‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Dialogu politik domosdoshmëri për zgjidhjen e ngërçeve të krijuara dhe marrjen jetë të reformës zgjedhore !
04/06/2016

D E K L A R A T Ë

 

Shkarko Deklaratën e plotë në .pdf 

 

Më datën 7 qershor 2016 përfundon zyrtarisht mandati 3 mujor i punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore,  një komision i ngritur prej gati 6 muajsh dhe që ka realizuar gjithësej vetëm tre mbledhje.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka ndjekur me vëmendje dhe në vijueshmëri jo vetëm këtë Komision por edhe situatën politike dhe atë institucionale në vend, për aq sa ato afektojnë çdo element përbërës të “procesit zgjedhor”, si edhe ecurinë e reformave të tjera të rëndësishme si atë në drejtësi apo zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

 

Nisur nga zhvillimet e fundit politike, Koalicioni përshëndet dhe nxit realizimin e dialogut të drejtëpërdrejtë të liderit të mazhorancës z. Edi Rama me atë të opozitës z. Lulzim Basha.

 

Takime të tilla duhet të jenë një proces i zakonshëm politik e konsultativ në kuadrin e ndërmarrjes së reformavë të jashtëzakonshme që kanë të bëjnë drejtëpërsëdrejti me ndërtimin e mëtejshëm të shtetit demokratik e të së drejtës, e sidomos kur konkludimi i këtyre proceseve tejkalon mandatin e një qeverie apo të një legjislature.

Përputhshmëria e qëndrimeve dhe angazhimeve politike të shprehura në qasje parimore brenda kuadrit të proceseve reformuese që priten të ndërmerren dhe vullneti politik i përbashkët i derivuar më pas si frymë institucionale e politike, nën informimin transparent të publikut, është rezultati madhor që duhet të sjellë ky dialog, e jo thjesht takimi i dy liderëve në vetvete.

 

Në këtë frymë konsensusi të brishtë, të afirmuar së pari në funksion të përmbylljes së Reformës Kushtetuese, nxitet me forcë që fryma e dakortësisë të shtrihet edhe në çështje të tjera si dhe të bëhet nismëtare e nisjes reale për Reformën Zgjedhore.  Një proces që ndonëse konkuron në kapacite njerëzore dhe në nivel debati politik me Reformën Kushtetuese, nuk duhet të penalizohet për të marrë vëmëndjen që i takon.  

Rrjedha institucionale e një shteti funksional e demokratik nuk mund të gravitojë e tëra në një proces ligjor sado madhor qoftë ai.

 

Në prag të realizimit të këtij dialogu të shumëpritur, Koalicioni sjell në vëmendje të dy liderëve të mazhorancës e opozitës, si edhe në vëmendje të liderëve të tjerë politikë e institucionalë, si edhe të të gjithë opinionit publik disa problematika, të cilat i konsideron si tejet të rëndësishme.

 

Konkretisht Koalicioni shpreh shqetësimin e tij për:

a) mungesën e vullnetit dhe angazhimit real për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në procesin legjislativ;

b) mungesën e vullnetit dhe mospërmbushjen e misionit të Kuvendit të Shqipërisë, konkretisht të Komisionit të Ligjeve, për monitorimin e punës së institucioneve të pavaruara, rasti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;

c) mungesën e koherencës midis vullnetit më të lartë politik të shprehur dhe institucioneve përgjegjëse;

 

a) mungesa e vullnetit dhe angazhimit real për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në procesin legjislativ

 

Roli dhe protagonizmi i shoqërisë civile në demokracinë e vendit, veçanërisht përgjatë hartimit të nismave legjislative, është theksuar në vijueshmëri prej dokumentave dhe raporteve ndërkombëtare mbi Shqipërinë[i]. Rëndësi që është afirmuar si në zotimet e lidershipeve politike ashtu edhe në aktet normative të miratura[ii].

Megjithatë, ashtu siç shprehet Raporti i Progresit së Shqipërinë për Vitin 2015, nevojitet që “mekanizmat ekzistuese të implementohen plotësisht në praktikë”.

 

    Në këtë frymë, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë me anë të një Letre të Hapur[iii] përcolli sugjerimin dhe një draft ide për hartimin e një protokolli pune për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe Grupin e Ekspertëve pranë tij. Ky dokument do vinte në ndihmë të standartizimit[iv] të diskutimeve të amendimeve që do të kryheshin.

Lidhur me këtë propozim jo vetëm që nuk pati asnjë reagim zyrtar, por edhe prezenca e KVV-së si vëzhguese në tre mbledhjet e kryera nuk u bë dot e mundur.

 

    Po ashtu, lidhur me Raportimin Vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve para Kuvendit të Shqipërisë, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë u ftua të jepte zyrtarisht[v] opinionin dhe sugjerimet e tij.

KVV vlerësoi dhe përgëzoi publikisht Komisionin e Ligjeve për mënyrën e re të bashkëveprimit me aktorë të shoqërisë civile, si dhe dorëzoi pranë tij Opinionin[vi] rreth këtij raporti duke vlerësuar me shumë seriozitet këtë moment raportimi.

Jo vetëm referuar faktit se Kuvendi i Shqipërisë, posaçërisht Komisioni i Ligjeve pranë tij, është i vetmi institucion që kontrollon punën dhe funksionimin e një institucioni të pavaruar si KQZ-ja, por edhe në koherencë të plotë me qëndrimin e KVV-së për forcimin dhe konsolidimin e plotë të Institucionit të Pavarur – KQZ, si një institucion që ka nevojë për mbështetje të gjithanshme në zbatimin e detyrimeve të ligjit veçanërisht në raport me partitë politike.  Detyrime që nuk limitohen vetëm në realizimin e një procesi të drejtë dhe të ndershëm zgjedhor, por edhe për procese të tjera të rendësishme si transparenca dhe kontrolli i financimit të partive politike e kandidatëve zgjedhore, apo edhe për rolin e ri që KQZ-ja ka në zbatim të procesit të dekriminalizimit.

 

Eksperienca e KVV-së si grupimi më i qëndrueshëm monitorues i pavarur dhe objektiv;   si kontribues në përmirësimin e ecurisë dhe të transparencës së procesit zgjedhor;   si i vetmi aktor vendas që ka ndjekur nga afër çdo zhvillim që ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor që pas miratimit të Reformës Zgjedhore të korrikut 2012;   si i vetmi aktor që ka ndjekur dhe shqyrtuar çdo vendimmarrje dhe sjellje institucionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përgjatë gjithë vitit kalendarik 2015 si dhe si aktori vendas që ka publikuar dhe informuar në vazhdimësi dhe në mënyrë të detajuar mbi elementë parregullsie, qasjeje apo shkeljeje të gjithë aktorët e interesuar veçanërisht ata politikë e institucionalë, përfshirë këtu partitë parlamentare dhe Komisionin e Ligjeve,   nxiti Koalicionin që të draftonte një opinion sa më konçiz duke evidentuar ndër të tjera ndryshimet në përmbajtje midis veprimtarisë së kryer dhe asaj të raportuar para Kuvendit.

Ndërkohë, tregoi edhe gatishmërinë e tij për të marrë pjesë si i ftuar në mbledhjen e Komisionit nëse do të ishte nevoja[vii].

 

Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (KÇLAPDNJ) e mori në shqyrtim dhe e votoi dokumentin e Projekt-Rezolutës Për Vlerësimin e Veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Për Vitin 2015 në seancën e mbajtur me datë 20.04.2016.

Por gjatë seancës nuk u kërkuan dhe nuk u shtruan në diskutim opinionet e paraqitura prej shoqërisë civile, por u kalua menjëherë në votim[viii].   Rrethanë e cila mbulohej duke pohuar të kundërtën, në Raportin[ix] që shoqëronte Projekt-Rezolutën e shpërndarë  përpara seancës plenare të Parlamentit. Me datë 28.04.2016, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e votoi këtë dokument vetëm me votat e mazhorancës qeverisëse.

 

   Kjo sjellje institucionale e manifestuar bie në kundërshtim si me angazhimet politike për një bashkëpunim efikas me shoqërinë civile dhe parashikimet ligjore mbi konsultimin publik, ashtu dhe me rekomandimin e Raportit të Progresit.

Për më tepër provon për një qasje ndaj shoqërisë civile si element dekorativ dhe jo përmbajtësor në procesin legjislativ.

 

 

b) mungesa e vullnetit dhe mos përmbushja e misionit të Kuvendit të Shqipërisë, konkretisht Komisionit të Ligjeve, për monitorimin e punës së institucioneve të pavaruara, rasti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

 

Raportimi kalendarik në Kuvend është një moment shumë i rëndësishëm për institucionet e pavarura si Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, si i vetmi moment “llogaridhënës” i tyre lidhur me mirëfunksionimin dhe efikasitetin e institucionit.

Kjo jo vetëm për shkak të parimit kushtetues të check and balance, por edhe në nivelin operativ të bashkërendimit apo përballjes së problematikave të hasura për një konsolidim të mëtejshëm institucional të organit të pavarur.

 

Për më tepër, nisur nga fakti që viti 2015 për të cilin raportohej ishte një vit zgjedhor dhe të gjendur tashmë në fillimin e procesit të reformës zgjedhore, raportimi në Kuvend merr një rëndësi edhe më të madhe.

Rëndësi që evidentohet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për vitin 2015. Në këtë Raport përpos vlerësimit se “Kuvendi ka vazhduar të monitorojë punën e institucioneve të pavarura dhe ka shqyrtuar raportet e tyre në mënyrë më të shpejtë dhe më të plotë”, theksohet edhe se “megjithatë, duhet të sigurohet ndjekja e përshtatshme në vazhdimësi e rezultateve të tyre”.

 

Në hyrje të Opinionit të dërguar pranë Komisionit të Ligjeve, KVV-ja risolli në vëmendje nevojën për një “model” raportimi për standartizimin e raportimit të institucioneve të pavarura, për të cilën vetë Kuvendi i Shqipërisë më parë ka organizuar edhe një aktivitet rajonal për ballafaqimin dhe adoptimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.

 

Në çdo rast, është e rëndësishme që raportimi të përfshijë gjithë veprimtarinë e kryer në funksion të përmbushjes së misionit të Institucionit të Pavarur, problematikat e hasura në zbatimin konkret të ligjit, mangësitë e vërejtura si dhe reflektime dhe propozime konkrete që duhen adresuar nga Parlamenti për një efikasitet dhe përmbushje më të plotë të misionit dhe detyrimeve ligjore të përcaktuara.

 

Në opinionin e dërguar KVV adoptoi një strukturim[x] të ngjashëm për të dhënë një opinion mbi raportin vjetor të KQZ-së në raport me veprimtarinë faktike të saj përgjatë gjithë vitit 2015.

Në konsideratën e fundit në Opinionin e dërguar, KVV theksoi se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë moment kushtetues kaq të rëndësishëm nuk ka reflektuar përgjegjshmëri të lartë. ...

Raporti përpiqet t’i fshehë problematikat apo edhe t’i paraqesë ndryshe ato. ...”.

 

Përveç këtij konstatimi të bërë nga KVV, edhe raporti i OSBE/ODIHR[xi] dhe Raporti i Progresit i Bashkimit Europian[xii], pa përmendur këtu edhe raporte të tjera[xiii],  evidentojnë shkelje të tjera të rëndësishme për t’u marrë në konsideratë dhe për t’u adresuar nga Komisioni i Ligjeve.

 

Ndërkaq, Rezoluta e hartuar nga Komisioni i Ligjeve dhe e miratuar në Kuvend, më së shumti përbën një akt protokollues i Raportit të dorëzuar prej Komisionit Qendror të Zgjedheve dhe nuk reflekton asnjë prej shqetësimeve të evidentuara.

 

Jo vetëm kaq, por në mënyrë flagrante Rezoluta e ngushton sferën e gjykimit të Kuvendit vetëm “në referim të 4 çështjeve[xiv] të ngritura”, dhe ato jo të plota[xv].

Konkretisht vetëm mbi:  a) Bashkëpunimin me organet e qeverisjes vendore, në funksion të organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve;  b) Procesin e regjistrimit të partive politike;  c) Procedurat e ngritjes dhe funksionimit të KZAZ-ve; dhe  d) Problemeve që ndikuan në zgjatjen e procesit të numërimit.

 

Rrjedhimisht edhe konsideratat dhe konstatimet e Komisionit jepen vetëm rreth këtyre katër çështjeve, ndërkohë që lihen pa adresuar dhe pa asnjë opinion shumë çështje të tjera vërtet problematike të manifestuara nga KQZ-ja, duke lënë shteg për një adresim të tyre në ndonjë moment tjetër.

 

Moszbatimi i ligjit, diskrecionaliteti, standardet e dyfishta, vendimmarrja e politizuar, e të tjera sjellje të shfaqura nga KQZ-ja janë një shqetësim jo thjesht i zgjedhjeve tashmë të kaluara, por që mbeten të tilla në vazhdim veçanërisht në rolin që duhet të luajë ky Institucion në kontrollin e financimit të partive politike apo në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Aspekte këto që duket se nuk përbëjnë asnjë shqetësim për Komisionin e Ligjeve, për më tepër që asnjëra prej tyre nuk përmendet fare në detyrat[xvi] e lëna për KQZ-në për vitin në vazhdim.

 

Ky veprim është një mospërmbushje e detyrimit ligjor që ka Komisioni i Ligjeve. Gjithashtu, evidenton edhe njëherë se anëtarët e parlamentit në sjelljen dhe veprimet e tyre janë thjesht anëtarë të partive politike dhe nuk sillen aspak si përfaësues të qytetarëve shqiptarë, të cilët nëpërmjet Kushtetutës iu kanë dhënë, ndër të tjera, edhe tagrin e ndërtimit dhe të kontrollit të Institucioneve të Pavarura  dhe të zbatimit të ligjit prej tyre.

 

 

KVV konstaton se kjo sjellje shqetësuese e Komisionit të Ligjeve mund të shihet në dy këndvështrime:

Së pari, qasja e ndjekur në tërë procesin e përgatitjes së Rezolutës nuk është aspak konstruktive për vijueshmërinë e Institucionit dhe të proceseve zgjedhore në të ardhmen.

Rezoluta e miratuar jo vetëm që nuk i vjen në ndihmë përmirësimit të dobësive dhe mangësive të Institucionit dhe mbarëvajtjes së proceseve zgjedhore, por tashmë ajo vetë përpiqet t’i fshehë problematikat duke nxitur kështu stanjacion apo, në rastin më të keq, përkeqësim të standarteve që ato diktojnë.

 

Dhe së dyti, që është akoma më shqetësues, është preçedenti që krijon kjo mënyrë veprimi në hartimin dhe miratimin e Rezolutës, e cila në asnjë rast nuk mund të jetë në dobi të forcimit të kujtdo Institucioni të Pavarur dhe të zbatimit të ligjit.

 

 

c) mungesa e koherencës midis vullnetit më të lartë politik të shprehur dhe institucioneve përgjegjëse

 

Procesi zgjedhor për Zgjedhjet për Pushtetin Vendor të 21 Qershorit 2015 u shoqërua me kritika nga raportimet prej organizmave ndërkombëtare si OSBE/ODIHR apo atyre vendas, dhe prej vetë subjekteve zgjedhore të të dy koalicioneve kryesore. Problematika që kanë marrë zotime për t’u adresuar në mënyrë integrale prej përfaqësuesve më të lartë të forcave kryesore politike në vend.

 

Për këto arsye, por dhe si hapi i parë institucional në reformën zgjedhore, Rezoluta Për Vlerësimin e Veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Për Vitin 2015 do të duhej t’i përgjigjej një tërësie zhvillimesh si në vitin 2015, por edhe atyre që priten.

 

Ndërkohë, Rezoluta i referohet një numri tejet minimal të çështjeve të marra në shqyrtim dhe një analize pjesore të procesit zgjedhor, duke shfaqur kështu një kontraditë të fortë me qendrimet e raporteve të vëzhgimit dhe sidomos të vetë aktorëve politikë. Kontraditë, që lë vend për një manovrim publik dhe impresionim politik me dy kute ndaj institucionit dhe anëtarëve të tij.

 

Në rezultante, pavarësisht qëndrimeve më të larta politike të shprehura dhe ngritjes tashmë edhe të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, vullneti i shprehur nëpërmjet Rezolutës së miratuar vë në pikëpyetje angazhimet politike dhe institucionale, tashmë të marra, për një reformë zgjedhore të plotë dhe të thelluar.

Jo vetëm kaq , por duket se ky vullnet, sërish i shtrënguar nga zgjidhjet e minutës së fundit, do të limitohet në ndërhyrje kozmetike të kuadrit ligjor.

 

 

Këto problematika duhen adresuar sa më parë politikisht dhe institucionalisht në mënyrë që përmbajtja e tyre të mos tentojë të shndrrohet në preçedentë apo fenomene, të cilat kompromentojnë rëndë çdo vullnet politik të shprehur dhe angazhim politik apo insitucional të ndërmarrë.

 

Aktualisht, duket se reforma zgjedhore po shkon me pashmangshmëri drejt tejkalimeve të afatave kohore. Kjo pritet të pamundësojë respektimin e periudhës një vjeçare para datës kur mbahen zgjedhjet, që përcakton Komisioni i Venecias për të mos kryer amendime ligjore në kuadrin ligjor zgjedhor.

Gjithashtu, duke reduktuar afatin më pak se një vjeçar para datës së zgjedhjeve, për shkak të arsyes së implementimit korrekt, vështirësohet dhe ndërmarrja e një reforme të thellë në kuadrin zgjedhor. Edhe nëse do të arrihej në kryhej në tekste ligjore, përvoja dhe arsyeja bindin që zbatimi do vuaj problematika të rënda.

 

Përballë luftës me kohën dhe frymës institucionale dhe politike të deritanishme, po krijohet tabloja e parë e një dështimi tërësor të reformës zgjedhore dhe e problematikave që mund të vijnë në procesin zgjedhor më të parë.

Qasja e provuar dhe e referuar në tre shqetësimet e mësipërme si joinstitucionale ndaj veprimtarisë dhe vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dekorizimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe mosmarrja në konsideratë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR ndaj të cilëve janë zotuar tërë aktorët politike dhe që i kanë afirmuar si harta e reformës zgjedhore, tregojnë jo thjesht gjendjen faktike të procesit, por edhe një fajësi dhe vullnet të qëllimshëm.

 

 

Në këtë situatë, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i bën thirrje tërë përfaqësuesve më të lartë të forcave kryesore politike dhe zyrtarëve më të lartë të institucioneve që të qendrojnë në lartësinë e angazhimeve të ndërmarra.

Është emergjente manifestimi dhe jetësimi i vullnetit politik dhe institucional për të nisur dhe realizuar reformën zgjedhore transparente, në një rrjedhë jo të përshpejtuar prej termave kohore dhe jo të stresuar ngushtësisht prej dakortësisë së lidershipeve politike.

 

 

Veçanërisht, Koalicioni i bën thirrje dy Liderëve Politikë, z. Rama dhe z. Basha që t’i japin rrugë nëpërmjet dialogut gjithë ngërçeve të mbetura dhe në veçanti konkretizimit të angazhimit politik të ndërmarrë prej tyre lidhur me reformën zgjedhore.

 

 

Koalicioni iu kërkon, gjithashtu, që pjesë e axhendës së diskutimit të tyre të bëhet edhe çështja e :

 

-          Strukturimit të KQZ-së si një super-institucion i pavarur dhe i besueshëm me kopetenca dhe tagra të plotë edhe për :

o   kontrollin e financave të partive politike;

o   të drejtën e nismës për verifikim si dhe verifikimin e të dhënave për çdo të zgjedhur nëpërmjet proceseve zgjedhore në procesin e dekriminalizimit.

 

-          Amendimit të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, duke hequr pezullimin e të drejtës së votës për shtetasit si një masë ekstreme, antikushtetuese dhe e padobishme.

KVV ndonëse e mbështet me forcë procesin e dekriminalizimit shprehet se pamundësia e menaxhimit të “votës së drejtuar” në sistemin penitenciar nuk mund ta legjitimojë në asnjë rast këtë kufizim[xvii].

 

-          Marrjes në shqyrtim të zbatimit të ligjit “Për regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë  që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Duke qenë se aktet ligjore e nënligjore të parashikuar për tu miratuar, në kapërcim të afateve të parashikuara, ende nuk janë marrë, të merret në konsideratë fakti që lista e zgjedhësve në çdo kohë dhe rast të mbetet domain i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore apo e një zgjidhje të plotë konsensuale politike.



[i] “Raporti i Progresit së Shqipërinë për Vitin 2015”, datë 10.11.2015, Komisioni Europian, Bruksel.

[ii] - Ligji Nr. 146/2014, datë 30.10.2014, “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, Fletore Zyrtare Numër 178, datë 24.11.2014.

 - Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për Njohjen dhe Forcimin e Rolit të Shoqërisë Civile në Procesin e Zhvillimeve Demokratike të Vendit”, datë 24.12.2014, Fletore Zyrtare Nr. 203, datë 06.01.2015.

 - Vendimi i Byrosë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Nr. 17, datë 11.11.2014, “Manuali i Pjesëmarrjes së Publikut në Procesin Vendimmarrës të Kuvendit të Shqipërisë”.

 - Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 247, datë 20.03.2015, “Strategjia Antikorrupsion 2015-2020 dhe Plani i Veprimit", (Qasja Ndërgjegësuese, Objektivi C3 – “Inkurajimi i Bashkëpunimit me Shoqërinë Civile”), Fletore Zyrtare Nr. 81, datë 22.05.2015.

[iii] Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, Letër e Hapur “Miratimi i një dokumenti rregullues procedurial i punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, domosdoshmëri për realizimin e një procesi sa më cilësor dhe të arrirë”, datë 16.03.2015. http://www.zgjedhje.al/index.php?idart=107&gj=sh .

[iv] Protokolli i punës do vinte në ndihmë të standartizimit të diskutimeve të amendimeve në funksion të:

a) ruajtjes së memories legjislative institucionale;  b) lehtësimit të përcjelljes së amendimeve dhe sugjerimeve prej aktorëve të shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe partive minore politike; si dhe  c) sigurimit të transparencës së procesit legjislativ të reformës zgjedhore.

[v] Shkresa e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me Nr. 978 Protokolli, datë 21.03.2016.

[vi] Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, “Opinioni i KVV-së për Komisionin Parlamentar të Ligjeve mbi Raportin Vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2015”, datë 25.03.2015. http://www.zgjedhje.al/index.php?idart=109&gj=sh

[vii]Kërkesës së KVV-së për të qenë i ftuar, KÇLAPDNJ-ja iu përgjigj se nuk ishte e nevojshme. Pas kësaj KVV kërkoi të merrte pjesë si dëgjues në mbledhjen e datës 20.04.2016, kërkesë e cila u miratua.

[viii] Në proces-verbalin e seancës së datës 20.04.2016 të KÇLAPDNJ figurojnë të ftuar vetëm zyrtarët e KQZ-së.

Ndërkohë lidhur me prezencën e përfaqësuesve të disa organizatave, drejtuesi i Komisionit z. Xhafaj saktëson se “duhet të bëj me dije se kanë kërkuar të jenë të pranishëm në këtë seancë disa përfaqësues të shoqërisë civile të Dhomës Zgjedhore dhe të Koalicionit Zgjedhor”. (fq. 6).

Më tej ai iu bën me dije këtyre përfaqësuesve se “e vetmja gjë që keni ju është të ndiqni seancën dhe pastaj nëse keni gjëra që lidhen me projektrezolutën t’ia bëni të njohur komisionit, relatorit, zotit Majko. Komisioni mund t’i shqyrtojë për t’i reflektuar pastaj në varësi të konsideratës përkatëse për t’i paraqitur në seancën plenare si rekomandime dhe sugjerime që përmirësojnë rezolutën, e cila do t’i paraqitet seancës”. (fq. 6).

Në fund të diskutimeve mbi raportin dhe prezantimin e bërë nga drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Xhafaj konkludon se “gjithsesi, unë mendoj se do të duhet ta votojmë në parim projektrezolutën për t’i dhënë mundësi pastaj relatorit, krahas disa vlerësimeve që kanë ardhur nga koalicioni vëzhgues dhe vendor, që më mbetet ta vlerësoj dhe ta përgëzoj për këtë kontribut, me ftesën e hapur për të qenë vazhdimisht kontributiv në çështje të tilla sensitive edhe për shoqërinë civile, siç mbetemi të hapur edhe për organizatat e tjera të shoqërisë civile, që janë investuar në këtë proces kaq të rëndësishëm, për të dhënë kontributet e tyre në përmirësimin e projektrezolutës që do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim”. (fq. 22).

Pas këtij parashtrimi, Komisioni e voton në parim projekt-rezolutën dhe më pas bëhet ftesë sërish nga Kryetari i Komisionit “u japim mundësinë të gjithë aktorëve të shoqërisë civile, edhe vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të kontribuojnë për të pasuruar më tej rezolutën që do t’i paraqitet seancës plenare” (fq. 23).    Ftesë që nuk bën sens procedurial sepse me votimin në Komisionin Parlamentar, mbetej vetëm shqyrtimi dhe votimi në Kuvend.

https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/04/Procesverbal-dat---20.04.2016.pdf .

 

[ix] Kjo rrethanë fshihet në Raportin që shoqëroi Projekt-rezolutën në Kuvend, ku përshkruhet dhe lihet të kuptohet se Kryetari i Komisionit ftoi të ftuarit prezent të paraqisnin sugjerimet për përmbajtjen e draft-rezolutës.

Madje aty, ndryshe nga sa pasqyrohet në vetë proces-verbalin e mbledhjes, paraqitet sikur përfaqësuesit e organizatave ishin ftuar nga Komisioni për të qenë prezent: “te pranishem me cilesine e degjuesit ne seancën dëgjimore ishin ftuar edhe perfaqesues te Koalicionit zgjedhor IDM, dhoma zgjedhore si dhe perfaqesues te misioneve te OSBE dhe BE”.

Pa u ndaluar në citimin gabim të emrave të organizatave që Komisioni kishte “ftuar”, më pas Raporti thekson se “në përfundim të diskutimeve të raportit vjetor të KQZ për vitin 2015 , Kryetari i Komisionit , Z.Xhafaj propozoi për përfaqësuesit e ftuar që nëse do të kishin nevojë të shpreheshin, mund të jepnin edhe ata sugjerime për përmbajtjen e draft-rezolutës për veprimtarinë e KQZ për vitin 2015 dhe përmirësime të mundshme për vitin 2016”.

https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/04/Raporti-i-Komisionit-p--r-----shtjet-Ligjore-Administrat--n-Publike-dhe-t---Drejtat-e-Njeriut-2.pdf .

 

[x] Në frymën e check and balance, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë gjykon se Raportimi Vjetor i një Institucioni të Pavaruar (në këtë rast KQZ) duhet të përmbajë dhe të strukturohet duke reflektuar katër elemente:

-    vënie në dijeni për ecurinë e punës gjatë periudhës të cilës i referohet raportimi;

-    evidentim problematikash të hasura përgjatë periudhës së raportimit;

-    reflektim për mangësitë dhe handikapet e vërejtura në kuadrin ligjor;  dhe 

-    fizibilitet i gjendjes financiare dhe i burimeve njerëzore të vëna në dispozicion.

Këta elementë, në optikën e KVV-së, duhet të ndiqen si referenca për një ndërveprim sa më të arrirë ndër-institucional dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore.

Dy elementët e parë paraqesin “barrën” e Institucionit të Pavarur në përmbushjen e detyrimeve ligjore, dhe dy të tjerët paraqesin “barrën” e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në mundësimin e përmbushjes së detyrave të Institucionit të Pavarur.  

 

[xi] Disa nga gjetjet e OSBE/ODIHR:

  “... Edhe pse kërkohet nga ligji KQZ-ja nuk vendosi gjoba kundrejt stacioneve televizive për shkelje të dispozitave për mbulim të barabartë për garuesit.

... Natyra e politizuar e diskutimeve të KQZ-së u vu re në shumicën e mbledhjeve të saj. MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it vëzhgoi se, ndërkohë që vendimet mbi çështjet e pastra teknike miratoheshin me unanimitet, 11 vendimet mbi çështje më thelbësore miratoheshin me votim të ndarë katër me tre, duke përfshirë këtu rreth 50 vendime mbi formimin e grupeve të numërimit, regjistrimin e kandidatëve dhe dorëheqjet dhe disa ankimime mbi rezultatet e zgjedhjeve.

... Vendimi i KQZ-së për shpërndarjen paraprake të fondeve publike u mor 13 ditë pas fillimit zyrtar të fushatës, që është më vonë se afati ligjor.

... KQZ-ja ka marrë 24 ankimime kundër vendimeve të KZAZ-ve, para ditës së zgjedhjeve, shumica në lidhje me regjistrimin e kandidatëve. Në disa raste, KQZ-ja shmangu marrjen e vendimeve përfundimtare, ashtu siç e parashikon ligji dhe ia ktheu ato për shqyrtim KZAZ-ve. Një sërë vendimesh të KQZ-së nuk janë marrë në përputhje me qëllimin e ligjit, duke bërë një interpretim të paqëndrueshëm dhe arbitrar të ligjit, që çon në pasiguri ligjore. Në shumicën e rasteve të vëzhguara, KQZ-ja nuk mundi të marrë vendime përfundimtare mbi ankesat brenda afateve të kërkuara ligjore”.

 

[xii] “Raporti i Progresit së Shqipërinë për Vitin 2015”, datë 10.11.2015, Komisioni Europian, Bruksel:

“... Shqetësimet në lidhje me paanësinë dhe profesionizmin e autoriteteve zgjedhore, si dhe me politizimin e përgjithshëm të procesit zgjedhor, duhet ende të adresohen.

... Paanësia dhe profesionializmi i përgjithshëm i administratës zgjedhore mbetet shqetësim.” (fq.6).

 http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2015/20151110_report_albania.pdf.

 

[xiii]  - Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka informuar Komisionin e Ligjeve, partitë parlamentare, etj, në mënyrë të vazhdueshme dhe hap pas hapi për çdo parregullsi të vërejtur nëpërmjet 11 deklaratave dhe letrave të hapura, 5 raporteve të ndërmjetme monitorimi mbi procesin zgjedhor, 1 raporti të posaçëm mbi financimin e partive dhe fushatave zgjedhore si dhe 1 raporti të posaçëm mbi drejtësinë zgjedhore. www.zgjedhje.al .

- Vetë partitë politike deputetët e disa prej të cilave janë edhe anëtarë të Komisionit të ligjeve kanë artikuluar jo pak shkelje serioze ndaj mënyrës së operimit të KQZ-së.

- Shkelje kanë evidentuar edhe aktorë të tjerë vendorë që kanë monitoruar pjesërisht procesin zgjedhor të 2015. 

 

[xiv] Kuvendi i Shqipërisë, Rezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2015”, datë 28.04.2016.

“... Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi raportin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi veprimtarinë e tij gjatë vitit 2015 dhe shqetësimet e shfaqura në zgjedhjet lokale të vitit 2015.  

Në referim të çështjeve të ngritura për:

    - Bashkëpunimin me organet e qeverisjes vendore, në funksion të organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve;

    - Procesin e regjistrimit të partive politike;

    - Procedurat e ngritjes dhe funksionimit të KZAZ-ve;

    - Problemeve që ndikuan në zgjatjen e procesit të numërimit;

Kuvendi i Shqipërisë konstaton se:  ...”.

https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/04/rezoluta-e-KQZ-se-dt-28-4-2016.pdf . 

 

[xv] Katër çështjet që merren në konsideratë nuk merren të plota në tërë dimensionin e tyre, duke mos përfshirë ato që janë problematike. Psh, tek çështja e dytë, fokusi limitohet vetëm tek regjistrimi i partive politike duke mos përfshirë regjistrimin e kandidatëve të partive politike (çka është një tjetër proces më vete) dhe as regjistrimin e kandidatëve të pavarur. Termi ezaurues që do të përmblidhte në tërësi çështjen do të ishte “procesi i regjistrimit të subjekteve elektoralë”.  

 

[xvi] Dy prej detyrave të lëna ndaj KQZ-së kanë të bëjnë me mundësinë e përdorimit të teknologjisë në proceset zgjedhore dhe funksionimit të Qendrës së Trajnimeve Zgjedhore.

Edhe në këto raste, e para është një kërkesë paraprake e paraqitur prej Partisë Demokratike për reformën zgjedhore dhe nuk ka asnjë qendrim apo vendimmarrje institucionale deri më tani.

Ndërsa, detyra e dytë  i jep bazë legjitimiteti një pjese të një projekti të organizmave joqeveritare, për të cilin sërish deri tani nuk ka asnjë qendrim apo vendimmarrje institucionale e ligjore.  

 

[xvii] Por edhe në rast domosdoshmërie të ruajtjes së frymës së ligjit, ky pezullim mund të kufizohet vetëm për vepra tejet të rënda dhe me kohëzgjatje sa periudha e vuatjes së dënimit në sistemin penitenciar.

 


Tiranë,  më 4 Qershor 2016!

 

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore