‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Ende asnjë hap institucional për zëvendësimin e anëtarëve të KQZ-së të cilëve iu ka mbaruar mandati !
27/11/2015

D E K L A R A T Ë

 

Shkarko Deklaratën e Plotë në .pdf

 

Konsensusi politik i arritur mbi ligjin e dekriminalizimit është një hap shumë i rëndësishëm për sjelljen dhe bashkëpunimin e mëtejshëm midis forcave politike në realizimin e reformave të tjera me rëndësi për vendin, sikundër është ajo e drejtësisë, reforma zgjedhore apo reforma të tjera që duhen ndërmarrë, të cilat në thelb duhet të jenë reforma të mirëfillta dhe jo thjesht disa amendime apo përmirësime ligjore që duhen bërë.

 

Mosrespektimi dhe moszbatimi i kuadrit ligjor është një ndër sfidat më të mëdha me të cilat duhet të përballet shoqëria shqiptare e veçanërisht institucionet e saj, një fenomen ky që është bërë tashmë një traditë shqetësuese për institucionet, duke kompromentuar rëndë qëllimin dhe frymën e çdo reforme.

 

Prej datës 18 Tetor 2015, dy prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu ka mbaruar mandati[1],  ndërkohë që nuk ka asnjë hap të ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me zëvendësimin e tyre, proces i cili duhet të kishte përfunduar jo më vonë se data 18 Shtator 2015.

 

Mandati i anëtarit të KQZ-së me reformën zgjedhore të vitit 2012 u përcaktua të jetë 6 vjeçar, ndërsa ai i Kryetarit të KQZ-së 4 vjeçar. Me qëllim përtëritjen pjesore të anëtarësisë së KQZ-së, dy prej anëtarëve të saj iu përcaktua një mandat 3 vjeçar dhe përkatësisht mandati i znj. Albana Shtylla (zëvendësuar përgjatë mandatit nga znj. Edlira Jorgaqi) dhe mandati i z. Ilirjan Muho (zëvendësuar përgjatë mandatit nga z. Klement Zguri).

 

Prej 18 Tetorit 2012 kur u bë betimi në Kuvendin e Shqipërisë dhe filloi zyrtarisht mandatin, trupa e KQZ-së ka funksionuar e plotë me 7 anëtarë vetëm për 15 muaj (përkatësisht në periudhën Tetor 2012 - Prill 2013 dhe  Janar – Tetor 2015), për shkak të mosplotësimit të anëtarësisë së saj nga Kuvendi i Shqipërisë dhe subjekteve politike propozuese.

 

Ky qëndrim i përsëritur i Kuvendit të Shqipërisë, i deputetëve dhe partive parlamentare, dhe, veçanërisht, i subjekteve që duhet të propozojnë emrat e anëtarëve është jo vetëm jo korrekt dhe jo ligjor, por kompromenton thelbësisht seriozitetin dhe vullnetin e shfaqur prej tyre në ndërmarrjen e mëtejshme të reformave, të ndërtimit dhe mbështetjes së institucioneve të pavaruara.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i tërheq vëmendjen Kuvendit të Shqipërisë, deputetëve dhe partive parlamentare të nisin sa më parë procesin e plotësimit të KQZ-së, si dhe të jenë më të përgjegjshëm në përmbushjen në kohë të detyrimeve ligjore të parashikuara si akte jo vetëm të detyrueshme për tu zbatuar, por edhe si akte kuptimplotë për besimin e qytetarëve ndaj shtetit ligjor dhe institucioneve.

 



[1] Në seancën plenare të datës 18.10.2012, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë bënë betimin në detyrën e marrë 6 anëtarët e rinj dhe Kryetarja e re e KQZ-së. Kryetarja u ngarkua me një mandat katër vjeçar me të drejtë rizgjedhje, ndërsa gjashtë anëtarët u përzgjodhën me mandat parimisht gjashtë vjeçar me të drejtë rizgjedhje. Për shkak të një përtëritje të pjesëshme në vazhdim të anëtarëve të KQZ-së, nga ky rregull, sipas dispozitave tranzitore të Kodit Zgjedhor (Neni 183), dy prej anëtarëve iu ngarkua me short një mandat i përgjysmuar 3 vjeçar (vendimi nr. 13, datë 01.11.2012 i KQZ-së). Dy anëtarët e përzgjedhur ishin z. Ilirian Muho dhe znj. Albana Shtylla. Mandati i këtyre dy anëtarëve zgjati vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës, për shkak se njëri u shkarkua me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe tjetri vendosi të dorëhiqej. Vakanca e krijuar e z. Ilirian Muho u zëvendësua menjëherë nga z. Klement Zguri, kandidat i propozuar nga Partia Republikane si forca e dytë më e madhe asokohe në mazhorancë. Ndërsa vakanca e krijuar prej znj. Albana Shtylla u plotësua me datë 29.01.2015 me znj. Edlira Jorgaqi, kandidate e propozuar nga Partia Socialiste (vendimi nr. 14/2015, datë 29.01.2015 i Kuvendit të Shqipërisë). Sipas nenit 19 të Kodit Zgjedhor, një muaj para mbarimit të mandatit të dy anëtarëve në fjalë, ngarkohet Kuvendi i Shqipërisë të përzgjedhë dy anëtarët e rinj (ose të rizgjedhi dy ekzistuesit). Këta anëtarë e marrin mandatin të nesërmen e mbarimit të mandatit të anëtarëve që largohen nga detyra. Në rastin konkret Kuvendi do duhej të kishte përzgjedhur jo më vonë se data 18.09.2015 dy anëtarët e rinj dhe me datë 19.10.2015 ata do duhej të fillonin mandatin e ngarkuar.


Tiranë, më 27 Nëntor 2015!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore