‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Fondet shtesë në buxhetin e KQZ për vitin 2016, domosdoshmëri për kontrollin real të financimit të partive dhe fushatave zgjedhore !
04/12/2015

D E K L A R A T Ë

 

Shkarko Deklaratën e Plotë në .pdf

 

Në raportin e Koalicionit të Vëzhuesve Vendorë mbi financat e partive politike[1] të publikuar në 01.08.2015 është argumentuar mbi bazën e gjetjeve të tre viteve të fundit, mbi bazën e kuadrit ligjor vendas dhe përqasjes me modelet dhe normat ndërkombëtare, se ku qendrojnë mangësitë ligjore dhe shkeljet institucionale të deri sotme. Këto të fundit janë shoqëruar dhe me rekomandimet përkatëse për të plotësuar mangësitë dhe për të shmangur shkeljet, duke i paraprirë nevojës për një reformë të thellë në këtë drejtim që duhet adresuar gjatë procesit të Reformës Zgjedhore, e cila kujtojmë se duhet të përmbyllet brenda Qershorit 2016.

 

Rekomandimet e pasqyruara në atë Raport janë në unison gjithashtu me vërejtjet e Progres Raportit të fundit të Komisionit Europian dhe angazhimet e Këshillit të Ministrave të shprehura në dokumentin strategjik antikorrupsion 2015-2020, të cilat në thelb kërkojnë forcimin e statusit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kontrollin e financave të partive politike[2], që nënkupton pashmangshmërisht edhe një kosto financiare, pavarësisht se në “Planin e veprimit të strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit 2015-2017”, nuk parashikohet kosto shtesë.

 

Në përmbushje të detyrimeve që i njeh kuadri ligjor aktual, të përforcuara edhe nga “Plani i veprimit të strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit”, ku parashikohet forcimi i regjimit të kontrolleve mbi financimin e partive politike[3] nëpërmjet hartimit të akteve nënligjore dhe ngritjes së “Sektorit të inspektimit për kontrollin e financave dhe verifikimin e raporteve të auditëve”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) parashtroi pranë Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, më datën 24 Nëntor 2015, kërkesën e tij për fonde shtesë në buxhetin e vitit 2016 në mënyrë që të ndërmarrë ndryshimet strukturore të nevojshme[4].

 

Sipas Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “miraton strukturën, organikën dhe strukturën e pagave të administratës së KQZ-së me kohë të plotë pune dhe asaj me kohë jo të plotë”[5].

Struktura dhe organika aktuale e KQZ-së është përcaktuar me Vendimin Nr. 110, datë 12.9.2002, dhe ndryshuar me Vendimin Nr. 16, datë 27.11.2012.

Vetëm elementi kohor, pa patur një analizë përmbajtësore, është një tregues nevoje për përditësim të organigramës në funksion të mangësive të vërejtura deri më sot dhe për rrjedhojë edhe për një ripasqyrim financiar të buxhetit.

 

Në vlerësimin e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, në planin afatshkurtër të diskutimit për Projekt Buxhetin e Vitit 2016 dhe në funksion të dokumentit strategjik antikorrupsion, i cili rezonon me Reformën Zgjedhore, është i domosdoshëm parashikimi i një fondi shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky fond duhet të ketë për qëllim rritjen e kapaciteteteve të këtij institucioni për të kryer një kontroll sa më detajuar mbi financat e partive politike, tagër që ia vendos kuadri ligjor.

 

Fondi shtesë, në planin afatshkurtër, i kërkuar dhe prej Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është domosdoshmëri për të kryer në zbatim të ligjit verifikimin e raporteve të auditëve kontabël për financimin e partive politike për vitin kalendarik 2014 dhe 2015, si edhe për fushatën zgjedhore të Zgjedhjeve të 21 Qershorit 2015.

Kjo domosdoshmëri bëhet akoma më e madhe në lidhje me raportet financiare të fushatës zgjedhore të kryer këtë vit, fushatë që në diskutimin publik është kritikuar si e kushtueshme dhe ka ngritur pikëpyetje të forta në lidhje me ligjshmërinë e financimeve të përdorura.

 

Ministria e Financave, Këshilli i Ministrave si dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë faktori politik parlamentar duhet të mbështesin pa rezerva miratimin e fondeve shtesë në buxhetin e KQZ-së për vitin 2016 si dhe të nxisin një ristrukturim funksional e efikas të administratës së saj, në mënyrë që bëhet i mundur kontrolli real, verifikimi serioz dhe transparenca e plotë e financave të partive politike dhe financimeve përgjatë fushatave zgjedhore, jo vetëm si një detyrim i mirëfilltë ligjor, por edhe si një akt koherence me qëndrimin dhe vullnetin politik të shprehur prej tyre në realizimin e dekriminalizimit të politikës shqiptare dhe luftës antikorrupsion.

 


[1] Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, “Qendrim Publik mbi transparencën e financimit të partive”, datë 01.08.2015. http://www.zgjedhje.al/uploads/File/2014-2015/KVV-Qendrim%20Publik%20mbi%20transparencen%20e%20financimit%20te%20partive-01-08-2015.pdf.

[2] Këshilli i Ministrave, Vendimi Nr. 247, datë 20.03.2015 “Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit për periudhën 2015-2020”

[3] Këshilli i Ministrave, Vendimi Nr. 247, datë 20.03.2015 “Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit për periudhën 2015-2020”.

Aneks 1: “Plani i veprimit i strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit 2015-2017”.

Objektivi A.6. “Forcimi i regjimit të kontrolleve mbi financimin e partive politike”.

A.6.2. Hartimi i akteve nënligjore për të bërë të zbatueshme dispozitat ligjore për financimin e partive politike, thjeshtëzimin e raporteve financiare dhe kërkesave për audit, raportimin, publikimin e raporteve financiare. 

Treguesi i zbatimit:Miratimi i rregullave për kontrollin dhe mbikëqyrjen e financave të partive nga KQZ brenda muajit Prill 2015.

A.6.3.Marrja e masave për krijimin e strukturës përkatëse në KQZ për kontrollin dhe verifikimin e raporteve të auditëve.     Treguesi i zbatimit:    Ngritja e sektorit të inspektimit për kontrollin e financave dhe verifikimin e raporteve të auditëve  nga KQZ, brenda muajit Dhjetor 2015.

[4] Në seancën dëgjimore të mbajtur me datë 24.11.2015 në Komisionin Parlamentar të Ligjeve ishte e ftuar Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefteri Luzi, e cila parashtroi kërkesën për një rritje të sasisë së fondit publik vjetor që është parashikuar për KQZ-në nga Projekt-Buxheti i Shtetit për vitin 2016. Kërkesa për rritje u arsyetua me ndërhyrjet dhe ndryshimet e nevojshme në Drejtorinë e Financave, ku kërkohej krijimi i një sektori për auditimin e financave të partive, në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe në Drejtorinë e Trajnimit të Zgjedhësve. Shqetësime financiare këto që janë ngritur nga KQZ-ja edhe në dy raportet e fundit vjetore të mbajtura prej saj në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

[5] Pika 21 e Nenit 21 “Kompetencat e KQZ-së”, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë (Ligji Nr. 10 019, datë 29.12.2008, ndryshuar me ligjin nr. 74/2012 datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 31/2015, datë 02.04.2015).

 

Tiranë, më 4 Dhjetor 2015!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore