‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





DEKLARATË PËR SHTYP 6
Standartet e procesit zgjedhor në pikëpyetje nga rezultati i Bashkisë Tiranë

19/05/2011

Shkarko Deklaratën e plotë .pdf Shkarko .pdf 
 
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë po monitoron me vëmendje ecurinë e procesit zgjedhor në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve si dhe në ZAZ nr. 49 ku ende vazhdon procesi i numërimit për Kryetarin dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake Nr. 5 në Tiranë.

Pas publikimit të Deklaratës dhe Konstatimeve Paraprake më 10 maj 2011, nëpërmjet prononcimeve publike të përfaqësuesve të Koalicionit në media të ndryshme janë dhënë konsiderata, vërejtje dhe sugjerime në lidhje me ecurinë në vazhdimësi të procesit.

I shqetësuar nga zhvillimet e fundit, Koalicioni vlerëson paraprakisht se mungesa e një rezultati për Bashkinë Tiranë, ende pas 11 ditësh nga dita e votimit, veprimet joligjore të ndërmarra nga KQZ, situata e tensionuar pranë KQZ-së apo edhe protestat e ndërmarra nga opozita, po vënë në pikëpyetje plotësimin e standarteve të procesit zgjedhor si dhe vetë sistemin zgjedhor.

Forcat politike gjatë gjithë kësaj periudhe kanë influencuar në mënyrë direkte ndaj përfaqësuesve të tyre në Grupet e Numërimit të Votave dhe anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor për të zvarritur pa shkak procesin e numërimit duke krijuar dhe rritur artificialisht tensionin pranë dhe brenda Vendeve të Numërimit të Votave.

Tensioni u rrit edhe si pasojë e rezultateve kontradiktore të numërimit që vinin nga partitë politike, në mungesë të transparencës dhe publikimit të të dhënave në kohë reale nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, çka u mbulua nga kontributi i pazëvendësueshëm i disa mediave që e kryen këtë proces në kohë reale dhe me profesionalizëm.

Presioni është rritur ndjeshëm sidomos pas përfundimit të numërimit të Qendrës së fundit të Votimit dhe publikimit të rezultatit paraprak për Kryetarin e Bashkisë Tiranë.

Diferenca prej 10 votash në rezultatin përfundimtar paraprak midis dy kandidatëve garues për kryetarin e bashkisë Tiranë është një diferencë tepër e vogël në Bashkinë e Tiranës e cila përmban 485 qendra votimi dhe ku janë konstatuar 6699 vota të pavlefshme, ose 2.6 % e votave të numëruara për kryetar të Bashkisë Tiranë.

Ky rezultat priret të jetë i kontestueshëm në të gjitha këndvështrimet, qoftë edhe statistikisht nga pikëpamja e probabilitetit të gabimit njerëzor dhe mund të quhet përfundimtar pasi të mbarojë edhe procesi i ankimimit të mundshëm në KQZ apo në Kolegj Zgjedhor.

Prononcimet e parakohshme publike në lidhje me rezultatin, të kryetarit të mazhorancës dhe opozitës kanë marrë trajtat e presionit të hapur politik mbi punën e institucioneve të administrimit zgjedhor.

Si rezultat i këtij presioni dhe njoftimit për nisjen e procedurave joligjore të propozuar nga anëtarët e propozuar nga mazhoranca në KQZ, deputetët e opozitës në mënyrë të panevojshme, e kanë rritur akoma më tej tensionin politik duke hyrë në ambientet e KQZ dhe penguar vijueshmërinë normale të punës së tij në pasditen e datës 17 maj 2011.

Koalicioni i konsideron thirrjet nga eksponentë të opozitës ndaj qytetarëve për të protestuar dhe synimin e tyre për të hyrë me forcë në ambientet e KQZ si të pajustifikueshme dhe provokuese, përsa kohë që opozita ndodhet e përfaqësuar pranë këtij komisioni me anëtarët e propozuar nga vetë ajo, si dhe nga përfaqësuesit politikë të saj të akredituar aty, ndërkohë që sistemi ligjor dhe demokratik i vendit siguron mekanizmat e nevojshëm për gjetjen e zgjidhjeve ligjore dhe kushtetuese.

Ndërkohë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nën autoritetin dhe protagonizmin e Kryetarit të tij, jo vetëm që është duke ndërmarrë veprime antiligjore, por përgjatë procesit të hapjes dhe verifikimit të votave të kontestuara apo të pavlefshme, po konstatohen fakte serioze që ngrenë dyshime mbi sigurinë dhe paprekshmërinë e kutive të votimit.

I. Ecuria e procesit të numërimit për Bashkinë e Tiranës

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve me vendimin e tij nr. 541, udhëzoi kryerjen e procesit të numërimit në KZAZ e Njësive Bashkiake në Tiranë , duke filluar me numërimin e votave për Kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe Këshillit Bashkiak Tiranë, ndryshe nga sa parashikohet në Kodin Zgjedhor Neni 116 pika 1, me synimin e kryerjes sa më shpejt dhe me lehtësi të procesit të numërimit në Tiranë, ku çdo Qendër Votimi ka katër kuti votimi.

Pavarësisht kësaj, rezultoi se procesi i numërimit, si pasojë e kërkesave aspak reale dhe thellësisht politike, u zvarrit për më shumë se gjashtë ditë, duke përfunduar vetëm falë kontributit të paçmueshëm të përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe organizmave ndërkombëtarë, të cilët me prezencën e tyre të gjatë si vëzhgues pranë këtyre VNV-ve ndikuan jo vetëm për mbylljen e shpejtë të tij, por edhe në uljen e ndjeshme të tensionit dhe të mbajtjes në kontroll të militantëve të të dy kampeve politike.

Partitë politike nuk morrën përsipër përgjegjësitë e tyre për administrimin dhe vlerësimin sa më të shpejtë të votave të qytetarëve. Në Vendet e Numërimit të Votave u vërejt një prezencë e madhe e personaliteteve politike si deputetë të opozitës dhe mazhorancës, qeveritarë, etj, të cilët, në disa raste në mënyrë abuzive, nuk respektuan dispozitat e Kodit Zgjedhor për akreditimin e tyre apo të shoqëruesve të tyre pranë KZAZ-ve përkatëse dhe nuk respektuan numrin e limituar të vëzhguesve partiakë, sipas përcaktimeve ligjore në Kod për vëzhguesit e Koalicioneve Elektorale.

Prezenca e madhe dhe deklaratat e nxituara të këtyre personave në disa raste u bënë shkak i tensionimit të situatës apo edhe për ndodhjen e disa konflikteve të vogla.

Në mjaft raste u vërejt se këta persona kontestonin pa arsye dhe në mënyrë abuzive votat që numëronin Grupet e Numërimit të Votave duke sjellë bllokimin e procesit të numërimit.

Deklaratat zyrtare të partive politike e në veçanti të opozitës për mbledhjen e qytetarëve pranë VNV-ve për ruajtjen e votës ishin provokuese dhe të pajustifikueshme.

Përbërja e Grupeve të Numërimit të Votave me zyrtarë lokalë apo qëndrorë evidentoi qartësisht politizimin e skajshëm të punës së këtyre grupeve në vlerësimin dhe numërimin e votave të qytetarëve.

Në disa raste KZAZ-të, pa asnjë shkak dhe duke shkelur Kodin Zgjedhor krijuan vështirësi për prezencën e vëzhguesve të Koalicionit në Vendet e Numërimit të Votave, ndërkohë që nuk u evidentua asnjë rast ku KZAZ-të të merrnin masa për vëzhgues të akredituar nën siglën e subjekteve të tjera dhe që vepronin në mënyrë të hapur si vëzhgues të forcave politike.

II. Shpallja e rezultatit paraprak për Kryetarin e Bashkisë Tiranë

Interpretimi i pasaktë mbi rezultatin përfundimtar paraprak për kryetarin e Bashkisë Tiranë shkaktoi konfuzion dhe tension real midis militantëve dhe përkrahësve të të dy kampeve politike, në lidhje me atë se kush fitoi realisht kreun e Bashkisë Tiranë.

Koalicioni përshëndeti daljen publike të kreut të mazhorancës, në pozicionin e Kryeministrit të vendit, për ruajtjen e qetësisë dhe pritjen e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, sikundër parashikohet në Kodin Zgjedhor.

Por ky prononcim u shtri më tej duke dhënë opinionin e tij se si tabelat përfundimtare duhet të përqaseshin me rezultatet e çdo qendre votimi, ndërkohë që ky proces është tagër e KQZ-së dhe është qartësisht i shprehur në ligj.

Në mënyrë të pajustifikueshme disa KZAZ të njësive bashkiake në Tiranës vonuan dorëzimin e tabelës përmbledhëse pranë KQZ-së duke e mbyllur këtë proces më datën 16 maj 2011.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, pavarësisht kërkesave të bëra nga Koalicioni shumë kohë para ditës së zgjedhjeve për miratimin e tabelës përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës, vetëm në datën 16 maj e miratoi këtë model të tabelës përmbledhëse , duke mospërdorur termin “Bashkia e Tiranës” sikundër e ka përdorur në aktet e mëparshme por duke e quajtur “Zona Zgjedhore Bashkia Tiranë”.

Koalicioni konsideron me shqetësim se artikulimi në vazhdimësi i Kryeministrit të vendit në lidhje me procesin e papërfunduar të shpalljes së rezultatit për Kryetarin e Bashkisë Tiranë është një ndërhyrje direkte në punën e pavarur të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, në tejkalim të kompetencave të tij, deklaroi se do të ndërmerrte hapat e nevojshëm për vlerësimin e të gjitha votave të qytetarëve të cilat ishin në kuti të gabuara.

Rivlerësimi i fletëve të votimit jo në kutitë përkatëse

Koalicioni konsideron paraprakisht se e drejta e votës është një ndër të drejtat thelemelore të individit në një shoqëri demokratike.

Respektimi dhe sanksionimi i kësaj të drejte është materializuar në Kodin Zgjedhor nga Kuvendi i Shqipërisë si edhe në udhëzimet përkatëse në zbatim të Kodit të nxjerra nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Në një shtet demokratik e ligjor respektimi i së drejtës nëpërmjet një procedure ligjore është element thelbësor dhe jetik për demokracinë dhe institucione të konsoliduara.

Koalicioni vlerëson se fenomeni i hedhjes së fletëve të votimit në kutinë e gabuar nuk është një risi për administratorët e zgjedhjeve në Tiranë dhe nuk mund të pretendohet për ta respektuar atë vetëm pas shpalljes së rezultatit për kryetarin e bashkisë së Tiranës, ndërkohë që KQZ ka qenë në dijeni dhe ka udhëzuar GNV-të për konsiderimin e tyre të pavlefshme, çka ka ndodhur me të gjitha fletët e tilla, të cilat janë konsideruar fletë votimi të pavlefshme në mënyrë unanime nga të gjithë komisionerët, deri në momentin e shpalljes së rezultatit përfundimtar paraprak midis dy kandidatëve.

Në ditën e Votimit më datën 8 Maj, Koalicioni në bazë të të dhënave të raportuara nga vëzhguesit për ngatërrimin e votuesve në hedhjen e fletëve të votimit në kutitë respektive, i kërkoi publikisht Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, nëpërmjet një konference shtypi, që të merrte urgjentisht masa dhe të nxirrte një udhëzim të posaçëm për konsiderimin të vlefshëm të çdo vote ku shprehej qartë vullneti i zgjedhësit, pavarësisht kutisë në të cilën ishte hedhur.

Koalicioni e justifikoi këtë kërkesë me mungesën e fushatës së sensibilizimit për votuesit e Bashkisë Tiranë të cilët do të votonin në katër kuti, si dhe me faktin e ngjyrave të ngjashme të shenjave dalluese në kutitë e votimit, për më tepër që kishte disa qendra votimi ku shenjat dalluese në kutitë e votimit mungonin tërësisht.

Madje, u evidentuan disa raste kur qytetarët kuptuan në kohë hedhjen e pakujdesshme të fletës së votimit në kutinë e gabuar, dhe meqënëse në udhëzimet e dhëna nga KQZ në trajnimet e kryera për konsiderimin të pavlefshëm të çdo flete votimi të gjendur në kutinë e gabuar, Koalicioni i kërkoi KQZ- së që meqënëse këto fletë ishin të pavlefshme, të udhëzoheshin Komisionet e Qendrave të Votimit që t’u jepej sërish qytetarëve mundësia të merrnin një fletë tjetër votimi.

KQZ nuk morri asnjë masë në lidhje me këtë çështje.

Komisionerët e KZAZ-ve dhe anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave, deri në momentin e publikimit të rezultatit paraprak për kryetarin e Bashkisë Tiranë, në mënyrë konsesuale dhe pa asnjë kontestim në ndjekje të udhëzimeve të marra nga trajnimet e kryera nga inspektorët e KQZ-së, i konsideruan të gjitha fletët e votimit në kutitë e gabuara si të pavlefshme.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve

Më datën 17 maj KQZ futi në rendin e ditës vendimin “Për vlerësimin e fletëve të Votimit për Kryetarin dhe Këshillin e Bashkisë Tiranë të cilat gjenden në kutitë”.

Sipas informacioneve të marra nga vëzhguesit tanë, ky vendim është iniciuar nga disa Kërkesa që kanë paraqitur KZAZ nr. 46, 47, 48, 49, 51, 53, 54 dhe 55 për rivlerësimin e fletëve të votimit për kryetarin e Bashkisë Tiranë të gjetura në 60 Kuti Votimi të njësive bashkiake, ku, sipas tyre, janë evidentuar vetëm vota të qarta për kryetarin e Bashkisë Tiranë , të cilat KZAZ-të, në pamundësi të vlerësimit të këtyre fletëve, pasi tabelat përmbledhëse për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës janë mbyllur, i kërkohet KQZ që t’i vlerësojë dhe konsiderojë këto vota.

Këto Kërkesa janë firmosur vetëm nga anëtarët e mazhorancës në këto KZAZ.

Për shkak të hyrjes të të gjithë deputetëve të opoziës në sallën e mbledhjeve të KQZ-së ky vendim u shqyrtua ditën e nesërme datë 18 Maj 2011.

Kryetari i KQZ-së në shkelje të të gjitha procedurave ligjore, kaloi vetëm në parim këtë vendim pa e kaluar nen për nen, madje në draft-vendimin e paraqitur mungon pjesa e neneve që përcaktojnë këtë vendim.

Ky vendim u miratua në parim me katër votat e anëtarëve të propozuar nga mazhoranca, pavarësisht se, si akt normativ, kërkon një shumicë të cilësuar prej pesë votash.

Në mënyrë të menjëhershme pas kalimit në parim dhe pa një vendim paraprak KQZ solli në sallën e mbledhjeve të KQZ kutitë e votimit me fletët e kontestuara dhe të pavlefshme dhe filloi vlerësimin e tyre, proces i cili vazhdon ende.

Në diskutimet mbi ligjshmërinë e këtij akti, Kryetari i KQZ e konsideron një situatë të re ligjore dhe se KQZ po vepron si KZAZ për Bashkinë Tiranë, çka bie ndesh me Kodin Zgjedhor.

Në nenin 122 pika 6 dhe nenin 123 përcaktohet qartë roli i KQZ –së për nxjerrjen e rezultatin përfundimtar duke u bazuar në Tabelat Përmbledhëse të Rezultateteve të 11 KZAZ-ve në Tiranë.

Ndërkohë, në nenin 2 pika 8 dhe në nenin 27 pika 4 përcaktohet qartë se Zonat e Administrimit Zgjedhor në Bashkinë e Tiranës janë vetëm 11 Njësitë Bashkiake. Konsiderimi i KQZ si KZAZ për Bashkinë Tiranë është një koncept aspak i bazuar në ligj, madje abuziv, pasi në këtë rast KZAZ e Tiranës ka kompetenca më të fuqishme se KZAZ-të e tjera në marrjen në shqyrtim të vendimeve të tyre apo të ndryshimit të tabelave të rezultateve, të cilat janë tagër i Grupeve të Numërimit të Votave.

KQZ, vetëm më katër votat e anëtarëve të propozuar nga mazhoranca, po vlerëson fletët e votimit të kontestuara dhe të pavlefshme, sipas një informacioni paraprak të paraqitur në Kërkesat e bëra nga KZAZ-të e cituara më lart, dhe po ndryshon procesverbalet e grupeve të numërimit duke ia shtuar fletët e votimit të vlerësuar subjekteve apo kandidatëve garues në proces-verbalet përkatëse.

Përgjatë marrjes në shqyrtim të këtyre kutive të votimit, deri tani është konstatuar se: nuk merret në konsideratë kutia përkatëse e materialeve zgjedhore; kutisë së QV 1800 nuk i korrespondojnë kodet e vulave të sigurisë me të cilat i ka mbyllur Grupi i Numërimit të Votave; në kutinë e QV nr. 1797 doli një fletë votimi e QV nr. 1810/1 si dhe probleme të tjera të cilat po ngrenë dyshime mbi sigurinë dhe paprekshmërinë e kutive të votimit.

Koalicioni i konsideron hapat e ndërmarra nga KQZ dhe kryetari i saj si shkelje flagrante e ligjit zgjedhor.

Sjellja e këtij Komisioni dhe kryetarit të tij duke marrë vendime të kundraligjshme me katër votat e anëtarëve të propozuar nga shumica, është qartësisht për motive dhe interesa politike, duke rrezikuar integritetin e procesit, sistemin zgjedhor dhe minuar besimin e qytetarëve në institucionet e pavaruara dhe rezultatin që do të çertifikohet.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është institucioni garant dhe mbrojtës i interesave të qytetarëve përballë interesave të partive politike. Ai është një organ kolegjial që synon realizimin e një procesi të drejtë e demokratik në respekt të vullnetit të qytetarit, duke drejtuar një administratë të tërë e cila nuk mund të kompromentohet nga vullneti individual i një anëtari të tij, qoftë ky edhe Kryetari.

Partitë politike

Koalicioni i tërheq vëmendjen partive poltike t’i japin fund ndërhyrjes dhe influencave në punën e institucioneve të administrimit zgjedhor.

Përfundimi dhe çertifikimi i procesit zgjedhor është një çështje thellësisht teknike që pasqyron vetëm vullnetitn e votuesit dhe nuk është aspak çështje politike.

Koalicioni i kërkon Partisë Socialiste, Kreut të saj si dhe opozitës të ndalin protestat dhe të ndjekin hapat ligjorë duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat dhe hapësirat ligjore.

Besimi tek institucionet është element thelbësor që duhet nxitur dhe ushqyer tek qytetari për një shtet demokratik dhe shoqëri të përgjegjshme.

Koalicioni i kërkon Presidentit të Republikës të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese duke mos lejuar prekjen e integritetit të sistemit dhe futjen e vendit në një krizë të re politike.

Tiranë më 19 Maj 2011
NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore