‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Standartet e procesit të ardhshëm zgjedhor në pikëpyetje nga moszbatimi dhe mosrespektimi i afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor!
27/12/2012

D E K L A R A T Ë

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) në vazhdimësi të punës së tij në monitorimin e përgatitjes së procesit të ardhshëm zgjedhor, shpreh shqetësimin në lidhje me performancën e administratës zgjedhore dhe mos respektimin e një sërë afatesh të parashikuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Koalicioni mbështet fort dhe nxit anëtarët e Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve që në punën e tyre t'u bëjnë ballë presioneve dhe influencave të partive politike, si dhe të gjejnë forcën e nevojshme për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një funksionim normal dhe kolegjial të institucionit më të lartë zgjedhor, duke u udhëhequr vetëm nga zbatimi me korrektësi i ligjit në përmbushje të detyrave dhe afateve të parashikuara për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme zgjedhore.

Në lidhje me ecurinë e deritanishme Koalicioni tërheq vëmendjen në lidhje me:

I - Vendimmarrjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve

Koalicioni shpreh keqardhjen për shkeljen e afateve të parashikuara dhe mosmiratimin ende nga KQZ të ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore si dhe për mosmiratimin e numrit të Zonave Zgjedhore[1], si dy nga vendimarrjet më të rëndësishme për procesin zgjedhor.

Për më tepër, pamundësinë e marrjes së vendimeve me shumicë të cilësuar nga KQZ dhe zëvendësimin e kësaj vendimmarrje nga Kolegji Zgjedhor, Koalicioni e konsideron si një precedent të rrezikshëm për ecurinë e mëtejshme të përgatitjes së procesit zgjedhor e në veçanti të miratimit të akteve me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet, për të cilat duhet shumicë e cilësuar aprovimi me jo më pak se 5 vota të anëtarëve të KQZ-së.

Partitë Politike duhet të gjejnë vullnetin për të bashkëpunuar dhe hequr dorë nga interesat e ngushta të tyre, duke kujtuar se pavarësisht se anëtarët e KQZ-së janë propozuar prej tyre, ata duhet të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe ta pandikuar nga influencat apo lojërat politike.

Koalicioni nxit partitë politike të gjejnë vullnetin dhe gjuhën e përbashkët për çështje që ata i gjykojnë të rëndësishme jashtë institucionit të KQZ-së, duke e lenë këtë të fundit të punojë në mënyrë të pandikuar, të pavaruar dhe profesionale.

Koalicioni u kujton Partive Politike që në raportet e Vëzhguesve Ndërkombëtarë dhe atyre Vendas është vënë theksi tek mos-politizimi i punës dhe i funksionimit të KQZ-së si një nga elementët kryesorë të përmbushjes së standarteve, ndaj i fton ata të ushtrojnë të gjitha aftësite e tyre për të ndihmuar në funksionimin normal dhe vendimmarrjen e përbashkët e kolegjiale të KQZ-së.

II - Performancën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe të administratës së tij

Koalicioni i tërheq vëmendjen Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për një performancë sa më profesionale të tij dhe të administratës së KQZ-së, në përmbushje të detyrimeve dhe afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Për një funksionim sa më normal e të plotë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duhet të miratojë sa më parë Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e KQZ-së[2], afati për miratimin e së cilës ishte data 26 Dhjetor 2012.

Sërish, Koalicioni tërheq vemëndjen në lidhje me marrjen sa më parë të masave për realizimin e teknologjisë së re informative në Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013, të cilat sipas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor janë tejkaluar e shkelur në mënyrë flagrante, madje deri tani nuk ka asnjë vendimarrje në lidhje me këtë proces shumë të rëndësishëm.

      Koalicioni thekson, se suksesi i zbatimit të teknologjisë së re informative, pavarësisht se nuk ka impakt të drejtëpërdrejtë në rezultatin e procesit të ardhshëm zgjedhor, është një test shumë i rëndësishëm për aplikimin ose jo të kësaj teknologjie në të gjithë vendin në zgjedhjet e rradhës të vitit 2015.

Duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e procesit të hartimit të listave të zgjedhësve si dhe rëndësine e transparencës së plotë që duhet të ketë ky proces, Koalicioni i bën thirrje KQZ-së që të nisë sa më parë mbikqyrjen e hartimit të këtyre listave sikundër parashikohet në nenin 61 të Kodit Zgjedhor, madje e konsideron të vonuar këtë proces.

KQZ duhet të miratojë sa më parë aktin normativ për rregullimin e veprimtarisë së auditëve teknicienë për listën e zgjedhësve dhe SEV (Sistemin Elektronik të Verifikimit) si dhe të marrë sa më parë vendim për emërimin e këtyre dy auditëve teknicienë brenda afatit të parashikuar të 3 Janarit 2013[3].

Në përfundim Koalicioni inkurajon Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve të kërkojë mbështetjen e të gjithë aktorëve institucionalë për të përmbushur në mënyrë të plotë të gjitha detyrimet e kërkuara në zbatim të ligjit, për zhvillimin e një procesi zgjedhor ligjor, të drejtë e të ndershëm.


[1] Neni 27, pika 5 e Ligjit Nr. 10 019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar me Ligjin Nr. 74/2012 datë 19.07.2012: "5. Zonat e Administrimit Zgjedhor miratohen nga KQZ-ja jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote në datën e fundit të periudhës zgjedhore për caktimin e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile."  Ky vendim duhet të ishtë marrë jo më vonë se data 7 Dhjetor 2012.

[2] Neni 184, pika 2 e Ligjit Nr. 10 019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar me Ligjin Nr. 74/2012 datë 19.07.2012: "2. Jo më vonë se 60 ditë nga mbledhja e parë, KQZ-ja e zgjedhur  pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, miraton Rregulloren e KQZ-së, e cila përfshin edhe marrëdhëniet e anëtarëve të saj me administratën e KQZ-së". Miratimi duhet të ishte bërë jo më vonë se më 26 Dhjetor 2012.

[3] Neni 61 "Mbikëqyrja e hartimit të listave të zgjedhësve nga KQZ", pika 1, 2 dhe 3 e Ligjit Nr. 10 019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar me Ligjin Nr. 74/2012 datë 19.07.2012: "1. KQZ-ja mbikëqyr procesin e hartimit të listave, duke i kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe njësive të qeverisjes vendore për procesin e caktimit të zonave të qendrave të votimit dhe numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi, në përputhje me rregullat e këtij Kodi dhe ligjit të gjendjes civile.

2. KQZ-ja,  jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i zgjedhjeve,  emëron  me vendim dy auditë teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të RKGJC-së. Të drejtën e propozimit për  secilin audit teknicien e kanë  respektivisht Kryetari dhe Zëvendëskryetari i KQZ-së, pas konsultimit me përfaqësuesit e partisë më të madhe të shumicës dhe asaj më të madhe të pakicës në KQZ. Auditët teknicienë nuk mund të shkarkohen nga detyra, përveç shkeljeve të përcaktuara në pikën 9 të këtij neni. Auditi teknicien zëvendësues emërohet jo më vonë se 5 ditë sipas të njëjtës procedurë dhe kriter të përcaktuar në këtë nen.

3. Auditët teknicienë duhet të kenë arsimim universitar dhe ekspertizë në fushën e teknologjisë së informacionit apo statistikës, si dhe të kenë njohuri për procesin e hartimit të listave të zgjedhësve dhe/ose gjendjes civile. Rregullat e veçanta  për kushtet e kontratës dhe për kryerjen e auditimit, përcaktohen me akt normativ të KQZ-së."

 

Tiranë më 27 Dhjetor 2012!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore