‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të rishqyrtojë caktimin e mandateve të zonave zgjedhore !
19/01/2013

L E T Ë R   E   H A P U R

Drejtuar:

Kryetares së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve

Anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve

Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë

 

Për dijeni:

Kryetarëve të Partive Politike Parlamentare

Misionit të OSBE / ODIHR

Delegacionit të Bashkimit Europian

Zyrës së Këshillit të Europës

Ambasadës së Shteteve të Bashkuara

Opinionit Publik

 

E nderuar znj. Kryetare e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve!

Të nderuar Anëtarë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve!

Të nderuar Anëtarë të Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë!

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë po ndjek me shumë vëmendje procesin e ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore për Zgjedhjet e Ardhshme Parlamentare të 23 Qershorit 2013.

Duke vlerësuar të drejtat e qytetarëve si të drejta themelore e të patjetërsueshme, mbi respektimin katërcipërisht të të cilave duhet të ngrihet dhe të funksionojë shteti ligjor dhe i së drejtës, Koalicioni vëren se procesi i ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk po respekton të drejtën kushtetuese të barazisë së votës së qytetarëve[1].

Një ndarje mandatesh pa respektuar procedurat dhe kompetencat e përcaktuar qartazi në Kodin Zgjedhor, do të sillte si pasojë pesha elektorale të diferencuara të votave të qytetarëve nëpër qarqe, duke prodhuar një proçes zgjedhor të vesuar (të metë) edhe sikur të gjitha standartet e tjera të plotësoheshin pa asnjë lloj vërejtje.

Duke analizuar procesin e deritanishëm, Koalicioni vëren se:

Në zbatim të Kodit Zgjedhor, Ministria e Brendshme i dërgoi KQZ-së më datën 9 Nëntor 2012 të dhënat mbi numrin e përgjithshëm të popullsisë. KQZ mori në shqyrtim çështjen e ndarjes së mandateve të zonave zgjedhore më datën 21 Nëntor 2012.

 

Nënkryetari dhe dy anëtarë të KQZ-së të propozuar nga opozita kërkuan të kenë informacione shtesë në lidhje me lëvizjet e popullsisë në qarkun e Kukësit, duke bërë që shqyrtimi i çështjes të shtyhet.

Çështja u rimorr në diskutim në mbledhjen e datës 23 Nëntor, por duke qenë se përgjigja nga Ministria e Brendshme nuk jepte të dhëna mbi informacionin e kërkuar, pasi i konsideronte ato të dhëna personale, tre komisionerët këmbëngulën për mosshqyrtimin e çështjes deri më marrjen e informacionit të kërkuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i gjendur në këtë situatë, vendosi të mos caktojë numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin 2013[2].

Duke qenë se dita e zgjedhjeve ende nuk ishte dekretuar, afati ligjor për të ankimuar vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit ishte 30 ditë, pra deri më datën 24 Dhjetor 2012, por asnjë subjekt i interesuar nuk e ndërmorri këtë hap.

Më datën 11 Janar 2013, Sekretarja e Përgjithshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me shkresën Nr.Prot. 174 "Informacion në lidhje me zbatimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore të Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013", i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, ku në paragrafin e parafundit i kërkon Kuvendit të investohet për përmbylljen e procedurave në lidhje me caktimin e mandateve të zonave zgjedhore[3].

Në lidhje me këtë proces Koalicioni konstaton se:

Neni 76 në pikën dy dhe tre[4] dhe Neni 24 pika 1 gërma "ë", përcaktojnë dy momente proçeduriale: përcaktimin e mandave për çdo zonë si edhe miratimin e mandave të çdo zone.

Tagri për hapin e parë i takon ekskluzivisht, sipas neneve të sipërpërmendura, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkon shumicë të cilësuar për miratim prej jo më pak se 5 votash pro të anëtarëve të KQZ-së.  Kur ky hap është hedhur, investohet Kuvendi, i cili e miraton mbi bazën e materialit që i dërgohet prej KQZ-së.

       Kodi Zgjedhor parashikon në pikën 2 të Nenit 76 se KQZ duhet të bëjë llogaritjen dhe përcaktimin e mandateve jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave. Duke qenë se të dhënat në KQZ janë dorëzuar më 9 Nëntor 2012, afati është ezauruar më datën 24 Nëntor 2012, madje deri më sot, në këtë pikë,  KQZ është treguar e pazonja për realizmin e afateve të Kodit Zgjedhor ndaj proçesi nuk mund të vazhdojë më tej.

Por, Kodi Zgjedhor lë një shteg sigurie në rastin eventual. Ndonëse në pikën dy të Nenit 76 kërkon një proçedurë të përshpejtuar të Kuvendit për miratim, në pikën tre të po këtij neni Kodi Zgjedhor përcakton se për çdo rast afati maksimal i përcaktuar për miratimin e mandateve është deri në 6 muaj para fundit të mandatit të Kuvendit, pra deri më datën 7 Mars 2013.

Në këtë pikë shihet një indulgjencë e vetë Kodit Zgjedhor përsa i përket afateve, duke qenë se i jep kohë Kuvendit për finalizimin e proçesit, rrjedhimisht i jep kohë edhe hallkave të mëparshme siç është Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, të ezaurojnë kompetencën dhe detyrimin e tyre, pavarësisht afateve të kaluara e të shkelura tashmë.

KQZ si një organ kolegjial, në kushtet e mospërmbushjes së detyrimeve ligjore dhe detyrimit madhor kushtetues për caktimin e mandateve, i ka të gjitha tagrat për të marrë në shqyrtim sërish çështjen e përcaktimit të mandateve, madje duke ribërë ndarjen e mandateve mbi bazën e numrit të popullsisë në periudhën e tanishme.

       Kjo do të maksimizonte akoma më shumë përmbushjen e detyrimit kushtetues mbi barazinë e votës, pasi në përllogaritjet e tanishme të ndarjes së mandateve do të reflektoheshin edhe lëvizjet e mundshme të popullsisë që mund të jenë bërë pas datës 7 Nëntor e deri në periudhën kur do të merret në rishqyrtim çështja.

Rimarrja në shqyrtim e çështjes së ndarjes së mandateve prej KQZ-së, nxitet akoma më shumë nga Koalicioni, duke pasur parasysh mosqënien aspak korrekt me ligjin të vendimit Nr. 15 datë 23 Nëntor 2012 "Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013", ku KQZ vendosi për të mos caktuar ndarjen e mandateve për Zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit 2013.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për një detyrë absolute që ia ngarkon Kodi Zgjedhor përkatësisht në Nenin 76 dhe Nenin 24, nuk mundet në asnjë rast të heq dorë.

Vendimmarrja në një mbledhje për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar prej jo më pak se 5 vota, nuk mund të rezultojë me vendim me katër vota, pasi në kuptim të nenit 22 pika 5, këto mbledhje as nuk mund të zhvillohen nëse nuk marrin pjesë së paku 5 anëtarë, dhe sigurisht që vendimi kërkon së paku 5 vota pro.

Për më tepër, argumenti i përdorur, se merret ky vendim pasi nuk arrihet shumicë e cilësuar votimi prej së paku 5 votash pro, është i pavend dhe kundër frymës së Kodit Zgjedhor dhe funksionimit të KQZ-së si një institucion kolegjial dhe i pavarur.

Si i tillë, ky vendim jo vetëm që nuk ka asnjë pasojë faktike në lidhje me përgatitjen e procesit zgjedhor, por as nuk mund të përdoret si vendimmarrje e parë për tu ndjekur nga vendimmarrja në vazhdimësi proceduriale, e Kuvendit të Shqipërisë, sikundër është kërkuar zyrtarisht nga Sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së.

Koalicioni deklaron se në mënyrë kategorike Sekretarja e Përgjithshme e Administratës së KQZ-së, nuk ka tagër që të investojë Kuvendin, sepse bazuar në Nenin 20 pika 1 gërma "a" të Kodit Zgjedhor, është Kryetari ai që e përfaqëson KQZ-në në marrëdhënie me institucionet e tjera. Sekretarja e Përgjithshme i ka të përcaktuara qartë detyrat dhe kompetencat e saj në Nenin 25 të kodi Zgjedhor e veçanërisht në pikën 4 të tij.

Kjo situatë sjell edhe njëherë në vëmendje miratimin me urgjencë të rregullores "Për Organizimin dhe funksionimin e KQZ-së", e cila duhet të ishte miratuar që më datën 26 Dhjetor 2012, pasi KQZ nuk mund të administrojë procesin në mënyrë korrekte pa një rregullore në fuqi.

Madje, edhe nëse do të pranohej në fuqi rregullorja "Për Organizimin dhe funksionimin e KQZ-së" e miratuar me Vendimin nr. 26, datë 3 Mars 2005, sikundër pretendohet dhe merret e mirëqenë prej KQZ-së[5], Sekretari i Përgjithshëm edhe në këtë rregullorë në asnjë moment nuk shihet si aktor ndaj të tretëve. Ata që mund të komunikojnë në emër të KQZ-së janë vetëm Kryetari, Nënkryetari dhe Anëtarët[6] e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Kuvendi nuk mund të investohet jo vetëm në saj të delegjimitetit të shkresës së përcjellë nga Sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, por edhe për përmbajtjen e kësaj shkrese, ku i ofrohet Kuvendit për të parë, dhe në logjikën proçeduriale për të miratuar[7], vendimin e KQZ-së të datës 12.02.2009 "Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009".

Neni 76 pika 3 e Kodit Zgjedhor nuk lë asnjë hapësirë diskutimi për këtë pikë, pasi përcakton prerë se vetëm në rast të zgjedhjeve të parakohshme nuk bëhet rishikim i numrit të mandateve, çka nënkupton se për Zgjedhjet Parlamentare të 2013 nuk mund të përdoret ndarja e mandateve për zonat zgjedhore e Zgjedhjeve Parlamentare të 2009, por duhet një ndarje e re.

Mbi të gjitha, mosndarja e re e mandateve për zgjedhjet e ardhshme, përbën një shkelje të mirëfilltë kushtetuese përsa i përket barazisë së votës së qytetarëve.

 

Në konkludim për sa më sipër, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i kërkon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që të marrë në shqyrtim sërish çështjen e përcaktimit të mandateve, madje duke ribërë ndarjen e mandateve mbi bazën e numrit të popullsisë në periudhën e tanishme.

Koalicioni i bën thirrje Kryetarëve të Partive Politike Parlamentare si dhe Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë që të tregojnë vullnetin e përbashkët në funksion të zbatimit me korrektësi të Kushtetutës dhe Ligjit duke mbështetur dhe nxitur anëtarët e KQZ-së në zhvillimin e përgjegjësive të tyre në lidhje me ndarjen e mandateve të zonave zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme.

Gjithashtu, Koalicioni sërish tërheq vëmendjen për të miratuar në mënyrë urgjente Rregulloren e Organizimit dhe të Funksionimit të KQZ-së, në mënyrë që t'i paraprihet jo vetëm problematikave të mundshme në të ardhmen, por për të rritur sa më shume efektshmërinë dhe rendimentin e funksionimit dhe të punës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

 


[1] Neni 45, Pika 4 e Kushtetutës së Shqipërisë: "4. Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë."

[2]Pika 1 e Vendimit Nr.15, datë 23.11.2012 "Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013": "1. Të mos caktojë numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin 2013".

[3] Paragrafi i parafundit, shkresa Nr.Prot. 174, datë 11.01.2013: "Nisur nga fakti se për zgjedhjet për Kuvendin 2013 KQZ nuk miratoi caktimin e numrit të ri të mandateve për çdo zonë zgjedhore, në përputhje me nenin 76 të Kodit Zgjedhor ju përcjellim këtë informacion mbi proçedurat e ndjekura në zbatim të këtij Kodi, me qëllim informimin e Kuvendit dhe përmbylljen prej tij të proçedurave të parashikuara nga ky Kod në lidhje me këtë çështje".

[4] Neni 76, pika 2 dhe 3 e Ligjit Nr. 10 019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar me Ligjin Nr. 74/2012 datë 19.07.2012:  "Procedura dhe periudha e përcaktimit të mandateve" " 2. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve. 

3. Në cdo rast numri i mandateve për cdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme"

[5]Në një komunikim të brendshëm brenda institucionit të KQZ-së, sipas shkresës Nr.Prot. 934/1, datë 26.12.2012, Sekretarja e Përgjithshme i përgjigjet një anëtari të KQZ-së duke iu referuar rregullores së miratuar në vitin 2005, si rregullore në fuqi.   Pavarësisht se kjo rregullore që në hyrje të saj, por edhe në përmbajtje të neneve, i referohet Kodit Zgjedhor të vitit 2003 dhe neneve përkatëse, të cilat tashmë janë të shfuqizuara.

[6] Neni 58 i Vendimit Nr. 26, datë 03.03.2005 "Për miratimin e Rregullores "Për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së"":  "Në çdo rast, dokumentet që dalin nga KQZ-ja dhe ju drejtohen të tretëve kanë nënshkrimin e Kryetarit. Në mungesë të kryetarit ato nënshkruhen prej zëvendëskryetarit dhe në raste të caktuara, me autorizim të kryetarit, nga një anëtar tjetër i KQZ-së."

[7] Paragrafi i fundit, shkresa Nr.Prot. 174, datë 11.01.2013: "Bashkëlidhur po ju përcjellim vendimin e KQZ-së Nr. 2, datë 12.02.2009 "Për caktimin e numrit të mandave për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009"".

 

Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë

Përfaqësuesit e organizatave Drejtuese

 

     Gerta META                                 Premto GOGO                         Rajmonda PRIFTI

Drejtore Ekzekutive                              Kryetar                               Drejtore Ekzekutive

Shoqata për Kulturë                       KRIIK Albania                          Shoqata për Gratë

    Demokratike                                                                                    dhe Fëmijët

 

Tiranë, më 19 Janar 2013!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore