ-në e asaj kohe.

 


Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë

Përfaqësuesit e organizatave Drejtuese

 
     Gerta META                                 Premto GOGO                       Rajmonda PRIFTI

Drejtore Ekzekutive                              Kryetar                               Drejtore Ekzekutive

 

Shoqata për Kulturë              KRIIK Albania                       Shoqata për Gratë

    Demokratike                                                                                      dhe Fëmijët
 

Tiranë, më 14 Maj 2013!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore