‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Leter e Hapur - Miratimi i Anetareve te Rinj te KQZ!
18/09/2012

Shkarko Letren e Plote

 

L E T Ë R     E    H A P U R

 

Drejtuar:

 

Znj. Jozefina TOPALLI, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë

 

Z. Astrit PATOZI, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD

Z. Gramoz RUÇI, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS

Z. Lefter KOKA, Kryetar i Grupit Parlamentar të LSI

 

Anëtarëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë

 

Z.  Sali BERISHA, Kryetar i Partisë Demokratike 

Z. Edi RAMA, Kryetar i Partisë Socialiste 

Z. Ilir META, Kryetar i LSI

Z. Shpëtim IDRIZI, Kryetar i PDIU

Z. Vangjel DULE, Kryetar i PBDNJ

Z. Fatmir MEDIU, Kryetar i PR

 

Për dijeni:

Partive Politike në Republikën e Shqipërisë

Misionit të OSBE / ODHIR

Delegacionit të Bashkimit Europian

Zyrës së Këshillit të Europës

Ambasadës së Shteteve të Bashkuara

 

E nderuar znj. Kryetare e Parlamentit!

Të nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë!

Të nderuar Kryetarë të Partive Politike Parlamentare !

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) një prej grupimeve më të mëdhenj të vëzhguesve vendorë që ka ndjekur zhvilllimin e procesve zgjedhore në vend që prej vitit 2005 (si KVV), ju shpreh vlerësimin e tij për angazhimin dhe vullnetin e treguar në miratimin me konsensus të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Duke sjellë në vëmendje tuaj, se përkushtimi dhe fryma e bashkëpunimit midis jush dhe përkushtimi ndaj zbatimit me korrektësi të ligjit është e vetmja mënyrë për zhvillimin e një procesi zgjedhor ligjor, demokratik, të drejtë dhe të ndershëm,

Koalicioni konstaton se pikërisht fillimi i procesit zgjedhor të ardhshëm me rindërtimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, sipas afateve të përcaktuar në ligjin e miratuar bashkarisht, është cënuar duke shënuar një precedent aspak pozitiv në lidhje me respektimin dhe zbatimin e ligjit në vijimësi.

Nga informacionet e marra, edhe në mbledhjen e djeshme të datës 17 shtator të Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ende nuk ka asnjë datë të përcaktuar për futjen në rendin e ditës së miratimit të 6 anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Duke vlerësuar prononcimet publike të partive politike në lidhje me domosdoshmërinë e respektimit të ligjit në gërmë dhe në frymë, Koalicioni vëren me shqetësim se nuk është marrë asnjë hap institucional apo publik nga partitë politike parlamentare në lidhje me propozimet e tyre për gjashtë anëtarët e KQZ-së, ndërkohë që ky proces duhet të ishte mbyllur më datën 15 Shtator 2012[1].

Pavarësisht se zgjedhja e anëtarëve të rinj të KQZ-së është një kompetencë eskluzive e Partive Politike, Koalicioni në frymën e ligjit në lidhje me pavarësinë dhe integritetin e tyre si edhe me synim rritjen e transparencës dhe të besimit të publikut, i sugjeron partive politike që të shpallin sa më parë kandidaturat e tyre si dhe të bëjnë publike vlerësimin e tyre në lidhje me integritetin dhe aftësitë e këtyre kandidaturave në përmbushje të detyrës si administrator të lartë të zgjedhjeve, në mënyrë të pavaruar, të paanshme dhe vetëm në zbatim të ligjit.

Përsa i përket Kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Koalicioni e konsideron procedurën e zgjedhjes së tij dhe sidomos heqjen e së drejtës së partive politike për të propozuar kandidatura, si një mundësi mjaft të mirë për të vënë në rrugën e duhur depolitizimin dhe funksionimin në mënyrë të paanshme dhe jo partizane të KQZ-së.

Në lidhje me këtë proces, Koalicioni i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë që të bëjë sa më transparent dhe sa më jopolitik procesin e përzgjedhjes së Kryetarit të ardhshëm të KQZ-së.

Në këtë frymë, Koalicioni i sugjeron Kuvendit që të bëjë publike të gjitha kandidadurat e paraqituar në sekretarinë e Kuvendit si dhe të organizojë një proces sa më të drejtë, konkurrent dhe aspak të ndikuar nga anësitë partiake.

Për të rritur integritetin e procesit dhe besimin ndaj tij, Koalicioni sugjeron organizimin e seancave publike dëgjimore me të gjithë kandidadët e paraqitura që plotësojnë kriteret ligjore të parashikuara[2].

Gjithashtu, Koalicioni i sugjeron Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si organi që përzgjedh dhe i propozon Kuvendit kandidaturat finale për Kryetar të KQZ-së, që në frymën dhe në zbatim të ligjit të miratojë dhe të bëjë publike paraprakisht kriteret mbi të cilat do të organizohen seancat publike dhe mbi të cilat do të bëhet vlerësimi i kandidatëve, si vizioni, eksperienca,  apo çështje të tjera që lidhen direkt apo indirekt me administrimin e një procesi zgjedhor konform standarteve dhe aspiratave demokratike të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.

Në të kundërt, një votim tërësisht politik, partiak dhe i paargumentuar mbi kritere të qarta e vizionare, do të delegjitimojë në thelb qëndrimet publike të partive politike në lidhje me standartet e realizimit të procesit zgjedhor si dhe do të shuajë shpresën e rradhës për mundësinë e përfshirjes të kontriubuteve jashtë politikës në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të pavaruara.

 

Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë

 

Shoqata për Kulturë              KRIIK Albania                       Shoqata për Gratë

    Demokratike                                                                                      dhe Fëmijët

 

     Gerta META                                 Premto GOGO                       Rajmonda PRIFTI

Drejtore Ekzekutive                              Kryetar                               Drejtore Ekzekutive

 

 

 

Tiranë, më 18 Shtator 2012!


[1] Ligji nr. 74/2012 datë 19.07.2012 (i dekretuar nga Presidenti i Republikës më datën 16.08.2012) "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë"": Neni 181 "Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së", pika 1 "Kuvendi, 30 ditë nga data e shpalljes së këtij ligji, zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas neneve 14 dhe 15 të këtij Kodi".

[2] Neni 181/2, Neni 15/2 dhe Neni 12/2 i Ligjit nr.10 019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar: "Kandidat për Kryetar të KQZ-së duhet:

a)të jetë me moshë mbi 35 vjeç;

b) të jetë me arsim të lartë;

c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme:

   i) në fushën e së drejtës;

  ii) në administratën publike;

  iii) në administrimin e zgjedhjeve;

  iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike;

ç) të mos jetë i dënuar penalisht;

d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;

dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit;

e) të mos ketë qenë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;

ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore