‘‘

’’




Përshkrim i Aksionit


Në vazhdën e aktivitetit të vet të vazhdueshëm, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është duke vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 në të gjitha nivelet e përgatitjes dhe realizimit të tij.


Gjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, KVV do të angazhojë rreth 1,600 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë:


- procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin;

- situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm;

- aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve;

- procesin e numërimit të votave deri në përfundim të tij.


541 qendrat e votimit që do të vëzhgohen gjatë ditës së zgjedhjeve janë përzgjedhur duke përdorur një kampion rastësor të shtresëzuar, përfaqësues. Kjo përzgjedhje mundëson që gjetjet nga vëzhguesit gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithësohen në nivel kombëtar.


Zgjedhjet 2017 – Të dhënat



NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





39 aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Lokale të 25 Tetorit në Ukrainë nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO!
23/10/2015

NJOFTIM PËR SHTYP


 

Ditën e dielë datë 25 Tetor 2015 në Ukrainë do të mbahen Zgjedhjet për Qeverisjen Lokale, të cilat do të vëzhgohen edhe nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit i Rrjetit Europian të Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve (ENEMO).

 

Pjesë e këtij misioni janë dy organizatat shqiptare KRIIK Albania dhe Shoqata për Kulturë Demokratike, të cilat janë gjithashtu dy prej organizatave drejtuese të Koalicionit të Vëzhguesve Vendore (KVV).

 

Zgjedhjet Lokale të 25 Tetorit 2015 përmbyllin mandatin 5-vjeçar të të zgjedhurve lokale në zgjedhjet e Tetorit 2010, ndërkohë që pasojnë Zgjedhjet e Pjesëshme Lokale të zhvilluar në Maj 2014.

 

Këto zgjedhje po zhvillohen me një kuadër ligjor të ndryshuar në korrik 2015, të cilat duket se do të rrisin më tej përfaqësimin si dhe rolin e partive politike. Kuadri ligjor përcakton një strukturë komplekse të bazuar në tre sisteme elektorale, përmes të cilave do të bëhet edhe zgjedhja e Qeveritarëve të rinj Lokalë në pjesën më të madhe të Ukrainës, përjashtuar rajonin e Luganskut dhe Donjeckut.

 

Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit i ENEMO-s është në mbështetje të mbarëvajtjes së këtij procesi zgjedhor dhe në ndihmë të përmbushjes së vullnetit të lirë të qytetarëve të Ukrainës, për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe të ndershëm duke e konsideruar këtë proces një hap tjetër të rëndësishëm për zhvillimin demokratik të Ukrainës.

 

Zgjedhjet Lokale të së dielës do të jenë nën vëzhgimin e 1554 vëzhguesve ndërkombëtarë, të akredituar prej 14 shteteve të huaja dhe prej 14 organizatave ndërkombëtare, në veçanti prej ODIHR, Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Asamblesë Parlamentare të NATO-s si dhe prej Misionit të ENEMO-s.

 

 

Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit i ENEMO-s e nisi punën e tij që me 1 Tetor 2015, duke angazhuar një Ekip Drejtues prej 8 personash, 50 vëzhgues afatgjatë si dhe më shumë se 300 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të monitorojnë tërë procesin në të dy raundet: raundin e parë të 25 Tetorit si dhe raundin e dytë që do të zhvillohet brenda 15 Nëntorit 2015.

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, nëpërmjet KRIIK dhe SHKD ka angazhuar në këtë Mision 6 vëzhgues afatgjatë si dhe 32 vëzhgues afatshkurtër, si dhe përfaqësohet për herë të parë në Ekipin Drejtues të tij me Zv/Shefin e Misionit z. Dritan Taulla zv/President i KRIIK Albania-s.

 

Sipas kreut të Misionit z. Zlatko Vujovic, ky Mision jo vetëm do të vëzhgojë procesin zgjedhor, por do t’i kushtojë vëmendje edhe përgatitjes së rekomandimeve për përmirësimin e ligjit elektoral.

 

Misioni i Vëzhgimit Ndërkombëtar të ENEMO për Zgjedhjet Lokale 2015 në Ukrainë, bëhet i mundur nga mbështetja financiare e Bashkimit Europian.

 

 

Informacione mbi ecurinë e procesit zgjedhor dhe mbi Misionin Ndërkombëtar të Vëzhgimit të ENEMO-s mund t’i ndiqni në faqen e internetit: http://www.enemo.eu/, si dhe në faqen e facebook: https://www.facebook.com/pages/ENEMO-The-European-Network-of-Election-Monitoring-Organizations/430957566960421 .

 

Për të kontaktuar drejtpërdrejt me Misionin për informacione të mëtejshme, kontaktoni me z. Dritan Taulla, Zv/Shef i Misionit / Përgjegjës i Komunikimit, Cel.: +380 67 88 10 778; email: dritan.taulla@enemo.eu; Address: 21, Reitarska Street, office 16, Kyiv - Ukraine.

 

 

*****************************************************************************

Rreth ENEMO-s

Rrjeti Europian i Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve (ENEMO) është një Rrjet Ndërkombëtar Organizatash Jo-Qeveritare themeluar më 29 Shtator 2001 në Opatija, Croaci.

Rrjeti është i përbërë nga 22 Organizata Lider të vëzhgimit në vendet e tyre nga 18 vende të Europës Qendrore e Lindore dhe të Azisë Qëndrore, përfshirë edhe tre vende anëtare të Bashkimit Europian.

ENEMO mbështet përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për promovimin e demokracisë në rajon, duke vlerësuar mjedisin politik e atë zgjedhor, si dhe duke ofruar raporte të kujdesshme e të paanshme vëzhgimi.

Misionet Ndërkombëtare të Vëzhgimit të ENEMO-s përdorin kriteret dhe standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve demokratike për të vlerësuar procesin elektoral si dhe kuadrin ligjor të vendit pritës.

 

ENEMO dhe të gjitha organizatat anëtare të saj kanë pranuar dhe nënshkruar Deklaratën e vitit 2005 të Parimeve mbi Vëzhgimin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve, si dhe Deklaratën e Parimeve Globale për Vëzhgimin dhe Monitorimin Jo-Partizan të Zgjedhjeve nga Organizatat Qytetare.

Çdo vëzhgues i ENEMO ka nënshkruar Kodin e Sjelljes për Vëzhguesin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve.

Organizatat anëtare të ENEMO-s kanë monitoruar më shumë se 200 zgjedhje kombëtare dhe kanë trajnuar më shume se 200,000 vëzhgues.

Deri më tani, ENEMO ka organizuar 21 Misione Ndërkombëtare Vëzhgimi të Zgjedhjeve në shtatë vende: Shqipëri (Zgjedhjet Parlamentare 2005); Gjeorgji (Zgjedhjet e Parakohshme Presidenciale 2008); Kazakistan (Zgjedhjet Presidenciale 2005); Moldavi (Zgjedhjet Parlamentare 2009); Kosovë (Zgjedhjet Vendore 2009, Zgjedhjet Parlamentare 2010, Zgjedhjet Vendore 2013); Kirgistan (Zgjedhjet Presidenciale 2005, Zgjedhjet Parlamentare 2005, Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2007, Zgjedhjet Presidenciale 2009 dhe Zgjedhjet Parlamentare 2010); dhe Ukrainë (Zgjedhjet Presidenciale 2004, Zgjedhjet Parlamentare 2006, Zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë në Chernihiv, Kirovograd dhe Poltava në vitin 2006, Zgjedhjet Parlamentare 2007, Zgjedhjet Presidenciale 2010, Zgjedhjet Parlamentare 2012, Zgjedhjet e Përsëritura Parlamentare në pesë rajone në vitin 2013, si dhe Zgjedhjet e Parakohshme Presidenciale 2014 dhe Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2014).

 

Organizatat anëtare të ENEMO: Qendra për Iniciativa Qytetare – Bosnje Hercegovinë, Qendra për Tranzicion Demokratik – Mali i Zi, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci – Serbi, Koalicioni për Demokraci dhe Shoqëri Civile – Kirgistan, Komiteti i Zgjedhësve Ukrainas - Ukrainë; Qendra për Vëzhgimin e Zgjedhjeve – Azerbajxhan, GONG – Kroaci, ISFED – Gjeorgji, Është Zgjedhja Jote – Armeni, Shoqata e Qytetarëve MOST – Maqedoni, Shoqata Pro Democracy – Rumani, Rrjeti Republikan i Vëzhguesve të pavarur – Kazakistan, Golos – Rusi, Obcianske Oko – Sllovaki, Komiteti Bjellorus i Helsinkit - Bjellorusi, Shoqata për Kulturë Demokratike – Shqipëri, Qendra për Monitorim dhe Kërkim – Mali i Zi, Qendra për të Drejtat e Njeriut “Viasna” – Bjellorusi, Promo LEX – Moldavi, KRIIK Albania - Shqipëri, Fondacioni për Mbështetjen e Iniciativave Qytetare – Kazakistan; Instituti Demokratik i Kosovës – Kosovë.


NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore