‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Njoftim për Shtyp - Opinioni i KVV-së për Komisionin Parlamentar të Ligjeve mbi Raportin Vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2015 !
15/04/2016

NJOFTIM PËR SHTYP


Duke përgëzuar kthimin e përfaqësuesve të djathtë në komisionet parlamentare, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë thekson edhe njëherë domosdoshmërinë e konsensusit dhe bashkëpunimit politik në çdo moment ligjvënës.

Në këtë vazhdë, bëhet me dije se me datë 20.04.2016 Komisioni i Ligjeve, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut do të mbajë seancën e rradhës, ku në rend dite pritet shqyrtimi i Raportit Vjetor për Veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vitin 2015.

 

Me anë të një shkrese me datën 17/03/2016, Komisioni Parlamentar i Ligjeve i përcolli Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë kërkesën për shprehje opinioni mbi këtë raportim. Në përgjigje të kësaj shkrese, KVV i paraqiti dokumentin e qendrimit dhe të vlerësimeve të tij për këtë raportim të KQZ-së.

 

Në analizë të raportimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si një moment kushtetues i check and balance, ku një insitucion i pavarur i raporton Kuvendit të Republikës, vlerësimet u ndalën në katër pika:

 

1. Vënia në dijeni për ecurinë institucionale për periudhën e raportimit

2. Evidentimi i problematikave të hasura përgjatë periudhës së raportimit

3. Reflektimi i mangësive dhe handikapeve të vërejtura në kuadrin ligjor

4. Fizibiliteti i gjendjes financiare dhe i burimeve njerëzore të vëna në dispozicion

 

Në rezultante të argumentave dhe shqetësimeve për këtë raport, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shprehet, ndër të tjera, se përpos një ecurie institucionale kritike për vitin zgjedhor 2015, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë moment kushtetues kaq të rëndësishëm nuk ka reflektuar përgjegjshmëri të lartë.

 

Dokumentin e plotë të Koalicionit e gjeni më poshtë ose mund ta shkarkoni në .pdf  KËTU.

Tiranë, më 15 Prill 2016!



 -----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------


Prot. ____________ Nr.

Tiranë, më 25/03/2016

 

 

Drejtuar:     Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Kryetarit z. Fatmir XHAFAJ

 

Lënda:         Shprehje opinioni mbi Raportin Vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2015, të paraqitur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë

 

 

I Nderuar zoti Kryetar !

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) shpreh vlerësimin e tij ndaj Kuvendit të Shqipërisë, Komisionit që ju drejtoni dhe Juve personalisht për këtë qasje dhe mënyrë bashkëveprimi me të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare.

 

KVV dëshiron, së pari,  t’ju falënderojë për konsideratën si dhe kërkesën e Komisionit tuaj Parlamentar për shprehje opinioni mbi Raportin Vjetor të vitit 2015 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe për kërkesat e mëparshme në dy vitet e kaluara, të cilat nuk ka qenë e mundur të adresohen për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion.

 

Shpresojmë që bashkëpunimi i deritanishëm të mund të zhvillohet edhe më tej në punën tuaj në vazhdim, si dhe në leximin e vlerësimeve dhe vërejtjeve të pasqyruara në opininin e shprehur më poshtë.

 

 

Në logjikën dhe në ruajtjen e garancive kushtetuese, raportimi periodik i 20 institucioneve të pavarura në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, përbën afirmimin e parimit të rëndësishëm të check and balance.

Më shumë se një raportim narrativ ndaj një institucioni kushtetueshmërisht sipëror, ky është një moment ballafaqimi institucional ndërmjet Kuvendit dhe Institucionit të Pavarur, që në rastin në fjalë është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve[i].

 

   Ndonëse nuk është miratuar një model për raportimin e këtyre institucioneve[ii], në frymën e check and balance, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë vë re se ky raportim duhet të përmbajë dhe të strukturohet duke reflektuar katër elemente:

-          vënie në dijeni për ecurinë e punës gjatë periudhës të cilës i referohet raportimi;

-          evidentim problematikash të hasura përgjatë periudhës së raportimit;

-          reflektim për mangësitë dhe handikapet e vërejtura në kuadrin ligjor;  dhe  

-          fizibilitet i gjendjes financiare dhe i burimeve njerëzore të vëna në dispozicion.

 

Këta elementë, në optikën e KVV-së, duhet të ndiqen si referenca për një ndërveprim sa më të arrirë ndër-institucional dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore.

   Dy elementët e parë paraqesin “barrën” e Institucionit të Pavarur në përmbushjen e detyrimeve ligjore, dhe dy të tjerët paraqesin “barrën” e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në mundësimin e përmbushjes së detyrave të Institucionit të Pavarur.

 

   Elementet e përmendur do t’i vinin në ndihmë edhe hartimit dhe miratimit të rezolutës që vjen si “përgjigjie” e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ndaj raportimit të kryer prej institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.  Dokument për të cilin vlen të përmendet vërejtja e shprehur në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për vitin 2015, i cili përpos vlerësimit se “Kuvendi ka vazhduar të monitorojë punën e institucioneve të pavarura dhe ka shqyrtuar raportet e tyre në mënyrë më të shpejtë dhe më të plotë, shprehet se “megjithatë, duhet të sigurohet ndjekja e përshtatshme në vazhdimësi e rezultateve të tyre[iii].

 

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, i cili ka qenë dhe është në ndjekje të vazhdueshme të punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe operatorëve të tjerë zgjedhorë, ka bërë publike në vijimësi qendrimet e tij ndaj performancës apo punës së tyre [iv].

Në lidhje me vitin zgjedhor 2015, si edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, përpos evidentimit të vlerësimeve, Koalicioni ka qenë tepër kritik si ndaj ecurisë dhe performancës së treguar nga Komisioni Kolegjial i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ashtu dhe ndaj administratës së tij.

 

    Në konsideratën e KVV-së, ky Institucion nuk ka arritur të përmbushë edhe disa prej detyrave më thelbësore, nuk ka administruar në mënyrën më të mirë procesin zgjedhor, ka reflektuar qendrime politike në vendimmarrje dhe ka ndjekur një frymë jo plotësisht në përputhje me Kodin Zgjedhor, madje në disa raste edhe në kundërshtim me të.

 

 

Në përgjigje të ftesës për shprehje opinioni, duke iu referuar dokumentit “Raport - Për Veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 1 Janar – 31 Dhjetor, Viti 2015”, Rezolutës për Vlerësimin e Veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Vitin 2014, dhe në vijimësi të dokumenteve të hartuara dhe publikuara nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë përgjatë vitit 2015 dhe mbi procesin zgjedhor të Zgjedhjeve Vendore të 21 Qershorit,  jepen këto konsiderata:

 

1. Vënia në dijeni për ecurinë institucionale për periudhën e raportimit

Është për t’u vlerësuar si tejet pozitiv që raporti i paraqitur për vitin zgjedhor 2015 nga Komisioni Qendror i Zgjedhje është i pasur në të dhëna kronologjike dhe sasiore. Evidentohet mbulimi i detajuar në referim i ecurisë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor të Zgjedhjeve Vendore të 21 Qershorit në raportimin e kryer. Megjithatë hasen momente të referuara ose jo në raport pa asnjë sqarim sasior dhe të dhëna informuese[v].

 


2. Evidentimi i problematikave të hasura përgjatë periudhës së raportimit[vi]

Duke patur në konsideratë kryesore që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni drejtues, mbikëqyrës dhe administrues i proceseve zgjedhore, evidentimi i plotë dhe objektiv i problematikave të hasura gjatë vitit zgjedhor 2015, është pika më kritike në raportin e paraqitur.

 

Në vijimësi të këtij raporti vihet re një qasje “diminuizimi” dhe herë pas herë edhe fshehje e problematikave. Veçanërisht nuk gjenden të përmendura edhe problematika që vetë ky institucion i ka pohuar dhe pranuar më herët.

 

Gjithashtu, në raportim nuk gjenden të pasqyruara kritikat e forta prej organizatave ndërkombëtare dhe vendase të vëzhgimit, apo ato të aktorëve kryesorë dhe minorë politikë të shoqëruar me reagimin apo qendrimin institucional ndaj tyre.

Dokumentat dhe konsideratat e këtyre organizatave përdoren më së shumti si referenca për të manifestuar seriozitet dhe përkushtim në rastet kur ato janë adresuar në veprimarinë e institucionit.

 

Në qasje krejt të kundërt, në disa raste në raport gjenden vetëvlerësime për punën e kryer nga vetë institucioni dhe paraqitje arritje suksesesh të vetëvlerësuara[vii].

 

Duke rënë ndesh me qëllimin e raportimit, ky dokument në rezultante materializohet si një vetëvendosje note e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe një çertifikim i procesit zgjedhor të Zgjedhjeve Vendore të 21 Qershorit.

 

Kjo qasje nuk është në logjikën e këtij momenti raportimi, pasi në gjykimin e KVV-së, bie haptazi ndesh me logjikën institucionale të raportimit të një Intitucioni të Pavarur ndaj të vetmit Institucion që kontrollon dhe gjykon punën e tij, i cili është njëkohësisht edhe institucioni më i lartë i Republikës, Kuvendi.

 


3. Reflektimi i mangësive dhe handikapeve të vërejtura në kuadrin ligjor

Vlerësohet se çështjet dhe kapitujt e dokumentit janë të shoqëruara në fund me pjesë ku jepen sugjerime për amendime të kuadrit ligjor të zgjedhjeve.

Gjithashtu i kushtohet gati një kapitull i tërë amendimeve, rregullimeve të mundshme në përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe strategjisë së institucionit për të ardhmen.

 

Megjithatë, për shkak se siç u pohua më lart, problematikat përgjatë raportit janë të limituara në probleme minore, sugjerimet nuk adresojnë disa prej problemeve madhore të procesit zgjedhor.

 


4. Fizibiliteti i gjendjes financiare dhe i burimeve njerëzore të vëna në dispozicion [viii]

Përgjatë tërë ecurisë së punës së vet, në daljet publike dhe komunikimet zyrtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shumë raste ka argumentuar dhe ka evidentuar pamundësinë e tij në përmbushjen e detyrimeve ligjore, disa prej tyre thelbësore, për shkak të mangësive financiare dhe burimeve njerëzore.

 

Problematikat që prej mospublikimit në kohë të vendimeve në faqen zyrtare të internetit dhe deri tek kryerja e verifikimit të financave të partive politike, janë argumentuar prej institucionit si mungesa në burime.

 

Ndërkohë në raport, nuk gjendet e përfshirë ngritja e shqetësimit për këtë problematikë në tërë momentet ku me të drejtë hasen dobësi të forta në kryerjen e detyrave ligjore për shkak të pamundësisë së burimeve financiare dhe njerëzore.

 

Edhe në rastin kur evidentohet ky shqetësim, në dokument përmendet nevoja për rritje dhe forcim të kapaciteteve, apo mungesë kapacitetesh të mjaftueshme, ndërkohë që situata flet për një ngritje mirëfilli të kapaciteteve.

 

Në konsideratë të fundit, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shprehet se, përpos një ecurie institucionale kritike për vitin zgjedhor 2015, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë moment kushtetues kaq të rëndësishëm nuk ka reflektuar përgjegjshmëri të lartë.

 

Qasja në përgatitjen e raportit nuk duket të jetë konstruktive për vijueshmërinë apo t’i vijë në ndihmë përmirësimit të dobësive dhe mangësive të institucionit si dhe mbarëvajtjes së proceseve të ardhshme zgjedhore, ashtu siç e kërkon ky moment.

Në vend të kësaj, raporti përpiqet t’i fshehë problematikat apo edhe t’i paraqesë ndryshe ato duke nxitur kështu stanjacion apo në rastin më të keq, përkeqësim të standarteve që ato diktojnë.

 

Duke ju falënderuar edhe një herë për konsideratën, shpresojmë që kontributi i KVV-së nëpërmjet këtij opinioni t’ju ndihmojë në krijimin e një gjykimi sa më të plotë dhe objektiv në funksion të hartimit të një Rezolute që do të forcojë dhe konsolidojë edhe më tej funksionimin si një Institucion i Pavarur të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në përmbushje të plotë të misionit të tij dhe detyrave që i jep ligji.

 

Me konsideratë,

 

Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë

Përfaqësuesit e Organizatave Drejtuese

 

         Gerta META                                     Premto GOGO                           Rajmonda PRIFTI

        Drejtore Ekzekutive                                 Kryetar                                  Drejtore Ekzekutive

Shoqata për Kulturë Demokratike        Shoqata KRIIK Albania         Shoqata për Gratë e Fëmijët

 

 


[i] Kodi Zgjedhor, Neni 21, “Kompetencat e KQZ-së”, pika: “13. Paraqet në Kuvend, brenda muajit shkurt të çdo viti, raportin vjetor për veprimtarinë e vitit të kaluar”.

[ii] Organizata ndërkombëtare “The International Foundation for Electoral Systems” (IFES) ka publikuar në dokumentin “Parliamentary Transparency and Accountability Standards” (PTAS) 19 kritere apo standarte në hartimin e një modeli apo SOP (Standard Operating Procedure) në procesin e raportimit të institucioneve të pavarura në Kuvend.

... Ky artikull prezanton dhe shpjegon 19 Standarde të Transparencës dhe Llogaridhënies së Parlamentit (STLP) rreth të cilave mund të zhvillohet një Raport i Gjendjes Vjetore të Parlamentit . STLP-të janë, pjesërisht, të bazuara në parimin ombrellë të ndarjes së pushteteve, parim i cilin nënkupton se një legjislaturë demokratike duhet të jetë një institucion i pavarur me kapacitetin, burimet dhe mbështetjen qeveritare dhe publike të kryejë detyrat e veta kushtetuese, të tilla si ligjbërja, mbikqyrja e qeverisë dhe përfaqësimi i zgjedhësve, në një mënyrë transparente dhe llogaridhënëse.  http://ifes.org/sites/default/files/final_sop_framework_0607.pdf .

   Organizata OSBE ka zhvilluar një Seminar Rajonal me temë “Raportimi Parlamentar dhe Institucionet e Pavarura”, të mbajtur në Tiranë në datat 20-21 dhjetor 2010. Ky seminar me pjesëmarrje të përfaqësuesve të institucioneve rajonale identifikuan një numër praktikash të mira dhe rekomandimesh të formuluara. http://www.osce.org/odihr/78844?download=true .

   Një shembull teknik për këtë, duke patur parasysh dhe konteksin e përngjashëm, është Kosova, ku është hartuar nga shoqëria civile me mbështetjen e ambasadës britanike një dokument me titull “Manuali për Raportim të Institucioneve të Pavarura në Kuvendin e Kosovës”. http://www.indep.info/documents/23283_Manuali%20p%C3%ABr%20Raportim%20t%C3%AB%20Institucioneve%20t%C3%AB%20Pavarura%20n%C3%AB%20Kuvendin%20e%20Kosov%C3%ABs.pdf .

[iii] Raporti i Progresit i Vitit 2015 për Shqipërinë, Komisioni Europian, faqe 7.

[iv]  http://zgjedhje.al/dok.php?1?gj=sh .

[v] Një shembull ilustrues sasior për këtë është fakti se në raport termi “raste” perdoret 8 herë për situata problematike përgjatë ecurisë së procesit zgjedhor, por pa të dhëna të sakta.

[vi] Më poshtë listohen të përmbledhura disa prej çështjeve më shqetësuese që gjejnë vend të “diminuizuara” ose nuk gjejnë vend në raport:

-               Në pikën I.2 Plani Orientues i Veprimeve nuk gjendet e analizuar përmbushja formale (përmbushja e afateve të Planit dhe të Kodit Zgjedhor) ose përmbajtësore (zbatimi i tagrava ligjore që cakton kuadri ligjor). Raporti mjaftohet dhe vlerëson miratimin dhe ekzistencën e Planit Orientues.

Paraqitja në raport:  “...Detajimi i veprimeve konkrete dhe i afateve kohore, brenda të cilave këto veprime duhet të ndërmerren, duke iu referuar përcaktimeve të bëra në Kodin Zgjedhor ndihmuan KQZ-në të kontrollojë në çdo moment ecurinë normale të këtij procesi zgjedhor, ndihmuan partitë politike, vëzhguesit e huaj dhe vendas të orientoheshin në realizimin e procedurave dhe njëkohësisht të kontrollonin ecurinë e procesit dhe të veprimtarisë së KQZ-së”. (Faqe 4).

-               Në pikën I.10.2 Regjistrimi i Votuesve, raporti ndalet në pesë problematika, ku dy prej tyre kanë të bëjnë me pretendimet për inxhinierimin elektoral në tre njësi vendore (Durrës, Kavajë, Vorë) dhe për mospërfshirjen në listat e votuesve të personave në institucionet penitenciare. Të dyja këto çështje kanë marrë shumë vëmendje dhe shumë kohë si në jetën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ashtu dhe në diskutimin politik. Megjithatë raporti mjaftohet në përshkrimin e përciptë të fabulës së këtyre problematikave, pa u përpjekur në evidentimin e fajësisë së subjekteve apo mangësive të kuadrit ligjor zgjedhor.

Për më tepër pa u shqetësuar për rrezikun e përsëritjes së dy fenomeneve që mund të kërcënojnë drejtpërdrejtë proceset në të ardhmen.

-               Në pikën II.8 Procesi i numërimit në VNV, tabulimi dhe nxjerrja e rezultatit nga KZAZ shprehet se “numërimi i votave në VNV ka rritur besimin e subjekteve zgjedhore dhe të zgjedhësve se numërimi është korrekt dhe i sigurtë”. (faqe 39).

Së pari, konkluzioni i shprehur përbën një spekulim sepse nuk mbështetet në asnjë metodologji përpos perceptimit të institucionit. Së dyti, nuk i takon këtij institucioni të dalë në një konkluzion, aq më të tepër pozitiv, për punën e kryer. Në fund, për sa i përket perceptimit, dhe dialogimit të kryer prej KVV-së me shumë përfaqësues të partive politike minore dhe jashtë parlamentare, skepticizmi dhe mungesa e besimit për procesin e numërimit është shumë e lartë.

Në një moment të dytë të raportit, në këtë vazhdë shprehet se procesi i numërimit nuk është bërë pjesë e rekomandimeve të asnjë prej vëzhguesve ndërkombëtarë.

Mjafton të kujtojmë që Raporti Final i OSCE-ODHIR për Zgjedhjet Vendore të 21 Qershorit 2015, përpos se e ngre si shqetësim në raport procesin e numërimit, por e adreson edhe në Rekomandimin Numër 21: “Vëmendje duhet t'i kushtohet rritjes së transparencës në proçesin e nxjerrjes së rezultateve, përfshirë edhe hedhjen e të dhënave tek KZAZ-të. Të gjithë vëzhguesit duhet të kenë të drejtëntë marrin kopje të vërtetuara të rezultateve.

Paraqitja në raport:  “... Sikundër edhe përfaqësuesit e sipërcituar theksuan në diskutimet e tyre, për herë të parë në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë nuk ka asnjë rekomandim për numërimin, që do të thotë, që nuk është gjetur asnjë gjë e qenësishme për tu vendosur si rekomandim, njëherazi u theksua se përmirësime nevojiten pavarësisht se nuk përmenden më”. (Faqe 43)

-               Në pikën I.3 Akte të KQZ-së në raport pasqyrohet i detajuar volumi i akteve normative të miratuara nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku pohohet që pjesa më e madhe e tyre ka marrë dakortësinë e shtatë komisionerëve. Ajo që nuk përmendet në raport është se këto akte janë të një natyre tejet proceduriale. Gjatë tërë vendimmarrjes së tij, në çështjet me peshë dhe me interes politik, ose që kërkonin shumicë të cilësuar, votimi i komisionerëve ka qenë en block dhe me përkim politik.

   Së dyti, përsa i përket akteve të KQZ-së, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë thekson se administrata e këtij institucioni përgjatë procesit nuk ka arritur të përmbushi në masë një detyrim bazik, si publikimi në faqen zyrtare të internetit të vendimeve të tij.

-               Në pikën III.1 Auditimi i subjekeve zgjedhore në raport pohohet se ekspertët kontabël nuk kanë paraqitur vërejtje në 14 raporet audituese financiare të partive politike. (Në faqen zyrtare të institucionit janë publikuar 13 raporte vetëdeklarimi të financave të partive politike nga 118 parti politike). Ndërkohë në një nga raportet audituesi raporton se: “… janë të mbështetur në dokumentacion jo i rregullt ligjor referuar Ligjit fiskal …”

Në vlerësimin dhe në vazhdën e qendrimeve të mëparshme mbi këtë çështje nga KVV, pasqyrimi i bërë në raport nuk hedh dritë të plotë mbi shkeljet, mos përmbushjen e detyrave institucionale dhe mangësitë ligjore të procesit të transparencës dhe rregullimit të financave të partive politike.

Paraqitja në raport:  “... Nga 118 parti politike të cilat duhet të auditoheshin, 71 parti poltike nuk u arrit të kontaktoheshin nga ekspertët kontabël të kontraktuar nga KQZ. Partia për Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë nuk është audituar për vitin 2014, pasi është krijuar në vitin 2015. Për 32 parti politike ka deklaratë të kryetarit të partisë ose të autorizuarit të tij se partia nuk ka përfituar dhe shpenzuar fonde për vitin 2014. Për 14 parti politike ekspertët kontabël kanë paraqitur një raport të rregullt auditimi, pasi vetëm 14 parti politike kanë përfituar dhe shpenzuar fonde për vitin 2014. Në asnjë nga 14 raportet e auditimit ekspertët kontabël nuk kanë paraqitur vërejtje në lidhje me respektimin e legjislacionit për menaxhimin e fondeve nga ana e partive politike. Raportet e auditimit janë publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së. KQZ nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të bërë verifikime të mëtejshme në lidhje me fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për qëllime të aktivitetit të tyre vjetor”. (Faqe 42)

-               Pikat në raport I.10.3 Ankimimet për procesin e regjistrimit dhe II.10 Ankimimet për rezultatet i kushtohen Drejtësisë Zgjedhore.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në shumë raste ka kritikuar frymën dhe qasjen anti ligjore dhe anti kushtetuese përsa i përket procesit ankimor të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesve të partive kryesore politike në KQZ.

Në shumë deklarata dhe argumentime në seancat plenare të KQZ-së procesi ankimor është anatemuar dhe konsideruar si dëmtues i procesit zgjedhor (“bërje pis”).

Në këtë vazhdë edhe raporti i paraqitur i bën oponencë antikushtetuese këtij procesi, duke marrë përsipër të rigjykojë formalisht dhe përmbajtësisht ankimimet që i janë paraqitur.

Në vlerësimin e KVV-së do të duhej që vëmendje në këtë pikë të raportit të merrte koncepti i barrës së provës në procesin ankimor dhe i së drejtës së rinumërimit të fletëve të votimit, dy çështje që kanë marrë shumë kohë dhe i janë kushtuar shumë diskutime në seancat plenare. Gjithashtu janë dy çështje që partitë politike minore e kanë ngritur në vijimësi në proceset ankimore, jo vetëm në procesin zgjedhor të Zgjedhjeve të 21 Qershorit 2015, por gjatë tërë proceseve të mëparshme.

Paraqitja në raport:  ... KQZ, për çdo ankim administrativ u investua maksimalisht, megjithëse në shumë raste, ankimet e paraqitura apo përfaqësimi i ankimuesit në shqyrtimin administrativ ishte i munguar apo jo profesional, i pambështetur në dispozita ligjore, prova, fakte apo argumenta bindëse. Mjafton të përmendim se një subjekt zgjedhor depozitoi gjithsej 17 kërkesa ankimore, të cilat përshkruanin të njëjtat shkelje, fakte dhe argumenta për 17 zonat zgjedhore rezultati i të cilave ankimohej”. (Faqe 40)

-               Në pikën II.9 Publikimi i rezultatit paraprak, nxjerrja e rezultatit nga KQZ, rezultati përfundimtar nuk evidenton një rast flagrant, në të cilin vendimmarrja e vetëpranuar antiligjore e KQZ-së në shpalljen e rezultateve i mohoi një mandat në Këshillin Bashkiak Pogradec Partisë Socialiste të Moderuar. Kjo ndodhi sepse në rastet e njësive vendore të cilat mbuloheshin prej vetëm një Zone të Administrimin Zgjedhor, në shpërndarjen e mandateve për Këshillat Bashkiakë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mori në konsideratë rezultatet e shpalluara prej Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Administrata dhe vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu referua rezultateve të dala prej Grupeve të Numërimit të Votave. Kjo u bë me argumentimin se ishte një precedent i vendosur në Zgjedhjet Vendore pararendëse të vitit 2011, ndonëse u vetëpranua se ishte një tejkalim i vullnetshëm i kuadrit ligjor.

[vii] Një shembull ilustrues sasior për këtë është fakti se në raport përdoret 11 herë termi “sukses” për të vlerësuar momente përgjatë ecurisë së procesit zgjedhor.

[viii] Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë e ka mbështetur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në kërkesat dhe shqetësimin e tij përsa i përket mangësive të kapaciteteve financiare dhe njerëzore në përmbushjen e detyrave ligjore.

Në plotësim të këtyre mungesave do të duhej që raporti të pasqyronte një adresim të nevojave konkrete.

Në fakt, ai mjaftohet me evidentim si shqetësim rrethanor edhe kur këto mangësi e lënë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pa përmbushur një detyrim thelbësor si ai i verifikimit të financave të partive politike.

Paraqitja në raport:  ... KQZ nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të bërë verifikime të mëtejshme në lidhje me fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për qëllime të aktivitetit të tyre vjetor”. (Faqe 42)


Tiranë, më 25 Mars 2016!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore