‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Miratimi i një dokumenti rregullues procedurial i punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, domosdoshmëri për realizimin e një procesi sa më cilësor dhe të arrirë!
16/03/2016

L E T Ë R   E   H A P U R


Shkarko Letrën e Hapur të Plotë në .pdf


Drejtuar:      Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë,

SH.T.Z.   Ilir META

Anëtarëve të Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë

Anëtarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë

Kryetarëve të Partive Politike Parlamentare

Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë

 

Për Dijeni:   Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

SH.T.Z.  Bujar NISHANI

Minisitrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike   znj. Milena HARITO

Ministrit të Drejtësisë   z. Ylli MANJANI

Partive Politike jo Parlamentare

Misionit të OSBE-së

Delegacionit të Bashkimit Europian

Zyrës së Këshillit të Europës

Ambasadës së Shteteve të Bashkuara

Përfaqësive të tjera diplomatike në Republikën e Shqipërisë

Opinionit Publik


 

Të nderuar/a  Zonja/Zotërinj !

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh vlerësimin e tij ndaj forcave politike kryesore, drejtuesve të saj si dhe ndaj institucioneve kryesore të shtetit shqiptar në vijimin e përpjekjeve për ndërtimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe vazhdimin e ndërmarrjes së reformave tepër të rëndësishme për të ardhmen demokratike dhe europiane të vendit.

 

Nisja e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore me datë 07.03.2016 është një hap institucional i shumëpritur që ndër të tjera shfaq qartë demonstrimin e vullnetit dhe angazhimit të përbashkët politik në sfidën e realizimit të standardeve më të mira në proceset zgjedhore në vend.

 

Në konferencën me temë “Korrupsioni zgjedhor; Nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse”, të mbajtur me datë 26/01/2016, ku pjesëmarrës ishin përfaqësuesit më të lartë politikë dhe shtetërorë, një prej mesazheve të përcjella ishte ajo e një dakortësie për një reformë zgjedhore të ndërtuar mbi dy shtylla: reformë e plotë dhe gjithëpërfshirëse.

 

Përsa i përket elementit të parë, kjo reformë është bashkëpranuar të drejtohet në agjendën e saj prej raporteve finale dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për proceset zgjedhore të vitit 2013 dhe 2015[i].  

Ndërsa përsa i përket elementit të dytë të mbajtjes së një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse, shihet me vend ngritja e disa pyetjeve rreth metodologjisë dhe procedurës që do të ndiqet në realizimin e procesit të konsultimeve publike dhe të bashkëveprimit me partitë joparlamentare, institucionet shtetërore, organizatat joqeveritare shqiptare dhe të huaja apo aktorë të tjerë.

 

 

Duke e vlerësuar këtë proces si thelbësor në ruajtjen e frymës së reformës dhe veçanërisht të dimensionit të saj gjithëpërfshirës, Koalicioni kërkon t’ju sjellë në vëmendje disa çështje të cilat mbartin në vetvete problematika që nuk mund të anashkalohen si:

 

-          Tradita e deritanishme e reformave zgjedhore

Proceset e reformave zgjedhore në traditën e demokracisë shqiptare, përpos arritjeve dhe mosarritjeve që kanë shënuar, kanë patur disa karakteristika të përbashkëta.

Karakteristikë kryesore ka qenë precipitimi i të gjithë diskutimeve, amendimeve legjislative, dispozitave të diskutueshme apo të çështjeve të tjera të rëndësishme, në dakortësinë e binomit drejtues politik të Komisioneve Ad-Hoc të ngritura. Ky precipitim, në ecurinë e procesit, hap pas hapi është shoqëruar me distancim nga bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse, aktorët apo grupet e interesit.

Izolimi i diskutimeve të çështjeve të reformës zgjedhore, brenda dhe midis lidershipit politik, në fund është përmbyllur nga vetë dakortësia politike, e arritur në marrëveshje informale.

 

-          Konservimi i memories legjislative

Gjurmimi i çfarëdo procesi ligjor është një dimension minimalist i shtetformimit, por tejet i domosdoshëm. Veçanërisht në rastin e një procesi reformimi legjislativ, gjurmimi apo reflektimi material i tërë prurjeve nga pjesëmarrësit është më shumë se i domosdoshëm.

Ai është vital jo vetëm për vetë produktin legjislativ të nxjerrë, por edhe për vijimësinë institucionale apo proceset reformuese që mund të pasojnë.

Në traditën e reformave shqiptare, izolimi i diskutimit politik është ndjekur nga një mungesë e memories legjislative. Përpos tekstit ligjor konkludues, tërë materialet shkresore dhe propozimet e palëve politike apo të grupeve të interesit nuk kanë marrë vëmendje për t’u ruajtur dhe publikuar.

Për më tepër, vlen të theksohet se përmbledhja dhe publikimi i këtyre materialeve shërben si një ndihmë e jashtëzakonshme në interpretimin e mëvonshëm të vetë tekstit të ligjit, si dhe kufizon ricliklimin e debateve të mëvonshme, sidomos atyre teknike, për çështje që kanë marrë njëherë përgjigje.

 

-          Problematika të sjella prej vetë reformave zgjedhore

Përsa i përket interpretimit të ligjit zgjedhor, në shumë raste të proceseve zgjedhore ka patur debate të forta institucionale dhe politike mbi frymën që kanë mbartur dispozitat dhe vullnetin e legjislatorit në hartimin e tyre.

Mungesa e ruajtjes të së ashtuquajturës “memorie legjislative” mbi frymën e amendimeve legjislative;  vullneti politik në keqleximin e tekstit ligjor; dobësitë e teknikës legjislative në hartimin e dispozitave ligjore dhe veçanërisht ndërhyrjet e nxituara dhe jo të mirëmenduara përgjatë reformave zgjedhore, kanë qenë katër prej arsyeve që kanë ushqyer në vazhdimësi polemikat në interpretimin e tekstit ligjor.

 

Vlen të theksohet se këto polemika janë vërejtur më së shumti gjatë punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kjo edhe prej diskrecionalitetit të shfaqur në vendimmarrje prej tij. Diskrecionalitet i cili ka qenë i bazuar dhe i argumentuar disa herë me frymën e ligjit dhe vullnetin e legjislatorit, duke arritur madje në një interpretim që binte në kundërshtim me vetë dispozitat ligjore.

Domosdoshmëria e zbatimit të ligjit prej KQZ-së sipas frymës të tij është edhe një ndër rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR (rekomandimi 1).

 

-          Ligji “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”

Ligji Numër 146, i miratuar me datë 30.10.2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, ndër të tjera përcakton “procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik të projektligjeve, projektdokumenteve strategjike kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë publik”.

 

Pjesë e këtij procesi është dhe ngritja e Regjistrit Elektronik për Njoftimin dhe Konsultimet Publike (RENJK)[ii]. Theksojmë se deri më sot Regjistri Elektronik për Njoftimin dhe Konsultimet Publike ende nuk është vënë në zbatim.

Ndërkohë, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Numër 828, datë 07.10.2015, “deri në krijimin dhe bërjen funksional të Regjistrit Elektronik për Njoftimin dhe Konsultimin Publik, konsultimi sipas përcaktimeve të ligjit Nr. 146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, bëhet përmes faqes zyrtare të çdo institucioni”. Detyrim që së paku faqet zyrtare të ministrive nuk e kanë përmbushur.

 

 

Të ndodhur në këto rrethana, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë gjykon se rasti i veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore me mandat deri me datë 07.06.2016, për shkak të të qenurit komision Ad-Hoc dhe të objektivit që ka, meriton një trajtim dhe vëmendje specifike përsa i përket procedurës së njoftimit dhe konsultimit publik[iii].

 

Pavarësisht se, sipas ligjit “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik” vendosen disa afate kohore relativisht të mjaftueshme për procesin e njoftimit dhe konsultimit[iv], duke patur në konsideratë kompleksitetin e punës dhe trysninë politike ndaj Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, gjykohet se është e vështirë që ato afate të respektohen si në kohë, por edhe efektivisht.

 

Në këto kushte, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë konsideron si një parakusht të domosdoshëm në nisjen e punës së këtij Komisioni, miratimin e një protokolli apo një akti shtesë procedurial në raport me përmbushjen e ligjit “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik” dhe në raport me bashkërendimin e punës me aktorë të tjerë të interesuar[v] në realizimin e procesit të Reformës Zgjedhore.

 

Duke besuar fort në marrjen në konsideratë të shqetësimeve të ngritura si dhe në gatishmërinë tuaj për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm në miratimin e këtij Protokolli pune të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore (KPPRZ), Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë propozon:

 

1)      Agjenda e punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore përgjatë gjithë mandatit të dhënë ose atij që mund të marrë në vazhdim, është e nevojshme të publikohet paraprakisht[vi].

Më shumë se një listim kalendarik i punës, ky dokument duhet të vendosë që në fillim frymën dhe vizionin se ku do ta mbështesë punën Komisioni.

2)      Agjenda e çdo seance të KPPRZ-së nevojitet të publikohet paraprakisht në një afat të arsyeshëm dhe që mundëson vënien në dijeni dhe paraqitjen e propozimeve nga palët e interesuara apo grupet e interesit.

3)      Seancat e punës së KPPRZ-së nevojitet të jenë plenare dhe të shoqërohen me procesverbal të plotë të diskutimeve të pjesëmarrësve[vii].

Procesverbali i plotë i seancave duhet të publikohet në një afat të arsyeshëm, por jo më vonë se seanca më e parë pasuese.

4)      Materialet, sugjerimet, shqetësimet apo amendimet e propozuara nga partitë parlamentare, partitë joparlamentare, nga grupi i ekspertëve teknikë, organizatat joqeveritare vendase apo të huaja, apo të tjerë, të publikohen paraprakisht bashkë me agjendën e seancës në të cilën ato janë parashikuar për t’u marrë në diskutim[viii].

5)      Këshillohet miratimi i një moduli apo formati për paraqitjen e propozimeve nga aktorët e interesuar.

Kjo do të ndihmonte lehtësimin e punës së Komisionit si dhe standartizimin e bashkëpunimit së tij me të gjithë këta aktorë[ix].

6)      Është e nevojshme ngritja sa më shpejt e grupit të punës së ekspertëve teknikë[x]. Procesi i përzgjedhjes dhe veprimtaria e tyre nevojitet të jetë sa më transparente. Gjithashtu, Curriculum Vitae e anëtarëve të këtij grupi pune nevojitet të bëhen publike.

7)      Këshillohet që përbërja e anëtarësisë së grupit të ekspertëve teknikë nëpërmjet një formule të arsyeshme të pasqyrojë partitë joparlamentare, organizatat jo qeveritare, grupet e margjinalizuara dhe minoritetet.

8)      Të gjitha materialet shkresore si: procesverbalet e seancave, diskutimet, propozimet nga subjektet e interesuara jashtë Komisionit dhe të tjera që do kontribuojnë në procesin e reformës zgjedhore, në mbyllje të punës së KPPRZ-së duhet të publikohen në një përmbledhje dokumentacioni si “botim parlamentar”, i publikuar së paku si version elektronik në faqen zyrtare të Kuvendit[xi].

Për realizimin e tij, nëse është e nevojshme, të merret në konsideratë asistenca e ekspertizës së huaj apo bashkëpunimi me organizma ndërkombëtare si OSBE, etj.

9)      Gjithashtu, qendrimet, diskutimet dhe puna e bërë prej anëtarëve të Grupit të Punës së Ekspertëve Teknike sugjerohet të pasqyrohen në procesverbale.

Në përfundim, gjithë veprimtaria e këtij grupi pune të jetë e pasqyruar dhe të publikohet në një dokument konkluziv.

10)  Ndryshe nga praktika e ndjekur më parë, Raporti Konkluziv i punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore në përfundim të procesit duhet të reflektojë në mënyrë të plotë vlerësimet dhe konsideratat për produktin legjislativ përfundimtar të arritur[xii].

 

Duke vlerësuar edhe një herë vullnetin dhe angazhimin e shprehur për një reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse, si dhe frymën konstruktive që shoqëroi nisjen e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, nëpërmjet kësaj Letre të Hapur, Koalicioni ju fton të merrni në konsideratë rekomandimet e paraqitura për përgatitjen dhe hartimin e një dokumenti rregullues procedurial të punës së Komisionit dhe procesit të reformës zgjedhore, si një akt i mëtejshëm i dakortësisë dhe vullnetit politik, si dhe si një standard i ri në realizimin e një procesi sa më cilësor dhe të arrirë të reformës zgjedhore.

 

Me konsideratë,

 Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë

 Përfaqësuesit e organizatave Drejtuese

 

         Gerta META                                     Premto GOGO                           Rajmonda PRIFTI

     Drejtore Ekzekutive                                 Kryetar                                  Drejtore Ekzekutive

Shoqata për Kulturë Demokratike        Shoqata KRIIK Albania         Shoqata për Gratë e Fëmijët

 

 


[i] Raporti Final i OSBE/ODIHR për Zgjedhjet e 21 Qershorit 2015 (faqe 27-30) përmbante 23 Rekomandime, ndër të cilat 8 ishin Prioritare.  http://www.osce.org/sq/odihr/elections/albania/184901?download=true.

Raporti Final i OSBE/ODIHR për Zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 (faqe 28-31) përmbante 29 Rekomandime, ndër të cilat 9 ishin Rekomandime Prioritare. http://www.osce.org/sq/odihr/elections/108194?download=true .

[ii] Në funksion të kësaj sipërmarrje Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin Numër 828, datë 07.10.2015, “Për miratimin e rregullave të krijimit dhe administrimit të regjistrit elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike”. Me këtë vendim ngarkohej Ministri i Shtetit për Novacionin dhe Administratën Publike në drejtimin e krijimit, funksionimit, administrimit dhe monitorimit të vazhdueshëm të regjistrit, për të cilin caktohej adresa elektronike www.konsultimipublik.gov.al për publikim e tij.

[iii] Vendim i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Numër 110/2015, datë 21.12.2015, “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore”, pika: “XI. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat tremujor nga data e mbledhjes së parë të tij. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të bashkëkryetarëve, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit”.

[iv] Ligji Numër 146, datë 30.10.2014, “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, Neni 15 “Afati për dorëzimin e komenteve dhe rekomandimeve”, pika: “1. Palëve të interesuara u jepet koha e arsyeshme për të dërguar pranë organit publik vendimmarrës komentet dhe rekomandimet e tyre:

a) brenda 20 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit paraprak;

b) brenda 20 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit e të konsultimit publik.

2. Për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, sipas vendimit të organit publik, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 40 ditë pune nga data e njoftimit.

3. Përcaktimet e sipërpërmendura nuk anashkalojnë afatet kohore të përcaktuara në ligje të veçanta për procedurat e konsultimit dhe informimit publik”.

[v] Komisioni Europian, Progres Raporti për Shqipërinë, faqe 11, datë 10.11.2015:

“... Zhvillimi i politikave dhe legjislacionit nuk është ende aq sa duhet gjithëpërfshirës dhe i bazuar në evidenca. Në mars 2015, tabelat e përputhshmërisë në bazë të standardeve evropiane u bënë të detyrueshme për të gjithë legjislacionin që synohet të përafrohet me acquis-in. Megjithatë, ministritë zbatojnë ende rregulla të qarta të brendshme që rregullojnë procedurat për zhvillimin e politikave dhe hartimin e  legjislacionit. Ligji për Njoftimin dhe Konsultimin Publik hyri në fuqi në maj, dhe përcaktoi procedura për konsultimin me palët e interesuara. Vlerësime të ndikimit nuk kryhen në mënyrë sistematike dhe cilësia e tyre ndryshon në varësi të institucioneve. Vlerësimet e ndikimit financiar, në përgjithësi, shoqërojnë projekt-propozimet legjislative, por cilësia e tyre gjithashtu ndryshon shumë.

Sistemi për monitorimin e performancës së Qeverisë duhet të jetë i zbatueshëm për të siguruar një shqyrtim publik efektiv të punës së qeverisë, dhe raportet e monitorimit të Qeverisë duhet të përqendrohen në arritjet kundrejt objektivave të politikës dhe jo në rezultate”. http://www.integrimi.gov.al/files/documents_files/Albania_report.docx .

[vi] Publikimi i dokumentave përbën publikimi në faqen zyrtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë:  http://www.parlament.al/.

[vii] Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, 2004, Neni 39 “Procesverbalet në mbledhjet e komisioneve”, pika:  “1. Në mbledhjet e komisioneve mbahet procesverbal i përmbledhur.

2. Në procesverbalin e përmbledhur shënohet data e zhvillimit të mbledhjes, çështja që shqyrtohet, pjesëmarrja e deputetëve dhe e të ftuarve, përmbledhja e diskutimeve të bëra, qëndrimet e deputetëve dhe rezultati i votimit. Procesverbali i përmbledhur paraqitet në mbledhjen më të parë pasardhëse të komisionit. Në rast se në mbledhjen e komisionit nuk ka vërejtje për procesverbalin e mbledhjes paraardhëse, procesverbali quhet i pranuar dhe nëse kërkohet votim, ai zhvillohet me ngritjen e dorës. Për proceverbalin fjala u jepet vetëm atyre anëtarëve të komisionit që kërkojnë të propozojnë korrigjim ose të sqarojnë mendimin që kanë shprehur.

3. Në rast se çështja është me interes të veçantë, me vendim të komisionit, mbledhja regjistrohet e plotë dhe bëhet publike”. http://www.parlament.al/wp-content/uploads/sites/4/2015/11/Rregullore-e-Kuvendit-e-perditesuar.pdf .

[viii] Vendim i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Numër 110/2015, datë 21.12.2015 “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore”, pika: “IV. Komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seancë diskutimi me partitë politike joparlamentare, të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë më shumë se 1 për qind të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor.

Konsultime dhe dëgjesa publike do të zhvillohen edhe me kërkesë të palëve dhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe institucione shtetërore që luajnë një rol në procesin zgjedhor”. http://www.parlament.al/wp-content/uploads/sites/4/2016/01/vendim-nr.-110-dt.-21.12.2015.pdf .

[ix] Nga Koalicioni i Vëzhguesve Zgjedhore sugjerohet që moduli ose formati për paraqitjen e propozimeve prej organizatave jo qeveritare të përmbajë këto elementë:

-               Përmbajtja e përmbledhur të amendimit të paraqitur;

-               Problematika që adreson amendimi apo propozimi;

-               Çfarë përmirësimi sjell propozimi në procesin zgjedhor;

-               Dispozitat që mendoni se afektohen prej amendimit të paraqitur.

[x] Vendim i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Numër 110/2015, datë 21.12.2015, “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore”, pika “VI. Pranë Komisionit ngrihet grupi i ekspertëve teknikë. Përbërja dhe mënyrat e funksionimit përcaktohen me vendim të Komisionit të Posaçëm Parlamentar”.

[xi] Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, 2004, Neni 107 “Botimet parlamentare”, pika:

“1. Botimet parlamentare përfshijnë:

a) procesverbalet e seancave plenare të Kuvendit;

b) procesverbalet e përmbledhura të mbledhjeve të komisioneve të Kuvendit dhe të seancave plenare, përkatësisht sipas neneve 39 dhe 54 të kësaj Rregulloreje;

c) ligjet, vendimet, rezolutat dhe deklaratat e miratuara nga Kuvendi;

ç) paraqitjen e veprimtarisë së Kuvendit dhe të organeve të tij;

d) raportin vjetor të veprimtarisë së Kuvendit;

dh) publikimet e paraqitura në faqen e internetit të Kuvendit.

2. Byroja e Kuvendit ka autoritetin e vendimmarrjes për botimet parlamentare”.

[xii] “Raporti për Punën dhe Konkluzionet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore të vitit 2012” ishte i përciptë dhe jo përmbajtësor. http://shtetiweb.org/wp-content/uploads/2013/01/RAPORTI-i-PUNES-SE-KOMISIONIT.pdf .


Tiranë, më 16 Mars 2016!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore