‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti Përfundimtar i Monitorimit - Zgjedhjet e Pjesshme për kryetar të Bashkisë Dibër !
27/09/2016

MONITORIMI I ZGJEDHJEVE TË PJESSHME

për Kryetar të Bashkisë Dibër

11 Shtator 2016

 


RAPORT PËRFUNDIMTAR MONITORIMI

 01 Gusht  – 22 Shtator 2016

 


Shkarko Raportin e Plotë në .pdf


 

         HYRJE

 

   Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë akreditoi 15 vëzhgues afatgjatë dhe 73 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar gati të plotë këtë proces zgjedhor në fazat kryesore të tij, prej shpalljes së ditës së zgjedhjeve deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar. Metodologjia e vëzhgimit për ditën e zgjedhjeve ishte e përzier, duke angazhuar 15 grupe vëzhgimi të lëvizshëm dhe 27 vëzhgues të stacionuar në qendrat e votimit përgjatë gjithë ditës. Procesi i numërimit të votave u vëzhgua totalisht, ashtu si edhe procesi i ankimimeve dhe apelimeve, në të gjitha nivelet, deri në nivelin e Kolegjit Zgjedhor.

 

   Në këtë aksion vëzhgimi, Koalicioni testoi metoda të reja, me qëllimin për t’i përdorur ato në masë gjatë vëzhgimit të procesit zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017. Në kuadër të metodave të reja, Koalicioni angazhoi në monitorimin e ditës së zgjedhjeve një grup vëzhguesish me eksperiencë të konsiderueshme edhe në nivel ndërkombëtar, në krah të vëzhguesve të angazhuar në nivel lokal, me qëllim rritjen e kapaciteteve lokale dhe evidentimin e formave jo lehtësisht të identifikueshme të korrupsionit zgjedhor.

 

   Ky dokument është përpjekur të jetë sa më i imtësishëm në elementët e monitoruar dhe në ndjekje të procedurave ligjore. Për këtë shkak, për ta lehtësuar leximin e dokumentit nga rëndesa e referencave, këto të fundit janë listuar sistematikisht dhe të pasura në detajime si shtojcë e dokumentit.

Në mungesë të një Buletini për këtë proces zgjedhor, informacioni i dhënë në këto shtojca është përpjekur të japë një fotografim të të gjithë procesit edhe si ruajtje kujtese e kësaj përvoje zgjedhore në të ardhmen.

 

   Përgjatë monitorimeve të proceseve zgjedhore, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është munduar të ridimensionojë në vijueshmëri metodologjinë dhe standardet e vëzhgimit. Përpos monitorimit të ngushtë të administrimit të procesit zgjedhor, KVV është përpjekur të vendosë perspektiva të reja si në vëzhgimin e procesit, por edhe në diskutimin politik. Përmenden këtu çështje si: drejtësia zgjedhore, financimi i partive politike dhe përfshirja sa më e gjerë në proceset e reformës legjislative.

E tërë kjo qasje në funksion të vlerave që përpiqet të mbrojë KVV të cilat nuk janë thjesht në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, por në ndërtimin e një realiteti demokratik.

 

   Në këtë frymë, dokumenti është përpjekur të japë një fotografi sa më të plotë të kapaciteteve institucionale në organizimin e zgjedhjeve dhe të zbatueshmërisë së ligjit zgjedhor.

Mbarëvajtja dhe problematikat e këtij procesi zgjedhor do të duhet të shërbejnë si një kujtesë e fundit ndaj lidershipeve politike se cili është realiteti institucional dhe gjendja e zbatueshmërisë së ligjit zgjedhor. Realitet ky në të vërtetë që mban autorësinë e këtyre lidershipeve dhe që i takon atyre ta adresojnë brenda standardeve të një shoqërie demokratike.

 

 

KVV dëshiron të theksojë se ishte falë gatishmërisë dhe operativitetit të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë që u bë e mundur mbështetja financiare për një aksion më të plotë monitorimi, nëpërmjet fondeve të administruara nga Zyra e Huaj Federale në Berlin, në kuadër të “Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore”.

Edhe në këtë aksion, një vend të rëndësishëm në përmbushjen cilësore të objektivave të aksionit të vëzhgimit, zë kontributi vullnetar i KVV-së dhe aktivistëve të tij.


 ==========================

 


I.  VLERËSIMI

 

     Procesi zgjedhor për Kryetar të Bashkisë Dibër ishte sprova e dytë në vend për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme sipas Kodit Zgjedhor të amenduar në reformën zgjedhore të kryer në vitin 2012.

Ky proces zgjedhor, përpos problematikave të vërejtura edhe në proceset periodike, mbarti edhe zhvillime dhe problematika të llojit të veçantë.

Më e para prej problematikave është mosrregullimi ligjor i mbarëvajtjes së zgjedhjeve të pjesshme nga Kodi Zgjedhor, përpos përcaktimit të disa afateve proceduriale.

Kuadri ligjor nuk cakton rregullime për kontrollimin e:    financave të subjekteve zgjedhore; monitorimit të sjelljes së mediave;  mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore e të tjera çështje pjesë e një procesi zgjedhor.   Mangësi këto që i bëjnë zgjedhjet e pjesshme një proces ku mungojnë disa nga standardet ligjore kryesore, mbi bazën e të cilave sigurohet mbarëvajtja e procesit, si dhe mundësohet vlerësimi i ecurisë së tij.

 

   Procesi zgjedhor për Kryetar të Bashkisë Dibër mund të shihet edhe si një test në miniaturë për zhvillimin e procesit zgjedhor të viti 2017, si dhe, si një rikujtesë për vëmendje ndaj reformës zgjedhore, për problematikat që mbartin zgjedhjet në vend.

  Ky proces, në rezultanten e tij testoi dhe rikujtoi gjendjen e zbatueshmërisë së ligjit dhe të procedurave nga administrata publike.

   Standard i munguar ishte mungesa e transparencës që vetë kuadri ligjor garanton. Mungesë transparence në mospublikimin e akteve në disa raste nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo nga Këshilli Bashkiak Dibër;  moszbardhja e vendimeve prej Kolegjit Zgjedhor apo prej Gjykatës Kushtetuese; si dhe rasti i pengimit apo zvarritjes ndaj kërkesave të vëzhguesve, çka kufizoi mundësinë për vëzhgim efektiv të të gjithë aspekteve të përgatitjes dhe zhvillimit të procesit zgjedhor.

Të tëra këto vijnë në vazhdën e një tradite institucionale që sa vjen e agravohet pa një adresim real të saj.

   Kësisoj sigurimi rigoroz i transparencës dhe i rezervimit të së drejtës së informimit duhet të jenë parakushti në konceptimin e çdo amendimi ligjor gjatë reformës zgjedhore apo edhe në organizimin e procesit zgjedhor të vitit 2017.

Çdo hap procedural, që nga pikënisja e tij në vendimmarrjen legjislative dhe duke vazhduar në zbatimin e legjislacionit prej institucioneve, duhet të sigurojë transparencë reale dhe lehtësi aksesimi apo marrje informacioni.

 

   Fushata zgjedhore për Kryetarin e Bashkisë Dibër u zhvillua si kapilarizim i tërë strukturave politike.

Garimi i dy kandidatëve, u zhvendos në konfliktualitetin e lidershipeve politike dhe u funksionalizua në platformat politike të forcave partiake të maxhorancës dhe opozitës.

Kjo e tjetërsoi së tepërmi nga normaliteti fushatën, aq sa në disa raste edhe vetë kandidatët në ligjërim nuk reklamuan ofertën e tyre si kandidaturë, por reklamuan lidershipin politik përkatës për qeverisjen e vendit.

 

   Në trajektoren rritëse të akuzave për forma të drejtimit dhe të blerjes së votës, ku janë përfshirë proceset zgjedhore në vend, ishte dhe procesi zgjedhor i Bashkisë Dibër.

   Reagimi institucional nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si mbikëqyrës i procesit zgjedhor, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit si organe të hetimi, ishin tejet të ulët.

Qëndrimet publike të këtyre institucioneve munguan dhe,  përsa u arrit të bëhej e ditur,   investimi i tyre ka qenë minimal.

  Institucionet përgjegjëse qëndruan pasive, jo efektive në kohë dhe jo në lartësinë e përgjegjësive që mbartin.    Çka bëri që kjo përvojë ta thellojë instrumentalizimin e akuzës si mjet të ligjërimit politik dhe jo si mekanizëm hetues të sistemit të drejtësisë.

 

Thënë të gjitha këto, KVV thekson se sistemi demokratik nuk mund të thjeshtëzohet në një proces elektoral, si dhe një proces elektoral nuk mund të thjeshtëzohet në një proces numërimi fletësh votimi.

   Përpos aspiratave të një vendi demokratik, tradita e deri më sotme ka qenë më së shumti një përpjekje për të tejkaluar së qeni një proces numërimi fletësh votimi.

Sfida më e madhe elektorale në 20 vite ka qëndruar tek arritja e një menaxhimi të mirë të procesit zgjedhor,  ndërsa shtyllat e tjera kryesore të procesit zgjedhor si:  financat e partive politike; drejtësia zgjedhore; sigurimi i transparencës së procesit; ngritja e diskursit politik në argumente dhe dëgjesa ndaj zërit qytetar, janë vlerësuar si dytësore.

 

   Procesi zgjedhor në Bashkinë Dibër pikënisi nga një rast shpërdorimi detyre nga Kryetari i Bashkisë.

   Përsa u vëzhgua dhe evidentohet hollësisht në raport, në gjykimin e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë,  natyra e pikënisjes së këtij procesi zgjedhor rezultoi të ishte natyrë e vetë procesit zgjedhor.

 

Zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Dibër ishin një proces zgjedhor i radhës, por nuk ishin pjesë e një përvoje të standardeve dhe aspiratave demokratike të një niveli të tillë që qytetarët shqiptarë meritojnë, apo që stadi aktual i aspiratave integruese dhe ndërtimit të shtetit ligjor kërkojnë.

 

 

==========================

 

XIV.  REKOMANDIME

 

a) Rekomandime specifikisht për Zgjedhjet e Pjesshme

Këto rekomandime në amendim të kuadrit ligjor, kanë për objekt specifikisht proceset zgjedhore të zhvilluara në rastin e zgjedhjeve të pjesshme ose të parakohshme:

 

1.         Amendimi i Kodit Zgjedhor për përcaktimin e afateve proceduriale të organizimit të procesit zgjedhor në rastet e zgjedhjeve të pjesshme dhe të parakohshme.

2.         Amendimi i Kodit Zgjedhor në rregullim të:  financave të subjekteve zgjedhore, monitorimit të mbulimit mediatik të fushatës zgjedhore, njoftimit me shkrim të zgjedhësve dhe çështjeve të tjera zgjedhore në rastet e zgjedhjeve të pjesshme dhe të parakohshme.

3.         Amendimi i Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” për kompetencat dhe tagrat ligjorë të Kryetarëve të Bashkisë të përzgjedhur nga Këshilli Bashkiak në rastin e vakancave të parakohshme.

 

 

b) Rekomandime për proceset zgjedhore në tërësi

 

Këto rekomandime në amendim të kuadrit ligjor, kanë për objekt tërë proceset zgjedhore të zhvilluara, qofshin të pjesshme, të parakohshme, periodike për qeverisjen vendore ose qendrore:

1.         Amendimi i Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” në sigurimin e transparencës së veprimtarisë financiare të administratës së njësisë vendore dhe lehtësimin e marrjes së informacionit të detajuar nga publiku dhe organizatat monitoruese.

2.         Amendimi i Kodit Zgjedhor në funksion të përcaktimit të një periudhe “ngrirje” apo të reduktuar të aktivitet financiar të administratës së njësive vendore në prag të proceseve zgjedhore, me qëllim kufizimin e rasteve të përdorimit të kapaciteteve financiare të administratës publike në forma të drejtimit dhe blerjes së votës.

3.         Strukturalizimi i një procesi ligjor komunikimi midis institucioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit.

Ky kanal komunikimi procedural duhet të adresohet në Kodin Zgjedhor si një instrument i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe penalizimin e formave të korrupsionit zgjedhor.

4.         Sugjerohet ngritja e një strukture të specializuar si pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme me objekt: “hetimin dhe ndjekjen e formave të korrupsionit zgjedhor”.

5.         Amendimi i Kodit Zgjedhor në funksion të ripërcaktimit të rolit të vëzhguesve të pavarur në të drejtat që gëzojnë në procesin zgjedhor, me qëllim saktësimin e plotë ligjor të të drejtave të tyre për praninë përgjatë procesit dhe marrjen e dokumentacionit apo materialeve zgjedhore.

6.         Saktësimi rigoroz dhe pa ekuivok në Kodin Zgjedhor të formulimeve dhe përcaktimeve të afateve proceduriale.

 

 

c) Rekomandime për praktikat dhe sjelljet e mira elektorale

Duke qenë se ecuria e reformës zgjedhore është e paqartë deri më tani dhe mund të priten procese zgjedhore të tjera për zgjedhje të pjesshme, bëhet i domosdoshëm një manifestim etik prej personaliteteve politike.

Më poshtë paraqiten disa rekomandime në frymën e praktikave dhe sjelljeve të mira elektorale:

1.         Është i domosdoshëm qëndrimi i matur i lidershipeve politike gjatë zhvillimit të fushatave zgjedhore për funksionarë të njësive vendore pa i eklipsuar këta të fundit.

2.         Është domosdoshmëri që ligjërimi politik të jetë sa më konstruktiv si dhe mos të përdorë terma fyes apo të shfaqë nota të gjuhës së urrejtjes.

3.         Kandidatët garues për funksionarë të njësive vendore duhet të përgatisin dhe paraqesin një platformë elektorale të qartë dhe të argumentuar, pa mbështetur kandidaturën e tyre në mbështetjen politike të qeverisjes qendrore.

4.         Drejtuesit e institucioneve, sidomos të atyre të përfshirë në proceset zgjedhore, duhet të tregojnë vëmendje maksimale në përmbushjen e detyrimeve ligjore në bërjen e transparencës si dhe në përmbushje të së drejtës së informimit.

5.         Zyrtarët dhe funksionarët shtetërorë nuk duhet të marrin asnjë rol drejtues apo të jenë pjesëmarrës në veprimtaritë e fushatave zgjedhore, sidomos kur ato i përkasin zgjedhjeve për qeverisjen vendore.

6.         Titullarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit duhet të koordinohen dhe të angazhohen duke u investuar ndaj çdo akuze apo indicie për forma të drejtimit apo blerjes së votës.

 

 

============================================================

 

IV. AKSIONI I KOALICIONIT TË VËZHGUESVE VENDORË (KVV)

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) është një bashkim vullnetar organizatash jo qeveritare dhe jo politike thelbi i aktivitetit të të cilave është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe zhvillimi i demokracisë në vend, e veçanërisht vëzhgimi i proceseve zgjedhor – aktivitet të cilin që prej vitit 2005 e kanë kryer nën siglën KVV.

 

Strategjia e veprimit të KVV bazohet në tre shtylla: pavarësi, paanësi dhe objektivitet.

 

KVV ndjek nga afër dhe në vazhdimësi situatën politike dhe sjelljen institucionale në vend, duke u fokusuar qysh prej përfundimit të Aksionit të Monitorimit për Zgjedhjet Lokale të vitit 2015 në adresimin e korrupsionit zgjedhor, nëpërmjet prononcimeve publike, shkresave zyrtare apo takimeve të ndryshme.

KVV ka shprehur në vazhdimësi shqetësimet e veta lidhur me zhvillimet të cilat potencialisht mund të ndikojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri dhe ka bërë thirrje për një reformë elektorale të thelluar e gjithëpërfshirëse, e cila të adresojë në sa më shumë elementë të jetë e mundur çështjet e korrupsionit zgjedhor në vend.

 

Ky Raport Përfundimtar Monitorimi mbulon tërë procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Dibër, prej datës 1 gusht 2016 deri më 22 shtator 2016.

 

============================================================

 

Aksioni i Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë për Monitorimin e Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetar të Bashkisë Dibër u mbështet financiarisht prej:

 

 -  Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, me fonde të  administruara nga

 - Zyra e Huaj Federale në Berlin,  në kuadër të “Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore”.


- Gjithashtu, KVV dëshiron të falënderojë  aktivistët e organizatave përbërëse të Koalicionit për angazhimin dhe kontributin e tyre vullnetar në përmbushjen cilësore  të objektivave të Aksionit të Vëzhgimit.

-----------------------------------------------------

 

Mendimet e shprehura në këtë raport janë të KVV-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht edhe ato të donatorit!


============================================================

 

Tiranë, më 27 Shtator 2016!


NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore