‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

 Q E ND R I M   P U B L I K

 

Shkarko Dokumentin e Plotë në .pdf 

 

Zgjedhjet e Pjesshme që pritet të mbahen në Bashkinë Kolonjë janë të tetat në llojin e tyre që prej Reformës Zgjedhore të vitit 2012 dhe të dytat pas Reformës Territoriale të vitit 2014.

Ndonëse këto procese zgjedhore në historikun e tyre kanë patur një mbarëvajtje relativisht të qetë dhe pa vëmendje të theksuar publike, gjithmonë e më shumë këto procese po marrin ngarkesa politike jashtë të zakonshmes dhe logjikës së të garuarit për qeverisjen vendore.

 

 

a. Precedenti i Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Dibër

Procesi i fundit zgjedhor për Kryetar të Bashkisë Dibër të datës 11.09.2016 ishte gjithashtu edhe kulmimi i tensionimit të një procesi zgjedhor për Zgjedhje të Pjesshme. Tensionim që erdhi kryesisht nga rrethanat e shpërdorimit të detyrës në krijimin e vakancës, të vlerësuarit si një njësi vendore me votues të lëkundshëm si dhe nga përdorimi i këtij procesi zgjedhor nga konteksti momental politik.

Në fushatën zgjedhore për Bashkinë Dibër u vërejt një debat dhe ligjërim negativist i lidershipeve politike, akuza të shumta reciproke për forma manipulimi, angazhim i dyanshëm i strukturave më të larta politike dhe qeveritare, përdorim i administratës shtetërore dhe i burimeve publike vendore dhe qendrore, si dhe oferta elektorale të mbështetura me forcë në përkrahjen ose kundërvënien ndaj qeverisjes qendrore.

 

   Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë përgjatë vëzhgimit të atij procesi zgjedhor ngriti kritika ndaj kësaj qasje kaq qartazi të deformuar të një garimi për qeverisjen vendore.

 

Tashmë kjo qasje bipartizane, pas ecurisë së deritanishme edhe të procesit zgjedhor të pjesshëm për Bashkinë Kolonjë, nuk mund të konsiderohet thjesht rastësore, por duket se përbën një sinjalizim të mossuksesit të nismave të fundit ligjore të ndërmarra mbi pushtetin vendor, si dhe të zhbërjes edhe të traditës së brishtë të deritanishme të qeverisjes vendore.

 

 

b. Ecuria e deritanishme e fushatës zgjedhore për Kryetar të Bashkisë Kolonjë

Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kolonjë do të mbahen me datë 20 Nëntor 2016.

Këto zgjedhje të pjesshme, me diferencë të theksuar në mbulim mediatik dhe në përfshirje në debatin politik të ditës nga procesi zgjedhor për Kryetarin e Bashkisë Dibër të dy muajve më parë, vazhdojnë të evidentohen si një proces i deformuar për qeverisjen vendore.

 

Fushata zgjedhore e deritanishme po ndjek në dukje një ecuri të qetë dhe pa interes publik. Kjo edhe prej një leximi apriori të kontekstit politik ku kjo njësi vendore është vlerësuar si “tradicionalisht e majtë[i]” si dhe të traditës gati absolute të fitores së kandidatëve të mazhorancës në të gjitha Zgjedhjet e Pjesshme të zhvilluara deri më tani.

Akoma më shqetësues është fakti se në përditshmërinë e demokracisë shqiptare duket se tashmë ka zënë vend ndjeshëm relativizimi i gjithëanshëm i sjelljeve të jashtëligjshme në proceset zgjedhore. Tolerancë që bëhet më e shtuar nën arsyetimin, tërësisht jo konform aspiratave europiane të vendit, e rëndësisë së ashtuquajtur minore për një proces zgjedhor në një njësi vendore jo fort të rëndësishme.

 

   Gjithashtu edhe mbulimi mediatik për këtë fushatë ka qenë i ulët. Përgjatë saj evidentohet se kandidati i koalicionit të mazhorancës ka shpërndarë materiale audio-vizuale për mediat, ka qenë aktiv në rrjetet sociale si dhe ka kryer disa intervista me shkrim. Ndërkaq kandidati opozitar ka qenë më pak aktiv në rrjetet sociale dhe ka patur pak intervista me shkrim.

Duhet veçuar se një element tjetër që ka ndikuar në këtë dukje të qetë të procesit ka qenë edhe mungesa e mediave lokale në këtë njësi vendore[ii].

 

   Nga vëzhgimi i kryer, në fushatë vihet re një promocion i ulët elektoral, megjithatë takimet elektorale nga të dy kandidatët kanë qenë të shumtë.

Fushata e zhvilluar mbështetet në takime të drejtpërdrejta të vetë kandidatëve apo të grupit të përkrahësve të tyre me qytetarët. Kjo e fundit duket se po bëhet një fenomen gjithmonë edhe më i përhapur gjatë fushatave zgjedhore në vend.

 

   Gjithashtu edhe në këtë fushatë vihet re një prezencë e lartë e zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe politikë, kryesisht në mbështetje të kandidatit të mazhorancës[iii]. Veprimtaria e këtij kandidati nuk është shtrirë gjeografikisht vetëm në Bashkinë Kolonjë, por edhe në Tiranë[iv]. Përsa i përket kandidatit të opozitës, ka indicie nga mediat online të përfshirjes së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit në aktivitetet e fushatës zgjedhore për këtë kandidat[v].

 

   Deri më tani nuk evidentohet asnjë ankim zyrtar prej subjekteve zgjedhore[vi] pranë institucioneve si: Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor Numër 73, Komisariati i Policisë Kolonjë, Prokuroria dhe Gjykata e Rrethit Korçë.

Megjithatë, nga komunikimi me përfaqësues të kandidatit të djathtë, evidentohen akuza për raste intimidimi, drejtimi apo kërcënimi të zgjedhësve, kryesisht të atyre që janë nëpunës shtetërorë. Shqetësime këto, që sipas tyre, iu janë përcjellë vetëm verbalisht autoriteteve përgjegjëse.

Në raport me këto shqetësime të ngritura, KVV vazhdon të theksojë domosdoshmërinë e adresimit konkret të këtyre akuzave institucioneve përkatëse në mënyrë që këto raste të mos mbeten thjesht si ushqyese të retorikës politike dhe politizimit artificial të situatës.

 

Kapilarizimi i debatit politik përgjatë fushatës zgjedhore të Dibrës u kritikua gjerësisht. Madje lidhur me këtë, Zv.Kryeministri z. Niko Peleshi ishte një prej figurave që i bëri thirrje opozitës për moslejimin e politizimit të proceseve zgjedhore vendore[vii].

Ndërkohë në fushatën zgjedhore për Bashkinë Kolonjë vërehet prezenca e vazhdueshme e vetë Zv.Kryeministrit madje si i deleguar i Partisë Socialiste për organizimin e fushatës në këto zgjedhje, si dhe prania e një pjese të madhe të anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Kjo prezencë pashmangshmërisht e ka politizuar tërësisht edhe këtë proces.

Përpos prezencës së lartë të zyrtarëve më të lartë dhe përdorimit të aktiviteteve apo investimeve publike në funksion të fushatës së kandidatit të majtë[viii], edhe vetë ky kandidat i ka vënë publikisht një theks të fortë mbështetjes qeveritare të kandidaturës së tij[ix].

 

Në vijimësi të sjelljes politike ndaj qeverisjes vendore në këto zgjedhje evidentohet edhe vetë fakti i përzgjedhjes së dy kandidaturave për Kryetar të Bashkisë Kolonjë, të cilët deri në momentin e kandidimit nuk ishin me banim në këtë njësi vendore[x].

Përpos momentit ligjor, ky levizim i figurave politike në drejtimin të njësive vendore e bën dhe më të thellë ndarjen ndërmjet qytetarëve dhe të përzgjedhurve vendorë, duke ngritur pikëpyetje mbi efektshmërinë e angazhimit për mirëqeverisje, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.

 

 

c. Pritshmëritë e Reformës Territoriale-Admintrative dhe Bashkia Kolonjë

   Njësia e qeverisjes vendore e Bashkisë Kolonjë u krijua me Ligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”[xi], miratimi i së cilës u bojkotua nga subjektet politike opozitare.

Gjithsesi, kjo njësi e qeverisjes vendore ishte ndër të paktat zona funksionale që në të pesta variantet e diskutuara qendronte e pandryshuar, duke mos patur kështu diskutime në krijimin e saj[xii].

Bashkia e Kolonjës përbëhet nga 8 njësi administrative[xiii], me popullatë 15.879 persona si zgjedhës[xiv] dhe ku në Zgjedhjet për Qeverisjen Vendore të 2015 rezultuan 8.583 votues ose 54 % e numrit total të zgjedhësve.

 

   Ndër pikësynimet më madhorë të rindarjes administrative-territoriale ishte “konsolidimi i një administrate vendore të çburokratizuar, të paanshme politikisht, profesioniste dhe transparente duke siguruar parimet e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit[xv].

Në këtë drejtim, një prej pritshmërive më afatshkurtra të krijimit të kësaj Bashkie të re ishte ulja drastike e numrit të nëpunësve të administratës bashkiake, e për rrjedhim edhe e kostove përkatëse në buxhetin e shtetit[xvi].

 

   Në realitet deri më tani, kjo pritshmëri ka rezultuar në të kundërt me një rritje të lehtë të numrit të nëpunësve[xvii]. Evidentohet se pjesa më e madhe e banorëve janë punonjës publikë ku përpos Bashkisë së Kolonjës, përmendet Shoqëria Anonime Ujësjellës-Kanalizime apo Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Bisneset private janë të pakta si në kapacitete financiare ashtu dhe në punësim, duke qenë më së shumti biznese të vogla familjare.

Ndërkohë vihet re një numër i lartë individësh dhe familjesh që trajtohen me ndihmë ekonomike[xviii].

 

Kjo varësi financiare nga Buxheti i Shtetit i popullsisë së kësaj njësie vendore, e bën këtë grup shoqëror më të ndjeshëm dhe më të prekshëm prej proceseve zgjedhore si dhe formave të jashtëligjshme të ndikimit apo drejtimit të votës.

 

Nga ana tjetër, veçojmë se edhe transparenca ka qenë dhe mbetet vazhdimisht një prioritet përsa i përket funksionimit të të gjitha institucioneve në vend, veçanërisht atyre në qeverisjen vendore. Përsa i përket transparencës në këtë Bashki, faqja zyrtare përkatëse në internet nuk ka të pasqyruar asnjë vendim të këtij institucioni, obligim ky i ngarkuar qartazi nga ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili përcakton se “çdo akt i organeve të vetëqeverisjes vendore publikohet në faqen zyrtare të internetit të njësisë vendore dhe afishohet në vendet e caktuara nga njësia për njoftimet publike[xix]. Edhe nga raportet e kryera për transparencën e qeverisjes vendore në rang kombëtar, kjo njësi vendore rezulton në nivel mesatar për nga transparenca[xx].

 

 

d. Politizimi i proceseve zgjedhore vendore

Politizimi i proceseve zgjedhore vendore, po vendos precendë të rrezikshëm në demokracinë shqiptare dhe me efekte të njëpasnjëshme.

 

Sjellja politike ndaj njësive vendore si zgjatime të qeverisjes qendrore apo “garnizone rezerviste” të opozitës jo vetëm që deformon qeverisjen vendore, por po kërcënon edhe proceset zgjedhore për Kuvend.

Ndërhyrja dhe përdorimi politik i administratës dhe i burimeve publike në aksionin politik po vë në pikëpyetje jo vetëm mbarëvajtjen e sistemit demokratik, por të vetë garimit elektoral.

 

 

Në përfundim Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ngre shqetësimin se proceset zgjedhore në vend për shkak të precedentëve të vazhdueshëm të pandëshkuar po vazhdojnë të thellojnë ndër të tjera shfaqjet antiligjore si përdorimi i administratës e burimeve shtetërore si dhe funksionalizimin e institucioneve lokale në diskursin politik.

 

Kjo qasje dhe sjellje e vazhdueshme duket se po e shndron sistemin demokratik në një stafetë ciklike të subjekteve politike ku qytetarët janë dhe mbeten thjesht spektatorë.

 


[i] Historiku i mandateve në këtë njësi vendore, e pararendur më parë nga Bashkitë Ersekë dhe Leskovik:

2000 - 2003: Bashkia Ersekë, Kryetar Adriatik Braçe (PS) / Bashkia Leskovik, Kryetar (PS)

2003 - 2007: Bashkia Ersekë, Kryetar Adriatik Braçe (PS) / Bashkia Leskovik, Kryetar Fatmir Guda (PD)

2007 - 2011: Bashkia Ersekë, Kryetar Adriatik Braçe (PS) / Bashkia Leskovik, Kryetar Fatmir Guda (PD)

2011 - 2015: Bashkia Ersekë, Kryetar Ali Laho (PS) / Bashkia Leskovik, Kryetar Fatmir Guda (PD)

Reforma Territoriale 2014

2015 - 2016: Bashkia Kolonjë, Kryetar Arben Malo (LSI)

[ii] Bashkia e Kolonjës mediatikisht mbulohet nga korrespodentët e mediave televizive kombëtare të vendosur në qytetin e Korçës dhe prej dy televizioneve lokale të qytetit të Korçës, TV Glob dhe TV Korça.

[iii] Aktivitete të kandidatëve me prezencë të zyrtarëve apo përfaqësuesve të lartë politikë:

- Datë 19.10.2016, aktivitet prezantimi i kandidatit, Z. Ilia Stefo, Zv/Kryeministri Z. Niko Peleshi, Ministria e Integrimit Evropian Znj. Klaudia Gjoshaj.

- Datë 29.10.2016, Ekspozitë Fotografike me prezencë të Kandidatit Z. Ilia Stefo, pjesëmarrës Ministria e Kulturës Znj. Mirela Kumbaro, Zëvendës Kryeministri Z. Niko Peleshi, Ministri i Çështjeve Vendore Z. Bledar Çuçi

- Datë 31.10.2016, aktivitet elektoral, Z. Ilia Stefo, pjesëmarrës Zëvendës Kryeministri Z. Niko Peleshi

- Datë 06.11.2016 (publikuar në profilin Facebook), aktivitet elektoral, pjesëmarrës Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqja, Zëvendës Kryeministri Z. Niko Peleshi

- Datë 09.11.2016, aktivitet elektoral, Z. Ilia Stefo, pjesëmarrës Zëvendës Kryeministri Z. Niko Peleshi, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI Z. Artan Lame

- Datë 12.11.2016, aktivitet elektoral, Z. Ilia Stefo, pjesëmarrës Ministria e Zhvillimit Urban Znj. Eglantina Gjermeni

- Datë 13.11.2016 (publikuar në profilin Facebook), aktivitet elektoral, Z. Ilia Stefo, pjesëmarrës Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Z. Blendi Klosi

- Datë 14.11.2016, aktivitet elektoral, Z. Dritan Hajro, pjesëmarrës Sekretaria për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike të Shqipërisë Znj. Grida Duma

[iv] Qendra Rinore Tiranë, datë 09.11.2016, ora 17:00, pjesëmarrës të rinj dhe studentë nga qytetet e Leskovikut apo Ersekës, me studime apo të punësuar në Tiranë.

[v] “Federata Shqiptare e Futbollit bëhet parti”, datë 29.10.2016, www.skandal.al

[vi] Përjashtim bën një ankesë me shkrim e Kryetarit të Degës të Partisë Demokratike ndaj Bashkisë Kolonjë (Nr. 85 Prot, datë 02.10.2016) për dy qendra votimi (QV 4045 dhe 4045/1) të përcaktuara fare pranë me zyrën e kandidatit të majtë.

[vii] Procesverbali i Seancës Plenare të Kuvendit të Shqipërisë, datë 15.09.2016, Folës Zëvendës Kryeministri Z. Niko Peleshi, Faqe 54, “(...) Ne e harruam fare Muharrem Ramën, thua se kandidati nuk ka asnjë lloj vlere apo force në këto zgjedhje. Sa më tepër që kalon koha, zgjedhjet lokale në Shqipëri janë duke u bërë më lokale. Nuk mund t’i bëjmë dot politike zgjedhjet lokale. Në qoftë se duam ta lexojmë siç duhet, ky ishte gabimi i parë dhe më i madhi që ka bërë opozita në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2015 dhe në këto zgjedhje. Opozita shqiptare refuzon të kuptojë pse është rrëzuar, prandaj nuk fillon dot të ngrihet dhe nuk mund të ngrihet dot në qoftë se nuk e kupton se ku ka rënë. Në qoftë se vazhdon t’u japë zgjedhjeve lokale theks referendar politik, natyrisht që do të marrë këtë përgjigje. Unë këtë votë e lexoj si vetëdije të shtuar të dibranëve dhe të shqiptarëve, jo si një popull apo komunitet i pavetëdijshëm për atë që po bën.”, www.parlament.al

[viii] Aktivitete të publikuara nga vetë Faqja në rrjetin social Facebook të kandidatit të majtë Z. Ilia Stefo:

- “Ura Monument Kulture e Orgockës është rikthyer plotësisht funksionale me një kapacitet mbi 10 ton. Lehtësi në lëvizje për Orgockën, Qinamin, Radovickën, Kurtesin etj. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me Forcat e Armatosura edhe për rehabilitimin e urava të tjera në bashkinë tonë.” Koment: Investim i kryer nga Forcat e Armatosura, me prezencën e Ministres së Mbrojtjes Znj. Mimi Kodheli.

https://www.facebook.com/dr.iliastefo/photos/pcb.540693566120680/540691836120853/?type=3&theater

- “Në ekspozitën me foto të Dhimitër Vangjelit, një kolonjari të talentuar. Brenda 6 muajve do të çelim muzeun e fotografisë, në emrin e tij. Më shumë mbështetje për kulturën.” Koment: Ekspozitë fotografike me punë të fotografit Dhimitër Vangjeli, në Ersekë, veprimtari e Ministrisë së Kulturës.

https://www.facebook.com/dr.iliastefo/photos/pcb.533916966798340/533916396798397/?type=3&theater

- “Do të ndërtojmë qendrën e formimit profesional për të rinjtë, si një mundësi shume e mirë për punësimin e tyre. Në bashkëbisedimin plot entuziazëm dhe plot ide që pata dje, dal akoma më i bindur se gjatë drejtimit të bashkisë do të kem aleatë shumë të fortë për të zhvilluar këtë zonë.” Koment: Aktivitet me të rinjtë në Gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Nga imazhet e paraqitura dyshohet prania e personave nën 18 vjeç dhe, nga komunikimi me përfaqësues të kandidatit të djathtë, aktiviteti është zhvilluar me gjimnazistë përgjatë orarit mësimor.

https://www.facebook.com/dr.iliastefo/photos/pcb.534340816755955/534338906756146/?type=3&theater

[ix] Pjesë nga deklarata apo intervista të kandidatit Z. Ilia Stefo:

- “(...) Tashmë, në Ersekë kemi një model të mirë punësh siç është ajo e qendrës së qytetit të Ersekës, e cila do të shtrihet edhe në rrugët hyrëse të qytetit. Projekti i hyrjes dhe qendrës së Leskovikut tashmë është gati bashkë me garancinë e qeverisë shqiptare për mbulimin nga ana financiare të kësaj ndërhyrje.”, “Kolonja, Ilia Stefo: Mjekëve nuk ju lejohet të humbasin asnjë garë”, datë 29.10.2016, www.shqiptarja.com

- “Mirëqenia e banorëve të Bashkisë sonë varet edhe nga cilësia e shërbimit mjekësor. Nën garancinë time dhe me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë do të kompletojmë me aparaturat e nevojshme spitalin dhe do të plotësojmë stafin me mjekë specialistë.”, Postim në Faqen në rrjetin social Facebook të Kandidatit Z. Ilia Stefo, datë 06.11.2016

- “Ura Monument Kulture e Orgockës është rikthyer plotësisht funksionale me një kapacitet mbi 10 ton. Lehtësi në lëvizje për Orgockën, Qinamin, Radovickën, Kurtesin etj. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me Forcat e Armatosura edhe për rehabilitimin e urava të tjera në bashkinë tonë.” Postim në Faqen në rrjetin social Facebook të Kandidatit Z. Ilia Stefo, datë 15.11.2016

[x] Nga komunikimi verbal me anëtarë të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor dhe Sekretarinë e Gjykatës së Rrethit Korçë, të dy kandidatët garues do të votojnë me vendim gjykate.

[xi] Ligji Numër 115/2014, datë 31.07.2015, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, Fletore Zyrtare Numër 137, datë 01.09.2014,

[xii] Relacion për Projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, Korrik 2014, Faqe 53, “(...) Bazuar në raportin e grupit të ekspertëve për zonat funksionale, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, më datë 16 maj 2014, mbi bazën e kritereve të miratuara, prezantoi propozimin me 5 variante të hartës së ndarjes së re administativo-territoriale, përkatësisht me 30,39,47,57 dhe 63 zona funksionale. Nga analiza e 5 varianteve rezulton se jo të gjitha NJQV-të ndryshojnë konfigurimin e tyre nga njëri variant në tjetrin, psh. zona funksionale e Kukësit, Tropojës, Kolonjës apo e Lezhës nuk ndryshojnë, duke konfirmuar se kriteri i zonës funksionale është respektuar në maksimum.”, www.reformaterritoriale.al

[xiii] 1Ersekë, 2Qendër Ersekë, 3Leksovik, 4Qendër Leksovik, 5Novoselë, 6Barmash, 7Mollas dhe 8Çlirim.

[xiv] Vendimi Numër 160, datë 26.10.2016, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, “Miratimi i sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë Kolonjë, të datës 20.11.2016”, www.cec.org.al

[xv] “Strategjia Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore”, datë 29.07.2015“(...) Objektivi Strategjik 1: Zhvillimi i kapaciteteve të njësive të qeverisjes vendore Qëllimi kryesor në ecurinë e reformës së administratës publike në nivel vendor do të jetë konsolidimi i një administrate vendore të çburokratizuar, të paanshme politikisht, profesioniste dhe transparente duke siguruar parimet e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit. Ajo do të jetë e gatshme t’i përgjigjet pritshmërive të komuniteteve dhe biznesit për shërbime publike, e aftë që të përballojë sfidat e integrimit evropian të vendit dhe thithjen e fondeve të BE-së, duke respektuar gjithmonë standardet, të cilat janë njëkohësisht edhe prioritetet e reformës së administratës publike në nivel vendor. Përparësi do të ketë edhe forcimi i transparencës dhe pjesëmarrjes së komuniteteve, biznesit dhe shoqërisë civile në vendimmarrjen publike në nivel vendor.”, www.plgp.al

[xvi] Aneksi 1/1, Raporti i Zonave Funksionale, Faqe 368, “(...) Duke iu referuar të dhënave për administratën në rrethin e Kolonjës, aktualisht të gjitha njësitë vendore kanë një personel që në total përbëhet nga një numër prej 170 punonjësish. Duke aplikuar një reduktim të personelit në masën 70% për të gjitha njësitë që përthithen dhe duke lënë të pandryshuar personelin e bashkisë së Ersekës, numri i personelit do të ulet në 68 punonjës ose 40% më pak sesa numri aktual.”, www.reformaterritoriale.al

[xvii] Vendimi Numër 08, datë 19.02.2016, Këshilli Bashkiak i Bashkisë Kolonjë, “Për miratimin e numrit të punonjësve dhe nivelit të pagës për punonjësit e Bashkisë dhe institucioneve të varësisë së saj”, “(...) Administrata - 100 (njëqind), Punonjës pastrim e shërbim - 60 (gjashtëdhjetë), Drejtoria e Kulturës - 14 (katërmbëdhjetë), K.S. Gramozi - 5 (pesë).”

[xviii] Vendim Numër 73, datë 31.10.2016, Këshilli Bashkiak i Bashkisë Kolonjë, “Për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-31 Tetor 2016”, “(...) Përfitojnë ndihmë ekonomike për Muajin Tetor 2016 gjithësej 350 familje me një fond 1.360.132 lekë. (...) Përfitojnë pagesë paaftësie për muajin Tetor 2016 në total 901 persona me fond 7326004 lekë. (...) 1. Persona të paaftë - 242 persona;   2. Kujdestari paaftësie - 40 persona;   3. Persona të verbër - 71 persona;  4. Kujdestari verbërie - 25 persona;  5. Paraplegjik-tetraplegjik - 33 persona;   6. Kujdestari-para-tetraplegjik - 32 persona;   7. Invalidë pune - 458 persona.

[xix] Ligji Numër 139/2017, datë 17.12.2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, Transparenca e veprimtarisë së njësive të vetëqeverisjes vendore, Neni 15, Fletore Zyrtare Numër 249, datë 14.01.2016, www.qbz.gov.al.

[xx] “Raport kombëtar monitorimi; Pushteti Vendor nën lenten e të Drejtës për Informim”, Rrjeti i Gazetarisë Investigative, Shqipëri. www.pushtetivendor.reporter.al ,


Tiranë, më 16 Nëntor 2016!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016

Nisja e menjëhershme e punës prej Komisionit Parlamentar, domosdoshmëri për mosdështimin e Procesit të Reformës Zgjedhore !
24/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore