‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Vetëqeverisja vendore në Shqipëri, larg politizimit dhe pranë të gjithë qytetarëve !
15/12/2015

D E K L A R A T Ë


Shkarko Deklaratën e Plotë në .pdf


Në adresim të volumit të ri administrativ që iu ngarkua qeverisjes vendore me ndarjen e re administrativo-territoriale, në përmbushje të detyrimit për plotësimin e kuadrit ligjor, Komisioni i Ligjeve me datë 14.12.2015 miratoi projektin e “Ligjit Për Vetëqeverisjen Vendore”.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në vazhdimësi të qendrimeve të mbajtura më parë, e mbështet miratimin sa më parë të projektligjit, por duke sjellë në vëmendje nevojën për ndërtimin e një mekanizmi për marrjen e “feedback” nga zbatimi konkret i tij në terren dhe adresimin e shpejtë të shqetësimeve apo sugjerimeve që mund të vijnë për plotësimin e mëtejshëm të tij, me synim bërjen e këtij ligji sa më funksional dhe sa më efikas në sjelljen e qeverisjes vendore pranë qytetarëve.

 

Zvogëlimi i numrit të njësive vendore, passolli zgjerimin e shtrirjes territoriale dhe përgjegjësive për njësitë e qeverisjes vendore të sapo krijuara.

Zgjerimi i njësive vendore pashmangshmërisht do të thotë më shumë pushtet për trupën e të zgjedhurve politikë dhe të të emëruarve të trupës së nëpunësve që përbëjnë qeverisjen vendore.

Ky terren i ri e bën akoma më të prekshme këtë “trupë nëpunësish” përkundrejt ndërhyrjeve politike dhe sidomos prej qeverisjes qendrore, ndërhyrje që do të vazhdojnë të politizojnë edhe qeverisjen e re vendore, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi qëllimet e nisjes dhe realizimit të reformës së ndërmarrë.

 

Përvojat botërore në qeverisjen vendore janë të shumëllojshme dhe secili rast është i lidhur ngushtë me realitetet shoqërore përkatëse.

Ky spektër modelesh varion që prej modeleve federaliste (lande, kantone, rajone) e deri tek sistemet moderne të menaxhimit bashkiak, ku edhe këto sisteme diferencohen me pozitën që i atribuojnë kryebashkiakut.

Rasti shqiptar deri më sot dhe me projekt-ligjin që pritet të vihen në zbatim është një model i ndërmjetëm që synon drejt një autonomie sa më të plotë të qeverisjes vendore.

 

Duke patur në konsideratë dy kryebashkiakët pararendës në Bashkinë e Tiranës, të cilët gjatë mandateve morën dhe drejtimin e partive politike përkatëse, gjithashtu edhe përvojat në njësi të tjera vendore, atashimi dhe përplasja e qeverisjes qendrore me qeverisjen vendore si dhe politizimi i skajshëm i këtyre të fundit ka qenë një problematikë konstante.

Së pari, kjo ka ardhur prej natyrës hegjemoniste dhe zgjeruese të pushteteve në demokracinë shqiptare. Së dyti, ka të bëjë me kuadrin ligjor i cili iu ka lejuar kryetarëve të njësive vendore dhe funksionarëve të tyre që të mund të kenë angazhime politike pranë partive të tyre.

 

Në projekt-ligj, sikundër edhe në formësimin që ka patur qeverisja vendore në Shqipëri, Këshilli Bashkiak identifikohet si pushteti legjislativ që përmbledh edhe vullnetet politike të partive të përfaqësuara, ndërkohë që Kryebashkiaku identifikohet si pushteti ekzekutiv i cili zgjidhet nga masa e gjerë e qytetarëve duke patur më shumë rol menaxherial se sa politik.

 

Në adresim të shqetësimeve të mësipërme dhe sfidave me të cilat po përballet demokracia shqiptare, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë vlerëson se do të ishte i nevojshëm detyrimi që të gjithë Kryetarët e Bashkive dhe funksionarët e tjerë në Qeverisjen Vendore të mos jenë pjesë e organeve drejtuese të asnjë partie politike.

 

Ky kufizim është në linjë me kufizimin e të drejtave politike të parashikuara në ligjin “Për Nëpunësin Civil”[i]. Nisur nga natyra e qeverisjes vendore është me vend shtrirja e efekteve të tij edhe në nivelin e Kryebashkiakëve, Zëvendësve të tyre dhe të Administratorëve të emëruar.

Kjo jo vetëm për të minimizuar politizimin e drejtimit të qeverisjes vendore duke ia lënë eksluzivisht peshën politike Këshillave Bashkiakë, por edhe për të mos lejuar që angazhimet jashtë funksionit publik të dëmtojnë kryerjen sa më të plotë të detyrave të marra përsipër prej Kryetarëve dhe funksionarëve[ii].

 

Nevojshmëria e këtij kufizimi mbështetet në tre argumenta kryesorë: përvoja e deri më sotme, fryma e Reformës Adminsitrativo-Teritoriale si dhe rritja e kapaciteteve njerëzore të Njësive të Qeverisjes Vendore.

Tradita e ecurisë së drejtimit të Njësive të Qeverisjes Vendore dhe kontraditat/atashimet me pushtetin qendror janë fakte botërisht të ditura dhe të kritikuara. Madje zhbërja e kësaj tradite ishte fryma që e nisi dhe e shoqëroi hartimin e Reformës Administrativo-Territoriale.

Megjithatë, fryrja e kapaciteteve burokratike dhe materiale për shkak zgjerimit të Njësive të Reja Vendore mund të bëhet shkak për të kundërtën.

Këto kapacitete rrezikojnë të shndërrohen në instrumenta të makinerisë elektorale për partitë respektive të drejtuesve të tyre, sikundër ka ndodhur rëndom në proceset zgjedhore të shkuara apo në mbështetjen e aksioneve politike të zhvilluara.

 

Duke qenë se ky projektligj është parashikuar për të kaluar në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë ditën e enjte me datë 17 dhjetor, Koalicioni i bën thirrje të gjithë deputetëve dhe partive parlamentare që të marrin në konsideratë dhe ta pasqyrojnë në ligj sugjerimin e bërë për argumentat e sipërpërmendura, si një moment i rëndësishëm i reformës territoriale.



[i] Ligji Nr. 152/2013 “Për Nëpunësin Civil (i ndryshuar)”, datë 30.05.201 , Neni 2 “Fusha e Veprimit”:

“Ky ligj zbatohet për çdo nëpunës, që ushtron një funksion publik në një institucion të administratës shtetërore, institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore”.

Neni 37 “Të drejtat politike”:

“1. Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar. Nëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike.    2. Nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues nuk mund të jenë anëtarë të partive politike. Nëpunësit civilë të kategorive të tjera kanë të drejtë të jenë anëtarë të partive politike, por nuk mund të jenë anëtarë të organeve drejtuese të tyre.    3. Nëpunësi civil ka të drejtën të kandidojë dhe të zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë apo për organet e qeverisjes vendore. Në këtë rast, nëpunësi detyrohet të kërkojë pezullimin nga detyra.”

[ii] Një diskutim lidhur me këtë çështje, por i kufizuar vetëm për papajtueshmërinë e postit të Kryetarit të Bashkisë me Postin e Kryetarit të një Partie Parlamentare është bërë gjatë seancës së datës 11 Dhjetor 2015 në Komisionin Parlamentar të Ligjeve:  “Te përfundimi i mandatit para kohe duhet shtuar edhe një germë … që i përfundon mandati nëse zgjidhet kryetar i një partie parlamentare gjatë kohës kur ushtron mandatin e kryetarit të bashkisë. D.m.th. mandati i kryetarit të bashkisë përfundon në momentin kur … nëse kryetari i bashkisë sot, Erjon Veliaj, për shembull, zgjidhet kryetar i partisë. Mora Tiranën, se ka ndodhur precedenti dy herë në Tiranë. Nuk ka asgjë të keqe ta vëmë këtu si një pikë shtesë” - tha Fino. Për më shumë tek: http://botasot.info/shqiperia/489747/kryebashkiaket-do-te-kene-tri-mandate-fino-del-kunder-te-kene-vetem-dy/ .


Tiranë, më 15 Dhjetor 2015!

 

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore