‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Tërheqja e amendimit për importin e mbetjeve, detyrim moral dhe politik i mazhorancës qeverisëse !
20/09/2016

D E K L A R A T Ë

 

Shkarko Deklaratën e Plotë në .pdf


     Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, në ndjekje të ecurisë për miratimin e amendimeve të Ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të parashikuar për t’u shqyrtuar në seancën parlamentare të datës 22 shtator,   rithekson me forcë qendrimin e tij në lidhje me këtë proces, të bërë me dije edhe në “Qendrimin Publik” të publikuar me 5 gusht 2016.

 

Nisur nga fakti se konsultimi, informimi dhe diskutimi i gjerë publik, janë pjesë e të ashtuquajturit “standard të gjithëpërfshirjes”, Koalicioni vë në dukje se ky standard, i vështirë për t’u zbatuar prej klasës politike, u arrit të imponohej prej qytetarëve shqiptarë përgjatë periudhës 2011-2013.

 

Kundërvënia qytetare për një pjesë të ligjit mbi importimin e mbetjeve u bë shkaktare për një nismë popullore për mbajtjen e një referendumi kombëtar për shfuqizimin e neneve që lejonin importin e mbetjeve.

Kjo kërkesë, e vetmja që prej vitit 1998, arriti të merrte miratimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të Gjykatës Kushtetuese dhe në fund edhe dekretimin e datës së mbajtjes së referendumit prej Presidentit të Republikës.

 

Ndjeshmëria e lartë qytetare dhe mbështetja e gjerë në dukje ndaj saj, bëri që opozita e atëhershme (mazhoranca e sotme) të përfshijë amendimin e ligjit dhe ndalimin e importit të mbetjeve në platformën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës.

Me fitoren e koalicionit opozitar, premtimi elektoral u mbajt dhe, që në ditët e para qeverisëse, në tetor 2013 u bënë amendimet e kërkuara në ligj, duke e bërë në vazhdim të paqendrushëm dhe pa objekt referendumin e shpallur për t’u zhvilluar më 22 dhjetor 2013.

 

   Rreth tre vite pas përmbylljes pozitive dhe pas imponimit të të mbiquajturit “standard gjithëpërfshirës”, në një moment kulmor të ngërçit të imponuar politik, ligji për importin e mbetjeve ngrihet sërish si shqetësim për shkak të një nisme të depozituar në Kuvend më 30 qershor 2016 për ta amenduar atë, duke lejuar sërish importin.

Në relacionin e projektligjit, tre deputetët propozues deklarojnë se “akti i propozuar, nuk ka qene i parashikuar ne programin analitik te akteve te Ministrise se Mjedisit ...” dhe, nga ana tjetër, se “Akti është hartuar nga Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Shoqatën e Ricikluesve në vend dhe me Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”.

Ndonëse në reagimin zyrtar mohohet përfshirja e qeverisë në këtë nisëm, kjo nuk provon mungesën e vullnetit të saj për miratimin e amendimeve në fjalë.  Përfshirja e Ministrisë së Mjedisit dhe e tre deputevë socialistë në hartimin e draftit, mënyra e ndjekur për t’a përfshirë në rendin e ditës të seancës parlamentare të datës 21.07.2016 dhe ecuria e mëpasme janë një provë më shumë për një vullnet politik për t’a miratuar atë.

 

Zhbërja në një hark kohor tre vjeçar e një akti që e njëjta qeveri e ka marrë, sidomos në raport me një referendum të anulluar tashmë, pavarësisht mangësive në legjislacionin që rregullon referendumet, përbën një amoralitet politik dhe elektoral.

 

Gjithashtu, përbën non sense logjik edhe të një sistemi demokratik, që legjislativi dhe ekzekutivi t’i bishtojnë nismave referendare duke i pranuar kërkesat në momentin e parë dhe për t’i shtyrë në një situatë të dytë ku nuk iu duhet të përballen me rezistencën qytetare.

 

Përsëritja në vijimësi e këtij mekanizmi sprove do të thyente edhe më ndjeshmërinë e reagimin qytetar, duke ulur akoma më shumë pritshmëritë dhe besimin e pakët të tyre jo vetëm ndaj politikës dhe institucioneve, por tashmë edhe ndaj vetë sistemit demokratik dhe mekanizmave që ai duhet të sigurojë.

 

   Përpos kritikave që mund t’i bëhen përmbajtësisht ligjit, që janë në fakt domain i ekspertizës përkatëse, amendimet në fjalë sjellin në plan të parë edhe njëherë diskutimet dhe kritikat që u bënë shkak për nismën e konsultës referendare të vitit 2013, e cila nuk u konkludua, dhe ndaj të cilës u krye dhe u mor një zotim i qartë politik.

 

Edhe në rastin kur rrethana të reja do të impononin nevojën e rishikimit dhe të ripozicionimit politik, prapë në frymën e “standardit gjithëpërfshirës”, nevojitet një proces konsultimi i gjerë publik në përputhje jo vetëm me kuadrin standard ligjor, por edhe më shumë se aq.  

 

Për sa më sipër, Koalicioni i bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe veçanërisht mazhorancës qeverisëse që, për ruajtjen e moralit politik e elektoral ndaj qytetarëve votues, si edhe për specifikën subjektive të angazhimeve të mëherëshme të ndërmarra nga qeveria,    të kërkojnë heqjen nga rendi i ditës të këtij amendimi në seancën e së enjtes,  si dhe të kërkojnë domosdoshmërisht kryerjen paraprakisht, së paku,  të një fushate informimi e konsultimi të gjerë në të gjithë vendin dhe njëkohësisht të shtrirë në kohë, në raport edhe me kohëzgjatjen e fushatës referendare të zhvilluar tre vjet më parë.

 

Nga ana tjetër, për shkak të specifikës objektive që mbart ligji në vetvete për një çështje madhore që ka të bëjë me të ardhmen e sigurisë mjedisore të vendit dhe brezave që vijnë, bëhet mëse i domosdoshëm një diskutim i gjerë në nivel ekspertize duke përfshirë gjerësisht grupet e ekspertëve, qarqet akademike, institucionet shtetërore dhe aktorët e tjerë të interesuar.

 

Për më tepër, stadi i ri institucional dhe i funksionalitetit të demokracisë shqiptare, pas pranimit politikisht dhe pas materializimit në legjislacionin shqiptar të “standardit të gjithëpërfshirjes”, do të kërkonte në mënyrë të natyrshme  që një çështje e tille t’i shtrohej për miratim votuesit shqiptar nëpërmjet referendumit.

 

Tiranë, më 20 Shtator 2016!

 

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore