‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Mosnjoftimi i zgjedhësve, shkelje serioze e procesit të saktësimit të listave!
27/02/2013

D E K L A R A T Ë

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) përgëzon dhe mbështet fort Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve në zbatimin me korrektësi dhe pa ekuivok të ligjit, nisur nga vendimi i datës 22 Shkurt për marrjen e masave administrative ndaj Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore të cilët nuk kanë zbatuar kriteret ligjore përsa iu përket të dhënave në lidhje me qendrat e votimit dhe listën e zgjedhësve.

Marrja e masës administrative "dënim me gjobë" për 139 kryetarë të njësive të Qeverisjes Vendore, nuk duhet parë si qëllim më vete dhe as si përmbushje e misionit të KQZ-së.

Ky qëndrim duhet të prevalojë në mënyrë të palëkundur në punën dhe misionin e KQZ-së për të ushtruar presionin e nevojshëm dhe për të marrë masat e duhura kundrejt të gjithë institucioneve apo strukturave të cilat dëmtojnë përgatitjen në kohë dhe sipas kritereve të kërkuara  të infrastrukturës zgjedhore, e veçanërisht aspektit të përgatitjes dhe publikimit të listave të zgjedhësve.

Koalicioni është shprehur publikisht më parë[1] në lidhje me procesin e përgatitjes dhe publikimit të ekstraktit të parë dhe të dytë të listës së zgjedhësve, ku ka vënë theksin ndër të tjera për përmbushjen e detyrimit ligjor të njoftimit të zgjedhësve brenda datës 3 mars 2013.   

Me shumë shqetësim deri më sot konstatohet se asgjë nuk ka ndryshuar nga situata e paraqitur në deklaratën e datës 10 Shkurt 2013.

Nga kontaktet e marra me Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe Ministrinë e Brendshme, vërehet se po veprohet në mënyrë flagrante ndaj të vetmit detyrim ligjor që ka shteti shqiptar për të njoftuar me shkrim dhe me kundër-firmë çdo zgjedhës në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku t'i bëjë me dije nëse është i përfshirë në listat e zgjedhësve, me çfarë numri rendor si dhe në cilën qendër votimi do të votojë.

Ky proces nuk ka filluar jo vetëm në 139 Njësitë e Qeverisjes Vendore që kanë pasur apo kanë probleme me listat dhe vendndodhjet e qendrave të votimit të gjobitura nga KQZ-ja,  por, nuk ka filluar në asnjë Njësi të Qeverisjes Vendore në mbarë vendin. Kjo i faturohet Ministrisë së Brendshme pasi nuk ka lëvruar fondin përkatës për njoftimin e zgjedhësve dhe Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile nuk gjeneron pranë njësive te pushtetit vendor "Modelin Nr. 1", të nevojshëm për tu përdorur për njoftimin e qytetarëve.

Koalicioni e konsideron alarmante këtë situatë, pasi pas datës 3 Mars askush nuk detyrohet më nga ligji për të njoftuar qytetarët për qënien apo jo të tyre në listë.

Pas kësaj date mbetet vetëm përgjegjësi e qytetarëve për të verifikuar dhe saktësuar nëse ata do të figurojnë në listat finale të zgjedhësve.

Koalicioni i kërkon në mënyrë urgjente Ministrit të Brendshëm të ushtrojë autoritetin e tij në përmbushje të ligjit për të detyruar RKGJC të gjenerojë modelin e njoftimit pranë Njësive të Qeverisjes Vendore si dhe të lëvrojë sa më parë buxhetin përkatës.

Madje, Koalicioni e nxit Ministrin e Brendshëm të gjejë hapësirat që i siguron ligji për të bërë të mundur përmbushjen e procesit të njoftimit të qytetarëve, edhe pas kalimit të afatit ligjor të parashikuar.

Po ashtu, Ministria e Brendshme duhet urgjentisht të mbyllë procedurat e prokurimeve dhe të furnizojë me bazën e nevojshme materiale Zyrat e Gjendjes Civile pranë Njësive të Qeverisjes Vendore, në mënyrë që të mos pengohet publikimi i ekstraktit të tretë të përbërësve zgjedhorë i parashikuar më datën 3 mars 2013.

Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve duhet të ndjekë me më shumë vëmendje të gjithë procesin e përgatitjes së listave të zgjedhësve, madje duhet të ushtrojë presionin e nevojshëm dhe të kërkojë informacion nga të gjitha institucionet përkatëse jo vetëm mbi procesin e hartimit të tyre, por edhe mbi atë të shpalljes dhe njoftimit të qytetarëve si pjesë e procesit të verifikimit dhe saktësimit të të dhënave.

Gjithashtu, në lidhje me 34 Njësitë e Qeverisjes Vendore të cilat nuk kanë dhënë asnjë informacion pranë KQZ-së apo 57 të tjerat që e kanë sjellë këtë informacion me mangësi, Koalicioni i kërkon KQZ-së të ushtrojë presion mbi to mbi afate të përcaktuara për t'i detyruar në zbatimin e ligjit, madje të ndërmarrë sërish masa të tjera më të forta sipas kompetencave që i lejon ligji.



[1] Deklarata e datës 9 Janar 2013 "Listat paraprake të zgjedhësve ende të pasakta e të papublikuara" (http://www.zgjedhje.al/index.php?idart=36&gj=sh) , dhe deklarata e datës 10 Shkurt 2013 "Listat paraprake të zgjedhësve, mundësi të kufizuara për informimin e votuesve" (http://www.zgjedhje.al/index.php?idart=38&gj=sh)

Tiranë, më 27 Shkurt 2013! 

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore