‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Gjithëpërfshirja si një standard i ri për t’u arritur !
05/08/2016

Q Ë N D R I M    P U B L I K


Shkarko Dokumentin e plotë në .pdf

 

Miratimi në unison i paketës së amendimeve kushtetuese në kuadër të procesit të Reformës në Drejtësi në Kuvend përbën një hap madhor, ndër të tjera, për shëndoshjen e demokracisë shqiptare.   Konsesusi tërësor parlamentar vlerësohet si një hap më tej i maturimit të dialogut politik dhe i angazhimit politik mbi-partizan në reformimin e sistemit të drejtësisë shqiptare.

 

Është e domosdoshme që ky konsensus dhe angazhim politik të manifestohet jo vetëm në miratimin e 7 ligjeve si materializim procedurial i amendimeve kushtetuese, por edhe në zbatimin e plotë dhe me efikasitet të këtyre ligjeve në praktikë.

Praktika aspak pozitive e deritanishme e moszbatimit të ligjit apo e relativizimit të tij përballë influencave politike apo atyre me natyrë korruptive, e përforcon akoma më shumë këtë domosdoshmëri.

 

Dakortësia e arritur, si një aspekt thelbësor për një sistem demokratik, shërbeu para së gjithash për zhbërjen e klimës së pasigurisë që iu ushqye qytetarëve përgjatë procesit të hartimit dhe të gjetjes së dakortësisë për amendimet. Klimë që është bërë traditë dhe karakteristikë e vendimmarrjeve të rëndësishme politike si kjo e reformës kushtetuese, apo e reformave të tjera deri tek ato mbi proceset zgjedhore.

Momente madhore këto të shoqërisë në demokraci, por që për shkak të lojës politike precipitojnë në gjendje pasigurie për thyerje të vijueshmërisë institucionale apo përmbysje traumatike.

 

Konsesusi i arritur i bëri me dije qytetarëve shqiptarë edhe një herë se izolimi i çështjeve publike në lojën politike të emrave të individëve dhe vullneteve respektive, jo thjesht asfikson gjuhën e marrëveshjes, por, çka është më e rrezikshme, dëmton kulturën e vijueshmërisë institucionale dhe çdo projekt shtetformues.

 

Konsultimi, informimi dhe diskutimi i gjerë publik, janë pjesë e të ashtuquajturit “standard të gjithëpërfshirjes” në procese legjislative.

 

Në këtë drejtim në funksion të arritjes së standardit të “ri”, standardi i gjithëpërfshirjes, konsultimit dhe ndërveprimit sa më të gjerë me qytetarët në proceset ligjbërëse,  një vlerë e shtuar e paketës së amendimeve kushtetuese do të kishte qenë edhe një afirmim referendar popullor, përpos miratimit politik.   

Një konsultë popullore, e cila duhet thënë se do të ishte e vështirë për t’u vënë në jetë për shkak të numrit të lartë të votuesve që kërkon, por eventualisht me një vlerë të jashtëzakonshme, pasi më së paku do të shërbente për informimin e gjerë të publikut mbi përmbajtjen e amendimeve, si dhe të rritjes së ndërgjegjes dhe kulturës demokratike të qytetarëve.

Ndaj, duke patur parasysh vëllimin e amendimeve dhe thellësinë me të cilën u prek Kushtetuta, mbetet ende detyrë e domosdoshme e ekzekutivit në rradhë të parë, të ndërmarrë fushata informuese dhe konsultuese për paketën në fjalë të amendimeve.

Kjo, edhe për arsyen e fortë, se tashmë informimi mbi aktet legjislative të miratuara, sidomos ato madhore, duhet të shihet si pjesë e vetë procesit legjislativ.

 

 

Ndonëse, për vullnet apo rrjedhojë, “standardi i gjithëpërfshirjes” është i vështirë për tu zbatuar prej klasës politike edhe në momente madhore si ky në fjalë, ishin qytetarët shqiptarë që përgjatë periudhës 2011-2013 arritën ta impononin këtë “standard”.

 

Kundërvënia qytetare për një pjesë të ligjit mbi importimin e mbetjeve[i] u bë shkaktare për një nismë popullore për mbajtjen e një referendumi kombëtar abrogues.

Kjo kërkesë, e para dhe e vetmja që prej vitit 1998, arriti të merrte miratimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve[ii], të Gjykatës Kushtetuese[iii] dhe në fund edhe dekretimin e datës së mbajtjes së referendumit prej Presidentit të Republikës[iv].

Ndjeshmëria e lartë qytetare dhe mbështetja e gjerë në dukje ndaj saj, bëri që opozita e atëhershme (mazhoranca e sotme) të përfshijë amendimin e ligjit dhe ndalimin e importit të mbetjeve në platformën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës.

Me fitoren e koalicionit opozitar, premtimi elektoral u mbajt dhe, që në ditët e para qeverisëse, në tetor 2013 u bënë amendimet e kërkuara në ligj[v], duke e bërë në vazhdim të paqendrushëm dhe pa objekt referendumin e shpallur për tu zhvilluar më 22 dhjetor 2013.

 

   Rreth tre vite pas përmbylljes pozitive dhe pas imponimit të të mbiquajturit “standard gjithëpërfshirës”, në një moment kulmor të ngërçit të imponuar politik, ligji për importin e mbetjeve ngrihet sërish si shqetësim për shkak të një nisme të depozituar në Kuvend më 30 qershor 2016 për ta amenduar atë[vi], duke lejuar sërish importin.

Në relacionin e projektligjit, tre deputetët propozues deklarojnë se “akti i propozuar, nuk ka qene i parashikuar ne programin analitik te akteve te Ministrise se Mjedisit ...” dhe, nga ana tjetër, se “Akti është hartuar nga Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Shoqatën e Ricikluesve në vend dhe me Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”[vii].

Ndonëse në reagimin zyrtar mohohet përfshirja e qeverisë në këtë nisëm[viii], kjo nuk provon mungesën e vullnetit të saj për miratimin e amendimeve në fjalë.  Përfshirja e Ministrisë së Mjedisit dhe e tre deputevë socialistë në hartimin e draftit si dhe mënyra e ndjekur[ix] për ta përfshirë në rendin e ditës të seancës parlamentare janë një provë më shumë për një vullnet politik për ta miratuar atë.

 

   Zhbërja në një hark kohor tre vjeçar e një akti që e njëjta qeveri e ka marrë, sidomos në raport me një referendum të anulluar tashmë, pavarësisht mangësive në legjislacionin që rregullon referendumet, përbën një amoralitet politik dhe elektoral.

Gjithashtu, përbën non sense logjik edhe të një sistemi demokratik, që legjislativi dhe ekzekutivi t’i bishtojnë nismave referendare duke i pranuar kërkesat në momentin e parë dhe për t’i shtyrë në një situatë të dytë ku nuk iu duhet të përballen me rezistencën qytetare.

Përsëritja në vijimësi e këtij mekanizmi sprove do të thyente edhe më ndjeshmërinë e reagimin qytetar, duke ulur akoma më shumë pritshmëritë dhe besimin e pakët të tyre jo vetëm ndaj politikës dhe institucioneve, por tashmë edhe ndaj vetë sistemit demokratik dhe mekanizmave që ai duhet të sigurojë.

 

   Përpos kritikave që mund t’i bëhen përmbajtësisht ligjit, që janë në fakt domain i ekspertizës përkatëse, amendimet në fjalë sjellin në plan të parë edhe njëherë diskutimet dhe kritikat që u bënë shkak për nismën e konsultës referendare të vitit 2013, e cila nuk u konkludua, dhe ndaj të cilës u krye dhe u mor një zotim i qartë politik.

 

Edhe në rastin kur rrethana të reja do të impononin nevojën e rishikimit dhe të ri-pozicionimit politik, prapë në frymën e “standardit gjithëpërfshirës”, nevojitet një proces konsultimi i gjerë publik në përputhje jo vetëm me kuadrin standard ligjor, por edhe më shumë se aq.   

Së pari, për shkak të ruajtjes së moralit politik e elektoral së paku ndaj qytetarëve të tyre votues, si edhe të specifikës subjektive të angazhimeve të mëherëshme të ndëmarra nga qeveria, bëhet i dosmosdoshëm zhvillimi i një fushate informimi e konsultimi të gjerë në të gjithë vendin dhe njëkohësisht të shtrirë në kohë, në raport edhe me kohëzgjatjen e fushatës referendare të zhvilluar tre vjet më parë.

Së dyti, për shkak të specifikës objektive që mbart ligji në vetvete për një çështje madhore që ka të bëjë me të ardhmen e sigurisë mjedisore të vendit dhe brezave që vijnë, bëhet i domosdoshëm një diskutim i gjerë në nivel ekspertize duke përfshirë gjerësisht grupet e ekspertëve, qarqet akademike, institucionet shtetërore dhe aktorët e tjerë të interesuar.

 

 

Gjithë sa më sipër evidenton edhe një herë se “standardi i gjithëpërfshirjes” i pranuar politikisht dhe i materializuar në legjislacionin shqiptar, përcakton një stad të ri institucional dhe të funksionalitetit të demokracisë shqiptare.

 

Zbatimi realisht dhe vënia në praktikë gjerësisht e tij, përpos një procesi informues dhe transparence të plotë, kërkon një qasje dhe koncept të ri të politikës dhe politikanëve shqiptarë ndaj një demokracie të shëndetshme funksionale e pjesëmarrëse, e cila në rradhë të parë duhet të manifestojë besim reciprok, ndaj forcave politike që përfaqësojnë, ndaj njëri-tjetrit pavarësisht ndasive e kundërshtive politike, dhe ç’është më e rëndësishmja duhet të manifestojë respekt dhe besim ndaj ligjit dhe institucioneve që ata vetë votëbesojnë.

 

Demokracia e sotme shqiptare ndjen nevojën e pasurimit të “standardit gjithëpërfshirës” me mekanizma funksionalë dhe efikasë të demokracisë së drejtëpërdrejtë, të cilët rrekin të sigurojnë në çdo rast imponimin e gjithëpërfshirjes (dhe kundërvënies) veçanërisht në proceset legjislative.

 

Në këtë kuadër bëhet tejet i domosdoshëm hartimi sa më i shpejtë dhe në një proces sa më gjithëpërfshirës i një Ligji të ri për çështjet referendare, i cili duhet të adresojë tërë problematikat e deri më sotme proceduriale si edhe të materializojë një vizion të qartë për mjetet e demokracisë së drejtëpërdrejtë në realitetin shqiptar. Ky ligj duhet të marrë vëmendje po aq të rëndësishme sa edhe vetë reforma zgjedhore, por në një trajtim dhe proces të veçantë.

 


[i] Ligji Numër 10 463, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, datë 22.09.2011. Fletore Zyrtare Numër 148, datë 08.11.2011, http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2011/PDF-2011/148-2011.pdf.

Ligji Numër 32/2013, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, datë 14.02.2013. Fletore Zyrtare Numër 30, datë 12.03.2013, http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2013/PDF-2013/30-2013.pdf. 

Ligji Numër 156/2013, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar:, datë 10.10.2013. Fletore Zyrtare Numër 172, datë 29.10.2013, http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2013/PDF-2013/172-2013.pdf .

[ii] Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Vendim Numër 10, “Për shqyrtimin e kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të Ligjit Nr. 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, datë 28.06.2012. http://www.cec.org.al/Portals/0/Documents/CEC%202013/Legjislacioni_2012/Vendime_2012/VENDIM_10/VENDIM_10.doc .

[iii] Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Vendim Numër 8, “Kushtetutshmëria e kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, datë 08.03.2013. Fletore Zyrtare Numër 39, datë 21.03.2013. http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2013/PDF-2013/39-2013.pdf .

[iv] Dekreti Numër 8093 i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, “Për caktimin e datës për referendum të përgjithshëm”, datë 08.04.2013. Fletore Zyrtare Numër 49, datë 09.04.2013.

Caktimin e datës 22 dhjetor 2013, për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm, me objekt shfuqizimin e nenit 22 pika 3 dhe nenit 49 të ligjit nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2013/PDF-2013/49-2013.pdf .

[v] Ligji Numër 156/2013, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”, datë 10.10.2013, Fletore Zyrtare Numër 172, datë 29.10.2013.  http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2013/PDF-2013/172-2013.pdf.

[vi] Me datë 30.06.2016, në Komisionin e Përhershëm Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, u depozitua nga tre deputetë projektligji “Disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Numër 10463, datë 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”. Grupi i Deputetëve Propozues: Z. Eduart Shalsi, Z. Ervin Bushati, Z. Bujar Derveni. https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/07/PRLIGJ-SHALSI.pdf .

[vii] Relacion për “Disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Numër 10463, datë 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”. https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/07/RELACION-SHALSI.pdf .

[viii] Në reagim të artikullit të publikuar në gazetën e përditshme “SOT” me titull “Edi Rama gati ligjin për të mbytur Shqipërinë me plehra, miratohet projekti i Berishës që u rrëzua pas 1 milion shuplakave, ja drafti” të datës 06.07.2016, në faqen e internetit qeveritare www.transparenca.al u publikua një reagim zyrtar me datë 06.07.2016.

Në përgjigje të pretendimit të ngritur në artikullin e gazetës “Sot” sqarojmë se qeveria nuk ka depozituar asnjë nismë ligjore me qëllim importin e mbetjeve jo të rrezikshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

 Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve", të ndryshuar”, është një nismë personale e deputetëve Eduard Shalsi, Ervin Bushati dhe Bujar Derveni. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pasi projektligji, i cili është firmosur vetëm nga deputetët nismëtar, gjendet në faqen zyrtare të Kuvendit. http://transparenca.al/category/post/Transparenca/282/artikulli-gazets-sot-pr-projektligjin-e-importit-t .

[ix]  Një tjetër element formal i amendimeve të propozuara është momenti i zgjedhur për t’u depozituar në Komisionin Parlamentar dhe përfshirja në rendin e ditës së Kuvendit të datës 21.07.2016. Përpos momentumit politik të zgjedhur, edhe emergjenca nga depozitimi i draftit në përfshirjen në rend dite është më shumë se normale.

Sipas Kalendarit të Punimeve të Kuvendit (4 korrik – 22 korrik) ishte parashikuar që në seancën e datë 21.07.2016 të miratohej Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” të ndryshuar”. Në këtë datë parashikohej edhe miratimi i amendimeve kushtetuese, që me vullnet ose në rrjedhojë do të thoshte kalimin në heshtje të çështjes së projektligjit të menaxhimit të mbetjeve. https://www.parlament.al/download/kalendari_i_punimeve/kalendari-i-punimeve-4-22-korrik-2016.pdf .

Në seancën e datë 21.07.2017 nuk u vendos në çështjet në shqyrtim projektligji për mbetjet, duke bërë të ditur në dokumentin e rendit të ditës se “vijon puna në komisionet parlamentare për projektligjet, që ishin parashikuar në kalendarin 3 javor për t’u miratuar në seancën plenare të datës 21.7.2016”. https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/07/Rendi-i-dites-date-21-korrik-2016-2.pdf .

Më i detajuar është komenti në procesverbalin e seancës të datës 21.07.2016 në Kuvend, ku bëhet me dije se projektligji në fjalë është “dërguar për mendim në Këshillin e Ministrave për faturë financiare”.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta – Ju lutem, mediat të jenë të pranishme! Do të fillojmë seancën e ditës së sotme, e cila jam i bindur se do të jetë historike dhe nuk do të mbyllet derisa të votohet me konsensus reforma në drejtësi, sepse nuk kemi nevojë për ta votuar reformën me “deputetë patriotë”, por me konsensusin patriotik të të gjitha grave dhe të të gjithë burrave në Kuvendin e Shqipërisë. Atëherë, fillojmë seancën e ditës së sotme.

(Pasi lexon rendin e ditës.) Ju njoftoj se vijon puna në komisionet parlamentare për projektligjet e parashikuara për t’u shqyrtuar në seancën e sotme plenare, konkretisht: [...]

- Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”” (nismë deputetësh – dërguar për mendim në KM për faturë financiare). https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/07/Proc.-21.07.2017.pdf .

Kalendari i Punimeve të Kuvendit (4 korrik – 22 korrik) u miratua me Vendim Kuvendi Numër 44, datë 30.06.2016, të njëjtën ditë me depozitimin e draftit në Komisionin e Përhershëm Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.


Tiranë,  më 5 Gusht 2016!

 

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore