‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti i Parëi Ndërmjetëm i monitorimit 12 Shtator 2012 - 14 Mars 2013
18/03/2013

Shkarko Raportin e Plotë në .pdf

  • Më datën 3 Dhjetor 2012 Presidenti i Republikës shpalli datën 23 Qershor 2013 si datën e zhvillimit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
  • Zgjedhjet e 23 Qershorit zhvillohen me një kuadër ligjor të përmirësuar pas Reformës Elektorale të vitit 2012, përgjatë së cilës u prekën afro gjysma e neneve të Kodit Zgjedhor.
  • Zgjedhjet Parlamentare do të mbahen në një situatë të polarizuar politikisht, në një situatë ekonomike të rënduar si dhe me një situatë kriminaliteti në rritje.
  • Gati të gjitha partitë kryesore kanë nisur fushatën elektorale, duke shkelur hapur Kodin Zgjedhor. Nisja e parakohshme e fushatës ka ulur ritmin e funksionimit të institucioneve shtetërore.
  • Zgjedhjet do të administrohen në nivel lokal nga 89 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe 5505 Komisione të Qendrave të Votimit.
  • Megjithëse kuadrit ligjor i janë bërë përmirësime sinjifikative, evidentohen një sërë vërejtjesh që lidhen me:  

-       periudhën e shkurtër të pasjes në dispozicion për absorbimin më të mirë të ndryshimeve të Kodit;

-       hapat mbrapa që kanë të bëjnë me zbatimin e kuotave gjinore, në kundërshtim me konsensusin dhe frymën e shfaqur gjatë reformës elektorale.

  • Përdorimi i teknoligjive të reja, i Sistemit Elektronik të Verifikimit (SEV) dhe i Sistemit Elektronik të Numërimit (SEN), është një projekt pilot shumë i rëndësishëm, por deri tani për zbatimin e tyre janë shkelur të gjitha afatet e parashikuara.
  • Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u konstitua pas një procesi me shkelje proceduriale dhe afatesh që i faturohen Kuvendit të Shqipërisë.
  • Formula e zgjedhjes së KQZ-së është kontradiktore. Kryetari zgjidhet me konkurim të hapur publik dhe nga kandidatura jo-politike, ndërsa zgjedhja e 6 anëtarëve të tjerë bëhet sipas parimit të balancimit politik në KQZ.
  • Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka treguar sjellje shpesh të orientuar sipas debatit politik të partive apo të përfaqësuesve të tyre.
  • KQZ përgjatë kësaj periudhe  ka shmangur përmbushjen e disa detyrimeve të vëna nga Kodi Zgjedhor, nuk ka respektuar afate të parashikuara në legjislacionin zgjedhor, janë vërejtur shkelje proceduriale në funksionimin e tij, si dhe ka treguar performancë të ulët dhe mungesë profesionalizimi.
  • Procesi i publikimit dhe saktësimit të listave të zgjedhësve vazhdon të mbetet problematik. Ka një numër të madh zgjedhësish pa adresë (ose me kodin 999) për të cilët nuk dihet si do të operohet.
  • Një pjesë e Njësive të Qeverisjes Vendore kanë probleme me publikimin e ekstrakteve të përbërësve zgjedhore pasi zyrat e gjendjes civile kanë mungesë të bazës materiale.
  • Dispozita e vetme ligjore që detyron shtetin shqiptar të njoftojë çdo qytetar për qënien apo jo në listë të tij, nuk u zbatua. Ky afat ishte data 3 Mars 2013.
  • Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile në kundërshtim me ligjin, gjeneroi modelin e njoftimit pranë zyrave të gjendjes civile vetëm pas datës 3 mars 2013.
  • Ministria e Brendshme, në kundërshtim me ligjin, nuk i lëvroi Njësive të Qeverisjes Vendore fondin e nevojshëm për njoftimin e zgjedhësve.
  • Fushata zgjedhore ka nisur nga partitë kryesore politike në kundërshtim me Kodin Zgjedhor i cili sanksionon se fushata elektorale fillon me datën 23 maj 2013.
  • Zyrtarë të lartë të shtetit shfrytëzojnë për fushata eletorale partiake aktivitete të organizuara në kuadrin e institucioneve shtetërore.
  • Amendimet në nenet që kanë të bëjnë me kuotën gjinore, të bëra pa kujdes në teknikën legjislative të ndjekur, në vend që të sillnin më shumë zbatim të kuotave të barazisë gjinore, hoqën edhe ato pak arritje të siguruara deri në atë moment.
  • Procesi zgjedhor deri në këtë moment, ka krijuar dy precedentë të fortë në dhënien e drejtësisë në çështje zgjedhore. Dy kazuse ligjore, ku dy partitë kryesore Partia Socialiste dhe Partia Demokratike investojnë Kolegjin Zgjedhor dhe Gjykatën Kushtetuese.
  • Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për caktimin e ZAZ-ve, konsiderohet një vendim i marrë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe procedura të tjera ligjore.

 

IV. REKOMANDIME

- KOMISIONIT QËNDROR TË ZGJEDHJEVE

  • KQZ duhet të angazhohet për të funksionuar me një frymë kolegjialiteti.
  • Anëtarët e KQZ-së duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin dhe në punën e tyre të udhëhiqen vetëm nga ligji.
  • KQZ duhet të respektojë me rigorozitet afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe të ushtrojë autoritetin e saj për të ndikuat në zbatimin me rigorozitet të ligjit edhe nga institucione të tjera që marrin pjesë në ndërtimin e infrastrukturës zgjedhore.
  • KQZ duhet të miratojë sa më parë rregulloren për funksionimin dhe organizimin e KQZ-së, ku duhet të përfshijë midis të tjerash edhe marrëdhëniet me administratën, apo aspekte të tjera të funksionimit të KQZ-së.
  • KQZ duhet të marrë sa më parë të gjitha masat e nevojshme për funksionalitetin e dy teknologjive të reja SEV dhe SEN.
  • KQZ duhet të bëjë transparencën e nevojshme dhe të informojë opinionin publik dhe aktorët e interesuar në lidhje me zbatimin e teknologjisë SEV.
  • KQZ duhet verifikojë sa më parë dokumentacionin përkatës të kandidatëve për anëtar të KZAZ-ve. Të sigurojë plotësimin e kuotës gjinore për kandidatët e dy partive të mëdha.
  • KQZ duhet të miratojë sa më parë manualin dhe materialet e tjera të nevojshme për nisjen e trajnimeve të anëtarëve të KZAZ-ve.
  • KQZ duhet t’i kushtojë mjaft rëndësi trajnimit të komisionerëve të KZAZ-ve si personat kyç për administrimin e zgjedhjeve në nivel lokal.
  • KQZ duhet parashikojë edhe trajnimin e anëtarëve të Bordit të Monitorimit të Medias, në veçanti në lidhje me aftësitë e tyre për të gjykuar mbi zbatimin e ligjit zgjedhor nga mediat.
  • Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve duhet të ndjekë me më shumë vëmendje të gjithë procesin e përgatitjes së listave të zgjedhësve. Raportet e auditeve teknicienë duhet të përdoren me efikasitet nga KQZ për të përmirësuar në maksimum procesin e saktësimit të listave.
  • KQZ duhet të orientojë auditët teknicienë për mënyrat e raportimit në mënyrë që të krijojë një gjykim  të drejtë mbi raportet që i paraqiten.

 

- MINISTRISË SË BRENDSHME

  • Të shfrytëzojë të gjitha hapësirat ligjore për të hartuar një udhëzim tjetër me synim njoftimin e zgjedhësve. Në vazhdim t’u lëvrojë të gjitha NJQV-ve fondin përkatës për njoftimin e zgjedhësve.
  • Të pajisë sa më parë zyrat e gjendjes civile pranë Njësive të Qeverisjes Vendore me bazën materiale të nevojshme.
  • T’i japë zgjidhje problemit të zgjedhësve pa adresë vendbanimi dhe t’i udhëzojë NJQV-të se si duhet të veprojnë me këto lista.
  • Ministria e Brendshme duhet të fillojë sa më shpejt fushatën publicitare për të informuar zgjedhësit për kontrollin e emrit të tyre nëpër lista si edhe proçedurën që duhet të ndjekin ata në raste problematike.

 

- KËSHILLIT TË MINISTRAVE

  • Të marrë në shqyrtim dhe të lehtësojë problemin e pajisjes me karta identiteti të të rinjve që votojnë për herë të parë, si dhe të atyre personave që nuk janë pajisur ndonjëherë me kartë identiteti, në mënyrë që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar.

 

 - PARTIVE POLITIKE

  • Partitë Politike duhet të heqin menjeherë dorë nga zhvillimi i paligjshëm i fushatës në zbatim të Kodit Zgjedhor. Ato duhet ta fillojë atë në datën 23 Maj 2013 sikundër sanksionohet në Kod.
  • Partitë politike duhet të angazhohen për ndërmarrjen e hapave konkrete për rritjen e besimit mes palëve për të realizuar një proces me sa më shumë standarte në të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.
  • Partitë Politike duhet shmangin ushtrimin e presionit ndaj KQZ-së dhe adminstratës zgjedhore në varësi, qoftë edhe në nivelin e deklaratave publike.
  • Partitë politike duhet të angazhohen në mospërdorimin e burimeve njerëzore dhe materiale, të administratës publike në nivel qëndror e lokal, të mospërdorimit të aseteve dhe fondeve publike, për qëllime elektorale, përveçse në përputhje me dispozitat e kodit zgjedhor.
  • Partitë politike duhet të angazhohen në mospërdorimin si dekor, si pjesëmarrës apo si aktivist të fëmijëve në të gjitha aktivitetet, apo takimet e tyre.
  • Partitë politike duhet të angazhohen për të zbatuar maksimalisht kuotat gjinore të parashikuara.
  • Partitë politike duhet të përgatiten për një fushatë zgjedhore të qetë, me etikë të lartë, ku të dominojnë përballja e platformave dhe programeve në të mirë dhe interes të qytetarit, si dhe të përgatiten për t’i servirur qytetarit premtime të vërteta, vizionare dhe të realizueshme.
  • Partitë Politike duhet të angazhohen e të jenë të gatshme për nënshkrimin e Kodit të Etikës dhe të Sjelljes së Mirë përgjatë fushatës elektorale.

 

- MEDIAS

  • Media elektronike dhe ajo e shkruar duhet t’i shërbejne misionit të informimit me vërtetësi dhe objektivitet të qytetarit, larg interesave politike.
  • Televizionit Publik Shtetëror i bëjmë thirrje të jetë një media e pavaruar që transmeton me përgjeshmëri, paanësi dhe objektivitet si një televizion i të gjithë qytetarëve.

 

- NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE

  • Të ushtrojnë të gjithë autoritetin dhe burimet e tyre për një proces sa më të arrirë të saktësimit të listave zgjedhore.
  • Të bëjnë ç’është e mundur për të njoftuar zgjedhësit nëse janë apo jo pjesë e listave zgjedhore paraprake.
  • Të shpallin listat e zgjedhësve në ambiente pranë zyrave të gjendjes civile, në ambiente të hapura dhe me akses të lirë në çdo kohë për qytetarët.
  • Të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të marrin masat e nevojshme për t’u krijuar kushtet e përshtatshme për të votuar personave me aftësi të kufizuara. Ato duhet të kenë informacion mbi numrin dhe vendndodhjen e këtyre personave në mënyrë që t’ia kalojnë këtë informacion KQZ-së.
  • Gjithashtu, Njësitë e Qeverisjes Vendnore duhet të kenë kujdes për regjistrimin e komunitetit rom në listat e zgjedhësve.

 

POLICISË SË SHTETIT

  • Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë vlerëson kontributin dhe qëndrimin profesional të policisë së shtetit në proceset e fundit zgjedhore.

Koalicioni nxit Policinë e shtetit që edhe në këto zgjedhje roli dhe sjellja e forcave të rendit të jetë në përmbushje të detyrimeve ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe gjithe etapat e tjera të procesit zgjedhor.

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore