‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Përzgjedhja e Kryetarit të ri të KQZ-së, domosdoshmëri për një proces transparent !
14/09/2016

L E T Ë R    E    H A P U R

 

Shkarko Letrën e Plotë në .pdf


Drejtuar:      Kryetarit të Partisë Socialiste

Z. Edi RAMA

Kryetarit të Partisë Demokratike

Z. Lulzim BASHA

Kryetarit të të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim,

Z.   Ilir META

 

Për Dijeni:    Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

SH.T.Z.  Bujar NISHANI

Kryetarëve të Partive Politike Parlamentare

Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë

Anëtarëve të Komisionit për  Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut 

Misionit të OSBE-së

Delegacionit të Bashkimit Europian

Zyrës së Këshillit të Europës

Ambasadës së Shteteve të Bashkuara

Opinionit Publik

 

Të nderuar Zotërinj !

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV), si një grupim organizatash që punojnë në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, e ka ndjekur në mënyrë të pandërprerë punën dhe performancën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që prej konstituimit të tij në vitin 2012, sipas amendimeve të fundit të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

 

Monitorimi i kryer është shoqëruar me Raporte periodike mbi proceset zgjedhore, Deklarata në nxitje të mbarëvajtes së proceseve ligjore dhe Qendrime Publike mbi vërejtjet ndaj ecurisë institucionale jo vetëm të KQZ-së, por edhe të aktorëve të tjerë në raport me mirëfunksionimin e saj.

 

Hartimi i këtyre Dokumentave dhe Qendrimeve Publike të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë është bërë në funksion të qëllimit për të siguruar mbarëvajtjen ligjore të proceseve dhe në raport me standardet demokratike, duke i kushtuar rëndësi jo thjesht evidentimit të problematikave dhe gravitetit të tyre, por në rradhë të parë, qëndrimit konstruktiv për forcimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të KQZ-së si një institucion i pavarur dhe i fortë, i cili ka si sfidë të tij, përveç mirëadministrimit të procesit zgjedhor, edhe  financat e partive politike e fushatave zgjedhore, si edhe procesin e dekriminalizimit.

 

   Sipas Kodit Zgjedhor, mandati 4 vjeçar i Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve aktual mbaron me datë 18.10.2016. Për këtë arsye, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, jo më vonë se data 18 shtator 2016, duhet të shpallë vakancën dhe të bëjë thirrjen e hapur për dorëzimin e aplikimeve prej të gjithë kandidatëve të interesuar.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, edhe përpara procesit të emërimit të Kryetares aktuale të KQZ-së, me anë të një Letre të Hapur i ka bërë thirrje drejtuesve politikë dhe të grupeve parlamentare për një proces përzgjedhje të kandidaturave sa më transparent dhe jashtë ndërhyrjeve politike[1].

Kjo për shkakun se Kryetari i kësaj trupe është jo vetëm votë përcaktues në vendimmarrjen e institucionit, por, si titullari i tij, është ai që dikton frymën dhe qasjen e gjithë institucionit ndaj përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe një përformancë sa më të lartë në arritjen e standardeve më të mira europiane.

 

 

Në mbështetje edhe të kritikave ndaj procesit të shkuar të përzgjedhjes prej Parlamentit të Kryetarit të KQZ-së dhe ecurisë së deri më sotme institucionale të këtij institucioni,

KVV Ju bën thirrje sërish për të konsideruar si mjaft të rëndësishëm ecurinë e këtij procesi, dhe në linjë edhe me angazhimet politike të shprehura publikisht prej jush, parashtron se ky proces përzgjedhje duhet të sigurojë së paku:

 

- transparencë sa më të plotë të profileve të kandidatëve garues;

- zhvillim të seancave plenare dëgjimore me tërë kandidatët që plotësojnë kriteret;

- parashtrim të platformave institucionale prej kandidaturave garuese;

- përfshirje në seancat dëgjimore të grupeve të interesit dhe organizatave të përfshira në monitorimin e Komisionit Qendror të Zgjedheve.

 

   Kodi Zgjedhor parapërcakton një seri kriteresh që kandidatët garues do të duhet të plotësojnë. Këto kritere, në gjykimin e KVV-së, nuk janë të mjaftueshme për përzgjedhjen e titullarit të këtij Institucioni të rëndësishëm në frymën që mbart Kodi Zgjedhor duke lënë shumë vend për diskrecionalitet dhe votim politik në vlerësimin e kandidaturave.

 

Edhe në këtë moment, KVV sjell në vëmendjen tuaj domosdoshmërinë e vendosjes së disa kritereve të tjera udhëzuese përgjatë vlerësimit të kandidaturave.    Këto kritere të shtuara do të duhet të vlejnë si indikatorë sa më objektivë dhe të sigurojnë së paku:

 

- apolitizmin në profilin dhe përvojën profesionale të kandidatit për Kryetar;

- ekspertizën dhe njohjen prej kandidaturës së punëve dhe çështjeve zgjedhore;

- formimin profesional të kandidaturës mbi mbarëvajtjen kushtetuese dhe institucionale;

- integritetin sa më maksimal të personit dhe të etikës së tij profesionale;

- pasjen e përvojave të mëparshme institucionale.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë Ju bën thirrje që në vazhdën e angazhimeve tuaja për forcimin e institucioneve dhe, në veçanti të pavarësisë dhe paanshmërisë së institucioneve të pavarura e konkretisht të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të ushtroni autoritetin tuaj ndaj strukturave të përfaqësuese të partisë dhe strukturave parlamentare për të siguruar një proces përzgjedhës transparent dhe larg ndërhyrjeve politike.

 

Me konsideratë të lartë,

 Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë

Përfaqësuesit e Organizatave Drejtuese


 

         Gerta META                                Premto GOGO                        Rajmonda PRIFTI

 

        Drejtore Ekzekutive                          Kryetar                             Drejtore Ekzekutive

Shoqata për Kulturë Demokratike     Shoqata KRIIK Albania          Shoqata për Gratë e Fëmijët

 

 

 


[1] Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, Letër e Hapur ”Përzgjedhja e anëtarëve të rinj të KQZ-së”, datë 18 Shtator 2012.  http://www.zgjedhje.al/uploads/File/KVV%20-%20Leter%20e%20Hapur%20-%20Miratimi%20i%20Anetareve%20te%20Rinj%20te%20KQZ-18Shtator2012%21.pdf .

 

Tiranë, më 14 Shtator 2016!

 

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore