‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Raporti i Ndërmjetëm i Monitorimit - Zgjedhjet e Pjesshme për kryetar të Bashkisë Dibër !
09/09/2016

MONITORIMI I ZGJEDHJEVE TË PJESSHME

për Kryetar të Bashkisë Dibër

11 Shtator 2016



RAPORT I NDËRMJETËM MONITORIMI

 01 Gusht  – 08 Shtator 2016

 

Shkarko Raportin e Plotë në .pdf


         Parathënie

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, e ka vëzhguar nga afër procesin për Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetar të Bashkisë Dibër të 11 Shtatorit 2016 që prej nisjes së tij.

 

Falë gatishmërisë dhe operativitetit të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë u bë e mundur mbështetja financiare për një aksion më të plotë monitorimi, nëpërmjet fondeve të administruara nga Zyra e Huaj Federale në Berlin, në kuadër të “Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore”. Theksojmë se edhe në këtë aksion, një vend të rëndësishëm zë kontributi vullnetar i KVV dhe aktivistëve të tij.

 

KVV ka akredituar 15 vëzhgues afatgjatë dhe 73 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar gati të plotë këtë proces zgjedhor në fazat kryesore të tij, prej shpalljes së ditës së zgjedhjeve deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar.

Metodologjia e vëzhgimit për ditën e zgjedhjeve do të jetë mikse, duke angazhuar 15 grupe vëzhgimi të lëvizshëm dhe 38 vëzhgues të stacionuar në qendrat e votimit përgjatë gjithë ditës. Procesi i numërimit të votave do të vëzhgohet totalisht, ashtu si edhe procesi i ankimimeve dhe apelimeve, në të gjitha nivelet, deri në nivelin e Kolegjit Zgjedhor. 

 

Në këtë aksion vëzhgimi, Koalicioni është duke testuar metoda të reja, me qëllimin për t’i përdorur ato në masë gjatë vëzhgimit të procesit zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017.

Në kuadër të metodave të reja, Koalicioni do të angazhojë në monitorimin e ditës së zgjedhjeve një Grup Vëzhguesish të KVV-së me eksperiencë të konsiderueshme, edhe në nivel ndërkombëtar, në krah të vëzhguesve të angazhuar në nivel lokal, me qëllim rritjen e kapaciteteve lokale dhe evidentimin e formave jo lehtësisht të identifikueshme të korrupsionit zgjedhor.

 

   Nga vëzhgimi i deritanishëm është vërejtur qartazi funksionalizimi i këtij procesi zgjedhor prej subjekteve zgjedhore. Të dy kandidatët janë përdorur politikisht si zgjatime të veprimtarive politike të forcave politike përkatëse.

Në fakt, ky proces zgjedhor do të duhej të kishte kryefjalë të vetme qytetarët e Bashkisë Dibër, cilët janë problematikat e jetesës së tyre dhe cila është oferta elektorale e dy kandidatëve.

 

Në gjykimin e Koalicioni të Vëzhguesve Zgjedhorë, nëse ky proces do të meritonte të shihej përtej këtij objekti, duhet parë në projektim të hartimit të reformës zgjedhore dhe të kapaciteteve institucionale në vend për organizimin e procesit zgjedhor të vitit passardhës.

 

Raporti i Ndërmjetëm i Monitorimit që publikohet sot më datë 9 Shtator 2016, është përpjekur të jetë sa më i imtësishëm në elementët e monitoruar dhe në ndjekje të procedurave ligjore.

Kjo edhe duke qenë dokument relativisht më voluminoz sesa i takon një procesi zgjedhor minor, krahasur me zgjedhjet e përgjithshme.

Dokumenti është përpjekur të japë një fotografi sa më të plotë të kapaciteteve institucionale në organizimin e zgjedhjeve dhe të zbatueshmërisë së ligjit zgjedhor, por jo vetëm.

 

Mbarëvajtja dhe problematikat e këtij procesi zgjedhor do të duhet të shërbejnë si një kujtesë e fundit e lidershipeve politike se cili është realiteti institucional dhe gjendja e zbatueshmërisë së ligjit zgjedhor. Realitet i cili mban autorësinë e këtyre lidershipeve dhe i takon atyre ta adresojnë brenda standarteve të një shoqërie demokratike.

 

========================== 

 

I. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

 

  • Kodi Zgjedhor në vetëm pak dispozita ka referime të drejtëpërdrejta në funksion të rregullimit të proceseve zgjedhore të parakohshme dhe të pjesshme.

 

  • Përpos afateve proceduriale të administrimit të procesit zgjedhor, shqetësues është mos referimi absolut ligjor për rregullimin dhe monitorimin e veprimtarisë financiare të subjekteve zgjedhore gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme.

 

  • Edhe në këtë proces zgjedhor për Bashkinë Dibër, qasja diskrecionale e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në raport me afatet proceduriale vazhdon të jetë e njëjtë me precedentët e krijuar.

 

  • Në vijimësi të proceseve të mëparshme, në argumentimet e trupës dhe administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përdoret një ndarje në referim të frymës së Kodit Zgjedhor si primaren dhe tekstin literal gërmë për gërmë si sekondar.

 

  • Komisionerët e KZAZ-së përgjithësisht kanë respektuar udhëzimet dhe detyrat e tyre. Problem ngelet emërimi, ndërrimi dhe trajnimi i komisionerëve të qendrave të votimit dhe atyre të Grupeve të Numërimit të Votave.     Fakti i mostrajnimit ende të pothuajse gjithë trupës është një fakt tejet shqetësues dhe kërkon angazhim të menjëhershëm të aktorëve politikë.

 

  • Ndonëse Kodi Zgjedhor vendos një afat shumë të ngushtë për përgatitjen e listave të zgjedhësve për zgjedhjet e pjesshme, publikimi i udhëzimit të Ministrisë së Brendshme me tre ditë pas dekretimit e bën akoma më të sforcuar zbatimin e tij.

 

  • Përpos akuzave të shumta në daljet publike të aktorëve politikë dhe dëshmive në ligjërimin publik, nuk ka asnjë reagim zyrtar prej institucioneve përgjegjëse si Prokuria e Përgjithshme apo Policia e Shtetit.       Ka vetëm një padi të ngritur nga një prej subjekteve zgjedhore, por përsa jemi vënë në dijeni gjykohet si i mbështetur vetëm në indicie dhe jo fakte.

 

  • Për të dy koalicionet zgjedhore përgjatë fushatë është vërejtur një prezencë intensive dhe e tepërt e funksionarëve më të lartë politikë.

 

  • Deklarimet e hapura për mbështeje të qeverisë vetëm për njërin kandidat garë dhe deklarimin e se kandidati tjetër nuk mund të bëjë asgjë përveçse kur të vijë partia e tij në pushtet, përbëjnë një presion të hapur dhe cënojnë barazinë e garës elektorale.

 

  • Angazhimi dhe shpallja publike e përdorimit të strukturave të posaçme në mbrojtje të votës, pavarësisht arsyeve të servirura, shkakton një rritje artificiale të tensionit, jep tone pasigurie dhe përbën një kthim pas nga stadi i pretenduar i zhvillimit demokratik e institucional të vendit.

 

  • Ligjërimi përgjatë fushatës zgjedhore prej figurave politike nga të dyja koalicionet ka qenë i ngarkuar me akuza reciproke.  Përgjatë daljeve publike të tyre janë vërejtur raste të shumta të përdorimit të termave fyes dhe të gjuhës së urrejtjes

 

  • Mediat e shkruara dhe elektronike kanë trasmetuar në vijimësi fushatën elektorale të të dy kandidatëve, duke vazhduar transmetimin e takimeve elektorale me sinjal, kaseta dhe tekst të prodhuar nga shtabet elektorale të kandidatëve duke i shdërruar ato thjesht në përçuese informacionit “reklamë” dhe duke humbur nga ana tjetër totalisht identitetin dhe misionin e tyre në përçimin e lajmit.

 

  • Fakti i gati mospërfaqësimit fare të grave në listat e partive për Komisionerë të Qendrave të Votimit, evidenton edhe një herë faktin se partitë politike duket se janë të ndjeshme dhe të kujdesshme ndaj barazisë gjinore në administrimin e zgjedhjeve, vetëm kur kuadri ligjor është detyrues dhe e kërkon atë në mënyrë eksplicite, dhe jo si një pasqyrim i natyrshëm i përfaqësimit real në strukturat e brendshme të partive politike.

 

  • Në disa deklarata, si pjesë e diskutimeve në tavolinën e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përgjatë proceseve zgjedhore të vitit 2013, 2015, edhe në këtë të fundit, apo në komunikime publike është vërejtur një gjuhë derogative e trupës së KQZ-së në raport me praninë dhe rolin e vëzhguesve të pavarur në procesin zgjedhor.

 

 

==========================

 

III. REKOMANDIME

 

Për partitë politike

Të mos lejojnë që konfliktualiteti politik që ka karakterizuar këtë proces zgjedhor deri në këtë moment të përshkallëzohet deri në atë pikë sa të afektojë cilësinë dhe integritetin e ditës së zgjedhjeve.

 

Të marrin të gjitha masat që mbështetësit politikë që do të angazhohen si komisionerë ditën e zgjedhjeve apo si numërues përgjatë procesit të numërimit të marrin menjëherë trajnimin e duhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të kenë një qëndrim sa më profesional e të paanashëm, larg konfliktualitetit dhe mbi interesat e ngushta personale apo partiake.

 

Të angazhohen që të mos ndërrojnë anëtarët e KQV-ve dhe GNV-ve pas trajnimit të tyre këto dy ditë , pra sot dhe nesër, në mënyrë që procesi të jetë sa më profesional. 

 

 

Për median

Të mbulojë ditën e zgjedhjeve me paanshmëri e profesionalizëm, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çdo sinjali për blerje votash, intimidim të votuesve, parregullsi të procesit apo të tjera problematika dhe të vendosin integritetin e procesit dhe interesin e qytetarëve shqiptarë përpara interesave të linjave editoriale të medias përkatëse.

 

Të investojë nëpërmjet gjetjeve të saj dhe fakteve që mund të investigojë më tej institucionet përkatëse (Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë) mbi çdo formë të manifesitimit të korrupsionit zgjedhor.

 

Të verifikojë burimet e informacionit për incidente apo problematika gjatë ditës së zgjedhjeve dhe të transmetojë lajme të vërtetuara e objektive, duke qëndruar larg transmetimit të scoop-eve mediatike, të cilat mund të përshkallëzojnë situatën në mënyrë artificiale.  

 

 

Për zyrtarët e lartë

Të qëndrojnë larg qendrave të votimit ditën e zgjedhjeve, madje të përpiqen e të shmangin prezencën e tyre në maksimum në ambientet publike pranë këtyre qendrave, duke u dhënë mundësinë qytetarëve që të zgjedhin lirisht dhe larg çdo indikacioni për presion nga politika.

 

 

Për KZAZ-në

Të respektojë afatet ligjore në shpërndarjen e materialeve zgjedhore për komisionet e qendrave të votimit, në mënyrë që këto komisione të kenë kohën e duhur në dispozicion për të përgatitur qendrën e votimit sipas kërkesave ligjore.

 

Anëtarët e KZAZ-së të respektojnë orarin zyrtar për kohën e mbetur, procedurat dhe ceremonialitetin e mbledhjeve të KZAZ-së si dhe të veprojnë vetëm duke u bazuar në ligj, dhe jo sipas interesave apo porosive të partive politike, kur ato janë në kundërshtim me ligjin dhe cënojnë ndershmërinë e procesit zgjedhor.

 

 

Për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe Kolegjin Zgjedhor 

 

Të vazhdojnë të ushtrojnë autoritetin e tyre të plotë në zbatim të detyrimit të ligjit.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor të qëndrojnë brenda kufijve të tagrave që parashikon Kodi Zgjedhor në vendimmarrjet në vazhdim të procesit zgjedhor.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor të jenë koherent në vendimmarrjen e tyre në vazhdim të procesit zgjedhor.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të tregojë kujdes më të lartë në administrimin e procesit zgjedhor në vazhdim.

 

KQZ-ja të jetë e vëmendshme dhe të përmbushë angazhimin e saj ndaj çdo forme presioni apo korrupsioni zgjedhor që mund të shfaqet dhe serviret përpara saj e të investohet maksimalisht pranë institucioneve të tjera për adresimin e duhur sipas legjislacionit në fuqi.

 

 

Për Prokurorinë

Prokurori i Përgjithshëm të nxisë dhe udhëzojë prokurorët që të vlerësojnë me seriozitetin maksimal çdo shfaqje të veprave penale gjatë procesit të votimit dhe të numërimit.

 

Prokuroria t’i kushtojë vëmendjen e duhur indikacioneve për blerje votash, intimidim votuesish, apo të tjera shfaqje të korrupsionit zgjedhor dhe të marrë të gjitha masat që këto raste të hetohen me seriozitet, profesionalizëm dhe në afate të shkurtra kohore.

 

 

Për policinë e shtetit

Të angazhohet totalisht në mbrojtje të shenjtërisë së ditës së votës dhe të ketë një qëndrim të tërhequr ditën e zgjedhjeve.

 

Të marrë masat e nevojshme që qytetarët të ndihen të sigurt dhe larg intimidimeve nga individë apo grupe individësh gjatë ditës së zgjedhjeve, jo vetëm brenda territorit të godinave ku ndodhen qendrat e votimit, por edhe në rrugët që të shpien për atje, në përmbushje të së drejtës themelore të qytetarëve për të votuar në një atmosferë të qetë e pa presione të asnjë lloji.

 

 

============================================================

 

IV. AKSIONI I KOALICIONIT TË VËZHGUESVE VENDORË (KVV)

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) është një bashkim vullnetar organizatash jo qeveritare dhe jo politike thelbi i aktivitetit të të cilave është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe zhvillimi i demokracisë në vend, e veçanërisht vëzhgimi i proceseve zgjedhor – aktivitet të cilin që prej vitit 2005 e kanë kryer nën siglën KVV. 

 

Strategjia e veprimit të KVV bazohet në tre shtylla: pavarësi, paanësi dhe objektivitet. 

 

KVV ndjek nga afër dhe në vazhdimësi situatën politike në vend, duke u fokusuar qysh prej përfundimit të Aksionit të Monitorimit për Zgjedhjet Lokale të vitit 2015 në adresimin e korrupsionit zgjedhor, nëpërmjet prononcimeve publike, shkresave zyrtare apo takimeve të ndryshme.

 

KVV ka shprehur në vazhdimësi shqetësimet e veta lidhur me zhvillimet të cilat potencialisht mund të ndikojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri dhe ka bërë thirrje për një reformë elektorale të thelluar e gjithëpërfshirëse, e cila të adresojë në sa më shumë elementë të jetë e mundur korrupsion zgjedhor në vend.

 

Ky Raport i Ndërmjetëm Monitorimi mbulon situatën parazgjedhore për Zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Dibër, prej datës 1 Gusht 2016 deri më 8 Shtator 2016. 

 

============================================================

 

Aksioni i Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë për Monitorimin e Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetar të Bashkisë Dibër mbështetet financiarisht prej:

 

 -  Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, me fonde të  administruara nga

 - Zyra e Huaj Federale në Berlin,  në kuadër të “Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore”.

 

-----------------------------------------------------

 

Mendimet e shprehura në këtë raport janë të KVV-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht edhe ato të donatorit!

 

============================================================

 

Tiranë, më 9 Shtator 2016!

 

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore