‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Q E N D R I M   P U B L I K

 

Shkarko Dokumentin e Plotë në .pdf   

 

Proceset Zgjedhore përbëjnë themelin dhe frymëmarrjen e sistemeve demokratike dhe si të tillë çdo proces zgjedhor gjithmonë është madhor për nga rëndësia.

Kjo rëndësi e çdo procesi zgjedhor merr peshë akoma më të madhe nëse konsiderojmë vende të tilla si Shqipëria, ku prej gati 30 vitesh pikënisja shtetformuese mbetet problematike dhe ku, në vijueshmëri, kjo problematikë e proceseve zgjedhore po thellohet dhe kthehet në një traditë ciklike.  Procese të shoqëruara nga parregullsi administrative, gjuhë e fortë akuzuese nga lidershipet politike, përdorim i burimeve publike për fushatën zgjedhore, mosinstitucionalizim i akuzave apo denoncimeve si dhe oferta politike që nuk mbërrijnë tek qytetarët. Këto problematika u vërejtën së fundi edhe në dy zgjedhjet e pjesshme lokale, ku ndër të tjera, si zgjedhje lokale, garimi dhe përplasja politike do të duhej të ishin të padukshme.

 

Zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen në qershorin e ardhshëm do kenë edhe një vlerë të shtuar, e cila është garancia për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi.

Ligjshmëria dhe legjitimiteti i përzgjedhjes së Legjislatorit të ri do të determinojë thellësisht mbarëvajtjen e Reformës në Drejtësi, që do të thotë se do të përcaktojë ecurinë e vendit për disa dekata në vazhdim.

Nga ana tjetër, edhe fushata zgjedhore duket se do të personalizohet si nga ligjërimi për fajësinë ndaj problematikave të një viti Reforme në Drejtësi, si për vijueshmërinë e këtij procesi. Dy qasje, që në rezultanten e tyre mund të dëmtojnë si procesin zgjedhor, ashtu dhe ecurinë e Reformës në Drejtësi.

 

Dy dimensionet e tjera të ecurisë së procesit zgjedhor dhe kryesisht të fushatës zgjedhore priten të jenë ecuria e procesit të dekriminalizimit, me mosefikasitetin e deritanishëm institucional dhe mosfunksionimi i Reformës Zgjedhore. Çështje që mund të instrumentalizohen fort kryesisht përsa i përket çështjeve të integrititetit të kandidatëve garues ashtu dhe përsa i përket adresimit të fenomeneve të korrupsionit zgjedhor.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) në ndjekje të vazhdueshme të zhvillimeve institucionale dhe politike, shpreh shqetësimin dhe Qendrimin e tij Publik në raport me sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin aktual si dhe mbi rrezikun për precipitim në spiralen e demagogjisë politike në një moment ku Reforma në Drejtësi është vendimtare për fatin e vendit.

 

 

I.    Përgjegjësia bipartizane pas dështimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore

 

Me datë 05.12.2016, Presidenti i Republikës së Shqipërisë dekretoi datën 18 Qershor 2017 për mbajtjen e Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Proklamim që shenjoi kështu edhe dështimin e procesit të reformimit legjislativ të Kodit Zgjedhor, që do të duhej të kishte nisur punën që prej gati një viti me vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, i cili formalisht konsumon me datë 9 Dhjetor 2016 mandatin e tij të dytë[i]. Ky Komision i Posaçëm u mblodh në seancë për vetëm tre herë dhe në secilën prej tyre pati vetëm afirmime perspektivash nga anëtarët e tij.

 

Ndaj rekomandimeve të Raporteve Përfundimtarë të OSBE-ODIHR-it për proceset zgjedhore, që prej vitit 1999 me Kartën e Stambollit[ii], vendi ynë ka marrë zotimin për konsiderimin dhe zbatimin e tyre.

Megjithatë, pas 18 procesesh zgjedhore të përgjithshme, asnjërit prej tyre nuk i janë kursyer kritikat, të cilat shihen të riciklohen nga njëri tek tjetri në proporcionalitete të ndryshme. Kritika që në emëruesin e përbashkët nuk flasin për procese zgjedhore plotësisht të ligjshme dhe legjitime.

 

Ndonëse në një kontekst të tillë dhe, si një prej aktorëve të shoqërisë civile fuqimisht nxitës të një reforme zgjedhore të thelluar dhe integrale, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë e konsideron tanimë të rrezikshme çdo përpjekje për të tejkaluar këtë dështim të Komisionit dhe zgjatjen sërish të mandatit për punë të tij[iii].

Më së pari, një sjellje e tillë do të ishte në kundërshtim të hapur me garancitë ligjore vendase[iv] dhe ndërkombëtare[v], ashtu si dhe në pamundësi me kapacitetet njerëzore dhe ligjzbatuese. Ajo që e bën më të rrezikshme çdo iniciativë të mëtejshme për amendime nëpërmjet këtij Komisioni dhe që nuk jep më asnjë garanci është, ndërkohë, edhe vetë arsyeja e dështimit të Komisionit deri më tani, mungesa e vullnetit politik.

 

Kundërvënia e fortë midis deklaratave të lidershipeve që prej përmbylljes së Zgjedhjeve Lokale të datës 21 Qershor 2015 dhe asaj që realisht u vendos në jetë nga ky Komision, evidentuan qartësisht një mungesë vullneti.  Kjo mungesë vullneti bipartizane nuk ka bërë të ditur publikisht deri më sot asnjë arsye apo edhe ndonjë pretekst për mosfunksionimin e Komisionit, ndërkohë që qoftë koha në dispozicion të tij, qoftë angazhimi i aktorëve me interes, ishin maksimalë për procesin.

Diskutimi i çdo teme në këto momente për amendime ligjore prej Komisionit hap shtegun vetëm për amendime dritëshkurtra dhe jo të mirëmenduara, të cilat do të jenë rezultat i dakortësisë së ngushtë politike duke rezervuar që tani një seri akuzash dhe demagogji politike përgjatë tërë procesit zgjedhor të ardhshëm.

 

   Në këto rrethana, papërgjegjshmëria e treguar dhe bashkëfajësia e forcave parlamentare për dështimin e paarsyeshëm të Reformës Zgjedhore, duhet tashmë të përbëjë një shkak më shumë për rritjen e maturisë dhe të vullnetit politik për të ndihmuar dhe ndikuar pozitivisht në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Maturia dhe vullneti i klasës politike duhet të qendrojë në lartësinë e peshës që mbart ky proces zgjedhor dhe në determinimin që ai ka për ecurinë e procesit të Reformës në Drejtësi.

Votëbesimi popullor për Zgjedhjet për Kuvend të 18 Qershorit 2017 do të jetë më shumë se një mandat normal qeverisës 4 vjeçar, duke i dhënë jetë plotësisht dhe çuar përpara Reformën në Drejtësi.  

Përpos vlerësimit në parim të forcës së vullnetit, klasa politike shqiptare e ka provuar në përvojën e saj se me vullnete në lartësinë e situatave të rëndësishme ia ka dalë të ndërmarrë procese madhore. Një angazhim i tillë kërkohet edhe për këtë situatë.

 

 

 

II.    Administrimi i procesit të ardhshëm zgjedhor sipas kuadrit ligjor aktual

 

Mundësia e humbur për përmirësimin e kuadrit ligjor mund t’i shërbejë klasës politike dhe institucioneve përgjegjëse si një mundësi për përmirësimin e zbatueshmërisë ligjore.  Kjo edhe në korrigjim të historikut të amendimeve të vazhdueshme të kuadrit ligjor zgjedhor, pa patur mundësi që i njëjti kuadër ligjor të shihet në zbatim në disa procese zgjedhore rradhazi.

Në vijueshmëri të proceseve zgjedhore është parë me vështirësi nëse dhe sa përgjegjësia për problematikat i takon mangësive ligjore, paaftësisë ligjzbatuese apo një vullneti politik keqdashës.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si institucioni mbikqyrës i proceseve zgjedhore, me sjelljen e tij do jetë përcaktues edhe më shumë dhe jashtë të zakonshmes në ecurinë e procesit zgjedhor për Kuvend të 18 Qershorit 2017.

Titullari i ri i këtij institucioni mund të shfrytëzojë përvojën e paraardhësve të tij, në përmirësimin e drejtimit të institucionit dhe të administrimit të procesit zgjedhor. Një prej perspektivave drejt të cilës duhet të nxitet puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është sjellja pro aktive në raport dhe në marrëdhënie me operatorët e tjerë zgjedhorë në kontrollimin e procesit zgjedhor. Ndër më kryesorët përmendet Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit në adresimin e problematikave të korrupsionit zgjedhor si, ndër të tjera,  shit-blerja e votës apo përdorimi i administratës publike.

Institucionalisht sugjerohet forcimi i komunikimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me nëpunësit ndërlidhës dhe i këtyre të fundit me koordinatorët kundër korrupsionit pranë institucioneve të tyre.

 

Gjithashtu, edhe përsa i përket kuadrit të akteve nënligjore brenda kuadrit të sotëm ligjor, dhe ngritjes së kapaciteve njerëzore dhe logjistike në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor mbetet punë për këtë institucion.

Harmonizimi dhe përplotësimi i akteve normative është një moment që gjykohet me rëndësi thelbësore për procesin zgjedhor të 2017-ës.

Çështje me rëndësi primare është unifikimi i praktikave diskrecionale të deri më sotme të këtij institucioni, ku më të rëndësishmet janë ato të gjykimit të ankimimeve.

 

Çështje të tjera për t’u marrë në konsideratë në kuadrin e nënakteve janë roli dhe të drejtat e vëzhguesve partiakë dhe jo partiakë, mundësitë për investimin e institucionit nga palë të treta, mundësitë për tu investuar pas denoncimeve mbi raste të jashtëligjshme apo monitorimi i financave të partive politike.  Këto të fundit, duke patur në konsideratë që ndonëse kapaciteti investigues i KQZ-së mungon, forca reaguese ndaj denoncimeve nuk duhet të mungojë.

 

Ky rol proaktiv është i domosdoshëm me synimin e jo vetëm administrimit të një procesi të rregullt ligjor, por edhe të sigurimit të një procesi që ka edhe dukjen si të tillë, duke rritur besimin e qytetarëve tek institucioni, procesi zgjedhor dhe qeverisja e dalë prej tij.

 

 

 

III.    Drejtësia Zgjedhore si garanci e procesit zgjedhor dhe pjesë e Reformës në Drejtësi

 

Procesi zgjedhor mbështetet në tre shtylla kryesore si administrimi, financat e partive politike dhe drejtësia zgjedhore.  Nëse për administrimin si proces menaxherial, pas një përvoje jo të pakët deri më sot, mund të thuhet se ka arritur disa standarte të konsiderueshme, lidhur me dy shtyllat e tjera mbetet ende shumë për të bërë.

 

Mbetet shumë për t’u bërë veçanërisht përsa i përket drejtësisë zgjedhore, pra sistemit të ankimim-apelimit, e cila mund dhe ka arritur në disa raste të jetë përcaktuese.

Trupa e institucioneve përgjegjëse për këtë shtyllë shkon përtej atyre ngushtësisht zgjedhore si KZAZ, KQZ dhe Kolegj Zgjedhor duke përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit, Gjykatat, e të tjerë.   

Këto institucione nuk mund të konsiderohen me një bazë ligjore të pamjaftueshme në raport me procesin zgjedhor, por deri më sot ato kanë vuajtur nga fenomene si pazbatueshmëria ligjore, papërgjeshmëria institucionale, atakimi politik, mosinvestimi ligjor i palëve apo mos institucionalizimi i akuzave.

 

Për të tërë këta aktorë të sistemit të drejtësisë zgjedhore, edhe pa një reformë të kuadrit ligjor zgjedhor, mbetet shumë për t’u bërë në zbatim të ligjit aktual. Kjo si prej palëve të përfshira në proces duke i vënë para përgjegjësisë institucionet, ashtu edhe prej vetë institucioneve duke u distancuar nga praktikat antiligjore.

 

Për këtë shkak, Reforma në Drejtësi duhet të adresojë me vëmendje të veçantë si fenomenet e korrupsionit zgjedhor ashtu dhe atë pjesë të sistemit të drejtësisë që përbën ngushtësisht Drejtësinë Zgjedhore.

Një prej çështjeve që ngrihet shqetësimi në këtë drejtim ka të bëjë me Kolegjin Zgjedhor.

Deri me datë 10.12.2016, sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, pritet hedhja e shortit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve me mandat 4 vjeçar, që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë[vi].

Për efekt të Amendimeve Kushtetuese të 22 Korrikut 2016, institucioni i Këshillit të Lartë të Drejtësisë pritet të përfundojë ekzistencën e vet brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e Amendimeve[vii].  Funksionet tranzitore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u përcaktuan në Ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë[viii]. Akt që për nga formulimi i detyrave që i ngarkon KLD-së ngjan ekskluziv në funksionet tranzitore dhe lë mënjanë detyrat që burojnë për të nga Kodi Zgjedhor.

 

Ajo që realisht ngre pikëpyetje në afektimin që mund të ketë procesi i Reformës në Drejtësi tek trupa e Kolegjit Zgjedhor,  ka të bëjë me vetting-un e këtyre anëtarëve, ndërkohë që kjo trupë zotëron një imunitet të plotë të garantuar nga Kodi Zgjedhor[ix].

 

 

Përveçse sa më sipër dhe paralelisht me përgjegjshmërinë institucionale dhe zotimin e lidershipeve politike, ajo që mbetet thelbësore në mbarëvajtjen e çdo procesi zgjedhor, veçanërisht për atë të 18 Qershorit 2017, është përfshirja e qytetarëve.

Kjo përfshirje shtrihet që prej ushtrimit të drejtës së votës dhe deri në format e drejtëpërdrejta të angazhimit qytetar.  Ndër këto forma, më kryesori mbetet denoncimi i çdo rasti të korrupsionit zgjedhor apo i çdo shkelje tjetër ligjore.

 

Çdo kuadër ligjor sado optimal dhe cilido qoftë angazhimi politik dhe institucional, nuk mund t’ia dalin në organizimin e një procesi zgjedhor të denjë për një vend demokratik pa kontributin e plotë dhe të drejtëpërdrejtë të qytetarit. Vetë funksionimi i rregullt e normal i institucioneve nuk mund t’ia dalë pa patur besimin e qytetarëve .

 

Ajo që po vihet re me shqetësim në vijimësi, është se tranzicioni i stërzgjatur i demokracisë shqiptare, ndër të tjera, po ushqen një lodhje dhe humbje besimi gati të parevokueshëm të qytetarëve ndaj tërë aktorëve, vendas, të huaj, dhe më e rënda edhe ndaj vetë demokracisë.

 

Gjithashtu moszbatimi dhe shterpësia deri më tani e aspiratave apo vlerave demokratike, pasiguria e vazhdueshme ligjore dhe institucionale, po ofron në vijimësi rryma oligarkike dhe të kapjes së shtetit.

Gjithmonë e më shumë po bëhet emergjente ndalimi i prirjeve dhe i ndarjes së atashimit politik ndaj institucioneve publike. Pika më maksimale e këtij afrimiteti antidemokratik dhe bipartizan vazhdojnë të mbeten proceset zgjedhore.  Moment ku edhe angazhimi qytetar dhe i organizatave joqeveritare do të duhet të jetë maksimal në evidentimin dhe adresimin e problematikave dhe shkeljeve.

 

Kontributi dhe ekspertiza e partnerëve ndërkombëtarë ka qenë dhe është jetik në proceset shtetformuese të Shqipërisë dhe në ngritjen e kapaciteteve demokratike vendase.  Rasti më i fundit për këtë ishte shtysa madhore e partnerëve ndërkombëtarë në nisjen dhe ndjekjen e procesit të Reformës në Drejtësi.

Në vazhdën e kësaj të fundit dhe investimit afatgjatë demokratik nevojitet të shihet edhe procesi zgjedhor i 18 Qershorit 2017.

 

Ligjshmëria dhe legjitimiteti i Legjislatorit të ri mund të jetë një hap para, por edhe një cënim që në nisje dhe i pakthyeshëm i reformimit të sistemit të drejtësisë, i cili me shumë vështirësi po përpiqet të fillojë.

 

 

Në përfundim, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, lidhur me tërë shqetësimet dhe sfidat e paraqitura në këtë Qendrim Publik, shpreh bindjen për nevojën dhe domosdoshëmrinë për një aksion të koordinuar dhe në unison të të gjithë aktorëve dhe organizmave në rritjen e kapaciteve vendase civile jo politike e të pavarura, jo vetëm për monitorimin e detajuar  dhe mbështetjen e gjithë institucioneve e operatorëve zgjedhorë në përgatitjen dhe realizimin e procesit të ardhshëm zgjedhor,  por edhe për krijimin e një klime që nxit aktivizmin e gjallë e kritik qytetar në ndjekjen e të gjitha proceseve demokratike në vazhdim.

 


[i] Vendimi Numër 110/2015, datë 21.12.2015, Kuvendi i Republikës së Shqipërsë, “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore”, Fletore Zyrtare Numër 237, datë 06.01.2016; Vendimi Numër 3/2016, datë 28.01.2016, Kuvendi i Republikës së Shqipërsë, “Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore”, Fletore Zyrtare Numër 15, datë 08.02.2016; Vendimi Numër 38/2016, datë 19.05.2016 Kuvendi i Republikës së Shqipërsë, “Për një ndryshim në Vendimin e Kuvendit 3/2016 ‘Për miratimin e përbërjes së Komisiont të posaçëm për Reformën Zgjedhor’”, Fletore Zyrtare Numër 102, datë 09.06.2016; Vendimi Numër 42/2016, datë 09.06.2016, Kuvendi i Republikës së Shqipërsë, “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore”, Fletore Zyrtare Numër 118, datë 24.06.2016; Vendimi Numër 62/2016, datë 15.09.2016, Kuvendi i Republikës së Shqipërsë, “Për një ndryshim në Vendimin e Kuvendit Numër 3/2016 ‘Për miratimin e përbërjes së Komisionti të Posaçëm për Reformën Zgjedhore’, të ndryshuar”, Fletore Zyrtare Numër 183, datë 30.09.2016. www.qbz.gov.al

[ii]Deklarata e Samitit të Stambollit”, Samiti i Gjashtë i OSBE-së i Kryetarëve të Shteteve, Stamboll, 18-19 Nëntor 1999. www.osce.org

[iii] Në diskutimet brenda tavolinës së trupës së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përgjatë dy seancave të fundit të datave 01.12.2016 dhe 03.12.2016, i’u është referuar punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhor. Në disa raste anëtarët e KQZ-së i janë referuar diskutimeve në komisionin parlamentar dhe kanë ftuar përfaqësuesit të forcave politike në KQZ që problematikat t’ia adresojnë atij Komisioni.

[iv] Ligji Numër 146/2014, datë 30.10.2014, “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, Fletore Zyrtare Numër 178, datë 24.11.2014. www.qbz.gov.al

[v]Kodi i praktikës së mirë në çështjet zgjedhore”, miratuar nga Komisioni i Venecias në Mbledhjen e tij 52-të Plenare (Venecia, 18-19 Tetor 2002), 2. Nivelet normative dhe qendrueshmëria e të drejtës zgjedhore, (…) “a. Përveç rregullave teknike dhe atyre për hollësira – të cilat mund të nxirren si rregullore prej ekzekutivit –rregullat e se drejtes zgjedhore, duhet të nxirren të paktën ne nivelin e ligjit. b. Elementët themelore të se drejtes zgjedhore, dhe, në veçanti, të sistemit zgjedhor, përbërjes së komisioneve elektorale, dhe hartimit të kufijve të zonave zgjedhore, nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit përpara zgjedhjeve, ose duhet të shkruhen në kushtetutë ose në një dokument ligjor të një niveli më të lartë se legjislacioni i zakonshëm.” www.venice.coe.int .

Deklarata interpretuese për stabilitetin e ligjit zgjedhor”, miratuar nga Këshilli për Zgjedhje Demokratike në Takimin e 15-të të tij (Venecia, 15 Dhjetor 2005) dhe Komisioni i Venecias në Sesionin e 65-të Plenar të tij (Venecia, 16-17 Dhjetor 2005), (...) “5. Në përgjithësi, çdo reformë e legjislacionit zgjedhor që aplikohet gjatë zgjedhjeve duhet të ndodhë mjaftueshëm përpara në kohë, në mënyrë që të jetë vërtet e aplikueshme për ato zgjedhje.”  www.venice.coe.int .

[vi] Ligji Numër 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Fletore Zyrtare Numër, 189, 2008; ndryshuar me Ligjin Numër 74/2012, datë 19.07.2012; Ligjin Numër 31/2015, datë 02.04.2015, (…) “3. Shorti për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë hidhet jo më vonë se 5 ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve për Kuvendin. Jo më vonë se 48 orë pas daljes së dekretit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpall publikisht dhe boton në të paktën tri gazeta me tirazhin më të madh datën, orën dhe vendin ku do të hidhet shorti dhe u dërgon partive parlamentare listën e gjyqtarëve që do të përfshihen në short. Shorti hidhet në praninë e publikut, përfaqësuesve të partive politike, koalicioneve dhe të medias. Shorti zhvillohet duke tërhequr emrat e tetë gjyqtarëve nga kutia e shortit. Para fillimit të tij, të pranishmëve u jepet mundësia të këqyrin kutinë e shortit dhe emrat e gjyqtarëve të futur në të. Pas këqyrjes, nxirren tetë emra nga kutia. Ata përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë dhe delegohen në detyrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë menjëherë pas hedhjes së shortit.”. www.qbz.gov.al

[vii] Ligji Numër 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, Fletore Zyrtare Numër 28/1998; ndryshuar me Ligjin 9675, datë 13.01.2007; Ligjin Numër 9904, datë 21.04.2008; Ligjin Numër 88/2012, datë 18.09.2012; Ligjin 137/2015, datë 17.12.2015; Ligjin Numër 76/2016, datë 22.07.2016, (…) “5. Këshilli i Lartë Gjyqësor krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë gjyqtarë dhe dy anëtarë jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Për emërimet e para për anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 147, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.”. www.qbz.gov.al

[viii] Ligji Numër 96/2016, datë 06.10.2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Fletore Zyrtare Numër 208, datë 07.11.2016, Neni 160, Organet kompetente në periudhën kalimtare, (…) “1. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektoratet ekzistuese do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj.”. www.qbz.gov.al

[ix] Ligji Numër 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Fletore Zyrtare Numër, 189, 2008; ndryshuar me Ligjin Numër 74/2012, datë 19.07.2012; Ligjin Numër 31/2015, datë 02.04.2015, Neni 149, Mbrojtja e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, (…) “Gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor nuk mund t’i nënshtrohet procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar kolegji. Gjatë kësaj kohe, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë nuk mund të lëvizen nga detyra e gjyqtarit, për shkaqe që lidhen me nenit 32 të ligjit nr. 9877 datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe për pamjaftueshmëri profesionale. Ndaj tyre nuk mund të jepet vlerësimi “i paaftë”. www.qbz.gov.al .

 

Tiranë, më 7 Dhjetor 2016!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016

Nisja e menjëhershme e punës prej Komisionit Parlamentar, domosdoshmëri për mosdështimin e Procesit të Reformës Zgjedhore !
24/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore